SPINI JOTEATRAL

nga Eda Derhemi

Në muajt e fundit fatet e Teatrit Kombëtar janë luajtur si një teatër i një tipi tjetër ku regjisor e aktor qendror ka qenë Erion Veliaj, maestro i një propagande elastike, pozitive e që vallëzon para-mbrapa sipas nevojave të momentit. Siç thoja në shkrimin paraardhës, metodat që Veliaj përdor nuk janë të reja, dhe as veçanërisht të mençura apo elegante, por sistematike, verbalisht të lehta, teknikisht të thjeshta e gjithnjë vigjilente ndaj ndryshimeve rrethanore apo reagimeve individuale. Dhe sido qofshin, në Tiranë metodat e tij kanë funksionuar paq. Lëvizja për TEATRIN vazhdon. Ka ditë kur protestuesve e dashamirëve u fiket shpresa, e ditë kur u rilind. Por pa dyshim ata janë sot një hap më mbrapa se dje, sidomos pasi projektligji hyri në Parlament duke lënë në mjegull gjithë ato “marrëveshje” apo “ndryshime” për të cilat Veliaj thoshte se po përpiqej me mish e me shpirt dhe ia doli të negocionte. Gjithashtu janë më keq edhe sepse çdo shpresë tani varet nga Presidenti, një politikan i njohur për manovrime politike e financiare dhe njolla legale të paqartësuara, për të cilin zgjidhja e çështjes së Teatrit do ish një tjetër hap ku ai pameritueshëm do pastronte të bërat e veta. Kështu Teatri do bëhej pis edhe sikur të fitonte. Më kujtohet që dikur e shihja me shpresë të madhe Veliajn, të riun e politikës socialiste ardhur nga rinia e lirë dhe e emancipuar kryeqytetase, me formë shprehjeje, pamje e buzëqeshje evropiane. Dhe nuk u besoja disa gazetarëve që më thoshin se atij i interesonte vetëm avancimi politik, pa fort merak për ideologji e principe. Por unë së paku një sy e mbajta hapur; njoh njerëz të tjerë të mençur që për Erionin bëjnë be.

Në fund të fushatës së vet propagandistike ajo që Veliaj arriti është shkatërrimi i imazhit pozitiv si për teatrin si kulturë lokale kombëtare, si për ndërtesën historike, si për aktorët e regjisorët si pjesë e mozaikut simbolik kulturor tonit. Ai e asgjësoi, e zhbëri teatrin që ndërkaq kish probleme paraprake thyerjeje e copëzimi. Lejoi të hidhej baltë mbi aktorë e aktore të vjetra me dinjitetin e një jete profesionale shkuar me talent e fisnikëri; krijoi sherre ndër njerëz që nuk kish pse të ziheshin; solli në valle aktorë rrethesh që për të forcuar pozitat e veta institucionale u përçanë me kolegët e Tiranës. Imagjinoni funksionimin kolektiv në të ardhmen e shpejtë (tek Turbina p.sh.) të një institucioni që ka nevojë për komunitet, një teatri të përçarë që tashmë ka mbetur edhe pa drejtues, sepse ai që kishin sipas meje u dogj si kartë nga afërsia me politikën, dhe nuk diti as të prijë dhe as të sillet me integritet të vetin të pavarur në procesin e politizuar për teatrin e ri. Pra teatri sot jo veç nuk ka godinë, pronë të sanksionuar e program, por s’ka as kokë, as trup, as bisht. Ia kanë menderosur të shkuarën dhe ia kanë projektuar skematikisht të ardhmen të tjerët, do apo s’do ai.

