PROPOZIM MODEST

Në një editorial të paradokohshëm, të botuar pastaj radhazi në mediat online aq sa nuk po ia gjej dot zanafillën, Ben Andoni ankohej – me të drejtë – për fjalorin rrugaçor të politikanëve të Tiranës.

Dukuria nuk lë shumë vend për koment, edhe pse mund, madje duhet diskutuar nëse bëhet fjalë thjesht për teatër, apo këta njerëz janë vërtet kaq vulgarë sa ç’duken. Pa pasur prova të mirëfillta, unë anoj nga hipoteza se protagonistët e lapërdhive janë vërtet aq vulgarë sa ç’hiqen, por edhe luajnë teatër.

Gjithsesi, për këtë kam folur gjetiu. Sikurse kam folur edhe për efektin, në publik, të shfaqjes që jep përjavë, në mos edhe më shpesh, kjo pari që u ngjan personazheve të një filmi të keq me ciganë a një dokumentari që përshkruan, me kontraste të forta hiper-realiste, i Quartieri Spagnoli në Napoli.

Këtu vetëm dua të shtoj diçka në lidhje me mjekimin e mundshëm të kësaj histerie. Dikur patologji të tilla i lehtësonin e zbutnin duke i mbështjellë të sëmurët me çarçafë të lagur me ujë të akullt e duke u bërë pastaj lavazhe stomaku dhe klizma – sikurse na e kujton me delikatesë Shvejku. Më pas kanë provuar edhe malarien, komën insulinike dhe, sërish, klizmën radikale: të gjitha metoda çnjerëzore, që nuk mund të rekomandohen më, megjithëse ma merr mendja ndokush ndihet tashmë të paktën i tunduar.

Ben Andoni shpreson që të dalë në skenë një forcë politike e cila “ta ketë në kodin e saj etik që të mos ofendojë.”

Por unë do të sugjeroja një zgjidhje tjetër, i nisur nga fakti i thjeshtë se këto sharje, pështyma, mallkime, qesëndi, përgojime, nofka dhe abuzime prej të burgosurish ordinerë në pajtoz publiku nuk i dëgjon as  i lexon drejtpërdrejt, por i merr nëpërmjet mediave që ia përcjellin “besnikërisht” përditë, madje shumë herë në ditë.

Në kuptimin që mediat, të cilat kanë edhe një farë misioni etik ndaj publikut, sado turp që t’u vijë nga kjo dhe sado të përpiqen ta mohojnë në emër të një pluralizmi të cilin e kuptojnë njëlloj siç e kupton deveja ajsbergun; mediat, pra, mund edhe të vendosin, kanë aq fuqi sa të vendosin që t’i bojkotojnë krejt praktikat e diskursit politik abuziv në Tiranë dhe transmetimet e këtyre telenovelave me mafiozë, të fortë dhe kusarë që merren vesh mes tyre duke u sharë; t’i bojkotojnë duke i zëvendësuar – bie fjala – me muzikë popullore nga trevat shqiptare, ose me këngë korale nga operat tona të traditës, ose edhe thjesht fare, me regjistrime live nga një stallë e përparuar lopësh, të paktën sa i përket televizionit, këtij sporti ende të praktikuar në masë, për ta mbajtur ndjesinë atdhetare të unitetit kombëtar në formë të mirë fizike dhe shpirtërore.

Herën e fundit kur propozova një bojkotim të ngjashëm, më gjuajtën menjëherë me topuz jeniçerët e një faqeje të shumë-vizituar online, të cilët kushedi vërtet paguhen nga të ardhurat e siguruara duke ia përcjellë publikut sylesh lapërdhitë e larme të politikanëve dhe të tjerëve celebritete – të cilat Tirana i ka me burí. Nëse ka ndonjë komplot djallëzor prapa këtij amplifikimi të fëlliqësisë, këtë nuk di ta them; sikurse nuk di të them nëse liria e fjalës po përdoret si varé për të shembur ato institucione që praktikisht duhej ta garantonin vetë këtë liri, së bashku me të drejta të tjera themelore.

Gjithsesi ka kaluar ca kohë që atëherë, dhe po dua t’i kthehem temës sërish (se edhe kapëset nga plagët e kokës i kam hequr ndërkaq): nëse politika ndyn, atëherë mediat le të shmangin rolin e pështirë të megafonit dhe të marrin përsipër atë çfarë do të pritej prej tyre – konstituimin e mirëfilltë të një pushteti të katërt, që nuk i gjunjëzohet politikës dhe as i bën shantazh, por ndërmjetëson midis palëve të komunikimit publik, duke ruajtur dhe kultivuar pozicionet e veta autonome. Madje kështu shumë gazetarë dhe përzgjedhës lajmesh do të çliroheshin edhe nga dyshimet dhe akuzat që u bëhen ndonjëherë, se janë thjesht mercenarë të politikës: tek e fundit, sot më mirë të kujtojnë për ty se je mercenar i anti-politikës!

