Shqiptarët rishqyrtojnë periudhën osmane

Gjergj EREBARA

 

SHQIPTARËT RISHQYRTOJNË PERIUDHËN OSMANE

Gjergj Erebara

Gjergj Erebara

Kur Dorina Zhupa vendosi të përfitonte nga kurset falas të gjuhës turke në Tiranë, ajo e gjeti veten mes një leksioni historie, të cilin nuk e priste aspak. Tek 27 vjeçarja ishte përgatitur ta ndiqte atë leksion duke praktikuar turqishten, ajo u çudit kur zbuloi se Shqipëria nuk kishte qenë kurrë një vend i nënshtruar ndaj Perandorisë Osmane. Osmanët nuk kishin qenë pushtues por administrues miqësorë, kishte deklaruar profesori.
“Po diskutonim për historinë e Shqipërisë dhe në një pikë të diskutimit unë thashë se Shqipëria ishte çliruar nga pushtimi turk në vitin 1912. Megjithatë, Profesor Derjaj më korrigjoi menjëherë duke thënë se në fakt, Perandoria Osmane e kishte administruar Shqipërinë dhe nuk e kishte pushtuar”, tregon Zhupa.
Dhe profesori i kursit të rreth një viti më parë – kurs i financuar nga qeveria turke – i qëndron deklaratës së tij. Adriatik Derjaj, profesor i turqishtes moderne dhe gjuhëve të epokës Osmane në Universitetin e Tiranës thotë: “Perandoria Osmane ishte një konglomerat kombesh me mundësi të barabarta. Rreth 36 persona që kanë sunduar perandorinë kanë qenë me gjak shqiptar”. “Mendoj se bashkëjetesa me Osmanët u mirëprit nga shqiptarët. Nëse analizojmë gjuhën dhe zakonet e shqiptarëve sot, mund të kuptojmë se shqiptarët dhe turqit jetuan bashkë dhe turqit u mirëpritën”.
Vezirët e mëdhenj osmanë përmbushnin de facto funksionet e kryeministrit dhe drejtonin perandorinë. Vetëm Sulltani ishte më lart se ata në hierarki. Megjithatë, si shumë shqiptarë të tjerë, Zhupa kishte mësuar shumë pak mbi këta vezirë të lindur shqiptarë. Por ama ajo kishte mësuar ndërkohë se osmanët pushtuan Shqipërinë dhe e mbajtën vendin nën zgjedhë për pesë shekuj deri në Luftën Ballkanike 1912-1913.
Ashtu si në rastin e vendeve të tjera në Ballkan, prania osmane në Shqipëri shihet jo thjesht si pushtim, por njihet gjerësisht si tragjedi kombëtare. Osmanët ende fajësohen se kanë ndalur zhvillimin e Shqipërisë dhe se shqiptarët po i vuajnë sot pasojat. Kur i thanë se osmanët ishin ‘administrues paqësorë’, kjo erdhi si një troshitje për Zhupën.

