SHFYTYRIMI I ARMIKUT

Teksti zyrtar të Historisë së PPSH nuk i kursen faqet, kur është fjala për luftën brenda në Parti kundër fraksioneve, armiqve të Partisë dhe të popullit, agjentëve të huaj, renegatëve dhe tradhtarëve, komplotistëve, grupeve puçiste, dhe kështu me radhë, dhëmb për dhëmb; siç i ka hije historisë së një partie të vërtetë staliniste. Emrat e të gjithë atyre në shënjestër të kritikave, për të përfunduar pastaj shpesh në shënjestër të togave të pushkatimit, përmenden po aq lirisht: nga Anastas Lulo dhe Sadik Premtja, te Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Sejfulla Malëshova, Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Panajot Plaku, Liri Belishova, Koço Tashko e më pas Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Sadik Bekteshi, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Kiço Ngjela e më në fund Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Llambi Ziçishti & Co. Është një galeri e tërë personazhesh negative, njëri më i zi se tjetri, njëri më i shitur se tjetri, që rimerren pastaj në technicolor nga kujtimet dhe ditaret e Enver Hoxhës – suplement i detyruar i historisë zyrtare. Nuk ka pasur qytetar të RPSSH, që të mbaronte shkollën e mesme, dhe të mos i kish dëgjuar këta emra, të mos ishte njohur me bëmat e tyre, të mos i kish demaskuar teatralisht në mësim dhe të mos ishte “solidarizuar” me ndëshkimin e tyre të merituar.

Çfarë i ka munguar sistematikisht historiografisë manikeiste të atyre viteve kanë qenë imazhet e të ligjve: fotografitë e tyre. Që nuk i gjen jo vetëm në tekstet zyrtare të shkollave dhe ato të Akademisë, por as në botime me natyrë enciklopedike, si Fjalori Enciklopedik; as në muzetë që i kushtohen periudhës; dhe as në materiale filmike të kohës, të përcjella si dokumente. Edhe pse me rol historik të pamohueshëm dhe të pamohuar, këta njerëz kanë mbetur të pranishëm si emra dhe si linja narrative në historiografitë zyrtare, por jo si fytyra.

Eliminimi i fotografive të “armiqve” të zbuluar rishtas ka qenë politikë zyrtare, sado që e paformuluar publikisht: qytetarët madje këshilloheshin deri edhe që të hiqnin nga albumet familjare dhe të asgjësonin fotografitë private të personave të dënuar politikisht: jo rrallë duke i prerë këta me gërshërë, duke ua prishur fytyrën ose duke ua djegur (me cigare). Edhe fotografitë zyrtare, kur kishin vlerë të posaçme historike, retushoheshin në laborator, për të larguar që andej pranitë e padëshiruara. Por sa kohë që ky dëbim i imazhit nuk shoqërohej me ndonjë dëbim të personit vetë a të personazhit nga narrativat historike, meriton vëmendje përtej praktikës mirëfilli orwelliane të likuidimit të personit, ose të shpersonizimit.

Le të mbajmë parasysh se kjo ndodhte në një kontekst kur portretet fotografike ose të pikturuara të udhëheqësve, në veçanti ato të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut, i gjeje njëlloj kudo sa edhe citatet e tyre; dhe kur hapësirat publike, në ditë festash, zbukuroheshin me gjigantografitë e anëtarëve të Byrosë Politike dhe vetë “punëtorët” viheshin të parakalonin duke i mbajtur në krahë; dhe ku një foto e miratuar e Enver Hoxhës rrëzëllitës duhej ekspozuar jo vetëm në çdo hapësirë të brendshme publike, por edhe në çdo dhomë pritjeje në shtëpitë private. Në një Shqipëri ende të paekspozuar ndaj bombardimit vizual prej televizionit dhe imazhit në përgjithësi, fotografitë e liderëve politikë kishin edhe funksionin praktik që t’i familiarizonin qytetarët me udhëheqjen, duke i dhënë kësaj një fytyrë specifike, ose për të nxjerrë nga rrafshi abstrakt i emrit.

Likuidimi i imazhit të armikut të brendshëm duhet kuptuar, pra, në këtë kontekst, ose në krahasim me përdorimin ideologjik dhe propagandistik të imazhit të udhëheqësit politik. Një fotografi zyrtare e Enver Hoxhës, e kuruar deri në detaj, nuk përfaqësonte thjesht njeriun Enver, por edhe imazhin që duhej të projektonte ai në popull – duke u shndërruar kështu në ikonë, të ngjashme me ikonën siç përdoret në praktikat dhe traditat kishtare të krishtera. Në këto fotografi të studiuara, lideri del gjithnjë në pozë identifikuese, zakonisht me fytyrë nga shikuesi; në mënyrë të tillë që imazhi të shërbejë si suport vizual i emrit. Ngjashëm me ikonat religjioze, edhe fotografitë e liderëve konfirmojnë jo vetëm praninë e tyre në jetën e shtetit, por edhe rrezatojnë virtytin suprem; dhe ndryshe nga fotografitë në përgjithësi, të cilat fiksojnë një realitet që ka qenë para kamerës, imazhe të tilla si ato të Enver Hoxhës dhe të kolegëve të tij, të ekspozuara përhershëm në vende publike a private, ose të vendosura atje përkohësisht si shenja të festës, shërbejnë si konfirmim i një realiteti që është. Portretet e anëtarëve të Byrosë Politike, të varura në fasadat e ministrive në Tiranë, nuk dokumentojnë asgjë, përveçse legjitimojnë një klasë politike, duke e individualizuar. Dhe në këtë kuptim, ose për shkak të përdorimit të tyre haptazi hagjiografik, portretet fotografike të liderëve politikë dhe në përgjithësi fotografitë e tyre kërkojnë që të perceptohen nga publiku dhe të funksionojnë solemnisht si piktura.

