PSIKODRAMA E HAPJES

Ka pasur interes të veçantë, në mediat tradicionale dhe ato elektronike, për disa ndërhyrje artistike-kuratoriale, të qeverisë së kryesuar nga Edi Rama, në objekte semiotikisht të rëndësishme, të lidhura, në mënyra të ndryshme, me regjimin totalitar:

një strehim atomik masiv në periferi të Tiranës, një shtëpi në kryeqytet dikur e përdorur nga Sigurimi i Shtetit për të koordinuar përgjimin elektronik të qytetarëve dhe kushedi për ç’tjetër (e mbiquajtur “Shtëpia e gjetheve”), vila në Bllok ku dikur jetonte Enver Hoxha dhe familja e tij, ndërtesa e muzeut “Enver Hoxha” e njohur me emrin “Piramida” dhe, tani së fundi, përurimi i një qendre të komunikimit dhe dialogut (COD) në katin e parë të selisë së Kryeministrisë, në Bulevardin e Madh të Tiranës.

Është folur dhe diskutuar për ndërhyrjet vetë dhe zgjedhjen e objekteve, por edhe për mënyrën si i janë paraqitur publikut këto ndërhyrje; ose diskursin dhe angazhimin në mos autoritar së paku autorial, që ka shoqëruar ndërhyrjet dhe përurimet. Këtu më poshtë do të hedh disa mendime, në lidhje me nocionin e “hapjes”, i cili pandashëm i ka shoqëruar të gjitha ndërhyrjet dhe diskurset përkatëse, veçanërisht në nivel zyrtar.

Kur flasim për ndërtesa, “hapja” si ndërhyrje në statusin e objektit parakupton një “mbyllje” të mëparshme – në kuptimin që një hapësirë ku deri dje publikut nuk i lejohej të futej, tanimë mund të vizitohet, madje t’i përkushtohet këtij funksioni të ri, duke u shndërruar në ekspozitë ose shenjë të së djeshmes së vet. Kështu, “bunkeri” shumëkatësh në periferi të Tiranës ishte për shumë kohë sekret dhe më pas mbeti i mbyllur për kureshtarët; “shtëpia e gjetheve” nuk ishte veçse një nga vilat e shumta të braktisura dhe në amortizim e sipër, që hijeshojnë rrugët e kryeqytetit; “Piramida” ka ndenjur e mbyllur në mënyrë intermitente, kryesisht ngaqë palët nuk janë marrë dot vesh se ç’të bëjnë tamam me të; “vila e Enverit” ka ndërruar përdorues dhe ka ardhur duke e humbur shkëlqimin në mënyrë relative; dhe, më në fund, Kryeministria ka qenë off-limits si objekt i rëndësisë së veçantë dhe seli e Këshillit të Ministrave, por edhe zyrë e Kryeministrit vetë.

Në të gjitha këto raste, çfarë është prezantuar si hapje ka qenë, në të vërtetë, një ndërrim i destinacionit dhe i funksionit të një hapësire arkitektonike në dispozicion; shumë kohë pasi kjo kish pushuar së kryeri funksionet për të cilat gëzonte dhe ende gëzon status të posaçëm. Para se të shërbente si seli për ekspozitën Bunk’art, strehimi atomik ishte thjesht një strukturë tunelesh të braktisura dhe të mirëmbajtura në mënyrë minimale; “shtëpia e gjetheve” nuk shërbente më për asgjë, dhe ish lënë të amortizohej kaq keq, sa sot e kësaj dite po punohet për ta bërë “të vizitueshme” nga publiku; te “vila e Enverit” nuk banonte më as Enveri, as fëmijët; teksa “Piramida” është lënë të katandiset në një gërdallë të rrjepur, që për pak do të kish përfunduar e rrafshuar përdhé. Vetëm për përurimin e tanishëm së Qendrës për Komunikim dhe Dialog (Center for Openness and Dialogue) në selinë e Kryeministrisë, mund të diskutohet akoma nëse është fjala vërtet për hapje të një hapësire dhe institucioni deri dje të mbyllur ndaj publikut; sa kohë që kjo hapësirë ende i përket ndërtesës që shërben si seli për Këshillin e Ministrave dhe për vetë Kryeministrin.

