SHQIPTARË, GREKË, TË KRISHTERË

Duke lexuar këto ditë një artikull të Dhori Qiriazit, me titull “Rreth marrëdhënieve të së folmes greqisht të Himarës me të folmet e tjera të greqishtes së re”, përkthim në shqip i një origjinali greqisht të botuar në Studies in Greek Linguistics,[1]

më tërhoqi vëmendjen një fusnotë ku studiuesi në fjalë i referohej veprës së Nilo Borgias Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri (Tiranë 2014, botimet Naimi), një vepër që përndryshe është përmendur shpesh këto javët e fundit,[2] në kontekstin e polemikës rreth Nilo Catalanos, kishës uniate, përpjekjeve për përhapje të uniatizmit në zonën e Bregut dhe natyrën gjuhësore-etnike të Dhërmiut dhe të Himarës.

Citoj gjithnjë nga Qiriazi, se në veprën e mësipërme të Borgias, përmendet edhe fakti që misionari Giuseppe Schiro, […] shkruante në vitin 1722 se “Cimara (Himara), …, Drimades (Dhërmiu), Balasa (Palasa) [janë] me kombësi greke -“di natione greci”-, kurse fshatrat e tjerë të Himarës janë “të kombësisë shqiptare” -“di natione albanesi”- (f. 318 e përkthimit shqip).

Kjo vetëm pak vjet pas mbërritjes së misionarit Nilo Catalano në Dhërmi (1693) dhe relacionit që ky i dërgoi Selisë së Shenjtë po atë kohë, ku thuhej se ai i kishte dhënë përparësi ngritjes sërish të shkollës për të rinjtë dhe fëmijët për t’u mësuar të gjithëve Doktrinën e Krishterë, një shkollë ku, sikurse vëren studiuesi arbëresh Mandalà, “mësimi i katekizmit zhvillohej në gjuhën shqipe, sipas një tradite që kishin themeluar arbëreshët në Sicili, qysh nga viti 1592.”

Dhe këtu duket sikur përvijohet një kontradiktë. Duket qartë se kur flet për “grekë”, Schiroi nuk ka parasysh përkatësinë fetare të popullsive të zonës, ose në çka përndryshe njihej edhe si kisha “greke”, por përkatësinë etnike; gjithë duke mos harruar, sikurse vëren edhe Qiriazi, se “për atë kohë termat kombësi e aq më tepër ndjenjë kombëtare duhen marrë me rezervë e pa semantikën që bartin sot” dhe se “Schiroi, pas çdo gjase, i referohet situatës gjuhësore të fshatrave të lartpërmendur” (po aty).

Thënia e Skiroit duket sikur kundërshton edhe tezën, së paku tezën në formën e vet më të skajshme, se popullsia e fshatrave të Bregut në atë periudhë – flasim për shekujt XVII-XVIII – ka qenë etnikisht shqiptare dhe ka folur gjuhën shqipe; tezë e cila ka kërkuar mes të tjerash mbështetje dhe konfirmim edhe te fakti historik që Nilo Catalano-ja, në shkollën që hapi në Dhërmi, ua mësonte fëmijëve katekizmin në gjuhën shqipe. Sepse, në qoftë se Dhërmiu fliste greqisht, për ta thënë me Skiroin, atëherë pse duhej mësuar katekizmi shqip?

Nga ana tjetër, Skiroi duket sikur ka përshkruar, në relacionin e lart-cituar, një situatë etno-gjuhësore të njëjtë me atë që kemi sot në këto fshatra; meqë edhe sot Himara, Dhërmiu dhe Palasa flasin greqisht, ndërsa fshatrat e tjera të zonës flasin shqip; duke i përkitur, megjithatë, të gjitha fshatrat kishës ortodokse të Lindjes.