Kjo ndoshta shpjegon edhe heqjen e shpejtë nga qarkullimi të imazheve të së gjithë atyre liderëve dhe eksponentëve të lartë të pushtetit, që kanë rezultuar pastaj armiq dhe janë dënuar – këtë masë asgjësuese e kërkon vetë natyra e fotografive, ose mënyra si janë përdorur ato deri atëherë. Kësisoj, heqja me vërtik e një portreti të Mehmet Shehut nga një vend publik pas vetëvrasjes së tij dhe “demaskimit” të tij si poliagjent lidhet drejtpërdrejt me përdorimin e deriatëhershëm të atij portreti, si të ishte ikonë, nga organet e propagandës. Sa kohë që fotografitë politike lidhen me kremtimin dhe madje adhurimin e personit dhe të gjesteve të tij, në mos me kultin e personalitetit, në hagjiografinë puniste nuk do të ketë vend për heretikët dhe disidentët dhe të gjithë ata që i janë shmangur vijës politike ose i janë shitur a gjunjëzuar armikut. Fotografia politike, siç praktikohej dhe përdorej në Shqipërinë totalitare, nuk shërbente si dokumentim i realitetit, por si licencë për të hyrë në histori.

Ka edhe një arsye të dytë për përndjekjen e imazheve në fjalë – e cila i referohet natyrës primare, semiotike, të fotografisë: certifikimit të realitetit si ka qenë. Një fotografi e Koçi Xoxes, në krye të punëve, përkrah Enver Hoxhës dhe liderëve të tjerë të kohës, do të evokojë në sytë e shikuesit një periudhë kur ky nuk ishte shpallur ende armik, por mbetej bashkëpunëtor i Enverit dhe shok i tij i armëve. Nëse ligjërata refleksive e lejon shpërbërjen e një karakterizimi të vjetër për ta zëvendësuar a përditësuar me të riun; dhe përdoruesit të tekstit historik i prezantohet tani me fjalë një Koçi Xoxe që ka qenë gjithnjë tradhtar, agjent i jugosllavëve, trockist dhe armik i Partisë dhe i popullit, fotografia nuk mund ta bëjë këtë. Një fotografi e Koçit me Enverin do të interpretohet si njollë në biografinë fotografike të Enverit, çfarë do ta neutralizonte pastërtinë totale të këtij të fundit.

Buharini dhe Trocki si “Qentë e tërbuar të fashizmit” – karikaturë e botuar në Izvestia, në 6 mars 1938. Buharinin, që ishte tashmë duke pritur dënimin kapital në qeli, do ta pushkatonin në 15 mars 1938.

Për t’u shënuar se këtë praktikë të eliminimit të imazhit regjimi stalinist i Enverit nuk e kopjoi verbërisht nga çfarë ndodhte në Bashkimin Sovjetik. Nëse edhe atje fotot me natyrë historike që tregonin udhëheqjen e dalë nga Revolucioni retushoheshin rëndom, për të hequr që andej figurat e padëshiruara, sërish portretet e armiqve të zbuluar rishtas nuk hiqeshin krejt nga qarkullimi – duke mbijetuar gjerësisht, të paktën, në karikaturat. Ndryshe nga si vepronte Moska në vitet e errëta të spastrimeve (1934-1938), regjimi në Tiranë nuk e bëri zakon të tallej me armiqtë e vet, duke u mjaftuar me të vetmin ndëshkim semiotik të heqjes së lirisë së imazhit. Përkundrazi, armiqtë e jashtëm – që nga Presidentët e SHBA dhe liderët sovjetikë (Hrushovi, Brezhnjevi), ata jugosllavë (Titoja) e kështu me radhë portretizoheshin rregullisht në karikaturat e “Hostenit”[1]. Nga ana tjetër, lajmet e RAI-t që transmetoheshin për Tiranën nga ripetitori në Dajt do të ndërpriteshin rregullisht sa herë që binte fjala për Papën dhe shfaqej portrteti i tij.

Nga ana tjetër, ky ngërç i regjimit të Hoxhës me imazhin e kundërshtarit të brendshëm, i lidhur siç ishte me rishkrimin e historisë së Shqipërisë edhe para se të shfaqej atje ideja dhe lëvizja komuniste, do të prekte edhe të gjithë ata eksponentë dhe figura historike të së shkuarës së afërt, të cilët kishin përfunduar në krahun tjetër: që nga Ahmet Zogu dhe mbretëresha, tek oborri i tij dhe ministrat e tij; por edhe eksponentët e elitave fetare, duke filluar nga ato katoliket; dhe nga figura të shquara të kulturës kombëtare të cilat propaganda shtetërore i stigmatizonte, të tilla si Gjergj Fishta. Breza të tërë në Shqipëri mësonin diçka për këto personalitete dhe personazhe historike, qoftë edhe në prizmin ideologjik zyrtar; por nuk lejoheshin që konsideratave dhe portreteve abstrakte t’u bashkëlidhnin një suport material individualizues, në trajtën e imazhit fotografik. E vetmja fytyrë që i lejohej këtij lloj armiku ishte vula e reputacionit negativ, që përcillej nëpërmjet emrit; ose një lloj burgosjeje e biografisë së tij në gjuhë, nëpërmjet magjisë.

(*) Imazhi në kopertinë: Enver Hoxha me shokun e vet të armëve, Koçi Xoxen.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet reptësisht riprodhimi pa leje.


[1] Brezi im e ka bërë qitjen luftarake kundër tabelave me portretet karikatureske të Reaganit dhe të Brezhnjevit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.