RRENËN TONË TË PËRDITSHME…

Lajmi merr dhenë: xhudistja kampione Majlinda Kelmendi njofton botën mbarë, nëpërmjet llogarisë së saj në Facebook, se i kanë kërkuar të humbë një ndeshje ndaj një kundërshtareje serbe.

Kjo humbje do të (lejohet të) ndodhë vetëm që disa zyrtarë të lartë të Prishtinës të shpëtojnë nga krimet e bëra, thotë ajo. Prandaj edhe kërkon ndihmën dhe këshillat e dashamirësve të vet, si të veprojë; madje premton se do të vendosë në bazë të komenteve të tyre.

E gjithë kjo shoqërohet me një fotografi të Kelmendit të përlotur.

Lajm i rëndë por edhe i rremë: burimet pranë sportistes së njohur e kanë përgënjeshtruar sakaq.

Megjithatë, disa sajte dhe portale shqip në Internet rendën që ta nxjerrin lajmin, por jo përgënjeshtrimin: mes tyre edhe 360 gradë.

Këtu ndoshta ka vend të pyesim se çfarë kërkojnë të arrijnë krijuesit e këtyre lajmeve të rreme – meqë nuk duket sikur bëhet fjalë për ndonjë shaka ose spoof, sa kohë që është falsifikuar deri edhe llogaria e xhudistes.

Disa elemente retorike të lajmit duhen pasur parasysh: që Kelmendi është vajzë, që është kosovare, që është kampione; por edhe që tani duhet të humbë, sepse këtë ia kërkojnë “zyrtarët e korruptuar”; pra gjunjëzimi i saj i detyruar, ose më rëndë akoma, dhunimi i saj në arenë, të ndërmjetësojë për ata pushtetarë në Kosovë që përndryshe do të dënoheshin. Pa përmendur konfliktin epik shqiptaro-serb, këtë herë i mishëruar në një ndeshje të xhudos, por edhe konfliktin midis qingjit Majlinda dhe ujqërve që po gatiten ta shqyejnë më katërsh, që nga mjegulla; dhe më në fund poshtërimin e atyre pak kampionëve me të cilët mund të mburremi lirisht. Pa përmendur as edhe hollësinë – përndryshe të meritueshme – që humbja e Kosovës ndaj Serbisë “është kurdisur”, si edhe herë të tjera, si gjithnjë, falë një marrëveshjeje të fshehtë, ose një tradhtie aq emblematike të krerëve.

Fotografia e vajzës së përlotur, që ilustron lajmin anembanë, e thekson edhe më motivin e vajzës së re që sakrifikohet, për t’u shpëtuar kokat të ligjve.

Për të shkuar edhe më thellë: motivin e së ardhmes së Kosovës, që sakrifikohet me dredhi, për t’u shpëtuar kokat drejtuesve të saj të korruptuar.

Atëherë shohim si ky lajm i rremë në të vërtetë rimerr një temë mitologjike universale – dhe e bën këtë për ta ushqyer zemëratën e një lexuesi të caktuar, i cili mbi këtë zemëratë konstituohet.

E kam fjalën për atë që në anglisht i thonë outrage, dhe që i mban me karburant rrjetet sociale.

Konsumatorët e këtyre rrëfimeve kanë nevojë për to, ose për efektet e tyre emocionale, njëlloj siç ka nevojë i adiktuari për pilulën, heroinomani për heroinën, alkoolisti për alkoolin. Madje jeta e tyre, si internautë, nuk mund të kuptohet pa komunikimin horizontal të zemëratës, amplifikimin e saj dhe ortekun e denoncimeve kundër botës. I share, therefore I am.

Zemërata mobilizon vëmendjen; pa çka se vëmendja e kësisoj e mobilizuar mund të shërbejë për të shitur një produkt, por jo për të nxitur veprim social. “Gjendje afektive e zhveshur nga fuqia për të vepruar”, e quan outrage-in filozofi gjerman Byung-Chul Han (In the Swarm: Digital Prospects).

Varësia nga doza e përditshme e zemëratës, dhe efekti i kësaj droge për të paralizuar veprimin social domethënës: ja një skicë model e aparatit produktiv të lajmeve të rreme të kësaj kategorie.

Këtu do të shtoja edhe një efekt të tretë: iluzionin se zemërata – outrage – përbën në mos veprim, së paku angazhim social të mirëfilltë; në kuptimin që të indinjuarit për poshtërimin primordial të vajzës-Kosovë, njëkohësisht përmbushin edhe detyrimin e tyre të përditshëm për patriotizëm dhe i shërbejnë “kombit.”

Përveç kënaqësisë fizike dhe psikike, kjo lloj droge garanton edhe kënaqësinë morale, ose vetëdijen e kujt po i del zot atdheut mu kur ky ka nevojë.

Dhe nëse është kështu, suksesi i lajmit të rremë për Majlindën të sugjeron se tregu për lajme të tilla është gjithnjë treg mallrash të përdorura; ose i ndjenjave që nuk destinohen për t’u provuar, por për t’u riprovuar.

Në tezgat e këtij tregu reklamohet, ofrohet dhe shitet virtyti i bindjes për të ecur përpara, teksa në jetën tënde si blerës dhe konsumator dhe internaut nuk ndryshon asgjë.

Prandaj edhe portalet gjithnjë i mirëpresin këto lajme; sepse ndryshe nga lajmet që mund të prodhojë realiteti, të parat e kanë efektin jo vetëm të garantuar, por edhe të mirënjohur. Portalet veprojnë si drug dealers, që i shërbejnë besnikërisht një klientele të caktuar: nuk shpërndajnë lajme, por garantojnë reagime.

Në cirkuite të tilla, lajmi ofrohet dhe konsumohet si të ishte fiction, prandaj duhet shoqëruar me atë shënimin e mirënjohur, se çdo referim ndaj ngjarjeve ose personave realë është krejtësisht i rastit.

Tek e fundit, që pasi mass mediat tradicionale e shndërruan informacionin në argëtim (entertainment), atëherë lidhjet e këtij informacioni me realitetin dhe të vërtetën veç do ta pengonin komunikimin.

Brenda kësaj logjike, deri edhe përgënjeshtrimi bëhet sakaq pjesë e mitologjisë së përgjithshme, madje duke u synuar që prej autorëve të lajmit fillestar: sepse a nuk do të ishte falsifikimi i adresës së Kelmendit dhe përgojimi i saj po aq provë – simbolike – e dhunimit të vajzës Kosovë?

Zemëratën për komplotin serbo-korruptiv e pason zemërata për komplotin rreth këtij komploti.

Rëndësi ka që vetëm heshtja të mos dëgjohet.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *