STËRKËMBËSAT E KUSHTETUTËS

nga Agron Alibali

  1. Hyrje

Përplasja më e fundit institucionale midis Presidencës dhe Kryeministrisë në Shqipëri risjell në vëmendje mangësitë e Kushtetutës së vitit 1998, si dhe nevojën për ndryshimin e saj. E shprehur figurshëm, mospajtimi kushtetues i ngjan një palimpsesti: teksti që shohim – Kushtetuta e sotme – është modeluar për republikën parlamentare, ku kryeministri është qendra e pushtetit ekzekutiv. Kurse teksti nën të – scriptio inferior – ose Dispozitat Kryesore Kushtetuese të viteve 1992-1994 -,  mbështet republikën gjysmë -presidenciale, ku pushteti ekzekutiv ndahet midis Presidentit dhe Kryeministrit.

Një argument tjetër, po aq i vlefshëm, mund të jetë se, përderisa kandidati për Ministër është tërhequr, atëhere mospajtimi në themel është shuar. Normalisht propozohet një emër tjetër dhe zbatimi i procedurës formale fillon nga e para. Mirëpo ministri i larguar nga detyra ende nuk është formalisht i tërhequr, pasi nuk ka dekret presidencial të shkarkimit të tij, paçka se Kryeministri ka marrë vendim largimi.

Mangësitë e Kushtetutës së sotme në procesin hartimin [përmbajtje] dhe të miratimit [procedurë], herët a vonë do të dilnin nË pah. Më poshtë po rrekemi të shtjellojmë lëmshin.

  1. Kushtetutë e hartuar “me aksion”

Kushtetuta e sotme e Shqipërisë e vitit 1998 u hartua dhe u miratua në trysni dhe me ngutje. Procesi i hartimit i saj i ngjau “aksioneve me goditje të përqëndruar” gjatë regjimit të kaluar. Në hartimin e saj dhanë ndihmë të gjerë edhe ekspertë të huaj, si dhe disa organizata ndërkombëtare. Por ajo nuk u mbështet sa duhet në përvojën vendase, si dhe në traditën e krijuar e të pasuruar qysh me themelimin e shtetit modern shqiptar, dhe sidomos pas vitit 1990. Çka është jo më pak e rëndësishme, Kushtetutës së vitit 1998 i mungoi tërheqja e mendimit kushtetues të opozitës, si dhe konsultimi e miratimi politik me bashkëpëlqim.

Kushtetuta iu paraqit popullit si “fillimi i së ardhmes”, si burim i qëndrueshmërisë politike e shoqërore, si shpresë për integrimin europian dhe begatinë ekonomike të vendit. Por njëzet vjet jetë kanë vërtetuar më së miri se kjo Kushtetutë, si dhe amendamentet e vitit 2008, në jo rrallë janë kthyer në burim përplasjesh e paqëndueshmërie serioze shoqërore dhe institucionale.

3. Republikë parlamentare, presidenciale apo gjysmë-presidenciale

Në një republikë presidenciale presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe gëzon tagre të rëndësishme ekzekutive dhe ligjvënëse. Shembuj të një sistemi kushtetues presidencial gjejmë në SHBA, Meksikë dhe në Amerikën Latine. Në një sistem të tillë presidenti është në krye të qeverisë.

Kushtetuta frënge, si kushtetutë e një republike gjysmë-presidenciale, e vendos qendrën e gravitetit të pushtetit ekzekutiv midis presidentit dhe kryeministrit, me anim nga i pari. Presidenti kryeson edhe mbledhjet e qeverisë, dhe është përgjegjës për politikën e jashtme, por edhe kryeministri luan rol të rëndësishëm sidomos në politikën e brendshme. Ngjashmëri me sistemin frëng hasen edhe në kushtetuta të tjera me sistem gjysmë-presidencial.

Në një republikë parlamentare qëndra e gravitetit të pushtetit ekzekutiv është kryeministri si përfaqësues i një shumice të qëndrueshme parlamentare të dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Fillimisht, sipas Dispozitave Kryesore Kushtetuese të viteve 1992-1994, arkitektura kushtetuese në Shqipëri në fillimet e tranzicionit i takonte modelit gjysmë-presidencial, ku pushteti ekzekutiv ndahej nga presidenti dhe kryeministri sipas një balance ku qendra e rëndesës anonte nga Presidenca.