Tani, sikurse e kemi diskutuar tashmë edhe në blog, në kontekstin e një ngjarjeje me natyrë krejt tjetër – vrasjen e katër protestuesve në 21 janar të vitit 2011 – institucionet shpesh identifikohen me ndërtesat ku e kanë selinë; por kjo nuk do të thotë se institucioni është ndërtesa. Këtë ngatërresë e pat bërë atëherë – kushedi qëllimisht – kryeministri Berisha, kur deklaroi se “institucionet janë kështjella dhe nuk jepen kurrë,” për të përligjur dhunën e ushtruar nga Garda kundër protestuesve; dhe pastaj kur e përshkroi çfarë kish ndodhur me fjalët e mëposhtme: “mbi pesë orë është sulmuar në mënyrë barbare Policia e Shtetit dhe institucioni kushtetues i Këshillit të Ministrave” [kursivi im, 2Xh]; duke e quajtur kështu godinën e Kryeministrisë “institucion kushtetues” – çfarë do të ishte qesharake, sikur të mos shqiptohej në rrethana aq dramatike.

Kur i çeli dyert COD-ja tani së fundi, të shumtë ishin ata që iu referuan ngjarjes së katër vjetëve më parë; për të kujtuar si e njëjta ndërtesë që atëherë ishte ruajtur me armë, tani po vihej në dispozicion të publikut; dhe në të vërtetë ndryshimi është i admirueshëm dhe tregon se çfarë hendeku e ndan administratën e atëhershme të Berishës nga kjo e tanishmja e Ramës; por nga ana tjetër më duket se përpjekja për t’i vënë ngjarjet e atëhershme me këto të tanishmet në të njëjtin rrafsh rrezikon keqkuptim dhe ekuivokim; ngaqë edhe ajo ngrihet mbi identifikimin, logjikisht të gabuar, të një institucioni me ndërtesën ku ai e ka selinë.

COD ka për qëllim të demistifikojë një institucion, i cili deri më sot ka qenë i mbyllur për qytetarët, edhe pse ka ndikim shumë të madh në jetën e tyre

Thuhet në uebsajtin e Qendrës për Komunikim dhe Dialog; duke e lidhur, nëpërmjet një metonimie, hapësirën e qendrës, të vizitueshme dhe të përdorshme nga publiku, me institucionin e Kryeministrisë, në të njëjtën ndërtesë.

Mirëpo kjo qasje është të paktën e debatueshme. Njëlloj mund të argumentohet se kati i parë i ndërtesës së njohur si “Kryeministria” nuk është më pjesë e selisë së Këshillit të Ministrave që nga momenti kur ka filluar të funksionojë si sallë digjitale ku publikut i jepet akses në arkivin e Kryeministrisë; si bibliotekë e përfshirë në një rrjet kombëtar dhe kontinental; dhe si një sallë ekspozitash; ose – gjithnjë duke cituar nga uebsajti, si “laborator kreativ, në të cilin mund të hulumtohet kufiri ku bashkohen dhe mbivendosen potencialet e fushave të ndryshme të artit, politikës e kërkimit shkencor” dhe si “një vend ku idetë marrin formë, ku mendimi kritik informon artin dhe kultura ndriçon politikën, një qendër ku ata mund të ndryshojnë dhe emancipojnë politikat që do t’i hapin rrugën progresit të së ardhmes.” Të gjitha këto funksione të reja, të cilat i ka marrë një hapësirë e cila më parë ishte pjesë e selisë së qeverisë shqiptare, janë fisnike dhe të lavdërueshme në vetvete, por nuk kanë lidhje me funksionet e atij institucioni që ka selinë e vet tek e njëjta ndërtesë dhe që i ka dhënë ndërtesës – me metonimi – emrin e vet.

