PUERTO RICO-N KU TA GJEJMË

Nga Gjilpëra

Puerto Rico-n ku ma gjen, që të bëhemi si ata! Të ardhurat për frymë, të korrigjuara për fuqinë blerëse, te 24 mije USD në vit, para Polonisë, Rusisë dhe Hungarisë, pothuajse në nivelin e Greqisë dhe Portugalisë. Krahasuar me 10 mije dollarë për frymë te shqiptarët.

Politikisht pjesë e SHBA, me shtetasit e tij njëkohësisht edhe qytetarë amerikanë, edhe pse jo me të drejta të plota, por të lirë për të shkuar dhe punuar në SHBA, me industri dhe turizëm të konsiderueshëm, edhe pse të pamjaftueshme për të siguruar nivelin e mirëqenies të shteteve të tjera të Amerikës – një Puerto Rico në Evropë nuk do të ishte, si destinacion, mundësia më e keqe për Shqipërinë… Besoj që një pjesë e madhe e shqiptarëve do e mirëprisnin një rezultat të tillë, të ndërgjegjshëm që “ka dhe më keq”.

Sa për elitat drejtuese shqiptare, për këtë jam i sigurt, modeli puertorikan do të ishte zgjidhja ideale: edhe pjesë e Evropës, me lirinë e lëvizjes dhe punësimit, që do të shërbente si valvula shkarkuese për kohortat e të papunëve të rinj shqiptarë, me ca investime periodike nga Evropa në infrastrukturë, por dhe me një lloj pavarësie politike dhe juridike nga Evropa, mjaftueshëm për elitën që ajo të ketë se ku “ta ngjyejë gishtin në mjaltë”, pa patur frikë që t’i duhet të japë llogari për këtë. Ideale fare!

Por kam frikë, se gjasat janë më të mëdha që Shqipëria të ndalet rrugës shumë më parë se të arrijë nivelin e mirëqënies dhe statusin e një Puerto Rico. Ose të marrë ndonjë monopat që e nxjerr diku krejt tjetër, psh. në një lloj Mezzogiorno të Ballkanit, një vrimë e zezë për paratë dhe investimet e hedhura aty, me struktura mafioze dhe para-mafioze, që të kenë kapur jo vetëm politikën dhe shtetin, por që të kenë depërtuar gjithë kapilarët e shoqërisë.

Ndërsa për ekonominë shqiptare, qasja e klasës politike shqiptare ndaj saj, sidomos pas 2010-ës, i ngjan ecjes së njeriut somnambul drejt greminës, i cili sytë dhe veshët i ka hapur, por as shikon, as dëgjon e as kupton gjë nga ato që ndodhin rrotull tij dhe që rrezikon të rrokulliset në humnerë, pa parë e pa kuptuar asgjë. Kush dyshon për këtë, le të shohë befasimin, panikun dhe reagimin kuturù të qeverisë aktuale ndaj shifrave ekonomike më të fundit, të 6 mujorit të kaluar, me pikiatën në të ardhurat nga taksat, tatimet, doganat, me rënien e depozitave dhe të kredisë bankare. As nuk e prisnin këtë “rrufe në qiell të pastër”, as dinë çfarë të bëjnë për të dalë nga situata. Njëri thotë të ulim shpenzimet, tjetri do të rritë taksat, i treti do të luftojë evazionin, i katërti përmend burgun…

Si një ekonomi pa bazë prodhuese, pa industri, pa specializim në një ose disa sektorë ekonomikë, që nuk eksporton pothuajse asgjë, por që importon pothuajse çdo gjë që konsumohet aty, me një sektor tepër modest shërbimesh dhe turizimi, aty kapitali as mund të krijohet, as mund të shtohet, as mund të mbahet brenda vendit. Është pikërisht mungesa në rritje e kapitalit, pas 2010-ës, që po e asfikson ekonominë shqiptare. Më saktë, e kapitalit që hyn nga jashtë vendit.

Deficiti shumëvjeçar dhe në nivele alarmante i llogarisë korrente të vendit, duhet të ishte, në fakt, një kambanë alarmi për klasën politike shqiptare, por, siç duket, ajo nuk dëgjon nga ai vesh. Ky deficit ka vite që tejkalon 10% të PBB-së dhe aktualisht është, në terma absolute, mbi 1.5 miliardë euro në vit. Dhe, meqënëse me përkufizim llogaria korrente e një vendi përfshin edhe dërgesat nga emigrantët, duke zbritur këto dërgesa prej saj, deficiti i jashtëm i vendit i kalon 2 miliardë Euro në vit.

