RITUALI I MËNGJESIT

nga Klaudia Koxha

Çdo mëngjes, mbi komodinën pranë shtratit më pret një libër. Zakonisht është një libër që e kam marrë rastësisht në një nga raftet e rëndë metalikë në krah të “Künstlerhaus“. Aty ka gjithnjë libra. Janë libra nga më të ndryshmit. Ndonjëherë qëllon që raftet të jenë të mbushura me libra shkencorë mbi psikologjinë, anatonimë, bimësinë e kështu me radhë dhe mendon: Ah, paska qenë radha e shkencëtarëve sot! Ndonjëherë, raftet janë të mbushura me metoda të mësimit të gjuhëve të huaja, bie fjala të frëngjishtes, apo me fjalorë të gjermanishtes. Hera-herës mund të hasësh edhe në libra të gjuhëve më pak të zakonta, sidomos për një qytet të vogël, konservator si Salzburgu. Mbaj mend që një ditë hasa në një përkthim rus të Marksit.

Ditën e parë që kalova pranë rafteve metalikë, një djalë po shfletonte një libër. Ai më tregoi se këto libra qarkullojnë në komunitet. “Supozohet ta kthesh librin mbasi ta lexosh, po për të thënë të drejtën kjo nuk ndodh shpesh. Këtu gjen gjatë gjithë kohës libra të rinj”, – më tha. Thuajse asnjëherë nuk dihet kush i sjell librat; mund të jenë libra të ndonjë studenti që ka mbaruar punë me to, mund të vijnë nga ndonjë njeri që mbase po largohet dhe nuk i mbart dot gjithë librat me vete, mund t’i ketë lënë ndonjë profesor me shpresën se ndokujt mund t’i hyjnë në punë… Një ditë, ndërsa po rrëmoja mes tyre, afrohet një burrë i moshuar me një çantë përplot me libra, dhurata e tij për komunitetin tonë libradashës. Bashkë shkëmbyem dy fjalë mbi titujt që ai kish sjellë. “Romanin mbi Julius Caesar, mos e lër të ta marrin”, – më këshilloi.

Ka pastaj ditë kur raftet gjallojnë nga letërsia. Një nënë, fëmijët e së cilës tashmë janë rritur, mund t’i ketë lënë aty librat e tyre të dikurshëm për ndonjë vogëlush të panjohur.

Ditët më të mira deri më tani kanë qenë ditët kur kam mundur të rrëmbej Sartrin, Balzakun, Remarkun…

Një mëngjes, teksa shfletoja rastësisht “Sagën e Fortsajtëve”, vura re mbishkrimin:

“Për Penin
Gëzuar Krishtlindjet 1990
me dashuri nga Roxher”.

Kanë kaluar 28 vjet qëkur Roxher i pati dhuruar Penit këtë libër. Një seri pyetjesh më vërtitej në mendje, ku të jenë vallë Peni dhe Roxheri tani? Ç’ishin ata për njëri-tjetrin? Pse Peni nuk e ka ruajtur dhuratën e Roxherit? A mos vallë e ka humbur? A thua jeton Peni në Salzburg? Ndërkohë, poezia “Lulja” e Pushkinit m’u duk se ndoshta mund t’i përafrohej historisë së kësaj dhurate.

“… A për kujtim të një takimi?
Apo për ndarjen plot trishtim?
A për një endje pikëllimi
Në heshtje fushash pa mbarim?

Ai, ajo, jetojnë vallë?
Ku thua janë, ku bredhin ku?
Apo mos ndoshta janë tharë
Si dhe kjo lulezë këtu?”[1]

Të tilla rastësi të bëjnë të kuptosh se cilido libër e ka një rrugëtim. Kështu qëllon që, duke kontrolluar mes librave, vëzhgoj kalimtarët në rrugë duke menduar për gjithë ata njerëz që ma kanë pasuruar bibliotekën time, ende modeste, në qytetin e ri. I gjithë ky komunitet njerëzish të njohur a të panjohur me njëri – tjetrin, që shkëmbejnë libra e dije në rrugën “Hellbrunner” më krijon ndjesinë e të qenit pjesë e një bashkësie të papërcaktuar, kaq të shumëllojshme (po të gjykosh nga tërësia e librave) e njëkohësisht kaq intime.

Kjo formë ndërveprimi, shkëmbimi librash më kujton Varrezën e Librave të Harruar te romani “Hija e Erës”. Natyrisht kjo e jona nuk është varrezë, e një pjesë e mirë e librave nuk janë të harruar, por çdo libër që tërhiqet nga këto rafte është një libër i shpëtuar, e madje vetë kjo formë e të qarkulluarit të librave është një mënyrë për t’i shkundur nga pluhurosja, për të mos u vjetëruar.

(c) 2018, autorja.


[1] A.Pushkin “Lulja” shqipëruar nga D. Agolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.