PSE DUHET RUAJTUR

Sot qarkulluan në rrjetet disa foto të pjesës anësore të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, ku haptazi dukeshin dëmtimet e fasadës dhe amortizimi i përgjithshëm. Me gjasë, kryeministri Rama i ka ripostuar këto foto në Instagram dhe i ka komentuar kështu: “Me sa mend në kokë mund të luftohet për ta ruajtur?”

Fotot janë manipulative. Kushdo mund të nxjerrë një foto të një vendi të dëmtuar, edhe të Louvre-it, si provë se ndërtesa është rrëgjuar; por duhet pak guxim gazetari të shkollës shqiptare, që ta paraqitë foton si argument pro-shkatërrimit. Aq më tepër kur tashmë po bëhet gjithnjë më e qartë se shkatërrimi i tanishëm i ndërtesës është diktuar nga motive të biznesit privat.

Edhe unë mund të vete të nxjerr ca foto të fasadës së mirëmbajtur e të suvatuar të Teatrit dhe të them se kjo ndërtesë është akull e re dhe nuk duhet prekur; edhe unë ashtu do të manipuloj. Meqë ndërtesës sot po i kërkohet ruajtja për arsye simbolike, jo të inxhinierisë së ndërtimit; për çfarë ka shërbyer, jo për teknikën e suvatimit.

Një kryeministri që riposton foto të tilla të çfarëdoshme mund t’i bëhet menjëherë pyetja se cilin drejtor a ministër ka vënë me shpatulla për muri, ngaqë ka lejuar degradimin e tillë të selisë së një institucioni kombëtar. Denoncimin me foto mund ta bëjnë tabloidët, por jo personi i cili, duke qenë në krye të ekzekutivit, mban edhe përgjegjësinë e fundit për mirëmbajtjen e godinave institucionale në kryeqytet.

Kam parë dhe lexuar, herë pas here, për fonde publike që janë vënë në dispozicion për restaurimin e ndërtesës në fjalë; tek e fundit, Teatri Kombëtar ka qenë monument kulture me status të posaçëm dhe ka përligjur investime më të mëdha se, të themi, ish-klinika dentare e lagjes 9. Kushdo që sheh fotot e tanishme, bën mirë të pyesë – edhe publikisht – se si janë përdorur ato fonde dje; dhe nëse ka pasur apo jo keqpërdorime.

Aq më tepër që asnjë nga ata që kërkojnë që selia e Teatrit Kombëtar të mbrohet nga prishja, nuk kërkon që ajo të mbetet kështu siç është tani; përkundrazi, me sa kanë parë, shumë nga ata që kanë folur, kanë kërkuar pikërisht që ajo të restaurohet me rrënjë. Kërkohet ruajtja e selisë, jo ruajtja e amortizimit të selisë. Ndërtesa është degraduar sepse është lejuar të degradohet; dhe mungesa e vëmendjes për mirëmbajtje nuk mund të përdoret tani si argument në favor të shembjes. Edhe hotel Dajti pak më tutje, një godinë shumë më “solide” se teatri, është lejuar të rrëgjohet si mos më keq – mos vallë do të thuhet tani që edhe ai duhet të shembet? Po Piramida?

Dhe nuk ka nevojë që kërkesa për ta mbrojtur Teatrin siç është të jetë proporcionale me vlerat arkitektonike të godinës – pa çka se edhe këto i kanë nxjerrë në pah mjaft qartë. Çështja është gjetiu. Teatri Kombëtar nuk ka qenë monument as kur u dizajnua nga arkitekti dhe as në momentin kur u ndërtua; por është bërë i tillë, monument, në rrjedhë të viteve, falë vendit që ka zënë në kujtesën kolektive të qytetarëve.