Por këto i shoh si dështime unë apo njerëz të tjerë që nga ndryshimet nuk përfitojnë, dhe merren sinqerisht me teatrin si nevojë publike shpirtërore dhe praktike, dhe u dhemb që ai po përpëlitet shumëcopësh. Sepse, zor se beson kush se ai i shkretë teatër është arsyeja e vërtetë e kësaj gurguleje! Teatri ishte një bezdi që nisi të bëhej ca si më irrituese se duhej. Veliaj dhe qeveria e kanë gati të fituar davanë politike dhe ekonomike. Lexoja këto ditë komentet e lexuesve për diskutimet dhe protestën për teatrin: janë gjithnjë e më të shumta thirrjet kundër godinës të tipit: “Shkatërrojeni atë ndyrësirë fashiste!” ose “Shkatërrojeni atë ndyrësirë komuniste!” – Urime Erion, se të kanë vënë vesh kur i ke hedhur ti këto karakterizime më parë! Se i bëre njerëzit ta shajnë me shpirt teatrin (se kuptohet, që aty nuk flitet për godinën vetëm) duke thënë pa pushim sa e do teatrin dinjitoz, sa i çmon aktorët, sa i falënderon protestuesit që po të ndihmojnë ta përmirësosh si idenë e teatrit, si projektligjin. Por nga trashëgimi artistike e kulturore të shqiptarëve, teatrin e ktheve në “problem” të zhurmshëm, që hutonte ata që donin të merreshin me kullat famëkeqe, prishjen e qendrës së Tiranës, abuzimet me pronën publike apo mesele të tjera më pak të këndshme se teatri.

Që tek ne shurdhohen edhe skandale fare të mëdha për të cilat pas pak duket sikur s’ke ç’u bën, e madje më mirë të bësh sikur s’i vë re, kjo dihet (kujtoni Gërdecin, filmimet e Ilir Metës, 21 Janarin; Saimir Tahirin etj); por se do e bëje këtë për teatrin përmes goditjesh formësuar si fjalë në dukje pozitive e dashamire, kjo ishte fort ngacmuese. Urime sërish! E vërteta është që në veprimet e tua duket qartë që ti avancon veç një ide; atë që, me mjete krejt të kundërta me të tuat, kryeministri Rama e vringëlloi kërcënueshëm alla Plaku Mere në Parlament: “dhe atë godinën aty, do ta shembim, që ta keni shumë të qartë! Ne do ta ndërtojmë teatrin e ri kombëtar më në fund! Nuk e ndërtuam dot në atë kohë kur filloi mbledhja, se kjo mbledhje ka filluar para 20 vjetësh; kanë vdekur të tërë ata që e filluan mbledhjen përveç Robert Ndrenikës… të shkretët shkuan në botën tjetër… mbledhja vazhdon!” Ky stil tallës e fyes, që i kujton Ndrenikës të nxitojë se ngeli pas, e i ka ardhur dita tani, e duhet t’i hapë udhë “teatrit” apo kullave (dhe kujtoj që Ndrenika ka qenë gjithnjë për teatër të ri, por aty ku është dhe nga shteti), ty me siguri të duket i turpshëm. Pastaj nuk është as rezultativ. Ti, sido që jokarizmatik, je efikas e mjeshtëror me të tjera mjete.

Artikujt e shumtë së fundmi në Shqipëri (si edhe një i para dy ditëve në Il Fatto Quotidiano) shpalosin parregullsi serioze në procesin e ndryshimeve që projektohen , dhe interesa që tejkalojnë me tallje dhembjen e kënduar që aktorët s’paskan një teatër siç e meritojnë. I ftuar nga komisioni parlamentar për mediat në qershor Veliaj tha se merrej me çështjen e teatrit me këtë intensitet sepse e ka me shumë pasion punën e vet dhe Tiranën. Në mëse një muaj ky pasion e ka bërë të marrë përsipër negociime me grupe dhe individë të interesuar për teatrin, në vend të ministrisë së Kulturës që në fakt është hartuesja e projektligjit për teatrin dhe ajo që mund e duhet ta ndryshonte atë. E kam ndjekur çdo ditë Veliajn në përçapjet e veta dhe unë mahnitem si ia del t’i hutojë njerëzit në këtë farë derexheje. Më bëri përshtypje që më 23 qershor një ndër udhëheqësit e lëvizjes për mbrojtjen e teatrit, Alert Çeloaliaj thotë: ““Edhe nëse Z.Veliaj do ketë dëshirën shumë të madhe që të bisedojë dhe të negociojë me ne, prapë qeveria është duke na përdorur edhe ne, edhe Z.Veliaj për të vazhduar agjendën e vet të nëndheshme…” Që pas një bisede kokë më kokë me Veliajn një djalë i kulturuar me aftësi kognitive dhe artikuluese maft të mira, të mund të nxirrte përfundimin se Veliaj ishte edhe ai një i mashtruar dhe viktimë e qeverisë, më bindi se duhet analizuar skema praktike dhe strategjia verbale e Veliajt si propagandë.