Kushtetuta e 1998 ndryshoi karakterin gjysmë-presidencial të republikës, të fituar pas vitit 1992. Ajo  e riorientoi balancën sipas modelit të republikës parlamentare, duke e anuar pushtetin ekzekutiv përfundimisht në kahun e Kryeministrit.

Shqipëria, pra, nuk është as republikë presidenciale dhe as gjysmë-presidenciale. Kushtetuta e Shqipërisë, qysh në nenin 1 të saj, e shpall vendin si republikë parlamentare. Sigurisht që qendra e gravitetit e pushtetit ekzekutiv në Republikën e Shqipërisë është tek kryeministri, pavarësisht se kujt partie i takon. Kryeministri i një republike parlamentare, i djathtë apo i majtë, është autoriteti kryesor i pushtetit ekzekutiv dhe anëtarët e kabinetit të tij ushtrojnë detyrën në përputhje me kushtetutën dhe me “pëlqimin” e tij.

Autori i këtyre rradhëve pat kritikuar qysh në kohën e hartimit dispozitat që zvogëlonin rolin e presidentit.

4. Neni 98 – një shartim juridik i panevojshëm

Rrjedhimisht, sa i takon procedurës së zëvendësimit të ministrave në republikën parlamentare, momenti themelor është propozimi i kryeministrit, ndërsa miratimi presidencial përbën vetëm një formalitet. Sikurse e tregojnë shembuj të tjerë në të drejtën krahasimore kushtetuese, akti i kryeministrit për ndërrimin e kabinetit miratohet pa vonesë nga presidenti, dhe nuk kalon fare në parlament.

Në qendër të vëmendjes së opinionit sot është neni 98 i Kushtetutës, sipas të cilit (1) “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit brenda 7 ditësh” dhe (2) “dekreti [përkatës presidencial] shqyrtohet brenda 10 ditësh nga Kuvendi”.

Ky nen përpiqet të sintetizojë rolin e tre institucioneve kryesore të shtetit, Presidentit, Kryeministrit dhe Kuvendit. Pyetja që shtrohet në parim është se si rregullohet në një republikë parlamentare zëvendësimi nga kryetari i qeverisë i vartësve të tij? E thënë ndryshe, sa është e rregullt që propozimi për zëvendësim të kalojë për miratim joformal tek Presidenti, dhe dekreti i këtij të fundit të kalojë në Kuvend për miratim, që në fakt kthehet një rivotëbesim? Dhe së fundi, a është normale në një republikë parlamentare një procedurë e tillë e rënduar që mund të zgjasë deri të paktën 17 ditë? Neni 98 i Kushtetutës së vitit 1998 përfaqëson një nonsens të pashembullt kushtetues që, në thelb, ka sjellë një kontroll të trefishtë ndaj një veprimi krejt normal të kryeministrit i cili, në zbatim të Kushtetutës, ka detyrimin të sigurojë për popullin një qeverisje dhe administratë sa më të zhdërvjellët, profesionale dhe të efektshme.

Po të analizojmë krahasimisht nenin 98 të Kushtetutës së Shqipërisë me dispozitat përkatëse të Kushtetutës greke dhe italiane – si dy vende me traditë kushtetuese të ngjashme të republikës parlamentare -, vërejmë se presidenti i republikës greke,  “me rekomandimin e kryeministrit emëron dhe largon nga detyra anëtarët e tjerë të kabinetit si dhe zëvendësministrat”. [neni 37.1] Vetëm kaq.

Kushtetuta greke e shmang maratonën e trefishtë, shterpë dhe lodhëse të zëvendësimit të një ministri shqiptar. Shkurt, në traditën kushtetuese greke zëvendësimi i një anëtari kabineti mbetet thjesht në vullnetin dhe pëlqimin e kryeministrit, dhe nuk ka nevojë as për dekret të posaçëm presidencial, as për votim parlamentar.