Nuk është funksion specifik i Këshillit të Ministrave dhe as i vetë Kryetarit të Këshillit të Ministrave të ofrojë “laboratorë kreativë ku të hulumtohet kufiri ku bashkohen dhe mbivendosen potencialet e fushave të ndryshme të artit, politikës e kërkimit shkencor”; dhe fakti që ky blatim bujar ndodh tani veç dy hapa larg selisë së institucionit qeveritar ose brenda së njëjtës godine, nuk ndryshon asgjë; statusi institucional nuk ka natyrë tranzitive. Kryeministri Rama në marrëveshje me organizmat përkatëse ka liruar një pjesë të selisë së Kryeministrisë për t’i dhënë asaj funksione të tjera (repurposing); dhe është angazhuar drejtpërdrejt në kurimin e kësaj hapësire që më parë i përkiste Këshillit të Ministrave; por kjo nuk mjafton, për ta bërë selinë e COD-së pjesë së selisë së institucionit të qeverisë shqiptare. Edhe sikur nesër të dalë nevoja për ta zhvendosur selinë e qeverisë shqiptare gjetiu, p.sh. në Pallatin e Brigadave, nuk ka asnjë arsye pse së bashku me Kryeministrin, zyrat ku kryen funksionet e veta qeveria si organ kolektiv dhe aparatin burokratik dhe ekspert përkatës, të zhvendoset edhe vetë COD-ja, me arkivat e saj digjitale, bibliotekat, ekspozitat dhe instalacionet e saj. Prandaj nuk më duket e saktë të thuhet “COD çel dyert e kryeministrisë shqiptare” – përveçse në kontekstin ku togfjalëshi kryeministri shqiptare shënjon një ndërtesë në Tiranë; përndryshe, institucioni i Këshillit të Ministrave mbetet i mbyllur dhe i mbrojtur nga publiku i Bulevardit ashtu siç duhej të mbetej, pavarësisht nga vizitorët e shumtë të qendrës së porsa-hapur.

E njëjta retorikë e “hapjes” u përdor edhe për përurimin e ekspozitës “Bunk’art” në hapësirat e nëndheshme të strehimit anti-atomik që kish ndërtuar regjimi Hoxha në periferi të Tiranës. Kjo hapësirë ish mbajtur e mbyllur gjatë viteve të regjimit, sikurse ish mbajtur e mbyllur edhe më pas; atëherë për arsye sekreti dhe sigurie; më pas kryesisht për shkak të inercisë. Ideja për ta shndërruar në një hapësirë muzeale ose ekspozitive është për t’u përshëndetur; por vetë cilësimi i gjestit të përurimit si hapje mund të krijojë keqkuptim – në atë masë që tunelet e strehimit kishin kohë që nuk e ushtronin më funksionin për të cilin ishin ndërtuar.

Vizitori i asaj ekspozite e ka shpesh të vështirë të dallojë midis artefaktit autentik dhe një kopjeje me funksion butaforik; çka e bën vetë statusin e hapësirës të lëkundet midis ekspozitës dhe instalacionit. Sa për të sjellë një shembull, në dhomën e Mehmet Shehut (ose të Enver Hoxhës) sheh një raft të vogël me libra, ku mes të tjerash spikatin dy vëllimet e romanit Mërgata e qyqeve; në gjendje goxha të përdorur, a thua se dikush i ka lexuar dhe rilexuar 4-5 herë, aq sa t’ua bëjë shpinat fërtele. Tani, meqë këto dhoma nuk u përdorën kurrë prej udhëheqjes së kohës, vizitori mund të pyesë se kush i ka lexuar kaq ethshëm librat në raftin e dhomës së gjumit të Mehmetit (a të Enverit vetë). Apo mos vetë librat dhe rafti janë sjellë aty si prop-e, ose për të krijuar atmosferë? Që ne të përfytyrojmë tani si krerët e shtetit shqiptar, të mbyllur në strehim me muaj për t’i shpëtuar “dimrit atomik” përjashta, ta kenë kaluar kohën duke lexuar romane të realizmit socialist?

Këto ndreqje dhe retushime në vetvete të vogla dhe kozmetike e problematizojnë statusin e hapësirave të tilla – të cilat i janë prezantuar publikut si “autentike”, por që mund të marrin, si pa dashur, natyrën e një instalacioni, dhe të shndërrohen në shenja të vetvetes; njëlloj siç shndërrohet në shenjë të vetvetes një turtull i balsamosur në muzeun e shkencave të natyrës – edhe pse si objekt kombinon disa detaje autentike, si puplat ose sqepin ose konfigurimin e trupit, me detaje të tjera krejt artificiale, si mbushja me kashtë, sytë prej qelqi dhe trajtimi kimik që u është bërë puplave dhe pjesëve të tjera të trupit, për të shmangur kalbëzimin.

