SHTATË KATET E GRAVE

nga Tinka Kurti

Ne po mendojmë për të mirën e tyre. Ato do të dalin keq. Nuk duam që ato të humbin kaq shumë. Ndaj po i anashkalojmë këtë herë. Nuk mund të qëndrojnë kaq lart. Ky kat është për burrat, ato mund të vendosen një kat më poshtë. Është për të mirën e tyre. Kështu do të përfshihen. Kjo nuk do të thotë izolim. Aty janë më adekuate. Më të përshtatshme. Do të ndihen më kompetente. Nuk mund të flasin prej kaq lart. Nuk e përballojnë dot. Të shkretat, nuk dinë. Ato, të paemrat do t’i krahasojnë me ne, shkëlqimplotët. Ja, aty në katin e gjashtë, të gjithë do të jemi më rehat. Këtu, mezi na nxë ne. Vërtet, peizazhi i qytetit nuk do të duket gjithaq bukur, por për to mjafton. Këtu qëndrojnë vetëm ata që janë gati të dalin nga kjo ndërtesë.

Kësilloj, është gjendja e grave. Sikurse të ishin në një spital. Bash sikur spitali t’i kishte shtatë katet në tregimin e Dino Buxatit. Katet janë të ndara në bazë të nivelit të sëmundjes. Ata që janë më së paku të sëmurë, vendosen në katin e shtatë. Varësisht, prej reagimit të organizmit, mund ta dalin që prej aty, ose të zbresin më poshtë. Më poshtë, nënkupton që sëmundja ka përparuar. Askush nuk të thotë se ti je keq dhe po zbret për shkak të keqësimit të sëmundjes. Asnjë nuk ta pranon se, nëse pajtohesh të zbresësh një kat, gjasat do të jenë që të shkosh edhe disa kate më poshtë. Ngjitja për në të shtatin, veç sa shtyhet. Nganjëherë arsyetimet janë teknike, nganjëherë shëndetësore, por me kujdes tejet të madh. Mund të ndodhë që arsyetim të jetë, vendndodhja e aparatit të rrezatimit, mund të jetë problemi me ngrohje, por gjithmonë mendohet për më të mirën e grave. Jo, brutalisht. Butësisht. Janë fjalëmbël ata që të vënë poshtë e më poshtë. Ndërkohë që gratë zbresin. Prej poshtë nuk dëgjohen gjëmimet e tyre. Dhe, pas një kohe nuk i numëron më katet, por merresh me shkallët. Fillon të arsyetosh se të gjitha katet, nga katër mure kanë. Dhe ja, ndodhesh në katin e parë. Rruga për të dalë prej godinës, është prej lart.

Pyetja e personazhit të Buxatit vret ende shumë thellë: sa vite na duhen për t’u ngjitur deri lart? Duke pranuar të zbresim, do ta shtyjmë me shekuj cakun, që është dalja nga spitali.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *