PUERTO RICO NË BALLKAN

Një shënim i Paul Krugman-it për Puerto Rico-n që pata lexuar para disa javësh në The New York Times (Geographical Notes on Puerto Rico) që më bashkëtingëlloi me disa shqetësime që i ndesh relativisht shpesh për Shqipërinë, ose që të paktën më qëllon mua, si qytetar i interesuar, t’i kem.

Krugman kërkon të ndriçojë shkaqet e dobësisë ekonomike të këtij ishulli; dhe t’i japë një përgjigje të shpejtë pyetjes së çfarë duhet të bëjë pikërisht një ekonomi si ajo e Puerto Rico-s, për të dalë nga kriza.

Dimra të butë dhe plazhe ky vend ka, por ashtu kanë edhe plot vende të tjera të zonës dhe gjetiu; dhe ishulli ka popullsi shumë më të madhe se fqinjët e vet, me një raport mjaft më të vogël të vijës bregdetare me sipërfaqen dhe popullsinë; që këtej, nuk është i pozicionuar mirë për të pasur një ekonomi të organizuar rreth turizmit, thotë Krugman.

Në fakt, ishulli ka shërbyer si qendër manifakturash, veçanërisht sa i përket industrisë farmaceutike, që ka përfituar nga lehtësira fiskale.

Mirëpo, pyet Krugman, pse të prodhosh atje? Puertorikanët nuk ofrojnë dot një bazë të specializuar, si Gjermania; as rroga të ulëta si një numër ekonomish emergjente në Azi; dhe as avantazh logjistik për shkak të afërsisë me tregje të mëdha, si “brezi i eksporteve” (export belt) në Meksikën e veriut.

Puerto RicoAsgjë nga këto nuk gjen në Puerto Rico: popullata nuk zotëron mjeshtëritë e duhura për të konkurruar, rrogat janë vërtet të ulëta në krahasim me ShBA, por jo dhe aq të ulëta; kostot e transportit të mallrave janë të larta, ndërsa vetë transporti i ngadalshëm.

Krugman nuk arrin t’i japë përgjigje të prerë, për këtë arsye, pyetjes se si mund ta zhvillosh tamam ekonominë në atë ishull, në atë pozicion gjeografik.

Meqë Puerto Rico është pjesë e ShBA dhe banorët e ishullit janë qytetarë të ShBA, rrogat nuk ulen dot, përtej një caku të caktuar; ngaqë përndryshe shumë të punësuar do të parapëlqenin ose sistemin e mbrojtjes sociale, ose emigrimin.

Thotë Krugman: në qoftë se një rajon në ShBA do të rezultonte i keq-pozicionuar sa i përket prodhimit, ne nuk do të prisnim që popullata atje të mbijetonte duke konkurruar me rroga ultra të ulëta; por thjesht që banorët në moshë punësimi të largoheshin drejt vendeve më të favorshme.

Tani, çdo ekonomi ka specifikën e vet; por kushedi nuk do të gabonim shumë, sikur këto përsiatje të Krugman-it t’i përthyenim në lidhje me Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian, sot dhe sidomos nesër.

Shqiptarëve u mungon ajo që Krugman e quan “skill base”; vendi nuk konkurron dot, si ofrues turizmi, me fqinjët; dhe nuk mund të mbështetet ekonomikisht te turizmi, për shkak të popullsisë së madhe në raport me vijën bregdetare. Shqipërisë gjithashtu i mungon infrastruktura: portet, hekurudhat, autostradat – që do të duheshin për t’i transportuar mallrat e prodhuara drejt tregjeve të mëdha.

[Ç’do të thotë të mos kesh infrastrukturë: i keni parë shkrimet këto ditë në mediat, për potencialin turistik të Sazanit? Kanë harruar të marrin parasysh se në ishull mungon uji i pishëm: vallë do t’ua çojnë ujin vizitorëve me autobot?]

Më tej, edhe në Shqipëri rrogat janë relativisht të larta, në krahasim me fqinjët me të cilët duam të konkurrojmë; dhe nuk ka gjasa të ulen, pa shkaktuar kjo emigrim masiv.

Sido që shqiptarët kanë emigruar në mënyrë dramatike gjatë këtyre 25 vjetëve, sërish vendi ka popullsi më të madhe se ç’mund të pranojë dhe të përballojë ekonomia ekzistuese; sikurse e tregojnë të dhënat e papunësisë.

