PSE ÇABEJ

Një shembull, që do ta ilustroj gjerësisht më poshtë, për të shpjeguar pse Çabej – në etimologjitë e veta – i qaset shqipes si gjuhë e gjallë në hapësirë dhe në kohë, jo si një tërësi rrënjësh për t’u etimologjizuar.

Fjalën thikë, Meyer-i dhe të tjerë pas tij e patën nxjerrë nga latinishtja sica me kuptim të ngjashëm; derisa Bariçi, një etimolog kroat, vuri re se një s- latine nuk mund të kish dhënë th- në shqipe; dhe se kjo sica e latinishtes nuk dilte gjëkundi në gjuhët e tjera romane – dhe që këtej arriti në përfundimin që thikë ishte fjalë vendi e shqipes. Arbëreshi La Piana, nga ana e vet, jo vetëm e mbështeti këtë hipotezë të Bariçit, por edhe solli si dëshmi një varg të poetit Ennius, “Illyrii restant sicis sybinisque fodentes”, për të konkluduar se latinishtja sica është emri i një arme me burim ballkanik (të vërehet se latinishtja ka edhe sicarius, vrasës). U përsiat se thika vinte nga një proto-shqipe *tsikā, me gjasë fjalë ilire, dhe se romakët e shihnin këtë sica si armë karakteristike të ilirëve. Michiel De Vaan, në Fjalorin etimologjik të latinishtes dhe të gjuhëve të tjera italike (Brill, Leiden Boston 2008), vëren se sica e latinishtes nuk mund të shpjegohet si fjalë e trashëguar, prandaj duhet të jetë huazim.

Gjithë duke përjashtuar, me Bariçin, që thikë mund të ketë ardhur nga latinishtja, Çabej e gjykon të mundshëm burimin ilir të fjalës – në kuptimin që shqipja mund ta ketë trashëguar atë nga ilirishtja; një hipotezë e mbështetur edhe gjuhësisht, edhe me argumente kulturore-historike. Në fakt, arkeologët kanë treguar se arma, që latinët e quanin sica, përdorej jo vetëm nga ilirët, por edhe nga trakët dhe dakët, dhe se e kish origjinën në kulturën e Halstatt-it. Kjo origjinë dhe përhapje e armës nuk ka, megjithatë, lidhje të drejtpërdrejtë me origjinën dhe përhapjen e emrit të saj, sepse trakët dhe dakët, ose edhe ilirët vetë, mund ta kenë quajtur me një emër të ndryshëm nga sica. Çfarë dimë me siguri, nga ana gjuhësore, është sica e latinishtes dje dhe thika e shqipes sot.

Që një fjalë si thikë mund të ketë shtegtuar nga proto-shqipja në latinishte, në lashtësi, për të dhënë atje sica, kjo gjetje do ta kish lumtuar ndoshta çdo etimolog të shqipes – meqë ky, në punën e vet, si rregull do të kish ndeshur me të kundërtën, ose me fjalë gjuhësh të tjera që kanë hyrë në shqipe, përfshi edhe mizërinë e fjalëve latine-romane. Por Çabej nuk mjaftohet me kaq. Mbase barazimi shqip thikë latinisht sica i duket pak si tepër i thjeshtë, për t’u ndalur atje. Prandaj ai e sheh me vend të qëmtojë edhe më tej, për lidhje të fjalës thikë brenda shqipes, dhe pikërisht për marrëdhënien e saj me thekë.

Shqipja thekë përdoret kryesisht në shumës, me kuptimin “xhufkat që varen si stoli në fund të një petku a qilimi a perdeje”, por sipas Çabejt edhe “halat e kalliut”; madje ky dijetar shënon që në gegnishten veriore fjala e ka shumësin thakë, me kuptimet “thelët e petkut” dhe “halat e kalliut të grurit”; dhe se kjo formë, thak-u, përdoret edhe në njëjës. Këtu Çabej krahason shumësin e tanishëm thek > thakë me shumësa të tjerë të parregullt: rreth > rrathë dhe thes > thasë, ku gjithashtu njëjësi dhe shumësi kanë ndërruar vend në rrjedhë të kohës. Nga ana tjetër, që thekë shënon halat e kalliut shërben edhe për të rrëzuar, me Joklin, një etimologji tjetër të Meyer-it – thekër nga latinishtja sécale (për secale)[1] dhe që të dy këta, Jokli dhe Çabej, e shohin, përkundrazi, si shumës të singularizuar të thek-[2]. Gjithsesi, Çabej shpjegon tani se trajta primare e fjalës thekë është thak me kuptimin bazë “gjemb, majë”; dhe me këtë formë e kuptim fjala përfshihet në krahasimet indo-europiane të Meyer-it dhe të tjerëve. Nëse është kështu, vazhdon Çabej, te thikë do të kishim shkallaren e fundit të shkallëzimit a:e:i në emra (thak : thek(ë) : thikë), pa çka se kjo nuk e sqaron nëse kjo fjalë e shqipes ka apo jo lidhje me burimin e vjetër ballkanik të latinishtes sica.

