SHESHI ABSTRAKT

Do të flitet shumë – shpresoj – për sheshin “Skënderbej” të ribërë nga kjo legjislaturë; unë e pata parë pak para se të përurohej dhe më pat lënë përshtypje të keqe; sikurse më kishin lënë përshtypje të keqe paraqitjet që ia kishin bërë projektit promotorët përkatës.

Askush nuk e di se ç’raport do të vendosin qytetarët e Tiranës me këtë hapësirë; edhe pse kam frikë se ata që kanë lindur dhe janë rritur në Tiranën “tjetër” nuk do ta pranojnë ndryshimin; sepse ky është reagim psikologjik i natyrshëm, por edhe sepse janë mësuar me një lloj tjetër sheshi. Nga ana tjetër, edhe pritja që po i bëhet sheshit tani do të ndikojë në përdorimin e tij prej qytetarëve, madje edhe të atyre që nuk kanë ndonjë kujtim të sheshit të mëparshëm, për ta përdorur në krahasimet.

Sa për reagimin e elitës politike dhe të lapsave të tyre ndaj sheshit, ky nuk vlen as edhe një kacidhe; sepse kjo elitë do ta përdorë sheshin “Skënderbej”, sikurse përdor gjithçka tjetër, si fushim, ose në funksion të marrëdhënieve të saj me pushtetin, dhe pa pyetur fare për ndikimin që do të ketë ky në jetën e tiranasve, në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë.

Megjithatë, të gjithë ne që kemi folur për sheshin dje dhe që flasim për sheshin sot, jemi të detyruar njëfarësoj të marrim parasysh se për çfarë do të përdoret sheshi; meqë ky i fundit – si element i hapësirës urbane – nuk është se vjen së bashku me destinacionin e vet, siç mund të vijë, bie fjala, një kinema ose një stadium.

Historikisht, por edhe anembanë botës në bashkëkohësi, sheshet janë përdorur dhe përdoren si vende grumbullimi të qytetarëve, si vende për t’u shplodhur dhe për të kaluar kohën e lirë, si vende për t’u mbledhur vizitorët dhe turistët, si vende për tregje të hapura ose fshatare, si vende për parada ushtarake dhe rreshtore gjithfarësh, si vende për të ndihmuar dhe lehtësuar transportin publik e kështu me radhë.

Në një kuptim, destinacionin por edhe kuptimin sheshit ia japin ndërtesat dhe funksionalitetet urbane që e rrethojnë: te një shesh para një katedraleje, do të mblidhen besimtarët, ndërsa te një shesh në mes të një lagjeje rezidenciale do të ngrihen barakat dhe tezgat e tregjeve rionale; te një shesh para një teatri do të ketë restorante për pas shfaqjes, ndërsa te një shesh para një stadiumi do të grumbullohen tifozët; te një shesh para një universiteti do të mblidhen studentët, ndërsa te një shesh para një stacioni treni do të kalojnë udhëtarët.

Sheshi “Skënderbej” në Tiranë është kushtëzuar fort, gjatë shekullit XX, nga shndërrimi i Tiranës në kryeqytet – meqë është përdorur sistematikisht për mbishkrime dhe graffiti simbolike në indin urban të qytetit; i tillë edhe është trashëguar nga shteti dhe pushteti i tanishëm, i cili nuk po di ç’të bëjë me të, përveçse ta rishtrojë e ta rindërtojë herë pas here, me një këmbëngulje instinktive të ngjashme me atë të dallëndyshes që e mirëmban me zell folenë edhe kur i kanë ngordhur zogjtë.

Një hapësirë aq e madhe, në qendër të një qyteti me popullsi në rritje galopante si Tirana, do të përligjej vetëm nëse njerëzit do të kishin arsye të forta për të shkuar atje në masë – për dëfrim, për shplodhje ose për punë; por asnjë nga këto arsye nuk më rezulton të qëndrojë sot. Asgjë në rrethinat e sheshit nuk ta sugjeron nevojën për një hapësirë të tillë – meqë as Muzeu Kombëtar, as Pallati i Kulturës (dhe Opera), as monumenti i Skënderbeut, Xhamia e Et’hem Beut dhe Hotel Tirana nuk mund të tërheqin dot më kaq shumë njerëz, ditën dhe natën, tiranas ose vizitorë qofshin.

