SHËNIME PËR NJË PROTESTË (II)

Përgjigje një replike* nga Edion Petriti

Hyllin, të falem nderit që e vure gishtin në plagë, pa e përmbajtur ndërkohë veten për t’i hedhur kësaj plage të uruar ca kripë, që të përvëlojë edhe më. Ç’është e vërteta, titulli origjinal i këtij shkrimi ishte „Shënime të papjekura për një protestë“ por të zotit të shtëpisë, z. Ardian Vehbiut iu duk më e arsyeshme ta linte titullin në formën e përtashme. Dhe të papjekura janë vërtet, pasi u shkruan me një frymë dhe me po atë frymë, shkel-e-shko edhe u dërguan për botim te „Peizazhet e Fjalës“. Mund të ta përsëris edhe unë batutën e vjetër e të stërpërdorur „po ta bëj letrën të gjatë, sepse nuk kisha kohë ta bëja më të shkurtër“. Ç’është e vërteta, më mungonte dhe durimi.

Koha që po jetojmë është një periudhë interesante, pasi sjell një frymë mundësish të reja dhe shkëputjeje prej së kaluarës. Ndoshta u shpreha gabim: kjo protestë nuk është një simptomë, por një britmë kundër fatit të keq të të jetuarit në një vend si ky yni. Tani që u tha kjo, më lër të zgjatem edhe ca në këtë çështje, në çështjen e protestës. Simpatia ime shkon për studentët, sepse ata kanë të drejtë. Situata shoqërore dhe historike me të cilën përballemi, nuk ka nevojë për justifikime që do sillnin mbi vete përçmimin e një opinioni publik të tërë, por ka nevojë për veprim.

Fryma e kësaj proteste rrok në vetvete gjithë ato virtyte që mbështesin e mbajnë më këmbë një formë republikane dhe demokratike-liberale të shtetit; ndikim të drejtpërdrejtë e të qenësishëm mbi historinë bashkëkohore, unitet të veprimit dhe mprehtësi në zhvillimet e saj të brendshme. Mendjemprehtësi e depërtesë historike dhe shoqërore për të cilën vendi ynë ka shumë nevojë. Pa kuptuar historinë e këtyre tridhjetë viteve të fundit, nuk mund të dimë si të sillemi, nuk dimë ç’të bëjmë për të ardhmen. Studentët janë të kufizuar nga kushtet politike dhe shoqërore në të cilën gjenden – diçka të cilën s’mund ta zgjedhin dot vetë.

Unë e kam të vështirë të flas në masë të drejtë – duke i njohur faktet vetëm pjesërisht e duke qenë edhe i njëanshëm, disi. Unë vetë fizikisht nuk jam përzier me një protestë që tregon se janë pjekur kushtet për një shoqëri ku bërja e një politike jashtë institucioneve shtetërore është e mundur. Jo një kontroll punëtor-fshatar ndaj institucioneve publike, por prej inteligjencies. E vërteta është se jetojmë nën një formë qeverisjeje që lë shumë për të dëshiruar. Mëtojmë se jetojmë në një demokraci që të paktën teorikisht duhej udhëhequr e drejtuar prej njerëzish falë meritave personale, e jo për shkak të përkatësisë në ndonjë klasë të veçantë. Për shkak të varfërisë, një masë e madhe e shqiptarëve ndalohen nga të pasurit e një karriere publike. Gjëja e vetme që u mbetet është të mëtojnë të shërbejnë si mjete shtypjeje a kontrolli në këtë eksperiment të madh të „inxhinierisë sociale“. Këtë, ose të emigrojnë. Kjo pengon shumë të rinj të aftë t’i bëjnë shtetit të tyre një shërbim.

Është diçka e mirë, e shëndetshme për një demokraci që studentët i vendosin vetë çështjet me rëndësi publike, duke u përpjekur të paktën të arrijnë një kuptim të tyre të shëndoshë. Kam besimin se nuk është debati ai që e pengon veprimin, por se debati është një parakusht i domosdoshëm i veprimit shoqëror. Guximi për të protestuar nuk është injorancë, e as të menduarit nuk është shenjë hezitimi.

„Uniteti mes mendimit dhe veprimit politik“

Dua ta thelloj edhe më tej këtë çështje. Eseja e Horkheimerit, „Teoria tradicionale dhe kritike“ (1937) ngreh më këmbë suazat materialiste për një kritikë të shoqërisë në kushte si kjo e jona. Një analizë gjithëpërfshirëse për kontradiktat e brendshme në një shoqëri kapitaliste, mes „gjendjes së tanishme“ dhe asaj „ç’mund të jetë“, ku teoria kritike qëndron në unitet me lëvizjet sociale, por pa u njëjtësuar me to. „Teoria kritike i ve përballë historisë ato mundësi që janë gjithmonë të afërta, të kapshme e të rrokshme“ (Horkheimer), në një shoqëri ku pajandresat („underpinnings“) ideologjike të superstrukturës shoqërore janë thelbësisht të rëndësishme për të kuptuar mekanizmat e kontrollit klasor (Gramsci, Marcuse).

Mund t’ju sjell ndërmend situatën fatkeqe të viteve ’70, në Gjermaninë Perëndimore (Marcuse, „Studentët për një Shoqëri Demokratike“); Horkheimer dhe Adorno u akuzuan sikur kinse paskëshin justifikuar nga ana filozofike veprimet e armatosura kundër RFGJ-së. Shumë prej këtyre grupeve revolucionare i kthyen më pas sytë drejt trockizmit, apo rrymave të tjera të frymëzimit maoist. Ju përmend vetëm Fakcionin e Ushtrisë së Kuqe (RAF), grupin Baader-Meinhof. Farat e një situate të tillë, të një „strategjie të re të tensionit“ nga e cila një Zot e di se kush përfiton – veçse kjo Shqipëria jonë e gjorë jo – po i shohim edhe tani.

Kjo është edhe arsyeja përse kauza e studentëve duhet të mbetet një çështje e mirë, e mençur, e drejtë dhe e ndershme, pa u përlyer me kauzën e fakcionit neokomunist të së majtës shqiptare – më ler të të kujtoj pak se një nga urdhëresat e papërtypura mirë të dekalogut komunist është marrja e pushtetit me dhunë. Edhe ju jeni i vetëdijshëm se në këto ngastra vegjetojnë ca struktura autoritariane që për shkak të së kaluarës shqiptare perceptohen si thellësisht puniste dhe komuniste, e në të njëjtën kohë reaksionare e prapashkuese.

Më duhet ta përsëris edhe njëherë: Sendërgjimi a marrja peng e një proteste për të krijuar perceptimin e një qeverie tolerante ndaj këtij lloj veprimi politik, është një nga gjërat më të neveritshme që mund t’i bëhen një demokracie. Është preludi i shumë ngjarjeve të pakëndshme që do të ndodhin më vonë, duke nisur me bjerrjen e të drejtave dhe lirive qytetare që deri dje merreshin për të mirëqena.

(c) 2018, autori.

Një bibliografi e imët:

Max Horkheimer: „Traditional and Critical Theory“ (1937).

Raphael Schlembach: „Negation, Refusal and Co-optation: The Frankfurt School’s Critical Theory of Political Protest“ (2015).

Tuqididi: Lufta e Peloponezit (fjalimi frymëzues i Perikliut).

 

Fotoja në kopertinë (c) Ivana Dervishi, Reporter.al 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.