SHESHI DHE KULLA

Në librin e vet të fundit, The Square and the Tower (Penguin Press, January 16, 2018), historiani Niall Ferguson rreket të argumentojë, nëpërmjet një morie shembujsh të larmishëm, se botës i japin formë dy forca organizuese të veçanta: hierarkitë dhe rrjetet.

Që këtej edhe titulli i librit: sheshi është vendi metaforik ku gjëllijnë rrjetet sociale, ndërsa kulla vendi – sërish metaforik – ku e ka selinë pushteti formal, hierarkik.

Titulli i veprës, për të cilën lexova recensione në The Guardian dhe The Washington Post, më tërhoqi sakaq edhe për një arsye tjetër: sepse m’u duk, për një çast, sikur Ferguson-i po shkruante për urbanistikën e Tiranës.

Dhe pikërisht për kullat, që sot janë në fokus për shkak të çështjes aq kontroversiale të prishjes së Teatrit Kombëtar; dhe për sheshin, që gjithnjë gjen mënyrën për t’u kthyer në vëmendje, pas rindërtimit të fundit (por me gjasë jo përfundimtar) që ia bëri administrata e Veliajt.

Kullat në Tiranë janë përshkruar, zakonisht, si obeliskë të pushtetit agresiv të biznesit; ndërsa sheshi – me të cilin gjithnjë nënkuptohet sheshi “Skënderbej” – trajtohet si hapësira ku ende riprodhohet vlera që i ka mbetur publikes.

Por metafora e Ferguson-it më ftoi të ndjek një tjetër shteg të mendimit – dhe t’i mendoj kullat e Tiranës, të rejat dhe më pak të rejat, realet dhe të vizatuarat, të kompletuarat dhe ato të lëna përgjysmë, si manifestime të hierarkive, ose organizimit vertikal të pushtetit.

Qytetarët dhe shoqëria civile u kundërvihen kullave duke valorizuar përmasën horizontale – rrjetëzimet, rrjetet dhe rrugën, të cilat përfaqësohen të gjitha te shenja dhe koncepti i sheshit.

E megjithatë, nga pikëpamja politike, sheshi “Skënderbej” në Tiranë nuk ka luajtur atë rol që pritej; ngaqë rrjetëzimet, rrjetet dhe shoqëria civile e kryeqytetit kanë gjetur hapësira të tjera artikulimi; ose edhe ngaqë pushteti është kujdesur jo vetëm për kullat, por edhe për sheshin.

Ky lloj pushteti që, për shkak të prapambetjes politike dhe sociale të Shqipërisë, bën sikur ushtrohet vertikalisht, për t’u shtrirë horizontalisht, e fut në krizë metaforën e Ferguson-it.

Që sheshi “Skënderbej” në Tiranë është rrethuar me kornizë, për këtë nuk ka arsye të diskutohet; nëse kjo kornizë e ka shndërruar sheshin në skenë, kjo gjithashtu mund të pranohet.

Pyetja që kërkon përgjigje është se çfarë luhet në këtë skenë; dhe nëse ky teatër i publikes po ia zë gjë vendin publikes së mirëfilltë.

Qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm ata e asociojnë fort sheshin “Skënderbej” me politikat urbane të kryebashkiakut Veliaj, për mirë dhe për keq: ky politizim i imazhit të një vendi që duhej të shërbente, idealisht, si agora, nuk mund të shpërfillet.

Si vëzhgues i jashtëm, unë shoh një lidhje midis “kullëzimit” të kryeqytetit dhe zbutjes (taming) ose bonifikimit të sheshit qendror të tij – i cili tashmë përmendet në lajme për koncertet dhe argëtimet e shumta dhe jo rrallë vulgare që organizohen atje.

Ky do të ishte edhe një shpjegim i bindshëm për suksesin e palës së tanishme në pushtet: meqë ia ka dalë të kontrollojë edhe përmasën horizontale të politikës: rrjetëzimin dhe rrjetet, përfshi këtu edhe sheshet virtuale të rrjeteve sociale online.

Është në natyrën e pushtetit që të bëjë çmos për të mbijetuar si i tillë; marifeti i spektaklit me kulla nuk duhet, megjithatë, të largojë vëmendjen nga çfarë mbetet synim madhor i pushtetit të tanishëm – kontrolli i horizontales, ose i rrjetëzimit të kundërshtimit.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa leje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.