Shqiptarja dhe palestinezi

Ali OLLONI

 

SHQIPTARJA DHE PALESTINEZI*

(Zakonet, barazia, bashkëjetesa dhe botëkuptimet – në familjen arabo-shqiptare)**

wedding rings

Shqiptarët që sot jetojnë në Republikën Arabe të Sirisë (kryesisht në lagjet e njohura Divanije dhe Kadem të Damaskut) kanë një varg problemesh.

– Çifuti s’po na lë rehat! – thonë disa që me interesim e përcjellin situatën në Lindjen e Afërt.

– Na dogji malli për “memleketin”! – shtojnë ata që në tre dekadat e para të këtij shekulli e lanë vendlindjen dhe ia mësynë Shamit të shenjtë (Damaskut).

– Kur të vdesim, s’ka kush na kjanë! – pohojnë bindshëm të moshuarit që njërën këmbë e kanë nën dhe e tjetrën mbi të.

– S’mbeti gjë prej nesh. U përziem me arabët, hë mos zot më keq! – plotësojnë të tjerët që në familjet e tyre u erdhën vashat arabe ose që në familjet arabe u martuan vashat e tyre.

 

Provokimi kohor

 

Secili njeri në botë, në momente të ndryshme, mbledh forcën dhe tenton t’i përgjigjet provokimit të kohës. Nëpër kohëra, edhe shqiptarët e Sirisë tentuan të mbesin shqiptarë por ç’e do: gjeneratat e reja dëgjojnë pak fjalë shqipe, kryesisht rreth sofrave të tyre, kurse që nga fëmijëria e hershme ata lozin, mësojnë, ushqehen, edukohen, punojnë dhe vdesin – arabisht!

Në Republikën Arabe të Sirisë, familjet e përziera arabo-shqiptare janë të shpeshta. Njëra prej tyre është edhe familja që e krijuan Faiz Sadidini dhe Faiza Arnauti.

(Më 1912, hoxha i Isniqit nga Peja, bashkë me të shoqen dhe djalin e lëshojnë Pejën dhe, bashkë me një familje të Jabuçit – ia mësyjnë Shamit. Në Damask, hoxha përjeton çastet më të vështira të jetës: i vdes bashkëshortja e pastaj edhe djali. Më vonë, ai martohet me Zymryte Osmanin, të bijën e Haxhi Rexhep Osmanit nga Prishtina, e cila, kur i shkoi familja në Damask, ishte vetëm 9 vjeçe. Nga martesa e dytë e hoxhës me Zymryten, lindën tre djem dhe dy vajza. Vajza e madhe, Faiza Arnauti, derisa ishte nxënëse (në të pesëmbëdhjetat) u martua me palestinezin Faiz Sadidinin. Këto pak të dhëna i regjistruam që lexuesi ynë ta kuptojë më mirë prejardhjen e Faizëz).

 

Jemi rritur bashkë

 

Një mbrëmje prilli (të këtij viti) ishim mysafirë (unë e Abdulatif Arnauti) në familjen e Faiz dhe Faiza Sadidinit, në familjen e një palestinezi dhe një shqiptareje.

Faizi u lind më 1936 në Safadi të Palestinës. Pas gjimnazit, ai kreu edhe fakultetin juridik. Një kohë, në një shkollë private, ishte drejtori i saj. Më vonë filloi të merret me tregti. Edhe sot tregton.

Faiz Sadidini dhe Faiza Arnauti u martuan para 11 vjetëve. Në martesën e tyre u lindën dy djem. Bashkëshortët thonë se janë shumë të lumtur.

– Në martesat e përziera, feja luan rolin vendimtar – tenton të na bindë çifti i përzier arabo-shqiptar. Të rralla janë martesat mes të rinjve të feve të ndryshme. Sadidinët pohojnë se zakonet i kanë gati të njëjta (kryesisht mendonin për ato fetare). Kjo, sipas tyre, ishte një rrethanë më e lehtë për bashkimin e tyre.

– Jemi rritur bashkë në Damask, me të gjitha adetet dhe zakonet islame – thotë Faiza.

 

Në shërbim të burrit

 

Kuptojmë se në rastet kur shfaqen probleme në familjet e përziera, ndërmjetësojnë lidhja kombëtare e martesave dhe lidhja fetare, të cilat kanë shumë kompetenca.

Faiza nuk është e inkuadruar. Ajo po rritë dy çunakë dhe kujdeset për burrin e për punët e shtëpisë.

– Jam në shërbim të burrit, fëmijëve dhe të shtëpisë. Në punët e rënda bashkëshorti im më ndihmon mjaft – thotë ajo.

Më vonë u llafosëm edhe për inkuadrimin e femrave, për shkollimin e tyre, për barazinë me meshkujt, jo vetëm në botën arabe.

– Problemet e barazisë janë prezentë kudo – shton Faiza – si në Amerikë, si në Europë, si në botën arabe. Ka shumë faktorë që e kushtëzojnë atë. Kur femra del nga shtëpia e niset për në punë, duhet pyetur: ç’e shtyn atë që një pjesë të mirë të kohës është larg nga bashkëshorti, nga fëmijët, nga shtëpia? Në njërën anë është nevoja familjare, e në tjetrën, për të mos i përmendur të gjitha – kërkesa që femra ta tregojë personalitetin e saj. Mendoj se në Europë femrës i duhet të punojë.

Unë nuk kam nevojë të punësohem. Personalitetin tim e tregoj me punët në suazat e familjes.

Na interesoi, pastaj, pozita e femrave të tjera, e femrave shqiptare dhe arabe të Republikës Arabe të Sirisë.

 

Punësimi dhe personaliteti

 

– Në pesë dekadat e fundit, edhe këtu – në Republikën Arabe të Sirisë – po shkollohen bashkë, djemtë dhe vajzat – ndërhynë Faizi.

– Shumica po i kryejnë shkollat e mesme e numri i atyre që po i vazhdojnë studimet nuk është i vogël.

– Mes shqiptarëve – shton e shoqja – sidomos në vitet e fundit, nuk ka vajzë që nuk shkon në shkollë. Ato sot janë në të gjitha shkallët e shkollimit.

Një pjesë të madhe të klasës punëtore në Republikën Arabe të Sirisë e përbëjnë femrat e inkuadruara nëpër fabrika të ndryshme, në arsim, në administratë e deri në ministri.

– Femra me shkollë ka më shumë kimet, ka dije dhe ka vlerë. Edhe barazia e saj me meshkujt është në nivel. Të pashkolluarat e kalojnë jetën me ngushtica, nga më të ndryshmet. Por, pos punësimit, mendoj se femra e sotme ka ku ta shprehë personalitetin e saj – tenton të na bindë palestinezi.

Kështu e kuptojnë bashkëjetesën dhe barazinë ata që zakonet dhe botëkuptimet mbi jetën i lidhën mes vete: Faiza Arnauti dhe Faiz Sadidini.

 

P. S. Faiza Arnauti ishte shumë e re kur u martua me Faiz Sadidinin nga Palestina. Ajo e dëgjon bashkëshortin, i rritë fëmijët dhe kujdeset për shtëpinë. Është 26 vjeçe, 11 prej të cilave në martesë; për familjen e re mendon si prindërit e saj. Ajo di vetëm një fjalë shqipe “Mirëmëngjesi” të cilën e thotë edhe në pikë të natës!

 

/Orientalizmi Shqiptar/


* Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Rilindja”, në Prishtinë, më 20.06.1978.

** Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, [email protected]

Vënë nën:Arnautët Tagged: arabët, Arnautët, Palestina, shqiptarët, Siria

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top