Nacionalizmi rishtar

Ndërsa pikëpamjet e Derjaj mund të jenë kundërshtuese për shqiptarët, ai sigurisht që nuk është vetëm kur ngre pikëpyetje nëse sundimi osman në Shqipëri ishte pushtim i dhunshëm. Shumë historianë besojnë se në vigjiljen e rënies së Perandorisë Osmane në Europë, udhëheqësit e rinj shqiptarë dhe baballarët e kombit, vendosën qëllimisht të ndërtojnë një identitet të ri, unifikues, perëndimor që e përcakton të shkuarën osmane si një aksident tragjik.
Në një formë të ngjashme, historitë zyrtare të vendeve të tjera të Ballkanit, veçanërisht Bullgaria dhe Serbia, e përshkruajnë të shkuarën e tyre në llogoret e një lufte shekullore për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Megjithatë, ndërsa këto vende me shumicë të krishtere mund ta rrëfejnë historinë e tyre me një farë kollajllëku, çështja mes shqiptarëve me shumicë myslimane bëhet disi më komplekse.
Ideja e një identiteti kombëtar shqiptar, ishte e re, duke marrë parasysh se myslimanët shqiptarë ende njiheshin si ‘turq’ dhe të krishterët si ‘grekë’, deri në shekullin XX. Në përpjekje për të bashkuar dhe fuqizuar Shqipërinë që sapo kish fituar pavarësinë, elitat politike zhvlerësuan dallimet fetare, duke zgjedhur që të përqendroheshin në prerjen e lidhjeve me të shkuarën osmane.
Fjalët turke u spastruan nga gjuha shqipe dhe ata vezirë të mëdhenj që u lindën shqiptarë dhe sunduan Perandorinë Osmane, as që përmenden në të dhënat zyrtare të historisë së vendit. Versioni shqiptar i ripublikuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, thotë se udhëheqësit politikë të Shqipërisë së re besuan se nënshtrimi i identiteteve personale në favor të vetëdijes dhe edukimit kombëtar do të ndihmonte emancipimin e kombit shqiptar nga fanatizmi, prapambetja, intoleranca dhe ndasitë fetare, që ishin mbjellë nga sunduesit osmanë.
Ky identitet i ri post-osman dhe qëllimisht perëndimor, u farkëtua në kurriz të saktësisë historike, sipas disa historianëve, sepse këta udhëheqës të rinj – disa prej të cilëve ishin ish-zyrtarë të Perandorisë Osmane – e panë të udhëz që në mënyrë të rreme, të fryjnë rezistencën shqiptare ndaj shtypësit osman.
“Krijimi i një identiteti perëndimor ishte çështje mbijetese për elitat shqiptare në fund të shekullit të 19”, shpjegon sociologu shqiptar Enis Sulstarova. “Kjo histori që i përshkruan turqit thjesht si armiq të shqiptarëve, filloi në fund të shekullit të 19, pjesë e një procesi komb-formues të njohur si ‘rilindja kombëtare’… kjo praktikë e tregimit të historisë me tone nacionaliste vazhdoi gjatë komunizmit dhe vazhdon edhe sot.
“Sot, trashëgimia e Perandorisë Osmane në Shqipëri konsiderohet përgjegjëse për pothuajse çdo problem ekonomik, kulturor dhe politik. Ky është një historicizëm banal, ku shumëkush e gjen më të thjeshtë t’ua faturojë turqve problemet e së tashmes. Disa thonë se po të mos ishim pushtuar nga osmanët (të cilëve u referohen thjesht si turq), ne do të ishim një komb perëndimor i zhvilluar”, thotë Sulstarova.

Propaganda

Historianët, më së shumti bien dakord që të dhënat historike shqiptare janë influencuar nga propaganda nacionaliste gjatë ‘rilindjes kombëtare’ të shekullit të 19 dhe gjatë regjimit komunist të gjysmës së dytë të shekullit të 20. Ferid Duka, historian dhe specialist i epokës osmane në Universitetin Europian të Tiranës thotë: “Historia shqiptare gjatë komunizmit e përshkruante periudhën osmane në një formë jashtëzakonisht negative, duke theksuar në mënyrë të tepruar… prapambetjen, nënshtrimin dhe dhunën e ushtruar nga osmanët dhe duke e përcaktuar atë periudhë thjesht përmes kryengritjes popullore ndaj sundimit osman”.
“Kjo pikëpamje gjithashtu, dominoi edhe historiografinë e vendeve të tjera në Ballkan, por në një shtrirje më të kufizuar. Arsyeja kryesore e kësaj lloj historie ishte thjesht se ideologjia zyrtare e komunizmit diktonte që çdo realitet i krijuar nga sundimi i huaj duhet konsideruar e errët dhe të urrehet kurdoherë”, shpjegon Duka.
Në fakt, të dhënat historike të shumë vendeve të Ballkanit janë kritikuar me forcë si të njëanshme dhe se përmbajnë përshkrime paragjykuese të osmanëve dhe të vendeve fqinje. Aq e vërtetë kjo sa në 1998-n, Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore, caktuan një grup prej 60 historianësh nga 11 vende të kësaj zone për të rishikuar librat e historisë.
Në shtator të 2010-s, grupi në fjalë nxori katër libra të rinj për t’u përdorur nga mësuesit e historisë në Ballkan. “Librat e rinj… nuk ofrojnë një të ‘vërtetë’ të re dhe të vetme mbi kundërshtitë e së shkuarës”, thotë historianja Dubravka Stojanoviç, redaktore e librave të historisë së Serbisë.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve historike ndërmjet Ankarasë dhe Tiranës mbi të shkuarën osmane, Turqia shihet sot si një vend miqësor. Shpesh duke iu referuar si një “komb vëlla”, Ankaraja është aleati i përzgjedhur, kur puna vjen te influenca turko-greke në Shqipëri.
Përfitimet ekonomike, gjithashtu, kanë shërbyer në tejkalimin e mosbesimit historik, dhe tashmë Turqia është një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri me zotërime strategjike në industritë e telekomunikimit dhe financës, arsimit të lartë dhe ndërtimit.

Rilindja osmane

Për më tepër, sot turqit po e shohin të shkuarën e tyre osmane me një ndjesi krenarie të përtërirë. Dikur të turpëruar nga rrënimi i perandorisë dhe reputacionit të saj dekadent, otomanët kanë gëzuar një farë rehabilitimi në shoqërinë turke.
Qeveria aktuale duket e angazhuar të inkurajojë vendet e tjera që të paraqesin çka ajo e konsideron si një vështrim më i ekuilibruar i së shkuarës osmane edhe në vendet e tjera. Për këtë qëllim, qeveria në Ankara ka marrë përsipër të përballet me vështrimin negativ mbi osmanët, të përhapur ndër shqiptarët, duke financuar bursa studimi mbi historinë osmane dhe duke publikuar libra të rinj në Shqipëri.
Ahmet Davutoglu, ministri i Jashtëm turk, ka zgjedhur qëllimisht që ta vendosë në këtë kontekst, periudhën e shekujve të 16 dhe 17 – ‘epoka e artë’ e perandorisë, së cilës gjithashtu, disa historianë i referohen si “Pax Ottomana”.
Gjatë kësaj periudhe, Perandoria Osmane sundoi deri dhe Hungarinë, dhe udhëheqësit e saj ndërmorën ndërtimin e disa prej punëve më madhështore të arkitekturës osmane – duke veçuar Xhaminë Sulejmanije, apo Xhaminë Blu në Stamboll. Në të njëjtën periudhë, qyteza të reja u krijuan në Ballkan, duke përfshirë këtu edhe Tiranën, sot kryeqytet i Shqipërisë.
Në Bosnjë, osmanët ndërtuan të famshmen Urë të Drinas – e përjetësuar nga Laureati jugosllav për Çmimin Nobel, shkrimtari Ivo Andric në romanin e tij të shquar “Ura mbi Drina”. Gjatë kësaj periudhe, kullat e sahatit filluan të shfaqen për herë të parë në qytetet e Ballkanit.
Gjatë një vizite zyrtare në Tiranë në tetor 2009, Davutoglu deklaroi se vendet e Ballkanit dhe Turqia ndajnë një “histori, fat dhe të ardhme të përbashkët”, duke pretenduar edhe se “gjatë shekullit të 16, qytetet në Ballkan ishin më të pasura se ato në Europën Perëndimore”.
Duhet theksuar se shumë historianë, përfshi këtu edhe Sevket Pamuk, një historian i njohur i ekonomisë në Bogzici University në Stamboll, e kundërshtojnë këtë pretendim. Pamuk këmbëngul se në shekullin e 16, pagat e qytetarëve osmanë ishin me një të tretën më të ulëta nga pagat e qytetarëve perëndimorë.