Çfarë ka të re këtu, në krahasim me etimologjizimet tradicionale të fjaës thikë? Përpjekjen për të mos u ndalur te një barazim sado intuitiv, sado evident, madje sado në favor të primatit të fjalës shqipe (ose rolit “dhënës” të shqipes), por për ta parë fjalën në sistemin leksikor (lidhja me thak > thekë), gramatikor (metafonia a:e:i, singularizimi i shumësit) dhe fjalëformues; dhe gjithsesi, brendagjuhësor. Çfarë do të thotë se etimologu, para se të hidhet dhe të kërkojë lidhje të fjalës shqipe (thikë) me fjalë gjuhësh të tjera indo-europiane, mundohet ta vendosë këtë fjalë brenda sistemit të shqipes – dhe evolucionit të këtij sistemi në kohë. Për ta arritur këtë, në rastin konkret, Çabejt i kanë shërbyer edhe dëshmitë dialektore – dhe pikërisht, ekzistenca e një forme thak, krahas thekë; dhe e kuptimit “halat e kalliut”, që e parakupton menjëherë idenë e të prerit, të shpuarit, të therurit; e cila çon pastaj te thikë.

Meqë neve sot nuk na vjen e vetvetishme lidhja e thekë (dhe aq më pak e thekër) me thikë, duhet vështrimi i stërvitur i historianit të gjuhës që ta shquajë, dhe jo vetëm; sepse ky historian duhet edhe të jetë mësuar me idenë se, edhe kur analiza e kthen mbrapa në kohë, fazat më të vjetra të gjuhës janë gjithnjë faza të një gjuhe të gjallë, jo tabela rrënjësh për t’u krahasuar. Kjo ka rëndësi edhe metodologjike. Shqipen thikë do ta kishin barazuar me latinishten sica edhe sikur ajo të dilte në një mbishkrim të vetëm të një gjuhe përndryshe të vdekur. Por, duke qenë shqipja e gjallë dhe e dëshmuar, në shkrim dhe në dialektet, në hapësirë dhe në kohë, fjalët e saj është më mirë të shihen si nyja tiparesh dhe zhvillimesh sistemike, para se të shihen si atome (të izoluara).

Karakteristike për Çabejn është edhe se ai i vë pranë e pranë hipotezën ilire (sica) dhe hipotezën e një formimi brendagjuhësor, nga thak > thek(ë) > thikë; duke e lënë të hapur mundësinë që fjala thikë, si produkt i një vargu metafonik (a:e:i) të ketë ekzistuar në proto-shqipe edhe herët në lashtësi, nga ku ta ketë marrë latinishtja. Sa gjasë ka të ketë ndodhur huazimi? Për Çabejn, kjo nuk ka shumë rëndësi. Tek e fundit, albanologut nuk është se i intereson shumë etimologjia e një fjale latine, sica; prandaj ai mjaftohet me konstatimin, e Bariçit dhe të tjerëve, se shqipja thikë nuk mund të vijë nga latinishtja sica. Pas kësaj, ai kufizohet me diskutimin e etimologjisë së shqipes thikë, jo të latinishtes sica – nëse kjo është apo jo fjalë ilire, mund të ketë interes për dijen; por nuk ngre peshë në etimologjinë e fjalës shqipe thikë.

Edhe më tej: kjo etimologji e Çabejt nuk sjell aq të re raportin e (ri)zbuluar të thikë me thekë (thak) dhe aq më pak konfirmimin që thikë nuk mund të vijë nga latinishtja sica – por faktin që, në vetvete, ajo harmonizohet me etimologji të tjera të po këtij studiuesi; në kuptimin që parimi i analizës së fjalëve brenda sistemit të gjuhës (fonetik, morfonologjik, gramatikor) zbatohet prej tij në ansambël, dhe jo vetëm gjen konfirmim veç e veç, sipas fjalëve; por edhe shërben pastaj për të konfirmuar krejt korpusin e fjalëve të etimologjizuara. Meritë e Çabejt është këtu se e sheh shqipen e vjetër, para-shkrimore, të Mesjetës dhe të antikitetit, jo si tabelë rrënjësh ose tërësi rindërtimesh algjebrike, por në gjallërinë e saj – të pavërtetuar, por të padiskutueshme. Ajo shqipe na vjen si një gjuhë e ngjashme me tonën, çfarë ka rëndësi; por edhe e dallueshme prej saj, çfarë ka gjithashtu rëndësi. Rëndësi ka edhe, më në fund, që ngjashmëritë dhe dallimet të jenë, edhe ato të harmonizuara; në kuptimin që, në shqipen e sotme (moderne, etj., përfshi edhe dialektet gjeografike) do të gjejmë gjurmë, të fjetura ose të izoluara ose të narkotizuara, të një shqipeje tjetër.

Shënim: etimologjitë e Çabejt janë nxjerrë nga Studime etimologjike në fushë të shqipes VII, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 2006.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] thekër nuk mund të vijë nga sécale për të njëjtën arsye sikurse thikë nuk mund të vijë nga sica: s-ja nistore e latinishtes, e ndjekur nga zanore, ka dhënë sh- në shqipe

[2] Gjithnjë te Çabej lexoj se, sipas Gazullit, thikëz në Veri shënon “çingla grash në trajtë thike.”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top