Të jem e qartë: për mua propaganda[i] nuk është as turp, as mëkat; është domosdoshmëri dhe praktikë normale e çdo qeverie apo institucioni, sidomos në botën tonë tërësisht të lidhur, e të kontrolluar nga mediat. Por duke qenë se e vetmja mënyrë që të mbrohesh prej saj është ta njohësh e ta shpjegosh, ta dallosh nga fushatat e bindjes (persuasion), dhe sidomos të identifikosh qartë e pa ekuivoke çfarë interesash dhe interesat e kujt ka për qëllim të përparojë propagandisti, është detyrë e mediave dhe organizmave të mbrojtjes së publikut që t’i qartësojnë të gjitha këto elemente.

Në rastin e Veliajt që mbetet vazhdimisht didaktik e predikues, siç them edhe më lart, komunikimi propagandistik është i thjeshtë (thuajse naiv në skema e teknika), por funksional për formën e vet të kontrolluar e në dukje paqësore e me tone të buta, hall-qarëse e me intonacion bindës, për këmbënguljen në të rënët me ngulm së njëjtës gozhde nga pika të ndryshme, për tërheqjen e shpejtë dhe pa zhurmë kur prek tokë që shket, dhe për tërësinë (totalitetin) e vet – kudo, kurdoherë, e prej “të gjithëve”. Për fat të keq, ose i bën telef njerëzit sepse nuk pushon manipulimet kuptimisht devijuese nga gjithë krahët deri sa të jepen, ose ua mbush vërtet mendjen me pallavra, dhe pastaj hanë sapunin për djathë. Është në fund të fundit një fushatë devijimi e dezinformimi herë me teknika të thjeshta, herë me strategji më të përziera[ii]. Më poshtë unë trajtoj vetëm më kryesoret ndër teknikat e Veliajt lidhur me fushatën e teatrit.

Nxirja verbale e imazhit të teatrit në bashkëngjitje me teknikën e frikësimit (pa diskutuar degradimin fizik real të godinës dhe ambienteve, keqmbajtjen, dhënien me qera etj) ka qenë më e hershmja dhe e frekuentuara, trashëguar nga Rama i 1998:

ajo karakatinë do digjet… se diçka me siguri do i ndodhë; Teatri është duke u rrëzuar; Teatri ka amiant e s’mund të qëndrojë; Teatri po bën me kancer gjithë aktorët e Shqipërisë; çfarë trashëgimia kulturore ka aty ku kalojnë minjtë me azbest dhe me shurrë; është ndërtesë dopolavoro fashiste; është vatra e propagandës komuniste;kapanonin aty e kemi ku në dimër ngrijnë si me qenë pula hungareze, në verë plasin vape me 40 gradë;

Shumë nga këto shprehje i has sot të përsëritura nëpër komente publike online edhe nga ata që s’e kanë parë teatrin.  Vetëm larmia dhe domosdoshmëria e këtyre diskurseve kaq të pakoordinuara dhe dukshëm false e manipuluese, do mjaftonte për të kuptuar se sa me dëshpërim duan ta devijojnë diskursin e ta shkatërrojnë teatrin, dhe të justfikojnë kullat.

