SHQIPJA PA MOSHË

Akademia e Shkencave e Shqipërisë kish zgjedhur ta kremtonte “Ditën Europiane të Gjuhëve”, në Facebook, me kopertinën e librit të Shaban Demirajt, Gjuha shqipe dhe historia e saj, të ilustruar me parullën “Gjuha shqipe një nga gjuhët më të vjetra të Europës.”

Zgjedhja m’u duk e gabuar, dhe parulla naive.

Gjuha shqipe është gjuhë indo-europiane, edhe pse e dokumentuar vonë. Ta quash “e vjetër” ose “nga më të vjetrat” mund të pranohet si mistifikim për ligjërimin ideologjik ose kombëtarist-religjioz, por jo për atë shkencor. Shqipja nuk është as e vjetër as e re – ose është po aq e vjetër sa indo-europianishtja e fillimeve, dhe po aq e re sa fëmija që foli sot për herë të parë shqip. Ka moshën e të gjitha nënave, që nga errësira e parahistorisë, që u kanë folur foshnjave në gjuhën e nënave të tyre.

Libri i Shaban Demirajt, me natyrë divulgative, jo vetëm që nuk e konfirmon që “gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të Europës”, por edhe jep një datë të përafërt, për formimin e shqipes: midis fundit të ndikimit latin dhe fillimit të kontakteve me sllavishten, ose dikur nga shekujt V-VI të erës sonë.

Autori flet atje lirisht edhe për “nënën” e shqipes, ose për atë gjuhë e cila e “lindi” shqipen, njëlloj si latinishtja italishten ose spanjishten. Kjo e nënës, edhe pse metaforë, ndihmon për të kuptuar se, të paktën për Demirajn, shqipja jonë e sotme është cilësisht e ndryshme, si gjuhë, nga paraardhësja e saj në lashtësi.

Demiraj argumenton, në librin e vet, se shqipja e sotme është një kombinim unik i tipareve të ruajtura dhe i risive të përftuara në kohë; dhe se nuk ka ndonjë dallim “vlerash” midis çfarë është ruajtur dhe çfarë është rinovuar.

Ky është edhe qëndrim prej albanologu profesionist, me integritet dhe solid në pikëpamjet e veta; siç edhe ka qenë Demiraj, nga të rrallët.

Shqipja është gjuhë europiane jo për nga mosha e saj e supozuar, por për nga struktura e saj, funksionimi dhe kultura që ka ndihmuar të përcillet në shekuj.

Argumenti i “moshës” së gjuhës shqipe nuk ka asnjë lidhje logjike me debatet për autoktoninë e shqiptarëve, as për çështjen e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja a ndonjë gjuhë tjetër e Ballkanit të lashtë.

I vetmi kontekst, ku mund të flitet me ndonjë farë baze shkencore, për “vjetërsinë” e shqipes brenda gjuhëve indo-europiane ka të bëjë me kohën kur është “shkëputur” shqipja nga “trungu” indo-europian; por vetë modeli i pemës së gjuhëve nuk është veçse vegël metodologjike (dhe jo e vetmja); dhe koha e ndarjes së një gjuhe të dokumentuar aq vonë sa shqipja është tejet e vështirë për t’u përcaktuar; aq më tepër që vetë konceptet e shkëputjes dhe të degëve a të degëzimeve, ose modeli dendrologjik, mbeten metaforike; dhe jo gjithnjë metodologjikisht të shëndosha.

Përkundrazi, mund të flitet brenda shqipes për vjetërsi relative të elementeve nga leksiku, gramatika dhe fonetika/fonologjia – në kuptimin që një fjalë e trashëguar ose një huazim latin janë më të vjetra se një huazim sllav; ose që nyja e pasme është më e vjetër se nyja e përparme; e kështu me radhë. Ose në kuptimin – elementar – se një fjalë e prejardhur si punëtor është më e re se tema e saj, punë.

Shqipja përndryshe meriton totalisht vëmendjen tonë – të shoqërisë, të institucioneve, veçanërisht të shkollës, të qytetarëve; por jo ngaqë është “nga gjuhët më të vjetra” dhe as ngaqë ka ndonjë karakteristikë tjetër sublime. E meriton këtë vëmendje sepse është gjuha jonë, e vetmja që kemi; gjuha që i jep formë kulturës sonë dhe që na riprodhon si aktorë në teatrin e komunikimit, publik dhe privat; që na shquan si shqiptarë mes popujve të tjerë të Europës dhe që realizon bashkërinë tonë si shoqëri dhe si popull; dhe që ruan, në trupin e saj, gjurmët e historisë shumë-shekullore të popullit shqiptar, të kulturës së tij materiale dhe shpirtërore, të ekonomisë dhe të jetës sociale; të kontakteve të tij me fqinjët dhe të tjerët; madje i ruan shumë më mirë se dokumentet historike dhe gërmadhat arkeologjike që kanë mbijetuar.

Më duket pa vend, që edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, praktikisht bastioni i fundit institucional në përpjekjet për të ruajtur arsyen publike në çështjet kombëtare dhe të albanologjisë, të zgjedhë të pozicionohet me mburrje të tilla folklorike. Shpresoj të ketë qenë lajthitje e ndonjë personi të rastit.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Shënim: një version pak më të shkurtër të këtij shkrimi e lashë si koment te faqja e Akademisë së Shkencave në Facebook.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top