Serumi kundër totalitarizmit

Ferid MUHIQ, Shkup

 

SERUMI KUNDËR TOTALITARIZMIT

Ferid Muhiq

Ferid Muhiq

Që prirja e çdo pushteti është që të evoluojë në totalitarizëm, si forma dhe stadiumi më i lartë zhvillimor i tij, pavarësisht integritetit moral dhe frymëzimit humanist të atyre që e përfaqësojnë, zbulohet lehtë në një pasqyrë kritike të modeleve themelore të pushtetit politik, që në vetvete promovohet si pushteti më adekuat, më i drejtë, e thënë shkurt, si pushteti më i mirë për njerëzit! Kush mund të gjejë një njollë në profilin etik dhe frymëzimin humanist të Platonit të urtë!?

Ekzistojnë dy rreziqe që i kanosen shoqërisë përgjatë gjithë historisë së saj: njëri është kaosi, ndërsa tjetri rendi! Këto dy gjendje antagoniste gjejnë manifestimet e tyre specifike në një sërë prirjesh konkrete, në përskaj të kundërshtuara dhe ekstremisht përjashtuese. Liria versus nënshtrimit, individi versus shoqëria, populli versus shteti, e drejta versus ligji, demokracia versus totalitarizmi paraqesin vetëm pjesën më markante të listës së gjatë të betejës dramatike të parimeve kundër kaosit dhe rendit. Siç duket, kjo përplasje nuk ka arritur asnjëherë një intensitet të tillë dhe proporcione të tilla dramatike si sot.

Diagnoza e botës bashkëkohore, e bazuar në gjendjen aktuale të frontit, është shumë e qartë: rendi është në ofensivë të madhe, ndërsa kaosi është në tërheqje e sipër, i cili në çdo çast mund të shndërrohet në arrati me panik! Më konkretisht kjo do të thotë se amplituda e pikave të skajshme të hierarkisë shoqërore, e shprehur në mënyrë specifike si dominim statusor dhe stratifikim i theksuar ekonomik, sot është më e madhe se kurdoherë përgjatë historisë, dhe se dallimi ndërmjet njeriut më të fuqishëm e atij më të pafuqishëm, mes atij që është më i pasur e i atij që është më i varfër i tejkalon shumëfish dallimet ndërmjet perandorit më të fuqishëm romak dhe skllavit më të mjerë. Shteti, si institucion i organizuar e i përqendruar në duart e pushtetit, tashmë posedon një fuqi efektive, që praktikisht është e paarritshme dhe objektivisht e paimagjinueshme për shtetet më të fuqishme të së kaluarës. Ligjet ekzistuese, që ndodhen në duart e ligjvënësve, sot kanë një fuqi në përmasa botërore që nuk e kanë pasur asnjëherë më parë. Totalitarizmi, që deri më tani është ilustruar në dimensionin teorik me dy-tre shembuj të izoluar, sot është bërë modeli dominues i organizimit shoqëror, me prirje që të shndërrohet në një model planetar për një rend universal, i cili do t’i fundosë të gjitha llojet e tjera të organizimit shoqëror. Qasja në anën tjetër të këtij relacioni binomik nuk nënkupton aspak kthjelltësi: liria e individit asnjëherë deri më tani nuk ka qenë aq e kufizuar; ndërsa varësia e tij nga sistemi asnjëherë nuk ka qenë aq e drejtpërdrejtë dhe e shumëfishtë si sot. Praktikisht populli e ka humbur të gjithë fuqinë e tij konkrete efektive në raport me shtetin, deri në nivelin e një gjendjeje pa precedencë në historinë botërore. Parimi i drejtësisë, si frymëzim, korrigjues dhe motivi më i lartë i çdo legjislacioni, në praktikën bashkëkohore është devalvuar në të gjithë botën; është paralizuar dhe është shndërruar në një flluskë teorike pa ndonjë domethënie praktike. Demokracia sot funksionon vetëm dy ditë në çdo katër vite, atëherë kur me votat e popullit zgjidhen garnitura të reja në pushtet. Roli i pushtetit të zgjedhur demokratik sot shërben për të zbatuar programet e tij strategjike, të përcaktuara qysh më parë, ndaj të cilave qytetarët/populli nuk ka kurrfarë mundësie që të ndikojnë, as të kontrollojnë e as të ndryshojnë diçka. E përjashtuar nga praktika bashkëkohore politike, demokracia sot është reduktuar në një shenjë semantike, relikt arkaik, nocion i ruajtur në zhargonin politik dhe në analizat teorike.