–  Në të kundërt me denigrimin e teatrit si hapësirë fizike, Veliaj bën përgjithësime rrëzëlluese (glittering generalities) dhe për t’u paraqitur herë si tribun i aktorëve, herë si i ati, herë si prifti që i bekon[iii]. Dhe në shumicën e rasteve bën sikur ata janë një grup i pandarë, ku vetëm “dy, që donin të bëheshin drejtorë kulture të PD-së” (???) janë ndoshta kundër. Kjo jo sot, por në qershor, kur aktorë të paktë e me profile modeste ishin në krah të qeverisë. Diskursi hidhet nga dega në degë dhe shpesh shpreh platituda pa kuptim, por imagjinata e thjeshtë dhe forma pozitive e shprehjes, janë ndoshta arsyeja përse njerëzit edhe hutohen, dhe nuk shohin. Në fakt, ndërsa u bëheshin këto furçe dashamire, Veliaj përpiqej t’i takonte veç e veç se takimet në grup ishin të vështira, e u premtonte çfarë pastaj nuk u pasqyrua në projektligj, pra kur nxorri jashtë loje aktorët më të vjetër, përçau të tjerë, dhe e bëri lëvizjen të tingëllojë si një organizim nga PD-ja.

T’i mbrojmë aktorët; Teatri do bëhet!; shumica e aktorëve dhe qytetarëve do progresin;  beteja e sinqertë e aktorëve për të kuptuar e për t’u njohur e informuar; dua t’i falënderoj me gjithë zemër aktorët se kam kuptuar që ata duan të mirën e këtij vendi; ata të brezit të vjetër thonë: akti im i fundit publik është që të mbështes një ide të re, por dua të informohem ama; do i habis aktorët- do jem më konservator se ata!; PD ka frikë se aktorët po e kuptojnë që ky është një skenar i PD-së; në dallim ndoshta nga ca nga ne të tjerët, aktorët e kanë memorien…

-Teknika e bandës muzikore (Bandwagon) – Veliaj përpiqet të krijojë idenë se shumica janë të një mendjeje me të dhe projektligjin, ndaj nëse ka njeri që s’është logjikisht duhet t’i bashkohet bandës. Përdor në mënyrë joproporcionale fjalët “të gjithë”, “ne”, “shumica” etj.

Shumica e aktorëve pasi informohen, e dëgjojnë atë që thonë edhe urbanistët, binden; gazetarëve që ishin me fytyra serioze: tani po vini të gjithë buzën në gaz se e dini që është e vërtetë; këta (PD) i sulen të gjithë atyre që kanë një projekt të ri për Tiranën; unë i kam takuar gjithë aktorët ose kam komunikuar me të gjithë ata dhe dua t’i falënderoj me gjithë zemër…; Unë i kam ftuar publikisht gjithë aktorët; se pastaj të gjithë do themi si e refuzuam, pështymë dhe u bëmë cinikë me stadiumin;

-Strategjia e formësimit të komunikimit për njerëzit e thjeshtë (plain folks strategy). Unë jam si ju, flas si ju (edhe në dialekt), shpjegoj me dashuri dhe e ndaj me ju edhe po dita ndonjë gjë më shumë; ne nuk e tradhtojmë njëri-tjetrin. Unë s’jam si ata të tjerët që s’janë si ne. Është teknikë thellësisht padronizuese, sjell shembuj qesharakë, thjeshtëzon e shtrembëron situata, por funksionon kur merret si përkujdesje, vëmendje ose afërsi e sinqertë.

