SHANSI I FUNDIT

nga Gjilpëra

Nga pemët e shumta ndonjëherë nuk dallojmë dot pyllin. Duke ngulmuar që të provojmë me argumente juridike që dekreti i presidentit është i ligjshëm, apo në të kundërt, që ai me anulimin e zgjedhjeve ka shkelur ligjin, më duket se nuk i biem në të thelbit të çështjes: që vendimi i presidentit është politik, dhe si i tillë nuk ka kuptim që të mbrohet apo të hidhet poshtë vetëm me arsyetime juridike. Dekreti natyrisht që ka formën e një akti ligjor – edhe shpjegimi i presidentit përpiqet që t’i japë atij një bazë ligjore – dhe ai sjell me vete efekte ligjore, por mbështetja e tij është bërë mbi realitetin politik dhe social në vend sot, ai është vendim politik dhe qëndron, me gjasa, jashtë kushtetutës. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese që të vendosë vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e dekretit, qeveria ka vetëm dy mundësi: ose të pranojë dekretin dhe të mos bëj zgjedhje në 30 Qershor, ose të shkarkojë presidentin dhe të zgjedhë një tjetër, i cili të anulojë dekretin e Metës ose të rivendosë edhe njëherë me dekret të ri zgjedhjet në datën 30. Po përpiqem të argumentoj, pa pretenduar as pagabueshmëri e aq më pak një trajtim shterues në lëmin juridik – kadilerë nga halli, si tha Ardian Vehbiu.

Kushtetuta e Shqipërisë parashikon vetëm një rast kur zgjedhjet vendore nuk mund të zhvillohen (neni 170, pika 6):

“Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme.”[i]

Më qartë se kaq, besoj, kushtetuta nuk mund të shprehet. Zgjedhjet vendore mund të anulohen vetëm kur kemi gjendje të jashtëzakonshme.

Po ashtu sipas Kushtetutës ligji për gjendjen e jashtëzakonshme miratohet nga Kuvendi, me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit (neni 81, pika 1, germa dh), si më poshtë (neni 173, pika 1):

“Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.”

Prej këtej, dy përfundime mund të nxirren menjëherë për dekretin presidencial të anulimit të zgjedhjeve: që presidenti, së pari, nuk u mbështet mbi kushtetutën kur anuloi zgjedhjet dhe, së dyti, që nuk është kompetencë e tij shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Arsyetimi, përse presidenti megjithëkëtë vendosi të anulojë zgjedhjet, është se kështu si paraqitet situata në Shqipëri sot, edhe pse de jure nuk është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ai de facto e sheh vendin në një gjendje të tillë dhe me këtë konkluzion para syve ai vendosi të shtyjë zgjedhjet vendore.

Kjo gjë duket në shpjegimin që presidenti dha për dekretin e shfuqizimit të zgjedhjeve, ku edhe pse (natyrisht) nuk përmenden asnjëherë fjalët “gjendje e jashtëzakonshme”, përshkrimi i situatës politike në vend si “një klimë e theksuar konflikti që rrezikon stabilitetin e rendit publik, çka do të përbënte rrezik edhe për vetë sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë” me pasojë të mundshme krijimin e “një konflikti civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues[ii], nuk është gjë tjetër veçse përshkrimi i një gjendjeje de facto të jashtëzakonshme.

Nisur nga ky interpretim i situatës presidenti vendosi anulimin e zgjedhjeve pasi “bashkëjetesa demokratike dhe uniteti i popullit janë parime kushtetuese që duhen mbrojtur, përpara çdo rregullimi tjetër dytësor apo formal” (theksimi im).

Anashkalimi prej presidentit, pra, i nenit të kushtetutës mbi zgjedhjet vendore dhe i Kuvendit mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme është i ndërgjegjshëm – si “rregullim dytësor dhe formal” – përpara rrezikut të një konflikti civil të përmasave kombëtare, ku rrezikohen rendi publik dhe ai kushtetues, siguria e jetës së qytetarëve, e pronës publike dhe private, si dhe vetë funksionimi i shtetit.[iii]

A i lejohet presidentit marrja e vendimeve duke anashkaluar kushtetutën dhe kuvendin? Në një situatë normale, përgjigjja është e qartë dhe qartazi e natyrës juridike: sigurisht që nuk i lejohet. Por në situatën e një gjendjeje të jashtëzakonshme, atëherë dhe vetëm atëherë kur prioritet numër një është mbrojtja e shtetit dhe shmangia e anarkisë, kur ligjet e bëra për kohë normale nuk japin dot përgjigje të qartë, ose kur ato nuk shmangin dot konfliktin civil dhe kaosin si pasojë e bllokimit institucional dhe antagonizmit të partive politike, a nuk mundet (dhe duhet) atëherë që përgjigja të jetë politike? Kuvendi i sotëm në Shqipëri është praktikisht jo-funksional dhe me gjasa jo-kushtetues, institucionet e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë aktualisht mungojnë ose nuk funksionojnë, partitë politike e injorojnë dhe e shkelin Kushtetutën kur u vjen për mbarë, pra në këtë situatë, kur kuajt kanë marrë arratinë prej kohësh, ne kujtohemi të mbyllim derën e grazhdit në emër të “mbrojtjes së kushtetutës”?