E kundruar pa syze demagogjike (u bënë do kohë që na i vendosin në hundë me dhunë, që pastaj është shumë e vështirë t’i heqësh), sot bota jeton nën totalitarizmin më të zhvilluar, më intensiv, më të fuqishëm dhe, sipas proporcioneve të tij, më gjithëpërfshirës se kurdoherë! Kuptohet, për gjithçka në botë, pra edhe për totalitarizmin, ekzistojnë dhjetëra përkufizime të mësuara, akademike, përshkruese, gjenerative, nominale, të tilla e të atilla. Por, klasikja mbetet klasike! Përcaktimi i parë i një shoqërie si totalitare, që buron nga Benito Musolini, është mjaft klasik! Udhëheqësi i partisë fashiste italiane, i cili mes të tjerash është autor edhe i nocionit fashizëm, në fillim të vitit 1920 e përkufizoi Italinë nominalisht si shtet totalitar (l’estate totalitario), me ç’rast në aspektin përmbajtjesor e përcaktoi si një lloj entiteti gjithëpërfshirës, që përafrohet/lidhet me nocionin eleik të Qenies, por njëkohësisht shpreh në mënyrë precize idealin e totalitarizmit bashkëkohor botëror: “Të gjithë janë brenda shtetit; askush nuk është jashtë shtetit; askush nuk është kundër shtetit!”

Nëse kësaj klasikeje konkrete i shtojmë edhe një dozë të mjaftueshme përgjithësimi interpretues, do mund të pajtohemi se totalitarizmi paraqet një formë pushteti, që në parim nuk lë hapësirë për një aksion të pavarur individual dhe synon që të gjitha aspektet e jetës së qytetarëve t’i vendosë nën kontrollin dhe autoritetin e tij.

Megjithatë, po ashtu do mund të biem në ujdi edhe se për nga thelbi i tij, çdo pushtet shfaq prirje për t’u bërë totalitar, pra që të vendosë kontroll të drejtpërdrejtë dhe efikas ndaj të gjitha aspekteve të jetës sociale. Çdo pushtet korrupton, por pushteti absolut korrupton absolutisht! Pikërisht këtu qëndron problemi kryesor! Tendenca e çdo pushteti është të mos pranojë kufij! Sidoqoftë, pushteti pranon (edhe pse nuk i aprovon asnjëherë) kufijtë e tij vetëm aty ku e ka me patjetër, ku nuk ka zgjedhje tjetër! Miguel de Unamuno e ka ndërtuar veprën e tij Ndjenja tragjike e jetës (Sentimiento tragico de la vida) mbi tezën se impulsi qendror i jetës është etja e pangopur për pavdekësinë! Thjesht jeta nuk e pranon fundin e saj dhe, madje, as nuk mund ta kuptojë e as ta imagjinojë, thekson Unamuno! Po ashtu, impulsi qendror i çdo pushteti politik është synimi i pandalshëm për vendosjen e një kontrolli të plotë ndaj sferës së pakufizuar praktike, që nënkupton ndaj tërësisë! Gjithashtu pushteti i pranon kufijtë e tij vetëm kur e ka të domosdoshme një gjë të tillë. Pushteti politik vetvetiu nuk ka kurrfarë motivesh të qenësishme vetëkufizuese! Çdo pushtet politik shfaq prirjen për t’u vendosur në një territor sa më të madh – potencialisht ndaj gjithë botës! – që të përfshijë sa më shumë aspekte (potencialisht të gjitha aspektet e jetës) dhe të sundojë sa më gjatë (potencialisht gjithnjë, përjetësisht). Totalitarizmi është thelbi më i thellë, kuintesenca e çdo pushteti politik. Të gjitha kufizimet dhe vetëkufizimet e pushtetit politik janë të imponuara kundër shtrëngimeve të tij më të thella!