Natyrisht, nuk flasim dot për versionin ose riciklimin e tanishëm, pa mbajtur parasysh se në çfarë gjendjeje e gjeti sheshin administrata Veliaj; por edhe atëherë edhe tani, mëkati i planëzuesve urbanë – nëse mund të shprehem kështu – është që e kanë trajtuar sheshin në vetvete, ose të shkëputur nga konteksti urban i qendrës së Tiranës; kanë rregulluar dhe rinovuar një hapësirë, ndoshta edhe duke përfytyruar përdorimet e mundshme të kësaj hapësire nga qytetarët; por nuk kanë arritur të shpjegojnë se për çfarë i duhet pikërisht Tiranës dhe qytetarëve të saj sot kjo hapësirë, e konfiguruar siç është.

Rreth e përqark sheshit “Skënderbej” nuk ka as dyqane, as bare dhe kafene, as kinema dhe teatro, as restorante e të tjera vende të ngjashme, që t’i bëjë njerëzit të shkojnë atje dhe të kalojnë kohën; dhe as stacione treni a autobusi ose transportation hubs. As si agora, ose si hapësirë ku qytetarët të mblidhen dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre, sheshi i tanishëm nuk funksionon dot, sepse është aq i madh, se paradoksalisht e topit frymën demokratike – duke imponuar një ndjenjë të humbjes dhe të dystimit të mendimit.

Ky i tanishmi do të shërbente ndoshta si shembull i një sheshi abstrakt, pa lidhje me qytetin dhe qytetarët; si gjurma e mbetur nga shpërthimi horizontal i një ideje delirante; ose i shpresës se një kryeqytet mund t’i krijojë kontekstet dhe monumentet e veta, pa pyetur për qytetin mbi të cilin paraziton. Është kuptimplote, por edhe ironike, që kjo ide ka mbijetuar, me këto trajta specifike, në Tiranën moderne ende të organizuar rreth konceptit italian-fashist për qytetin dhe të pranuar me aq lehtësi madje krahëhapur nga regjimi totalitar i Hoxhës.

Ideja është po aq fashiste, sa ç’është egjiptiane ideja e “piramidës” në Bulevardin e Madh ose romak-imperial obsesioni me kullat-obeliskë; sepse sheshi i tanishëm nuk trashëgon, as mëton të trashëgojë gjë nga arroganca dhe megalomania fashiste, por vetëm ia adopton kësaj arrogance format gëzueshëm, me shpresën se mund t’i mbushë këto pastaj me çfarëdo kuptimi; sikurse nuk trashëgon, as mëton të trashëgojë gjë nga arroganca dhe megalomania totalitare, me përjashtim ndoshta të gatishmërisë për të shkatërruar ekzistuesen, ose të entuziazmit naiv që shoqëron thirrjen “le ta prishim.”

Problemi struktural, me këtë shesh abstrakt, është se rreth e rrotull nuk ka më një Tiranë që ta përmbyllë dhe ta rrethojë dhe t’i japë kuptim; por vetëm hapësira të tjera, herë të vjetra e herë të krijuara rishtas e shpesh aksidentalisht, që nuk e kanë statusin e sheshit, por veç luftojnë për të marrë (ose për të ruajtur) atë të truallit; dhe në kuptim edhe një fushë aviacioni e ngritur në mes të savanës do të kish qenë më e gatshme për të ofruar atë përmbyllje, që duhet ta kenë hapësirat ndërmjetëse.

Madje sa më tepër që “hapet” sheshi tani, aq më i trishtuar duket edhe ai vetë, edhe konteksti që e rrethon; mu në kohën ku një lagje tjetër si “ish-blloku”, praktikisht pa sheshe, po lulëzon për bukuri – jo sepse e ka planifikuar kush, por sepse interesat e palëve dhe të aktorëve urbanë janë gërshetuar përgjithësisht mirë, pa qenë nevoja për ndërhyrje në shkallë të gjerë.

Një mundësi sado e largët për ta gjallëruar sheshin e tanishëm “Skënderbej” pa e ribërë nga e para, do të ishte thyerja e tij në mes, ndarja në hapësira të mëvetësishme dhe pasurimi me aktivitete komerciale, dëfrimi dhe kulturore; jo për ta shndërruar në një kopje të Pazarit të Ri, por për t’i dhënë qytetarit dhe vizitorit të paktën mundësinë që të ndihet i mbrojtur: edhe nga elementet (shiu, era, zhegu), edhe nga agora-fobia – ose ndjesia e të qenit asgjëkundi. Teknologjia ekziston, për t’i shtuar të gjitha këto struktura në mënyrë jo permanente, por sipas stinës dhe humorit dhe dëshirave të lëvizshme të qytetit. Në këtë kuptim, sheshi që tani u bë duhet “prishur” menjëherë, por jo me traktor as me fadrom, por duke e bërë të adoptueshëm nga qytetarët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *