Shqiptarët në luftën çlirimtare të Sirisë

Nehat ISLAMI

SHQIPTARËT NË LUFTËN ÇLIRIMTARE TË SIRISË*

Lufta në Siri

Në luftimet e viteve 1925-1927 kundër kolonizatorëve francezë në Siri morën pjesë më se 20 djelmosha kosovarë nga të cilët 3 u vranë heroikisht.

Pas Luftës së Parë Botërore të “sëmurit në Bosfor” iu shuan të gjitha shpresat se do të shërohej ndonjëherë për t’iu kthyer edhe një herë bregut të Eufratit dhe vetullës së Levantit – në mesin e arabëve. Mirëpo, gjersa po dergjej Turqia e vjetër, Anglia dhe Franca kishin përpiluar më 1916 Marrëveshjen e Sajks-Pikos (i pari, diplomat i Forin Ofisit, ndërsa i dyti – i Kej d’Orsejit) për të ndarë Sirinë, Irakun, Libanin, Jordaninë dhe Palestinën. Si në bazë të Marrëveshjes së përmendur ashtu edhe në bazë të Marrëveshjes në San Remo të Italisë, kolonizatorët e rryer më parë në Magreb dhe Afrikë, u morën vesh që Siria dhe Libani t’i nënshtroheshin pushtetit frëng, ndërsa “kallankusuri” – Londrës.

Kështu “miqtë” e arabëve që më parë i cytnin lëvizjet çlirimtare të këtyre popujve kundër Portës, tanimë i kishin mprehur dhëmbët të marshonin në këto vise me flamurin e “çlirimtarëve”. Kapitullimi definitiv i Portës, më 29 tetor të vitit 1918, tani u kishte hapur dyert pushtimeve europiane në Lindjen e Mesme. Më 1920 në Damask u themelua Partia e Pavarësisë Arabe me bashkimin e dy grupeve: “Al Fatah” dhe “Al Ahad”. Kjo parti udhëhiqte luftën për çlirim dhe pavarësi të vërtetë të Sirisë së madhe. Të gjitha premtimet e vjetra franceze dhe angleze i mbuloi rëra e shkretëtirës, mbi të cilën më 20 mars të vitit 1920 marshoi drejt Damaskut ushtria franceze duke e rrëzuar mbretin Fejsal. Francezët e ndanë zonën e tyre në katër pjesë pa kurrfarë sovraniteti. Lëvizjen çlirimtare të Sirisë nuk e ndalën as dy bombardimet shkatërruese të Damaskut gjatë viteve 1925-1927, as të gjitha masat e sprovuara të kolonizatorëve. Ajo zgjati gjer në prill të vitit 1946, kur u tërhoq edhe ushtari i fundit kolonialist.

Në periudhën më të rëndësishme të rezistencës siriane kundër francezëve morën pjesë edhe shqiptarët – djelmoshat e ardhur nga Kosova më 1912.

Një grup i konsiderueshëm familjesh nga rrethina e Vuçitërnës (Vushtrisë), Tetova, Dibra, Ferizaji dhe viset e tjera i shitën shtëpitë dhe tokën për t’u dyndur në Turqi dhe Siri. Grupi që pati ardhur në Siri e braktisi atdheun për shkaqe fetare, meqë në Sham Sherif, siç e quanin Damaskun, kishte plot xhami dhe gjendeshin shumë më afër Mekës.

Mirëpo, me të ardhur në këtë qytet të vjetër, krerët e kolonës së rraskapitur nga udhëtimi i parë mbi det nga Selaniku gjer në Iskenderum, e pastaj nga peripecitë me deve të cilat gjithashtu i panë për herë të parë, refuzuan të punonin tokën e pëlleshme në vendin e quajtur Merxhid Hashish në Damask dhe kërkuan të vendoseshin afër Xhamisë së madhe të Umajadëve.

Varjet e panumërta të patriotëve arabë mu në mes të Damaskut viteve të fundit të “gjallimit” turk në këto vise nuk e rehatuan aspak Xhemal Pashën, sepse “Shoqëria Shkencore e Sirisë” e udhëhequr nga intelektualët, tanimë kishte arritur të mobilizonte edhe masat më të ulëta. Ky hov vazhdoi edhe me të ardhura të francezëve. Tani në krye të lëvizjes gjendej El Emir Ezedin el Xhezairi. Francezët e rrethuan Damaskun me tela për të mbajtur situatën në duart e tyre, ndërsa bënin përpjekje t’i përfitonin masat e gjera duke u ofruar nga 12 litra ari vetëm e vetëm që të bashkëpunonin me ta.

Numri i madh i djemve të rinj muhaxhirë shqiptarë që kishin rënë në Basra, afër Bagdadit, në luftën turko-angleze (Luftën e Parë Botërore), kujtimet e hidhura të ushtarëve shqiptarë në kuadrin e Turqisë gjatë luftimeve në Jemenin e largët kundër një populli të shtypur porsi ata vetë, kishin filluar t’u hapnin sytë veçmas të rinjve se “gjaku”, megjithatë, nuk është ujë. Në Siri veçmas ishte e fuqishme veprimtaria ilegale e grupit që mbështetej në këto parime: të luftojmë kundër okupatorit frëng për një Siri të lirë, në të cilën të gjithë do të jemi të barabartë – jerli e muhaxhirë.

Natyrisht, si zakonisht, u aktivizuan të rinjtë, ata që kishin braktisur atdheun si kalamaj e këtu në Damask kishin lëshuar shtat. Kështu, Islam Hasani e mbante në mend vetëm Sitnicën, meqë nga vendlindja ishte larguar në moshën 5 vjeçare.

Luftëtarët shqiptarë u ndanë në disa togje të përziera me arabët që më 1925. Tri vite rresht askush nuk u kthye në Damask ndonëse zhvillonin beteja në rrethinën e tij e gjer në malet e Libanit. Për trimëritë e tyre flitet edhe sot, ndërsa kronikat siriane i përmendin me respekt emrat e tyre.

Qëndresa trevjeçare pa armatim të nevojshëm dhe përleshjet e shpeshta me kolonizatorin frëng të pajisur për atë kohë edhe me aeroplanë të shpejtë luftarakë, u dobësua nga maji i vitit 1927, kur pas një beteje në rajonin Kabun Bezi, afër fshatit Drejxh së bashku me udhëheqësin e lëvizjes Emir Ezedinin u vra një numër i konsiderueshëm luftëtarësh arabë e ndër ta edhe Zymber Sokoli, Ismail Hasani, dhe Ismail Buzuviku, ndërsa shtatëmbëdhjetë djelmosha të tjerë shqiptarë u kthyen të plagosur, të sëmurë e të rraskapitur nga këto kushte të padurueshme klimatike.

Kjo rezistencë e detyroi Parisin t’i njihte Sirisë tërësinë territoriale, por jo edhe parlamentin e pavarur, sepse Komisari i lartë francez gëzonte të drejtën ta shpërndante sa herë që e shihte të arsyeshme. Megjithatë, nga vitet tridhjetë, nacionalistët sirianë depërtuan në parlament duke i vënë bazat pushtetit autokton, të rrëzuar edhe disa herë rresht gjer më 1943, kur Shukri el Kuatli themeloi qeverinë e parë të pavarur. Mirëpo u desh të kalonin edhe tri vite të tjera gjersa u tërhoq edhe ushtari i fundit kolonialist nga Siria e sotme.

Shqiptarët vazhduan të jetojnë duke e harruar gjuhën, doket e zakonet, si në çdo rast tjetër kur braktiset atdheu.


* Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, [email protected]

Vënë nën:Bota arabe, Orienti, Shqiptarët dhe Orienti Tagged: Shqipëria, shqiptarët, Siria

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top