Sot jam vetëm poet

Ali OLLONI

 

SOT JAM VETËM POET*

(Bisedë me Nihad Reda Arnautin, shkrimtar sirian me origjinë shqiptare nga Damasku)**

kalem

Në Republikën Arabe të Sirisë sot krijojnë qindra e mijëra artistë të të gjitha gjinive të artit. Poezia, proza, drama, eseja, kritika e llojet e ndryshme të artit, që shkruajnë afro 300 letrarë jo vetëm që lexohet me vëmendje, por i kanë kaluar edhe kufijtë e botës arabe.

Sipas fjalëve të dramaturgut të mirënjohur Ali Ukle Irsanit, kryetarit të Lidhjes së Letrarëve dhe Artistëve të Sirisë, të gjitha krijimet e para dhe ato që si pas tij, fillojnë të “piqen” më vonë, letrarët sirianë kanë mundësinë t’i botojnë më parë në të përkohshmet që botohen në Damask “El Kauef el Edebi’ (Qëndrimi i letërsisë) dhe në “El Adab el Exhnebie” (Letërsia e huaj), e cila gati në secilin numër u ofron sirianëve thesarin letrar që krijohet në anë të ndryshme të botës. Në disa nga numrat e kësaj reviste është bërë fjalë edhe për letërsinë shqipe. Në Lidhjen e Letrarëve dhe Artistëve të Republikës Arabe të Sirisë janë edhe tre krijues me origjinë shqiptare: publicisti Abdul Latif Arnauti, piktori Abdul Kadër Arnauti dhe tregimtari Ali Huluki.

Në mesin e afro 300 krijuesve të Republikës Arabe të Sirisë, në Damask krijon edhe letrari Nihad Reda.

– Jam me origjinë shqiptare – na thotë në frëngjisht – sepse nëna ime, si e re, e la vendlindjen e saj, Kumanovën (më 1912) dhe bashkë me prindërit e saj u vendos në qytetin Halep të Sirisë. Në martesën e dytë më lindi mua – shton letrari duke u prezantuar.

Nihad Reda Arnauti e kaloi e tij rininë me shokët arabë të Sirisë e më vonë, pas gjimnazit, ai studioi ekonominë në Paris. Parisi hapi horizonte të reja për poetin dhe letrarin sirian. Aty, siç thotë edhe vetë ai, u ndesh me të bardhën dhe të zezën, me kulturën dhe jokulturën, me shkencën dhe me letërsinë, me njerëzoren dhe çnjerëzoren. Në Paris, Reda mbrojti magjistraturën në shkencat ekonomike dhe në asnjë moment nuk pushoi së shkruari. Krahas studimeve ekonomike, ai shkroi me preokupimin prej poeti. Momentalisht, ai punon në një sektor të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të Republikës Arabe të Sirisë.

– Sot, siç e shihni, nuk jam njeri që punoj në ministri, por sot jam poet – na tha ai në vend të mirëseardhjes, kur e vizituam në banesën e tij (në rrugën “Nuri Basha (Pasha)” të Damaskut) më 17 prill, në Ditën e Republikës së Sirisë.

Nihad Reda kalon një jetë prej bohemi. Në pikë të ditës me vapë, ai i kishte lëshuar parmakët e sallonit dhe nën llambat e elektrikut e gjetëm duke shkruar, ashtu (pak arabisht) të veshur me pizhame, vetëm, me cigare në gojë e me disa letra përpara. Salloni i tij nuk është i rregulluar, sikur të mos kishte shkelur këmbë njeriu në të: një televizor i vjetër i vendosur në dysheme, disa botime të shkapërderdhura e nga magnetofoni dëgjohet zëri i Piafës, Montanit, Aznavurit. Në banesën e Redas çdo gjë është e vjetër pos vargjeve dhe mendimeve të tij.

Në rininë e hershme dhe gjatë studimeve në Francë, Reda lexoi shumë vepra filozofike dhe letrare. Shkrimet e tij të hershme filloi t’i dendësojë. Me jetën e kujtimet e Lindjes, Parisi thuajse ia hapi sytë, ia bëri më të afërt botën e ëndrrave dhe të një realiteti të hidhur.

Deri tash, Reda ka botuar këto përmbledhje poezish: “Lindja e një poeti”, “Dridhja e parë”, “Poezi në portrete”, “Kështu më tha zemra”, “Zhdukja e kalorësit të gjelbër”, “Takimi ynë qe te hëna”, “A më dëshiron, vetja ime”, “Unë, ti dhe ylberi” dhe “Largësia e pa shikuar”. Ka edhe dy të tjera në shtyp, kurse para pak ditësh, në Damask, iu botua edhe romani i parë “Rivaliteti në Paris”. Poeti u mor edhe me përkthime. Kështu, ai përktheu afro 16 tituj të ndryshëm nga fusha e filozofisë, letërsisë dhe ekonomisë, duke përfshirë këtu edhe një përmbledhje të letërsisë revolucionare të shekullit XVIII.

Para pak ditësh, kritika e çmoi lart, sidomos për tregimet e shkurtra që po i boton nëpër revista, të cilat me titullin “Rrumbullakimi i hijes” do t’i ofrojë për botim.

Nihad Reda i kaloi të pesëdhjetat dhe kurrë nuk u martua. Jeton vetëm në një banesë të mirë. Punon si ekonomist i njohur por edhe si letrar i dalluar. Atë e preokupon dashuria, sidomos natyra dhe çështjet e kulturës. Këto hetohen lehtë në krijimtarinë tij.

Disa nga përmbledhjet e poezive, Reda i botoi vetë. Ai nuk është anëtar i Lidhjes së Letrarëve dhe Artistëve të Sirisë, meqë më parë e pati kundërshtuar pranimin dhe afrimin e letrave që, sipas tij, rriten brenda një nate.

– “Ai që rritet për një natë, vdes për një sekondë” – shton poeti.

Më shumë, Reda përktheu nga frëngjishtja në arabisht. Librat e përkthyera i boton në Liban (Bejrut) meqë paguhen mirë e me të hollat e fituara ai boton krijimtarinë e vet letrave, në botime private.

Gjatë ditëve të qëndrimit tonë në Siri, revista letrare “El Fejsal”, që botohet në Arabinë Saudite, shkroi në mënyrë të favorshme për letrarin e Republikës Arabe të Sirisë me origjinë shqiptare, Nihad Reda Arnautin.

Ndoshta është mirë të thuhet se gati të gjitha botimet e Redas po i ilustron stilistja e mirënjohur siriane, me origjinë shqiptare, Sahar Arnauti.


* Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Rilindja”, në Prishtinë, më 15.05.1978.

** Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, [email protected]

Vënë nën:Arnautët Tagged: Arnautët, bota arabe, Siria

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top