Këtë argument ia kam parë të artikuluar Herbert Muschamp-it, kritik arkitekture, në një artikull të gjatë në The New York Times, kushtuar një problemi të ngjashëm me një ndërtesë në Manhattan (The Secret History of 2 Columbus Circle). Në krahasim me vendin që zë në historinë sociale, thotë ky autor, cilësitë artistike të monumentit janë të rastit (incidental). Prandaj edhe debati për cilësinë e dizajnit të ndërtesës në origjinë (dopolavoro fashiste, mensë për italianët, sallë gjyqi komunist, etj.) është i falsifikuar që në premisë. Teatri Kombëtar është monument jo sepse u konceptua i tillë nga arkitekti, madje as për pjesët teatrale që u vunë në skenë (të mira e të pamira, të bukura e të shëmtuara, propagandistike e subversive); por ngaqë atë rol ka marrë gjatë viteve, në kujtesën e publikut teatral në Tiranë dhe kudo gjetiu në Shqipëri.

Dhe ky publik – shkruan gjithnjë Muschamp-i – është më shumë se një grup konsumatorësh pasivë; mund të jetë edhe njësi produktive. Përfton atmosfera, kujtime, argumente, tekstura të mendimit, një klimë receptiviteti dhe skenën ku ndodhin performancat. Dhe, do të shtoja unë, është në thelb i njëjti me atë që kërkon tani respekt për Teatrin monument; i cili mund të zëvendësohet si godinë, por jo si monument në kujtesën historike të Tiranës.

Në raport me këtë argument, fotot e paparazzi-ve të fasadave të prishura e kanë vendin në koshin e plehrave; sepse nga ai kosh edhe kanë dalë.

Por ka edhe një element tjetër në ato foto, që nuk mund të lihet mënjanë. Fotografi, kushedi pa dashur por kushedi qëllimisht, ka lënë të duket, në perspektivë, ndërtesën ndoshta më agresive të “skyline-it” të Tiranës: një nga kullat prej vitesh të pambaruara, që më ngjan me një shtëllungë tymi të ngrirë; beton dhe vrima pa kuptim, pa hijeshi, pa qëllim (4 Evergreen Tower, ku emri ndoshta lë të kuptohet më shumë se ç’kishin në mendje pagëzuesit).

Ajo kullë në sfond me gjithë dritaret e zgavërta vetëm sa e bën edhe më njerëzore rrënojën e fasadës së Teatrit; sepse fasada mund të ndreqet, ndërtesa e Teatrit mund të restaurohet; por ajo kullë është që pa u ndërtuar akoma e pashlyeshme – dhe jo si monument, por ngaqë është e kundërta e monumentit, një “anti-monument”; sepse nuk gjeneron kujtesë kolektive, por e pezullon atë, e thith si vrimë gjirizi, e pezullon mendimin dhe vetëdijen qytetare të tiranasit. Thonë se e kanë quajtur “çiban”; por ndryshe nga çibani, ajo nuk hiqet më: edhe po të vendosin ndonjëherë ta shkatërrojnë, do të duhet të evakuojnë gjysmën e Tiranës. Ajo kullë e pambaruar është një cikatrice e shfaqur para se të hapet e të qelbëzohet plaga, kohë që ecën së prapthi si gaforrja, statuja e pashlyeshme e entropisë. Gati-gati prania e saj në foto po më duket sikur i detyrohet ndonjë skrupulli etik të fotografit, përndryshe të reprimuar; sikurse po më duket edhe si një projeksion djallëzor i së ardhmes që i kanoset memories kulturore të qytetit. Të dyja bashkë, brenda së njëjtës foto:  ku i ke çmimet ndërkombëtare, kur të duhen për t’ia dhënë ndonjë gjeniu aksidental?

Ironike po më duket, që në fotot e sjella si argument në favor të “prishjes” së Teatrit, të shfaqet pikërisht argumenti pse Teatri nuk duhet prishur, pse Teatri nuk mund të prishet; madje sa më shumë të amortizohet ndërtesa, aq më i fortë do të jetë argumenti për mbrojtjen e saj; dhe vetëdija se përballë atyre që e trajtojnë hapësirën urbane si truall investimi dhe burim të ardhurash, po kristalizohet edhe grupi i atyre të tjerëve, që i japin përparësi kujtesës, kulturës dhe mirëqenies shpirtërore në komunitet.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.