Shqipëria ‘plehristike’


Votimi i turpshëm i ditës së djeshme në parlament duhet të mbahet mend gjatë prej shqiptarëve. Dhe ka shumë gjasa të mbahet mend, nëse kjo shoqëri nuk reagon duke firmosur një peticion ku kërkohet referendum për lejimin apo mos lejimin e importeve të ‘mbetjeve’, term ky politikisht korrekt, por realisht i pavërtetë. Për herë të parë dëgjuam nga vetë goja e kryeministrit se importimi i mbetjeve shpëtoka Shqipërinë nga mbetjet toksike. Frazat më të pakuptimta që mund të dalin nga goja e një kryeministri që, për më tepër, ka formim kardiologu. Këta pushtetarë, dje, vendosën me autoritetin e perëndive, duke përjetësuar praninë e tyre, duke marrë përsipër të dënojnë brezin tonë, por dhe të gjithë brezat pasardhës, në mënyrën më të dhunshme që mund të ekzistojë, thua se nuk u mjafton masakrimi i deritanishëm që po i bëjnë këtyre trojeve.
Argumenti ekonomik që mbron Çili & co, në lidhje me këtë ligj, është argumenti më i pasaktë në termat makro-ekonomik. Lind pyetja perse?
Kjo, sepse vetë tregu Zoti Çili, i merr të mirëqena dëshirat e konsumatorëve. D.m.th. tregu prodhon pavarësisht se nga ai prodhim mund të lëndohet shëndeti im apo i fëmijëve të mi nesër. Shumë e thjeshtë, ti preferon të ecësh në këmbë dy kilometra ( të lodhesh, të humbasësh kohë) duke qenë i sigurt ama se nga ai veprim nuk lëndohet shëndeti yt dhe i fëmijëve të tu , apo të ecësh me një makinë që ndot, që të kursen kohë, që të mban dhjamin në vend, por që njëkohësisht te bën të sëmuresh ti vetë dhe fëmijët e tu. Kështu pra, thjesht e qartë, e parë në termat makro-ekonomik në ndikimin direkt te importit te mbetjeve Shqipëria do të sakatojë vetveten me kalimin e këtij ligji, duke ulur cilësinë e jetës së qytetarit shqiptar. Ajo cilësi, e cila mbahet në vet vetë dhe në lidhje me jetgjatësinë mesatare, e ku ne do bëhemi dhe më të varfër sepse nje pjesë e mire e buxhetit familjar do të shkojë tek doktori, tek ilaçet, shumë më shumë nga ç’shkon tani. E parë nga ana industriale sërish do të kemi efektin: Mirupafshim, turizëm kulturor, bregdetar kjo si pasojë e “reputacionit” që Shqipëria do të fitojë, një damkosje reale si koshi i mbetjeve të Europës. Në kët rast dhe sikur të injorojmë, në lidhje me makro-ekonominë, kostot reale që sjell një profilizimi i ri në kapacitetet njerëzore, përsa i përket industrisë së turizmit,nga ana tjetër kemi ndikimin zero të shtetit që kalon ligje kaq të dëmshme në parlament, por nuk ndërhyn kurrsesi të vendosë rregulla në menaxhimin e tregut e aq më pak të mbajë përgjegjësi për këto gabime fatale.
Po t’i kthehemi sërish mitit të riciklimit, dhe në rastin ideal, ku doganat funksionojnë më së miri, ku kapacitetet njerëzore për monitorimin e mbetjeve janë shumë mirë të formuara, ku korrupsioni është në nivelet e Shoqërise Gjermane apo Hollandeze (dy shembuj këta të përmendur në parlament në seancën e djeshme), duhet të flasim për termodinamikën si proces që injorohet. Mbetjet nuk mund të bëhen pjesë integrale e një produkti, që prodhohet nga mbetjet. Ndërkohë, është e vërtetë se kostoja e riciklimit të mbetjeve ështe më e lartë se ajo e prodhimit të një produkti pa përdorur mbetjet. Por dhe nëse kjo kosto ekziston në likuiditet, mbetjet do kenë gjithmonë mbetje, qofshin këto të prekshme, pra që shihen apo te paprekshme, por që ndihen. Miti i riciklimit, sikur të ekzistonte vërtet, në mënyre kaq absolute nuk do të bënte që ekonomitë më të zhvilluara të taksonin në mënyrë kaq të lartë, bizneset që me produktet e tyre krijojnë mbetje si ato plastiket, dioksid karbonit etj etj. Po të flasim për një shembull konkret, plastika, për shembull, kurrë nuk dekompozohet totalisht, por foto- degradohet në copëza të vogla të quajtura mikro – plastikë te cilat të pranishme në dete/ lumenj mund të grumbullojnë përbërje organike hidrofobike nga 100,000 deri në 1 milion herë se niveli i hapësirës rreth vetes. Edhe në ekonomitë më të përparuara është përllogaritur se vetëm 5% e totalit të qeseve plastike të përdorura janë ricikluar, duke pohuar edhe një herë se nuk është kost-efektive. Nga ana tjetër, Ministria e Integrimit e gjykon këtë ligj si një kusht për integrimin ne BE. Dua t’i kujtoj kësaj zonje se BE-ja është shprehur shumë qartë mbi detyrat e shtëpisë, që duhet të plotësoni. BE-ja kërkon kontekst shqiptar europian, mbi të gjitha, ku ligjet respektohen po ku vetë pushtetarët tanë nuk i respektojnë. Nga ana tjetër, jemi një vend shumë strategjik për t’u bërë kosh plehrash për dy faktorë 1. Gjeostrategjik : Jemi në këtë kontinent, vendi që nuk ka shumë kosto transporti për tu bërë destinacion I preferuar per magazinim mbetjesh në krahasim me vende të tjera të varfra që ndodhen në kontinente të tjera për shtetet europiane që janë kaq të përparuar në krahasim me ne, dhe njëkohësisht ndotës shumë të medhenj në nivel global, e dyta konteksti rajonal, i cili mund të reagonte, është shumë i dobët, e pse jo aspak largpamës njëkohësisht (pare me nje lloj syzesh idealiste). Janë shumë faktorë që na bëjnë kurban, po heshtëm dhe me miratimin e këtij ligji do të thotë se e meritojmë fatkeqësinë që na ka rënë mbi kokë. Ndaj, peticioni për referendum duhet të firmoset nga të gjithë shqiptarët. Të vijohet, pastaj me votimin e tij. Në këtë mënyrë, nëse votohet pro, shfajësojmë dhe qeverinë që “na e do të mirën”, ose për herë të parë u provojmë këtyre zotërinjve se vendimet e tyre e kanë një kufi! Kështu të paktën ngadalësojmë procesin e shkatërrimit ekologjik të këtij vendi, ngadalësojmë procesin e kthimit në parajsë plehrash duke mbrojtur sadopak jetën tonë e te brezave qe vijnë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top