SHPIFJA GRUA E NDERSHME

“Nessuno tocchi Caino”, ka qenë titulluar një fushatë e njohur, e radikalëve italianë, për të hequr dënimin me vdekje; andej po e huazoj temën e këtij shkrimi edhe unë. Askush të mos na e prekë shpifjen – dhe aq më pak drejtësia.

A nuk jetojmë vallë në një shoqëri pluraliste, ku kultivimi i vlerave, dhe jo vetëm atyre monetare, nuk ka pse të ruajë ndonjë farë lidhjeje me moralin dhe aq më pak me kodin penal?

Le t’ua njohim pra, shpifësve, lirinë për të shpifur, të cilën ata vetë e gëzojnë si të drejtën e tyre “të pajetërsueshme.” Ashtu, duke e ushtruar këtë të drejtë në foltoret, në ekranet, në faqet e gazetave dhe kudo ku gjenden sy palësh të treta, këta mund të realizojnë potencialin e tyre si shpifës.

Dhe ashtu të na ndihmojmë edhe ne t’i shquajmë dhe t’i kemi parasysh dhe t’u shmangemi në rrugë.

Mendoni ç’do të ndodhte, ç’apokalips i mendimit të lirë dhe i aspiratave thjesht europiane, sikur të gjithë këta shpifës të trembeshin dhe t’i mbanin shpifjet e tyre përbrenda, në vend që t’ia dhuronin publikut!

Ja, pra, një e mirë e papritur e shpifjes – funksioni i saj identifikues, që na lejon të përzgjedhim. Se edhe përzgjedhja është vlerë qytetare në demokraci, apo jo?

shockedPa folur pastaj për efektin thjesht argëtues të shpifjes, sidomos për ata që bëjnë sehir nga gjysmerrësira: të paemrit, të pafuqishmit, të pagojët, të papërzierit, të patrazuarit – ose krejt masa e heshtur apo “la maggioranza silenziosa” e cila me kalimin e kohës vjen dhe ia gjen lezetin të jetuarit te pështyma që mbulon Tjetrin, qoftë ky fytyrë në ekran, statujë apo pllakat.

Shpifja, kur është “tamam” shpifje, ka edhe meritën që e shumëfishon botën, si pasqyra; por ndryshe nga pasqyra, i shton kësaj variacion – këtej nderi, andej turpi; këtej virtyti andej vesi; këtej modestia, andej vaniteti. Ose edhe më mirë akoma, këtej vesi A, andej vesi B, e kështu me radhë.

E njëjta viktimë mund të luajë bixhoz në universin A, të shkojë me kunatën në universin B, të korruptohet në universin C, të korruptojë në universin D, të merret me drogë në universin E dhe kështu me radhë derisa të mbarojnë shkronjat e alfabetit.

Çfarë edhe do të shërbejë, nëse do të jetë kurrë nevoja, si ilustrim i thënies së lashtë ilire “nuk ka tym pa zjarr.”

Se shpifjen e ndjek prapa edhe një meritë e papritur: ndihma që ajo na jep, për të ruajtur, sado në një cep të humbur, nocionin e së vërtetës.

Nuk është e vërtetë, thotë viktima e shpifjes – duke na kujtuar se ekziston në këtë botë edhe e vërteta, pa çka se nuk ka mbetur agjenci dhe agjenturë, pa komplotuar kundër saj, pa e relativizuar dhe pa e mbuluar me pasqyra gjithfarësh.

Shpifja u jep të gjithëve mundësinë për të debatuar të vërtetën, në një shoqëri që, përndryshe, parapëlqen të jetojë në fantazitë e përgjumura dhe argëtuese të mediave.

Njëlloj si infeksionet, që tani na thonë se ia forcojnë e kalitin trupit sistemin imunitar, edhe shpifjet që dëgjojmë poshtë e lart, pa çka se jo për ne, dhe kushedi as tonat, na e stërvitin thellë në mendje shqisën e së vërtetës.

Sepse në këtë botë të sunduar nga spektakli, ku na ka rënë hisja të jetojmë, më shumë se shpifja është BULLSHIT-i që i kërcënohet komunikimit publik për vdekje; ose ai farë diskursi që, në vend që ta sfidojë ballazi të vërtetën, si shpifja, në fakt zgjedh ta shpërfillë atë krejt, ta lërë mënjanë, ta hedhë tutje si të panevojshme.

Shpifje është: aksh prift ia ka futur duart Karmelinës. Bullshit është: harmoninë fetare na e ka zili bota mbarë. Zgjidhni dhe merrni.

Shpifje është: Kryetari i Parlamentit është kriptokristian. Bullshit është: homologu i tij nga Vendet e Ulëta vlerësoi arritjet e Shqipërisë në lëmin e përpjekjeve për integrim në strukturat kontinentale. Sërish: zgjidhni e merrni.

Nuk dua të them me këtë se BULLSHIT-i duhet dënuar me vdekje; por vetëm që, sikur të vijë dita që ca prej BULLSHITTER-ëve më produktivë të kalonin ca kohë pas hekurave të burgut, të gjithë do të dilnim të fituar.

Pa folur pastaj që disa shpifje janë më afër realitetit se e vërteta, sepse – në rrethanat kur shqiptarët lexojnë pak, ngaqë kafenetë nuk janë të ndriçuara mirë, ose edhe ngaqë çmimet e librave janë më të larta edhe se në Finlandë – shpifja, krahas gënjeshtrës thjesht artistike ose konceptuale, është i vetmi akt diskursiv që ua mban të trajnuar shqisën letrare.

Pa folur edhe për të gjithë ata që i sjell në qendër të vëmendjes shpifja për çfarë në të vërtetë nuk e kanë bërë; dhe ata të tjerët, që e kanë shndërruar shpifjen në profesion, duke e ushtruar deri në kufi të BULLSHIT-it, në pamundësi për ta ushtruar deri në kufi të letërsisë narrative të mirëfilltë…

Pa folur edhe për ata të tjerët, të cilëve – njëlloj siç u dilte fjala të urtëve dikur – tani “u del shpifja,” aq sa të meritojnë mirënjohje prej të gjithëve ne, që ende na intereson e ardhmja, përtej asaj së ardhmeje që e kanë kapur dhe po e bëjnë telef BULLSHITTER-ët.

Të mos na e prekë kush shpifjen, pra.

Përndryshe e pret burgu.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.