Gjithsesi, dhe përtej këtyre analizave në detaj, ka diçka që bashkon ndërhyrjen e tanishme në ndërtesën e Kryeministrisë në Tiranë dhe ndërhyrjet e mëparshme në strehimin atomik, ose te “shtëpia e gjetheve” ose gjetiu; dhe kjo lidhet pikërisht me statusin e ri semiotik të këtyre objekteve – të cilat, para se t’i jepen publikut, e kanë kompletuar më parë kalimin (tranzicionin) në shenjën e vetvetes. Edhe strehimi i nëndheshëm, edhe “shtëpia e gjetheve” e kishin humbur prej kohësh funksionin e tyre parësor si ndërtesa, për të mbijetuar si monumente të amortizuara ose karkasa të së kaluarës së tyre. Kati i parë i Kryeministrisë, që nuk ishte as i amortizuar as karkasë, u shndërrua në Qendër të Komunikimit dhe të Dialogut në shërbim të publikut pasi u “çshenjtërua”, ose u çlirua prej funksioneve që përmbushte si pjesë e selisë së një institucioni kryesor të shtetit. Në “bunkerin” e Bunk’artit nuk është se vizitorët do të kapin gafil ndonjë mbeturinë të vonuar të politbyrosë, duke shtypur “urdhrin e ditës” me makinë shkrimi; as te “shtëpia e gjetheve” nuk është se kryhen akoma përgjime të qytetarëve e as merren në pyetje e torturohen viktima në bodrumet; dhe më në fund, vizitorët e COD-së nuk ka rrezik të trazojnë, me praninë e tyre, punën e kryeministrit Rama ose të ndihmësve të vet, në katin më lart. Emrat që mbajnë akoma këto ndërtesa dhe objekte, dëshmi të një të kaluare të afërt por çuditërisht të dematerializuar me ngut, nuk duhet të na pengojnë të shohim se bëhet fjalë për një ri-destinim të tyrin funksional dhe jo me hapje të mirëfilltë.

bunkart

The underground scene

Sa kohë që flasim për hapje, ka vend të vërejmë edhe se ky nocion, ose përftesë komunikative a propagandistike nëse duam, i referohet jo vetëm një mbylljeje të mëparshme, hipotetike ose reale, të imponuar ose të natyrshme, por gjithsesi kundër natyrës së sendeve; por edhe statusit të së qenit hapur, të cilin e shënjon bukur anglishtja openness, dhe që sërish vendos një marrëdhënie metonimie me hapjen si akt (çmbyllës). Pas shembjes së regjimeve komuniste në Europën Lindore, mitologjia e dyerve të hapura dhe e mendjeve të hapura nuk do të funksiononte dot, pa këtë parim të hapshmërisë (le ta përdorim këtë neologjizëm, për openness, sa kohë që shqipja hapje mund të krijojë ekuivoke, duke iu referuar edhe aktit edhe statusit të diçkaje që ka qenë e mbyllur dhe pastaj është hapur).

Kjo hapshmëri merr rëndësi të veçantë në shoqëri të sunduara nga sekreti, si kjo që kemi në Shqipëri; dhe këtu s’e kam fjalën vetëm për sekretin e djeshëm, shtetëror, dhe pushtetarët zotërues të tij; por edhe sekretin e sotëm, që ka lidhje me shkeljen e ligjit, paligjshmërinë dhe shantazhet përkatëse; dhe në këtë kontekst të hapshmërisë do të përfshihet doemos edhe e shumëpërfolura hapje e dosjeve, si një akt suprem që hedh dritë atje ku më parë ishte errësirë (wo es war soll ich werden), e cila mbetet hë për hë e projektuar në të ardhmen, ose si një akt që duhet ndërmarrë dhe që do të ndërmerret, por që nuk është ndërmarrë dhe që rrezikon edhe ai që, kur të ndërmerret, të jetë shndërruar në një shenjë të vetvetes; ose që hapja e dosjeve të katandiset në një teatër të hapjes së dosjeve, njëlloj siç është turtulli i balsamosur në muze reprezantim teatral i atij të gjallit dhe kufoma e balsamosur e Leninit në mauzole reprezentim teatral i liderit bolshevik të Tetorit.