Rishikimi i historisë

Ndërsa deklaratat e Davutoglu mbi të shkuarën osmane janë të diskutueshme në vetvete, pati një spekulim to fortë nga media shqiptare se ai paska kërkuar zyrtarisht që Tirana të rishikojë përshkrimin negativ të Perandorisë Osmane në librat e shkollës. Zyrtarët e qeverisë shqiptare kanë refuzuar të konfirmojnë apo të mohojnë ekzistencën e ndonjë kërkese të tillë.
Historiani Ferid Duka kujton se ambasadori turk në Kosovë, i emëruar shpejt pas shpalljes së pavarësisë nga Prishtina në 2008-n, gjithashtu bëri thirrje që historia e vendit të rishikohet. “Ambasadori i parë turk në Kosovë deklaroi në median e vendit se Kosova dhe shqiptarët duhet të rishqyrtonin mënyrën sesi e shihnin historinë osmane, duke thënë para së gjithash se sundimi osman nuk ishte pushtim”, kujton ai.
“Më pas më thirrën për të dhënë një intervistë në televizionin ALSAT mbi këtë çështje, dhe unë thashë se ishte përfundimisht një pushtim. Thashë se historiografia shqiptare e bënte periudhën osmane, veçanërisht gjatë komunizmit, më të acartë nga ç’ka qenë… por osmanët e pushtuan Shqipërinë dhe ky është një fakt që nuk mund të shpërfillet”.
Enver Hoxhaj, ministri kosovar i Arsimit, pretendon se në 2008-n, homologu i tij turk i asaj kohe, Huseyin Celik, shkoi deri aty sa të kërkonte që të rishikoheshin librat e shkollës dhe raportet historike në Prishtinë. “Gjatë atij takimi me ministrin e arsimit turk, u informova se e njëjta kërkesë u ishte bërë edhe vendeve të tjera në Ballkan”, thotë Hoxhaj, i cili thekson se kërkesa për rishikimin e teksteve ishte e “përgjithshme” dhe nuk i referohej librave apo teksteve specifike.
Ndërsa Hoxhaj nuk e përjashton tërësisht mundësinë e ndryshimit të librave të historisë së Kosovës, ai thekson se kjo është një çështje “për profesionistët (historianë)” dhe se tekstet shkollore duhet të pasqyrojnë një konsensus shoqëror mbi ngjarjet që lidhen me qytetarët e Republikës së Kosovës.
Disa historianë besojnë se popujt në Ballkan, pas një periudhe të zgjatur dhe shpesh të vështirë të ndërtimit të shtetit, tani janë gati ta shohin periudhën osmane me më pak antagonizëm. Dritan Egro, një studiues i periudhës osmane në Institutin e Historisë, thotë se kjo “zbutje” ndaj osmanëve është rezultati i një qasjeje më të sofistikuar ndaj shkencave shoqërore, kombinuar me një kureshtje të re dhe të përgjithshme mbi atë periudhë. Ai thotë se pas krijimit dhe forcimit të kombeve-shtete në Ballkan, kur këtyre të fundit u duheshin rrëfenja historike që e përshkruanin Perandorinë Osmane si ajo që i detyroi popujt e tyre në 500 vjet errësirë dhe shtypje mbytëse, tashmë është zhvilluar një kuriozitet mbi atë çka ndodhur vërtet në atë periudhë.
Megjithatë, rishikimi i të dhënave historike, nga disa ende shihet si një sulm mbi identitetin kombëtar të shqiptarëve. Të tjerë kanë mendime të trazuara mbi lidhjet e reja me turqit.
“Kohët e fundit, ka pasur një debat në median shqiptare mbi politikën e jashtme ‘neo-osmane’ të qeverisë turke. Disa e konsiderojnë përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë, si të rrezikshme për europianizmin shqiptar, por ka të tjerë që e shohin Turqinë si një balancë të mirë, kur është fjala për influencën e Greqisë në vend”, vëren sociologu Sulstarova.
Pavarësisht imperativave politike për të ripërtërirë marrëdhëniet me Turqinë, ndjenjat nacionaliste shqiptare mbeten delikate, si kurdoherë. Spekulimet mediatike mbi kërkesa turke për të ndryshuar rrëfimet e historisë osmane, shoqërojnë çdo vizitë të nivelit të larë nga Ankaraja.
Pa dallim mes tyre, këto vizita shoqërohen nga javë të tëra diskutimesh kombëtare mbi nevojën ose jo të ndryshimit të librave të historisë së Shqipërisë. Pavarësisht faktit që shumë pranojnë se raportimet e historisë shqiptare janë produkt i një periudhe nacionalizmi të zjarrtë, ekziston një rezistencë e ashpër dhe ngulmuese ndaj çdo tentative për rishikim.

(Botuar në Balkan Insight. Altin Raxhimi dhe Lavdim Hamidi kontribuan në këtë artikull)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top