SHKALLA ZERO E KËPUCËS

Një ditë që prisja radhën te sporteli i kontrollit të pasaportave, në Rinas, më tërhoqën vëmendjen dy rondokopë vlonjatë që vinin, me gjasë, nga Italia, dhe që rrezatonin para dhe mirqenie me krejt pamjen e tyre: nga trupat e bëshëm por jo obezë, te lëkura që u shkëlqente dhe veshja sportive smart; por çfarë më ra vërtet në sy ishin këpucët e tyre – tejet të shtrenjta, për tipat e tyre, veshjen, sjelljen dhe sidomos udhëtimin me avion. Pa frikë do të kishin shpenzuar 300-350 euro, secili, për t’i blerë.

M’u kujtua një fjalë e një këpucari të fëmijërisë sime, usta Ballkanit – kështu e kish emrin vërtet – se “burri duket nga këpuca.” Ky bënte këpucë me porosi; tani që i kujtoj, produktet e tij kishin gjithnjë diçka mesjetare në paraqitje, të thoje se imitonin modele të lashta prej druri. Por kishin edhe një të mirë të madhe: rronin. Dhe te Ballkani shkonin për të porositur këpucë të gjithë burrat dhe gratë e fisit tim; dhe ky me siguri edhe grave u thoshte se “gruaja duket nga këpuca.”

Por nuk e gjykova kështu, atë ditë me ata dy tipat në aeroport; meqë thjesht diferenca midis qenies së tyre të shfaqur dhe këpucëve që kishin veshur ndikonte jo për mirë te paraqitja e tyre, por për keq te paraqitja e këpucëve; këto të fundit, me siguri të dizajnuara për të tërhequr vëmendjen, vazhdonin ta luanin këtë rol automatikisht, dhe pasi u kishin dalë dizajnerëve nga kontrolli – vetëm sa tani tërhiqnin vëmendjen te shija e keqe, prej nuveaux riches, të pronarëve të tyre.

Ky mikro-episod me këpucët e dy të panjohurve, gjatë ca minutave të mërzitshme në radhë, m’u kujtua kur lexova këto ditë pasazhin e mëposhtëm, nga Curzio Malaparte:

Në pikturat nga artistë italianë të shekullit të 15-të, ambasadorët dhe fisnikët që binin në gjunjë para papëve ose mbretërve, perandorëve dhe fisnikëve të tjerë, të gjithë këta dukeshin sikur shqyrtonin këpucët e padronëve. Duke mbajtur shprehje ironike në fytyrë, meqë piktorët ishin ironikë. Të gjithë dukeshin sikur po vëzhgonin mënyrën si ishin bërë këpucët, si ishin qepur, nëse lëkura ishte e mirë, lidhëset të forta, shollët e trasha dhe tokëzat të farkëtuara hijshëm. Çfarë këpucarësh kompetentë qenkëshin këta oborrtarë! Në disa piktura florentine, dukej vetëm maja e pantoflës së papës, që nxirrte kokën që nga nën peizazhi i gjerë i xhybes së tij të bardhë; por me tek ajo majë pantofle fiksoheshin vështrimet e të gjithë oborrtarëve, me përqendrim të jashtëzakonshëm, të thoje se fati i botës varej nga maja e pantoflës.[1]

Në fakt, këpucën e sundimtarit kushdo mund ta sodiste sa dhe si të donte, pa u ndëshkuar; sidomos po të qëllonte në gjunjë para tij, ose edhe më keq akoma, i shtrirë përdhe. Përkundrazi, një vështrim ngultas në sy ose në fytyrë do të interpretohej si armiqësor, ndërsa në ndonjë pjesë tjetër të trupit si i dyshimtë ose komplotist – madje sundimtari mund të pyeste: çfarë dreqin ke që më sheh barkun? Ndërsa këpuca jo, sepse këpuca ishte në vendin më të ulët të trupit, praktikisht në kontakt me dheun, botën e poshtme, pisllëkun; këpuca i shërbente sundimtarit si piedestali statujës; duke e izoluar nga kjo botë, por gjithë duke e mbajtur atje në këmbë.

Malaparte e pat shkruar pasazhin më lart kur përshkruante një ditë të kaluar në një mbledhje të Sovietit Suprem, në Bashkimin Sovjetik të viteve 1920; i rrethuar nga këpucë të shtrembra proletarësh, çizme ushtarake dhe opinga muzhikësh, nallane dhe brashnja; që nuk të grishnin, as të joshnin t’i kundroje, por që njëfarësoj e mbanin syrin të lidhur me zinxhir, siç e mban trupi lakuriq i të dehurit të shtrirë përdhe në hyrje të nevojtores publike. Ishte i vetëdijshëm për kontrastin mes salltanetit aristokratik, që po përqafohej me vrrik prej klasës së re bolshevike në pushtet; dhe përdorimit krejt utilitar të mbathjes prej shtresave të ulëta, ende të pamësuara me funksionin simbolik të këpucës. Por si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, nuk do ta kish vënë në dyshim që, nga të gjitha llojet e veshjeve, këpuca ishte ajo që do ta tërhiqte syrin lirisht. Sepse, për ta thënë sërish me fjalët e usta Ballkanit: “këpuca e bën burrin.”

Si ta interpretosh tani, brenda kësaj skeme konceptuale, zgjedhjen e kryeministrit të Shqipërisë, Rama, për të veshur atlete të bardha në takimet me të mëdhenjtë e Europës; gjë që është komentuar pastaj gjithfarësoj nga mediat në Tiranë dhe gjetiu? Duke shkuar përtej gjakimit për efektin transgresiv, ose nevojës instinktive për të prishur ekuilibrat, për të thyer ritmin, për t’i qëndruar besnik imazhit prej ekscentriku (që nuk kthehet dot më në qendër)? I veshur me atlete të buta, burri i shtetit shqiptar, ndoshta edhe për shkak të trupit madhosh, përçon një lloj vulnerabiliteti të brishtë, si prej të rrituri fëmijë; një lloj rëndimi fizik prej divi të bezdisur nga graviteti i vet – dhe atletet e bardha për një moment u ngjajnë dy infermierëve që kujdesen për të kokulur. Por kushedi edhe unë ngatërroj fytyrën ndërkombëtare të Shqipërisë, me pamjen e studiuar të liderit të saj…

Vetëm se do të ishte gabim, besoj, që ta mbajmë shikimin të ngjitur te këto atlete, njëlloj si oborrtarët e Malapartes dikur te papuçet e qëndisura të Papëve, që ia shponin plëndësin globit me majucë; meqë atletet e Ramës sonë bien vërtet në sy, por në mënyrë të tillë që të ftojnë për t’i çuar sytë gjetiu; sikur të thonë: mos vështro këtu, por më lart; mua ky vulnerabilitet që nuk më vret veç më bën më të fortë. Ato madje shtyhen edhe më tej se këmba zbathur e thonj-pa-prerë, e cila konoton rebelim, refuzim të hipokrizisë borgjeze, kontakt të pandërmjetëm me tabanin; meqë ia anulojnë politikanit tokëzimin, duke marrë përsipër rolin e një blind spot-i konceptual. Janë edhe ato një doodle, një zhgarravinë e studiuar, në pergamenën e holluar të protokollit të Europës zyrtare sot; por e tillë që t’i shkojë fletës tejpërtej, për të hapur atje vrima.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi nga mediat.

 


[1] Malaparte, Curzio, The Kremlin Ball, NYRB 2018, f. 194.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.