Janë dy miliardë Euro kapital që Shqipërisë i duhet të tërheqë çdo vit nga jashtë vendit për të financuar ekonominë dhe për të mbajtur standartin e jetesës. Këto dy miliardë po bëhen gjithnjë e më vështirë për t’u financuar. Nëse para 2010 ky deficit u mbulua nga dërgesat e emigrantëve, nga investimet e huaja direkte dhe nga paraja e zezë e trafiqeve, kjo u vështirësua shumë pas krizës financiare dhe ekonomike në Evropë, dhe sidomos në Greqi dhe Itali, destinacionet kryesore të emigrantëve shqiptarë por edhe investorët më të mëdhenj në Shqipëri. Kjo krizë u përkthye në Shqipëri në më pak konsum, më pak investime, më pak të ardhura nga doganat, taksat, tatimet, më shumë kredi të këqija të firmave ndaj bankave.

Për të mbyllur “gropën” që lanë efektet e krizës në financimin e deficitit të jashtëm (llogarisë korrente), qeveritë shqiptare pas 2010 zgjodhën fillimisht rrugën rritjes së deficitit të brendshëm (buxhetor) dhe shtimin e borxhit publik, duke katapultuar borxhin shtetëror brenda 5 vitesh nga 55% në mbi 70% të PBB në 2014. Fatkeqësisht – disa mund të thonë dhe miopisht – këto borxhe nuk shkuan në stimulimin, mbështetjen dhe rritjen e prodhimit industrial dhe atij bujqësor, nuk shkuan në investime në degë të reja të industrisë, në ato që krijojnë dhe u shtojnë vlera reale produkteve dhe që mundësojnë eksporte përtej lëndëve të para dhe të papërpunuara. Por paratë shkuan ose për shpenzime korrente ose, për qëllime elektorale, u hodhën në investime autostradash e tunelesh gjigandomane apo ndërtime rrugësh fshati, leverdia ekonomike e të cilave ose është zero, ose do të kërkoj dekada për t’u realizuar.

Por dhe sektori privat vazhdoi, në anën tjetër, edhe pas fillimit të krizës, që të investonte në po ato sektorë si para 2010, në ndërtim dhe në tregëti, pa marrë parasysh as ngopjen e tregut me shtëpi e dyqane e mallra importi, as kërcënimin e krizës evropiane, sidomos asaj në Greqi dhe në Itali, mbi të ardhurat dhe fuqinë blerëse të konsumatorëve shqiptarë (Xhanëm, se mos dinin të bënin gjë tjetër oligarkët shqiptarë, të mësuar prej dy dekadash me norma të larta fitimi, pa mundime të mëdha, që u vinin nga ndërtimi dhe tregëtia. Për më tepër që këto sektorë kanë si karakteristikë krijimin e shpejtë të vendeve të punës në tregëti, shërbime dhe ndërtim, ç’ka u vinte shumë përmbarë elitave politike, të preokupuara në rradhë të parë me krijimin dhe shtimin e mirëqënies së vet, se sa me modelimin ekonomik, me krijimin e fundamenteve të shëndosha ekonomike-financiare për vendin dhe me mirë-administrimin e kapitalit që hynte në Shqipëri.)

Edhe përshkallëzimi i fundit i krizës në Shqipëri ka lidhje direkte me uljen (e pritshme) të kapitaleve hyrëse në vend, shkaktuar nga acarimi rishtaz i krizës greke këto 8-9 muajt e fundit dhe nga pasojat e fushatave anti-drogë të qeverisë në vitin e kaluar.

Aktualisht, që të katër sektorët përbërës makroekonomik – konsumi, sektori publik, ai privat dhe eksporti – ose bëjnë në-vend-numëro ose janë duke u tkurrur, duke e lënë ekonominë shqiptare pa asnjë motor të ndezur, që të mund ta tërheq vagonin përpara.

Konsumi, si sektori kryesor, është dhe më i godituri nga rënia e dërgesave të emigrantëve, nga papunësia në rritje, por dhe nga aksioni masiv i fundvitit të kaluar për likuidimin e pagesave të prapambetura të korrentit. Shanset që ky sektor ta marrë veten së afërmi janë pothuajse zero.