“E dini ju çfarë është… ja t’jua shpjegoj unë ….; Le t’i shpjegojmë gjërat me ngadalë tani…; “Ore, çfarë kanë bërë këta të bukur në jetë?”; se prandaj na duhet një teatër i mirë, se po t’i çojmë këta të opozitës në teatër do kuptojnë se – hej, në Tironë ka rregulla, një herë flet njoni, pastaj flet tjetri”; “ne për t’nejt te kapanoni, atë aty e kemi, puna osht mos na ka ardh noj shans mo i mirë”; “… me atë dhunë e vulgaritete që patë?!-prandaj na duhet një teatër i mirë, se nuk i bën njeri që ka vajt n’teatër ato skena”;

Reagime emocionale, patetike, ekstreme që sigurojnë tërheqjen e shpejtë e sipërfaqësore të audiencës pa e lejuar të analizojë cerebralisht kumtin. Veliaj edhe lektiset dhe dredh zërin hera herës kur prodhon komunikime të ngarkuara me verbozë emocionale.

Unë kam dhënë prova se jam negociatori më i fortë në këtë qytet; unë jam negociatori më konservator!; nëse do të bësh aktoren, shko bëj audicion!; kotec me klloçka që të vërë përpara civilizimin shqiptar në vitin 2018, nuk do ketë! E kuptova që ky ishte një kurth! Se unë s’dua të akuzohem për harresë! Kjo ishte një dëgjesë mllefi!

Sharje dhe fyerje personale për denigrim figure shpejt e pa diskutim – është fatkeqësisht nga teknikat më shpërblyese propagandistike, dhe funksionon si me publikë të paditur, si me publikë militantë e armiqësorë, edhe kur sharjet janë pa vend ose pa kuptim. Veliaj e përdor kryesisht për persona të PD-së. Këtu do futeshin njëkohësisht edhe të gjitha sharjet që barazojnë teatrin me fëlliqësi përmendur në të parën strategji lart.

“një grup vandalësh, një grup klloçkash, një kotec na vuri përpara që të mos bënim teatër kombëtar për shqiptarët”; këta personazhet me patllake në xhep te këndi i lodrave të fëmijëve; presidenti i lisharëseve;

Përfundoj duke thënë se ata që ende protestojnë sot, e shohin teatrin si njw nyjë sociale ku teatri vetë është vetëm një pjesë; ata janë kundër projektligjit jo vetëm se ai u kalua në Kuvend pa bindur që godina duhet rrëzuar, por edhe për të tjera shkelje që tejkalojnë Teatrin dhe e përdorin atë si maskë. Themelore për teatrin vetë, mbetet që neni 4 lidhur me pronën e teatrit që aq shumë u diskutua gjithë qershorin, dhe për të cilin Veliaj pikërisht dha e mori gjatë, duke arritur ndonjëherë edhe ‘marrëveshje’, ka ngelur po aq i paqartë dhe po aq bishtnues, sa lejon të keqpërdoret në lloj-lloj mënyrash në të ardhmen. Qofsha e gabuar, por në këtë moment e shoh të humbur kauzën e teatrit e të publikut, ashtu siç shoh të humbur një Tiranë që u është shtëpi e rehatshme qytetarëve të vet. Fitimtarë duket të jenë ata që duan kullat. Spini ka vlerën e vet, por pa kontrollin autoritar që kryeministri u bën institucioneve dhe njerëzve që komandon, nuk do ia dilte kaq kollaj.

Rroftë propaganda! Rroftë autokracia jonë demokratike!

(c) 2018, autorja.


[i] “Propaganda is the deliberate, systematic attempt to shape perceptions, manipulate cognitions, and direct behavior to achieve a response that furthers the desired intent of the propagandist.” – ky është përkufizimi të cilit unë i përmbahem në konceptimin e propagandës. ( nga “Propaganda and persuasion”, prej Jowett and O’Donnell; 6th edition – 2015)

[ii] Materiali verbal nga Veliaj paraqitur në korsive, është vjelë gjatë muajit qershor.

[iii] Këtu bashkohen disa strategji bashkë, dhe shtohen plain folks, emotional reactions and more.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.