Natyrisht, për përbërjen etnike të fshatrave të Bregut në periudhën në fjalë dhe më herët, përfshi edhe ato fshatra ku banorët flasin sot greqisht, si Himara, Dhërmiu dhe Palasa, nuk është se kemi vetëm dëshmitë e murgjve baziliane. Mund të sillen shumë prova me peshë, përfshi këtu mbiemrat e disa familjeve ose të dhënat anagrafike të himariotëve në shërbim të bujarëve italianë të kohës, ose edhe ata që u rekrutuan në regjimentin “real-macedone” të Mbretërisë së Napolit gjatë shekullit XVIII, se të paktën një pjesë e banorëve edhe të fshatrave greqisht-folëse të Bregut kanë etnikisht arbër (shqiptarë) dhe janë asimiluar pastaj gjuhësisht in loco. Çka do të thotë se, pavarësisht se greqishtja mund të ketë mbizotëruar si gjuhë në këto fshatra edhe gjatë kohës që shkruante Schiroi, elementi arbër (shqiptar) ka qenë atje gjithnjë i pranishëm, sikurse duket të ketë qenë normale për një kohë që nuk i njihte komunitetet etnikisht të pastra.

Kjo ndoshta lejon një reflektim të mëtejshëm, për arsyet se pse misionarët bazilianë përdorën shqipen, në shkollën e tyre, dhe jo greqishten, për t’u mësuar fëmijëve të krishterë të zonës katekizmin; madje edhe në një fshat si Dhërmiu, të cilin ata vetë e cilësonin si “di natione greci,” ose me kombësi greke. Ky vendim i tyre, ose qoftë edhe vendim personal i Nilo Catalano-s, do të ketë lidhje me atë çfarë dëshironin të arrinin këta misionarë në bregun përkarshi – dhe pikërisht përhapjen e kishës së tyre uniate dhe kalimin e të krishterëve ortodoksë të Bregut nën autoritetin kanonik të Selisë së Shenjtë. Tek e fundit, “katolikë të ritit grek” ishin dhe ashtu janë edhe sot, edhe më të shumtët e arbëreshëve të Italisë prej të cilëve vinin një pjesë e bazilianëve, si ata të Grottaferrata-s.

Tani, Patrikana e Stambollit e konsideronte Bregun si zonën e vet; dhe me siguri përpiqej të mbrohej nga inkursionet e uniatëve, me mënyra të ndryshme, madje edhe atëherë kur marrëdhëniet midis dy kishave dukeshin miqësore dhe uniatët bazilianë i vizitonin viset e ortodoksisë me një frymë ekumenike. Dhe meqë ortodoksia e Lindjes, së paku në zonat për të cilat flasim, identifikohej fort me greqishten si gjuhë liturgjike, atëherë duket e arsyeshme që një kishë rivale, si uniatët, të kenë shfrytëzuar faktin që një pjesë e këtyre banorëve ortodoksë të një zone borderland nuk e kishin greqishten gjuhë amtare, por arbërishten (shqipen), për të depërtuar në territorin “armik”; kushedi edhe me shpresën, idenë ose programin për t’u dhënë një formë specifike kulti atyre ortodoksëve që nuk kishin greqishten, por arbërishten (shqipen) si gjuhë amtare. Kësisoj, dallimi gjuhësor do të përthyhej edhe në pluralitet fetar, njëlloj si në Italinë e Jugut, ku arbëreshët katolikë të ritit grek dalloheshin, jo vetëm nga gjuha por edhe nga riti, prej fqinjëve italianë.

Vetëdija gjuhësore do të jetë shfrytëzuar kështu, edhe pa sukses, si element diversiv.

Dy përfundime sado paraprake mund të nxjerr nga sa më lart: që popullsia e fshatrave të bregut, edhe atyre që sot njihen si greqisht-folëse, ka qenë e përzier, shqiptarë dhe grekë, në kohën e veprimtarisë së bazilianëve; dhe që misionarët uniatë mendonin se do të mund ta përhapnin më lehtë formën e tyre të besimit tek elementi jogrek në zonën e Bregut, duke shfrytëzuar identitetin e tyre të ndryshëm etnik, sado rudimentar. Ftoj lexuesit që i njohin me siguri më mirë se unë disa nga këto çështje (sidomos ato specifike të uniatizmit) të më ndihmojnë mua dhe sidomos lexuesin me kontributin e tyre.

© Peizazhe të fjalës.

[1] Studies in Greek Linguistics, Proceedings of the Annual Meeting of the Department of Linguistics, School of Philology, Faculty of Philosophy, Aristotle University of Thessaloniki, May 6-7, 2006, Ιnstitute of Modern Greek Studies, Thessaloniki 2007, f. 198-209.

[2] Shih për referenca dhe komente shkrimin Catalano mes katallanëve, këtu në blog.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.