Dhe çfarë është edhe më serioze, sikur të mos mjaftonte emigrimi masiv, shqiptarët janë mbledhur si milingonat pothuajse të gjithë rreth zonës së urbanizuar bregdetare, duke e braktisur pjesën tjetër të territorit kombëtar.

Deri para pak kohësh, dërgesat e emigrantëve nga Italia dhe Greqia siguronin një farë mirëqenieje surrogato; por këto dërgesa tashmë kanë ardhur duke rënë dhe do të bien edhe më.

Megjithatë, Shqipëria nuk bën pjesë në BE; dhe nuk përfiton vetvetiu nga ndihmat dhe programet ekonomike të BE-së, sikurse përfiton Puerto-Rico-ja nga ShBA. Sot për sot, përpjekjet e shqiptarëve për të emigruar drejt Perëndimit, qoftë edhe nëpërmjet marifeteve të azilit politik, janë bllokuar; dhe gjasat janë që ky bllokim të vazhdojë.

një shkrim të mëparshëm, pyesja se çfarë i shtyn bashkatdhetarët tanë të ikin nga Shqipëria, edhe pse duhej ta dinin që gjasat për t’u sistemuar gjetiu janë fare të ulëta.

Në kontekstin e shtjellimit të tanishëm do të thoja: instinkti. Kushedi ekziston një mekanizëm social i paftilluar mirë, që i bën njerëzit ta kuptojnë – pa e kuptuar mirë – se ka ardhur koha për të ikur. Kjo ka të bëjë me papunësinë, me pamundësinë për t’u siguruar të ardhmen fëmijëve dhe për t’u kujdesur për prindët e moshuar dhe me vetëdijen e mbipopullimit relativ.

Edhe më dramatike duket ikja masive e më të mirëve, më të zotëve, më të talentuarve, më të moralshmëve; e cila vepron si seleksion natyror negativ ndaj pjesës së popullatës që nuk ikën.

Megjithatë, ftoj ekonomistët që e lexojnë blogun të japin një mendim nëse, në pozicionin gjeografik të Shqipërisë dhe shanset e vendit për zhvillim ekonomik, emigrimi drejt BE-së mbetet apo jo i vetmi opsion i arsyeshëm në afat të mesëm, për të shmangur kolapsin dhe trazirat politike; por edhe probleme të tjera më alarmante – si radikalizimi i të rinjve, veçanërisht i të rinjve të papunë

Deri më sot, Shqipëria ka eksportuar drejt Perëndimit kryesisht njerëz (emigracion) dhe kriminalitet. Nuk ka dyshim që elementi kriminal do të kërkojë të zhvendoset drejt kullotave ku jonxha është më e gjelbër dhe ku ka hapësira relativisht të mëdha parazitimi; por, nga ana tjetër, ky element nuk e ka shumë problem çështjen e barrierave ndaj qarkullimit të lirë të njerëzve.

Pyetja që i bëj unë vetes është: a mund të bëhet Shqipëria pjesë e Europës së Bashkuar dhe ekonomisë europiane të përbashkët, pa qarkullim të lirë të shqiptarëve në kontinent? A mund të mbahen shqiptarët me zor brenda kufijve të Shqipërisë, në një kohë që këta kufij janë të përshkueshëm nga gjithçka tjetër që qarkullon në Europë? Prirem t’i përgjigjem kësaj pyetjeje negativisht; por përgjigjja ime nuk është se ngre ndonjë peshë.

Alternativa do të ishte rritja galopante e borxhit publik në Shqipëri; pa llogaritur që këto para nuk do të përdoreshin për investime, por thjesht do t’i duheshin shtetit (dhe pushtetit) për të mbijetuar. Vërtet, një krizë shqiptare e ngjashme me atë greke nuk do ta trondiste shumë BE-në, as tregjet financiare; por a nuk do të ishte emigrimi i kontrolluar i preferueshëm ndaj përballimit të kësaj krize hipotetike?

Madje, madje, edhe sikur BE-ja me Gjermaninë në krye të vendosnin t’i paguanin shqiptarët për të mos emigruar – nëpërmjet një programi të asistencës sociale në nivel si të thuash kontinental – kjo zgjidhje do të mbetej në nivelin paljativ, në një kohë që stabilizimi i popullsisë në nivele të mbajtshme (sustainable) nëpërmjet emigrimit do të vepronte në mënyrë më kapilare.

Do ta vlerësoja shumë mendimin e ekspertëve dhe atyre që janë më të informuar se unë. Për kë nuk e hap dot linkun më lart, kam përgatitur një PDF të shkrimit të Krugman-it, që mund të hapet duke klikuar këtu.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.