Edhe në këtë rast nuk ka përjashtim. Pavarësisht se sa janë të frymëzuara burimisht në aspektin njerëzor, se sa janë fuqimisht dhe autentikisht të orientuara drejt afirmimit të njeriut dhe idealeve e vlerave të tij më të larta, sapo të vendosin pushtetin e tyre, të gjitha mundësitë filozofike, teologjike, politike dhe shkencore, në mënyrë të pashmangshme bëhen totalitare. Ato i përjashtojnë të gjitha alternativat e tjera dhe mëtojnë drejt vendosjes së pushtetit absolut ndaj të gjitha aspekteve të jetës shoqërore duke synuar një kohë të pakufizuar. Në këtë aspekt çdo pushtet që e merr frymëzimin nga një burim filozofik, ideologjik, religjioz ose politik, në fund të fundit nga një burim shpirtëror, potencialisht paraqet despotizëm, e jo diktaturë ose tirani. Në fakt, diktatura dhe tirania paraqesin forma të pushtetit të pakufizuar, por në kohë të kufizuar, ndërsa despotizmi është formë pushteti në kohë të pakufizuar! Në këtë kuptim, për shkak të vetëkufizimit të imponuar nga pikëpamja e kohës së sundimit, diktatura dhe tirania janë deformuar, janë bërë forma të një tipi gjysmëpushtet.

Që prirja e çdo pushteti është që të evoluojë në totalitarizëm, si forma dhe stadiumi më i lartë zhvillimor i tij, pavarësisht integritetit moral dhe frymëzimit humanist të atyre që e përfaqësojnë, zbulohet lehtë në një pasqyrë kritike të modeleve themelore të pushtetit politik, që në vetvete promovohet si pushteti më adekuat, më i drejtë, e thënë shkurt, si pushteti më i mirë për njerëzit! Kush mund të gjejë një njollë në profilin etik dhe frymëzimin humanist të Platonit të urtë!? Megjithatë, vetë Platoni është (për fat të mirë vetëm teorikisht) krijuesi i modelit filozofik të shtetit më të drejtë, e rrjedhimisht më të mirë, që paraqet një shtet klasik totalitar në formën e tij më të pastër!? Imperativi i tij – përparësia absolute e parimeve të argumentuara në mënyrë filozofike të së vërtetës dhe të drejtës – është krejt logjike që nuk mund të lejojë as kompromisin e shkarjen më të vogël, që praktikisht shpie në përcaktimin pedant dhe cikërrimtar të të gjitha procedurave njerëzore dhe shfuqizimin e çdo lirie dhe privatësie. Por, njëmend, kush ka të drejtë të kërkojë të veprojë në kundërshtim me të Drejtën!? Cili mund ta kontestojë të Vërtetën!?

Pavarësisht nga kritikat, nuk ka asnjë dyshim se të gjitha religjionet e mëdha botërore (të Popujve të Librit) përbëjnë enciklopedinë e vlerave më të larta humaniste, morale dhe shoqërore. Megjithatë, sapo viheshin në zbatim, pra kur promovoheshin në institucionin teokratik si pushtet politik, fleksibiliteti i tyre humbiste brenda natës; butësia e mësimeve të tyre zëvendësohej me rigorozitetin dogmatik; falja shndërrohej në hakmarrje; lutja trajtësohej në urdhër! Por, jo sepse ndryshoi vetë mësimi, e as sepse klerikët e deriatëhershëm zbuluan fytyrën e vërtetë, por thjesht ngaqë ai segment i religjionit që shndërrohet në autoritetin më të lartë politik, detyrimisht përkthehet në një pushtet totalitar teokratik – kjo sepse kush do të guxonte të vendosej mbi Krijuesin!? Cili do mund të argumentonte se pse ka nevojë për një të vërtetë tjetër apo pse nuk e dëshiron të vërtetën e Tij!?

Koha e Iluminizmit dhe e Reformës, kur njerëzit u kthyen nga vetja dhe arsyeja e tyre, që kulmoi në kohën e revolucioneve, pavarësisht se me çfarë armiqësie të padrejtë injorohet ose sulmohet sot, ishte një kohë me njerëz me farkim më të lartë moral, me motive më të pastra dhe me drejtësi më besnike, e zbatuar pa kompromise e pa përjashtime ndaj të gjithëve, pra edhe ndaj vetë udhëheqësve! Megjithatë, kur revolucionet e para të suksesshme – pas ndryshimit të pushtetit të deriatëhershëm – vendosën pushtetin e tyre në pajtim me parimet e tyre (duke filluar me Revolucionin Borgjez Francez të vitit 1789), në vend të sundimit të trumbetuar për Liri, Vëllazëri dhe Barazi, instaluan brenda natës një terror që nuk mbahej mend deri atëherë. Arsyeja, e imponuar si bartëse e pamohuar e të vërtetës, u deformua në pushtet absolutisht totalitar: me mijëra ekzekutime të kryera në emër të lirisë, në pajtim me barazinë dhe vëllazërinë, saqë drejtësia e saj e tmerrshme nuk i kurseu as fajtorët e as të pafajshmit.