A është situata në Shqipëri e tillë që vendi të rrezikohet nga një konflikti civil i përmasave kombëtare me pasoja të rënda për sigurinë e jetës dhe pronës dhe që rrezikon funksionimin e shtetit? Kjo është natyrisht çështje interpretimi, por nëse ndjekim përshkallëzimin e tensioneve politike dhe konfliktit ndërpartiak në gjashtë muajt e fundit – djegien e mandateve parlamentare nga opozita dhe shpalljen e bojkotit të zgjedhjeve, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit si kusht për bisedime, publikimi nga media brenda dhe jashtë vendit i regjistrimeve (të paverifikuara) me anëtarë të partisë në pushtet dhe pjesëtarë të krimit duke vjedhur votat në zgjedhjet e mëparshme – bllokimin institucional në rritje, kapërcimin e antagonizmit partiak nga brenda parlamenti dhe mediat, te protestat masive në rrugë dhe dhunën në rritje kundër dhe prej organeve të mbrojtjes së rendit publik, atëherë situata sigurisht që mbart një rrezik të tillë.

Katalizatori i këtyre zhvillimeve ishte protesta masive e studentëve gjashtë muaj më parë, e cila tronditi me masivitetin e saj dhe mbështetjen popullore që ajo mori jo vetëm qeverinë dhe partinë në pushtet, por, më kryesorja, edhe trembi seriozisht opozitën për rolin dhe pozicionin e saj në zhvillimet e ardhshme në vend, kundrejt pakënaqësisë në rritje të qytetarëve me keqqeverisjen dhe korrupsionin e qeverisë socialiste në njërën anë, dhe dobësitë e brendshme të PD-së dhe LSI-së në anën tjetër, çka do të provokonte ngritjen e lëvizjeve dhe partive të reja jo-parlamentare (“të rrugës”) jashtë ndikimit të tyre, çka çoi në ndërmarrjen e hapit sa efektiv aq edhe demoniak të djegies së mandateve parlamentare dhe daljen në protesta, duke kapur kështu përsëri “rrugën” dhe duke marrë prapë nën kontroll zemërimin popullor kundër qeverisë. Hedhja përfundimisht në erë e Kushtetutës dhe e rregullave të lojës demokratike nga ana e opozitës ishte triumfi i interesave të ngushta partiake përballë atyre të demokracisë dhe të vendit.

Dekreti i presidentit është, në fakt, një shans që duhet t’i hapë rrugën në mos një kompromisi të shpejtë mes qeverisë dhe opozitës, të paktën qetësimit të përkohshëm të situatës dhe uljen e palëve në tavolinën e bisedimeve, duke hequr nga agjenda datën fikse të zgjedhjeve që rrezikon të kulmojë në përplasje civile dhe rrezikimin e jetës së qytetarëve, pronës publike, private dhe shtetit, në rast daljeje jashtë kontrolli të situatës në 30 Qershor. Do të ishte një shans i fundit nëse qeveria do të pranonte si fakt të kryer shtyrjen e zgjedhjeve nga presidenti, një tërheqje kjo që, bashkë me presionin ndërkombëtar mbi opozitën, do të mundësonte negociata shumëpartiake për daljen nga kriza, dalje e cila, kështu si kanë shkuar punët, mund të bëhet me krijimin e një qeverie teknike tranzitore e cila të organizojë pas tre ose katër muajsh bashkë me zgjedhjet vendore, edhe ato qendrore (ku PS-ja natyrisht që mund të marrë pjesë prapë me Ramën si kandidat për kryeministër) dhe ku palët njëkohësisht duhet të bien dakord për ngritjen – pas zgjedhjeve – të një grupi pune për organizimin e një Asambleje Kushtetuese me synim formulimin e një Kushtetute të re brenda vitit të ardhshëm, për të zëvendësuar kushtetutën aktuale që PS, PD dhe LSI e shkatërruan bashkërisht.

Me bërjen e zgjedhjeve duhet të përfundojë me dorëheqje edhe mandati i presidentit Meta, për tejkalimin flagrant, por të domosdoshëm, që u bëri kompetencave që i njeh kushtetuta.

Rruga tjetër është ajo e refuzimit të dekretit presidencial, këmbënguljes në mbajtjen e zgjedhjeve farsë në datën 30, me rrezikun tashmë akut të përplasjes së dhunshme dhe shkarjes së vendit drejt kaosit dhe konfliktit civil në javët dhe muajt në vijim.

Është shansi i fundit.

 

© 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[i] KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:

https://www.parlament.al/Files/sKuvendi/kushtetuta.pdf

[ii] PRESIDENTI META DEKRETON SHFUQIZIMIN E DEKRETIT NR. 10928, DATË 05.11.2018 TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS “PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE”-ARSYET E SHFUQIZIMIT, pika III.

http://president.al/presidenti-meta-dekreton-shfuqizimin-e-dekretit-nr-10928-date-05-11-2018-te-presidentit-te-republikes-per-caktimin-e-dates-se-zgjedhjeve-per-organet-e-qeverisjes-vendore-arsyet-e-s/

[iii] Pyetjes nëse presidenti është nisur edhe nga interesa të ngushta partiake – si kryetar për një kohë të gjatë i LSI-së dhe si bashkëshort i kryetares aktuale të kësaj partie – natyrisht që nuk mund t’i përgjigjemi me siguri, por ndoshta me një pyetje tjetër, që çfarë avantazhi ka LSI-ja nga shtyrja e zgjedhjeve vendore krahasuar me mos-shtyrjen e tyre, nëse Meta do të kishte zgjedhur të rrinte indiferent ndaj krizës aktuale?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top