RRETH PËRDORUESVE MANUALË

Përkthimet e këqia në mediat shqip nuk përbëjnë lajm, dhe aq më pak mund të shërbejnë si model për amatorët e artit të vështirë të shqipërimit.

Më rrallë ndodh që të përkthehen keq, ose me këmbë, shkrime që kanë të bëjnë me përkthimin.

Ndodh kështu me një shkrim të gazetës MAPO, të marrë nga një blog i The Wall Street Journal (Speakeasy), ku përkthyesi David Bellos i përgjigjet një pyetësori të thjeshtë.

MAPO-ja, që e ka botuar këtë jewel pa ia përmendur emrin përkthyesit (si të ishte ky ndonjë i burgosur politik, shqipërues i veprave të Marksit dhe të Leninit qëmoti), duket se e ka zgjedhur jo sepse i kërcet shumë se ç’shkruan TWSJ në lëmin e kulturës së letrave, por sepse David Bellos përmend, ashtu shkarazi, një shkrimtar tonin që ai e ka përkthyer nga frëngjishtja: jo ndonjë gjë për t’u mburrur, dhe aq më pak për një profesionist të rrahur me vaj e me uthull, si Bellos-i.

Por nuk e kemi këtu fjalën.

Intervistën e Bellos-it e ka masakruar një dorë vrastare, siç do ta shohim nga shembujt më poshtë (i kam italicizuar disa fjalë, për t’ua lehtësuar humorin).

Atje ku origjinali thotë:

If there were to be a Cabinet-level position for translators, or maybe an ambassadorship, David Bellos would be a strong contender for the post.

Shqipërimi blegërin:

Nëqoftëse do të kishte një kabinet për profesionin e përkthyesve, ose një ambasador, David Bellos do të ishte një kandidat superior për postin.

Atje ku origjinali shpjegon:

He has translated more than 20 books and is director of a program at Princeton University that awards a certificate in translation.

Shqipërimi turfullon:

Ai ka përkthyer më shumë se 20 libra dhe është drejtor i një programi në Universitetin Princeton që jep certifikata dhe cmime për përkthimet.

octopusAtje ku origjinali pyet:

Why is it so commonplace to belittle reading in translation and to criticize the quality of translations?

Shqipërimi belbëzon:

Pse është kaq e zakonshme që pakësohet niveli i leximit të përkthimeve dhe të kritikohet, thuajse gjithmonë, cilësia e tyre?

Atje ku origjinali shpjegon:

Jokes that turn on the sounds of words, on the grammar of the language or on spellings often can’t be translated like-for-like.

Shqipërimi shkrofëtin:

Shakave që t’ju japësh kuptimin e duhur, në gramatikën e gjuhës ose të shqiptuarit shpesh nuk mund t’i përkthesh fjalë për fjalë.

Atje ku origjinali ngazëllehet:

Translating jokes is tremendous fun!

Shqipërimi thyhet më dysh:

Të përkthesh shakatë është tmerrësisht e vecantë.

Atje ku origjinali rrëfehet:

I can pass for a Frenchman for up to an hour or so—until some mistake gives me away.

Shqipërimi dërdëllit:

Unë mund të bëhem francez për disa orë, deri sa disa gabime të më zbrapsin.

Atje ku origjinali shtjellon:

“Twilight of the Eastern God” is set in Moscow in the late 1950s. In it, Kadare refers to a mildly avant-garde and therefore politically scandalous hendecasyllabic couplet that had written in Albanian.

Shqipërimi katranos:

“Muzgu i perëndive të stepës” është i vendosur në Moskën e fundit të viteve 1950. Në të, Kadareja i referohet Gardës së butë dhe vargjet ishin politikisht skandaloze për kohën.

Vëreni se si një dyvargsh njëmbëdhjetërrokësh vjen dhe shndërrohet në një “gardë të butë”: cili poet surrealist nuk do ta kishte zili këtë gardë të butë?

[Vëreni edhe dinakërinë e shmangies së fjalëve të vështira: hendecasyllabic i ka ngecur virtuozit tonë anglofon në fyt, dhe pastaj mezi e ka pështyrë në shami.]

Atje ku origjinali parashtron:

the Russian translation of the couplet that Kadare gives in transliterated form in the French edition of the novel allowed me to invent two lines of English verse that are also hendecasyllabic!

Shqipërimi hingëllin:

përkthimi rus i vargjeve që Kadareja jep në versionin e romanit francez, më lejoi që të shpik dy linja të vargut në anglisht që janë marramendëse.

[fjala hendecasyllabic kthehet medet sërish, për ta torturuar tonin; edhe pse këtë herë ky vendos ta japë si “marramendëse” – pse jo, sa kohë që po na merret fryma të gjithëve nga entuziazmi?]

Atje ku origjinali pyet:

“Life A User’s Manual” is next up on my reading runway and I’m a little intimidated. Any guidance?

Shqipërimi me të drejtë thjeshton:

Ndonjë udhëzim?

Dhe kështu me radhë – nuk po ju torturoj më, por mazohistët mes jush janë të ftuar të kuturisen vetë në këtë kopsht këpurdhash psikadelike.

MAPO-ja është treguar veçanërisht krijuese në përkthimin e titujve të librave që përmend Bellos-i në intervistë.

Kështu, romanin e mirënjohur të George Perec-ut, La Vie mode d’emploi, të përkthyer në anglisht si Life a User’s Manual shqipëruesi anglofon i MAPO-s zgjedh ta titullojë kështu:

JETA E NJË PËRDORUESI MANUAL

Po, vërtet – lexoni o njerëz dhe mësoni, se jeta është e shkurtër: jeta e një përdoruesi manual (gjynah mos paça, mua ky titull më bëri të mendoj për masturbimin; por për këtë nuk e ka fajin përkthyesi, as Perec-u).

Gjithsesi, të paktën këtu shqipëruesi ynë ka guxuar; sepse pak më tutje, kur bie fjala për një roman tjetër të Perec-ut, La Disparition, yni e ka parë të arsyeshme t’ia lërë titullin në anglisht: A Void.

Një këshillë miqësore për MAPO-n: kërkoni ndonjë të burgosur, herën tjetër që t’ju duhen përkthime tekstesh nga gjuhë të rralla si anglishtja, ku flitet për atë. Edhe pse fatmirësisht të burgosur politikë në Vendin e Shqiponjave nuk ka më, jam i sigurt se, po të zgjidhni rastësishëm dhjetë vetë në një koloni penale çfarëdo, do të gjeni të paktën njërin syresh që ta ketë idenë se kuptimi i fjalëve të pakuptueshme, si hendecasyllabic, duhet kërkuar në fjalor.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.