Sektori i dytë më i madh në vend, ai i sipërmarrjes private, jo vetëm që është i lidhur me konsumin si mishi me thoin, dhe nuk ka gjasa që ta marrë veten pa e liruar dorën konsumatorët, por po vuan dhe pasojat e investimeve të gabuara të viteve të fundit, me kapitalet të bllokuara në investime pa leverdi, në borxhe të ndërsjella mes vetë sipërmarrëve dhe kundrejt bankave (ky sektor madje paraqet dhe rrezikun më të madh të ndonjë aksidenti të mundshëm në ekonomi, në formën e falimentimit të ndonjë kompanie të madhe, i cili mund të shkaktoj nje reaksion zinxhir në firma të tjera ose, larg qoftë, të ndonjë banke kredidhënëse.) Për më tepër, kredibiliteti i sipërmarrjes pranë bankave duhet të jetë në minimum, me kreditë e këqija pothuajse sa çereku i totalit të kredive…

Eksporti, që për vende të vogla është rruga kryesore dhe më e shpejtë për të dal nga vështirësitë ekonomike (nëpërmjet zhvlerësimit të monedhës vendase, duke “eksportuar” edhe krizën, bashkë me mallrat dhe shërbimet) në Shqipëri nuk mund që ta luaj këte rol, si sektor që nuk ngre peshë, i një ekonomie që prodhon shumë pak produkte që mund të eksportohen. Për më tepër që vendet fqinje, destinacionet kryesore të eksporteve modeste shqiptare, janë vet në krizë, duke ulur dhe atë pak kërkesë ekzistuese për produktet shqiptare.

Kështu që barra i ngelet sektorit publik, që të kompensojë rënien e konsumit dhe të investimeve, të shkaktuar nga tkurrja e tre sektorëve të tjerë të ekonomisë, nëpërmjet investimeve direkte dhe indirekte në ekonomi dhe/ose uljes së taksave personale dhe tatimit mbi fitimet e sipërmarrjeve. Problemi me sektorin publik në Shqipëri sot është se ky, pas 25 vitesh krasitjesh, shkundjesh dhe reformash alla-shock-therapy, liberalizimesh absurde dhe privatizimesh pa kuptim, jo vetëm që është i vogël, anemik, i korruptuar deri në qelizë, por për më tepër, ai është dhe i mbytur deri në grykë me borxhe dhe pothuajse pa asnjë hapësirë manovrimi, për të ndihmuar ekonominë kombëtare në kohë krize. Përkundrazi, pas shifrave të alarmante ekonomike të 6 mujorit të parë të vitit, dhe me FMN-në çekan te koka, pritet që qeveria të marrë masa të reja shtrënguese për të ulur deficitin e pritshëm në buxhet, ose duke shkurtuar shpenzimet, ose duke rritur taksat mbi konsumatorët, punonjësit apo sipërmarrjet. Duke fundosur kështu më keq si konsumin, ashtu dhe sektorin privat.

Paralelisht, sistemi bankar i vendit është praktikisht jashtë loje: me 25% kredi të këqija në llogari dhe pothuajse komplet në duar të bankave të huaja, pa ndonjë interes për të riskuar kapitale të mëtejshme në vende periferike evropiane, bankat nuk pritet që të luajnë asnjë gisht për të financuar dhe kredituar ekonominë shqiptare në krizë.

Ndonjë zgjidhje e shpejtë e situatës as duket në horizont, as është në dorën e klasës drejtuese të vendit. Në këtë gjendje, qeverisë nuk i ngelet gjë tjetër për të bërë, veçse “t’u bjerë telefonave” të BE-së, Kinës apo ndonjë despoti të Azisë Qëndrore me “xhepa të thellë”, në kërkim të ndonjë “shpëtimtari” me pará, me shumë pará, që të mbyllë gropën e kapitalit të munguar, nëpërmjet kredive të buta dhe afatgjata për Shqipërinë ose më mirë, nëpërmjet investimeve direkte në vend. Në mungesë të tij, vështirë që ekonomia shqiptare të shënojë rritje në 2015 dhe në vitet që vijnë. Madje do të jetë me fat, nëse arrin të shmangë rënien në recesion dhe uljen e standarteve të jetesës.

Në mungesë të tij, emigracioni i muajve të fundit, jo vetëm që nuk do të fashitet, por mund të kthehet në pararojë të valëve të reja emigrantësh drejt Evropës. Po nëse Evropa vendos të mos hapë as “qesen” për Shqipërinë e as kufijtë për të punuar shqiptarët? Atëherë…

E, meqë u krahasuam me Puerto Rico-n, tamam para një jave PR nuk mundi të shlyente një obligacion të borxhit publik dhe shpalli falimentimin. Të shpresojmë, që të paktën në këtë pikë, ne të mos i ngjajmë Puerto Rico-s.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.