Kur e kam propozuar këtë më parë, më kanë thënë se jam duke sugjeruar, në thelb, rikthim të censurës. Mirëpo, në fakt, kur një televizion ose gazetë përplas pisllëkun politik të ditës në faqe të parë ose në kryetitujt, nuk është se po pozicionohet gjë kundër censurës, as se po ushtron të drejtën e fjalës. Të hapësh një rubrikë të rregullt që u kushtohet “qyfyreve të Parlamentit” nuk kërkon ndonjë guxim kushedi çfarë, as sfidon ndonjë lloj censure – aq më tepër në kulturën e sotme të pranisë me çdo kusht, kur VIP-at riprodhohen si të tillë nëpërmjet numrit të herëve që arrijnë ta nxjerrin fytyrën (dhe pjesë të tjera të ngjashme të trupit, sipas rastit dhe rolit) në ekran.

Për të kuptuar se si funksionon media, edhe ajo e Tiranës, le të mendojmë për një çast, se çfarë është duke u lënë jashtë vëmendjes së publikut, teksa këtij të fundit i ofrohen shfryrjet, ofshamat dhe shpërthimet e elitës kombëtare në Parlament, në qeveri dhe në sallonet e larta të politikës. Unë do të thoja praktikisht gjithçka, në kuptimin që censura nëpërmjet shurdhimit i mbyt më të shumtën e atyre lajmeve dhe informacioneve që do të meritonin t’i silleshin publikut – duke filluar nga ai lloj diskursi që përpunohet nga gazetarët vetë, jo aq në rolin e editorialistëve dhe të komentuesve dhe të biografëve zyrtarë të VIP-ave, sesa të prodhuesve të lajmit.

Natyrisht, gjendja në mediat elektronike dhe në Internet është më e pashpresë se në shtypin e shkruar; prandaj edhe këtu kushedi duhet të fillojë protesta dhe, pse jo, bojkotimi. Tek e fundit, askush nuk ka provuar, me argumente ose me shifra, se publiku vërtet dëshiron të lexojë dhe të dëgjojë, nga mëngjesi në mbrëmje, çdo fjalë që del nga goja e politikanëve të rëndomtë të Tiranës, të cilët me pak përjashtime nuk shquhen as për intelekt, as për urtësi dhe as për humor (por shquhen për dinakëri, intriga, arrogancë, nuhatje dhe intuitë, pabesi dhe dyfytyrësi).

Duke parafrazuar tani një batutë të mirënjohur të William F. Buckley-t, do të vëreja këtu se gazetarët kuriozë dhe mendjehapur mbase do të gjenin më shumë lajme, batuta dhe ide me interes për publikun në çfarëdo kafeneje të Tiranës, sesa në Parlament ose në mjediset dhe sallonet e tjera të politikës së madhe në kryeqytet; dhe se unë, shpresoj së bashku me shumë të tjerë, do të parapëlqeja që ta hapja ditën me çfarë mendojnë dhe thonë publikisht fshesarët ose kamerierët ose kambistët e rrugës, sesa deputetët ose ministrat e tanishëm, që ia kanë ulur nivelin diskursit publik deri në gjiriz; me bashkëfajësinë totale të mediave, që shesin klikime duke u thënë lexuesve dhe shikuesve: ja, këta janë përfaqësuesit tuaj, njerëzit që u keni dhënë votën dhe u keni besuar të ardhmen e vendit tuaj dhe mirëqenien tuajën si qytetarë dhe të fëmijëve dhe familjeve tuaja.

Do të më kundërshtojnë me argumentin se ashtu rrezikojmë të kthehemi tek ajo kohë kur, për ta thënë me vargjet e harruara të një poeti të njohur, “N’Evropë jemi vendi i vetëm/Që në mbrëmje më parë se gjithçka/Japim lajme për njerëzit e thjeshtë/Të uzinave dhe fushave të mëdha.” Por le të fillohet një herë me bojkotimin e të mëdhenjve – dhe pastaj ndoshta bindemi të gjithë se ka vend për ta risjellë në vëmendje mohimin e mohimit – me kusht që të ketë mbetur ndonjë gazetar në Tiranë që ende i beson dhe i falet Hegelit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.