Rreziku më i ri, nga i cili me sa duket nuk do të ketë shpëtim edhe për njëfarë kohe, paraqet totalitarizëm të frymëzuar nga bihejviorizmi bashkëkohor shkencist. I prezantuar besnikërisht me rezultatet e eksperimentuara dhe me qëndrimet e bazuara në to të profesorit të Harvardit B. F. Skiner, në librin me titull që jua ngrin gjakun, Përtej lirisë dhe dinjitetit, (Beyond Freedom and Dignity), i shuguruar në pushtet politik, ateizmi militant i kësaj mundësie u rrit në formë kancerogjene në totalitarizmin më të errët! Shkenca e kupton botën, por nuk e krijon atë. Me të gjitha kapacitetet e saj, shkenca bashkëkohore nuk është në gjendje të krijojë as një grusht dheu, as një gllënjkë ujë! Prandaj, qëllimi përfundimtar i totalitarizmit bashkëkohor mbetet grabitja e pasurive natyrore të popujve të tjerë dhe kontrolli i tyre! Arroganca e ateizmit shkencist militant bazohet në hipotezën se sjellja e njerëzve mund të kontrollohet njësoj siç kontrollohet sjellja e minjve për eksperimente. Këtu fshihet rreziku më i madh i totalitarizmit bashkëkohor! Bota, ku ndërhyrja ushtarake, agresioni dhe okupimi i shteteve sovrane shpallen si mbrojtje preventive dhe festohen si vendosje e demokracisë; ku liderët e 5% të popullsisë botërore tashmë për disa dekada proklamohen haptazi si liderë absolutë të 95% të njerëzve të tjerë; bota në të cilën ndodh uniformiteti më i madh ndaj kulturës dhe jetës së të gjithë njerëzve të mbarë planetit, sipas modelit të bartësit të këtij projekti, është bërë vërtet totalitare deri në përskaj – tashmë tmerrësisht e ngjashme me kafazin eksperimental ku njerëzit trajtohen si minj laboratori.

Çdo shoqëri në burimin e saj është e bazuar te parimet e lidhjes dhe shkëmbimit, domethënë, mbi parimin nga ku ngrihet religjioni! Religare – lidhje, vendosje lidhjesh të ndërsjella, krijim bashkësie – patjetër që është një bazë mbi të cilën jo vetëm që janë krijuar të gjitha shoqëritë dhe shtetet, por është edhe mënyra sipas së cilës ato funksionojnë edhe sot! Sipas kësaj, shoqëria maksimalisht përfshirëse, në të cilën të gjithë faktorët paraqesin aktorë aktivë, mund ta pengojë prirjen e qenësishme të secilit. Kështu edhe modeli më i mirë i pushtetit politik deformohet në totalitarizmin e llojit më të keq. Kjo konkretisht do të thotë se vetëm integrimi aktiv i të gjitha mundësive themelore – si teiste ashtu edhe shekullariste – në një sintezë të vetme (në fakt të bashkuar) të pushtetit politik, përbën një serum efikas kundër totalitarizmit global, i cili jo vetëm që kërcënon, por tashmë po realizohet si një represion i pamëshirshëm ndaj traditave dhe identiteteve të tjera kulturore, si dhe ndaj të gjitha modeleve të tjera të mendimit dhe filozofive në botë dhe në jetë!

Nga dy rreziqet konstante, rreziku i rendit gjithëpërfshirës megjithatë është më i madh se rreziku i kaosit. Tani që i ka ardhur fundi, Rendi i Ri Botëror (Novum ordo saeclorum), si realizim i përfunduar i totalitarizmit, shpie drejt vdekjes së shoqërisë – në entropi. Elementet e lirisë, dinjitetit dhe bashkëpunimit, si elemente të kaosit, duhet të mbrohen me çdolloj çmimi. Kaosi është ajo gjendje në të cilën bota gjen shpëtim nga steriliteti i rendit. Liria është vendlindja e botës.

Revista Shenja

Burimi: http://shenja.mk/index.php?news=4277

Vënë nën:Globalizmi Tagged: globalizëm, rendi i ri botëror, totalitarizmi

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top