Kur i referohet mendjes, por edhe punës së institucioneve publike, kjo hapshmëri (glasnost) nuk mund veçse të përshëndetet; por kjo nuk u jep ndonjë status të posaçëm shenjave të saj, ose hapjeve të karkasave të mbetura mbyllur pas rënies së regjimit komunist, siç mbeten mbyllur për një kohë të gjatë sirtarët e ndërresave të lara në dhomën ku jetonte dikush që sapo vdiq. Në këtë kuptim, të hapësh gjëra të mbyllura, të harruara e të amortizuara nuk do të thotë se je duke ushtruar, qoftë edhe në rrafshin figurativ ose simbolik, parimin e hapshmërisë.

Më në fund, aspekti thjesht spektakular i këtyre gjesteve hapëse – që nga bunkeri anti-atomik te vila e Enverit, mbështetet mbi premisën, në fakt të diskutueshme, se publiku ka ndonjë interes të vetvetishëm për këto hapësira të hapura rishtas: për shembull, për të vizituar tunele të gërryera nën tokë, një shtëpi ku dikur strehoheshin aparate përgjimi elektronike ose edhe katin e parë të një ndërtese institucionale, e cila deri dje ruhej me roje të armatosura. Në fakt jo; interesi i publikut varet sa nga materialet e ekspozuara në këto hapësira dhe nga çfarë mund të bëjë publiku vetë atje, aq edhe nga paraqitja e këtyre eventeve në mediat, ose reklama. Në vetvete, hapësirat deri dje të mbyllura të ndërtesave në fjalë, sikurse hapësira të tjera të mbyllura, nuk janë dhe aq interesante as zbavitëse; ose, në çdo rast, nuk janë aq interesante sa aura që ua rrethon emrat (ose statusin prej shenjash), në imagjinatën kolektive; prandaj edhe vizitat rrezikojnë të jenë ose antiklimaktike, ose të përfundojnë në argalisje të padenja, siç ndodhi me vilën e Enverit.

Fakt është që këto hapësira ekspozitive mund të luajnë rolin e tyre edukativ, sidomos për t’u treguar brezave më të rinj ndonjë gjë të re, për jetën e prindërve të tyre nën totalitarizëm dhe natyrën e regjimit të Hoxhës në Shqipëri; por ky rol nuk mund të përmbushet, madje as mund të përfytyrohet, jashtë bashkërendimit të përpjekjeve informuese dhe edukative me shkollën. Në fakt, kur lexon se ç’thuhet sot në rrjetet sociale, të krijohet ndonjëherë përshtypja se brezat e rinj dinë më shumë për Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, se për gjysmë-shekullin totalitar; pa çka se shoqëria e sotme shqiptare mbetet ende krijesë e parritur e asaj të djeshmes.

Hapshmëria është relativisht e mirë, sidomos në rrethanat kur publiku kërkon vërtet të marrë pjesë në jetën dhe në veprimtarinë e institucioneve; dhe jo thjesht të dëfrehet me zbulime “sekretesh” si fëmija. Megjithatë, hapshmëria nuk përfaqëson ndonjë vlerë absolute dhe as virtyt – aq më tepër ngaqë, për ta pasur, duhet ruajtur dhe respektuar gjithnjë kufiri midis çka është e hapur dhe çka e hapur nuk mund të jetë. Këtu ndoshta do kujtuar edhe se, në disa fusha, si në përdorshmërinë publike të dokumentacionit zyrtar, aksesi i publikut ndaj këtij apo atij dokumenti është i përcaktuar me ligj; dhe një administratë që zbaton ligjin, së paku në Shqipëri, vërtet duhet përshëndetur dhe mbështetur, në rrethanat kur atje zakonisht pushteti shërben si mjet për ta shpërfillur ligjin; por nga ana tjetër vetë zbatimi i ligjit, në lidhje me çka është e hapur për publikun dhe çka jo, nuk është gjë shenjë e mendësisë së hapur dhe as e vullnetit për transparencë; por vetëm provë që shteti po funksionon ashtu siç duhet.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.