Një dispozitë thuajse e njëjtë haset edhe në Kushtetutën Italiane ku, me nenin 92.1, “Presidenti emëron kryeministrin dhe, sipas këshillës së këtij të fundit,  edhe ministrat”. Pra, as e drejta kushtetuese italiane nuk parashikon miratim të posaçëm presidencial dhe parlamentar për zëvendësimin e një ministri. Eshtë vendi të thekojmë këtu se, pas mendimi tonë, Presidenti italian nuk duket se ishte në ujëra të kthjellta kushtetuese kur shmangu dekretimin e ministrit të ekonomisë të qeverisë së re italiane në maj 2018. Gjithsesi, edhe pse kriza në atë rast u zgjidh “alla bel paese“, rasti ynë është në thelb i ndryshëm: bëhet fjalë për “zëvendësim”, dhe jo “emërim de novo” të qeverisë.

  1. Përfundime

Zgjidhja që ka sjellë neni 98 i Kushtetutës shqiptare përbën në thelb një stërkëmbës kushtetues, një shartim të panevojshëm të një dispozite tipike të sistemit gjysmë-presidencial mbi trungun e një kushtetutë të sistemit parlamentar.

Rrjedhimet negative që i ka dhënë vendit ky farë hibridi kushtetues i pafat janë më se të qarta. Ato sjellin edhe njëhere në vëmendje domosdoshmërinë e hartimit të amendamenteve të Kushtetutës së Shqipërisë, të cilat, kësaj here duhen kryer nga vetë juristët shqiptarë, dhe në bashkëpëlqim midis shumicës dhe opozitës, kushdoqofshin ato.

  1. Post Scriptum

Ky shkrim  – pëveç Hyrjes – është variant i shkurtuar dhe i përditësuar i një artikulli të botuar në Panorama në tetor 2003, dhe i ripërcjellë në përmbledhjen “Kushtetuta, Europa dhe Minoriteti Çam”, Iceberg, Tiranë 2013. E themi qysh në krye të herës se do të dëshironim sinqerisht që shkrimi të mos ta kishte ruajtur frymën aktuale. Përplasja kushtetuese më e fundit mjerisht e lëbyr shpresën tonë.

Në dukje, shkaku i përplasjes së sotme kushtetuese është interpretimi i saktë i Kushtetutës së vitit 1998, dhe pleqërimi se kush ka të drejtë dhe kush jo. Mirëpo, në të vërtetë, shkaku është më i thellë, dhe lidhet pikërisht me pyetjen se sa mirëfilli përfaqësues e gjithëpërfshirës është modeli i sotëm republikan në Shqipëri?

Dihet se pas përmbysjes së sistemit komunist, shqiptarët mbështetën modelin e republikës gjysmë-presidenciale, të mbrujtur në Dispozitat Kryesore Kushtetuese të viteve 1992-1994. Duke refuzuar përmes votës referendare popullore të vitit 1995 kalimin në modelin republikan presidencial, shqiptarët de facto e rikonfirmuan mbështetjen e tyre për modelin gjysmë-presidencial.

Mirëpo Kushtetuta e vitit 1998, e hartuar pa pjesëmarrjen e opozitës, dhe e kaluar me referendum me miratimin vetëm të pakicës relative, e përmbysi modelin gjysmë-presidencial në favor të modelit të republikës parlamentare. Sikurse e kemi thënë tjetërkund, mish-mashi kushtetues i sotëm ka sjellë një farë hibridi çerek amerikan, çerek anglez, çerek spanjoll, dhe çerek italo-gjerman. Pa përmendur amendamentet e vitit 2008 dhe 20016…

Për t’iu kthyer ngjarjeve të fundit në Shqipëri lidhur me emërimin dhe mosdekretimin e ministrit të jashtëm, le të përmendim sa më poshtë:

Së pari, duhet pranuar se Shqipërisë nuk i kanë munguar njerëzit e aftë dhe diplomatët e shquar, qysh në kohën e Kongesit të Lushnjes e të Mbretit Zog, dhe madje edhe në vitet e tranzicionit. Ndër emrat e shumtë që vijnë ndërmend janë Pandeli Evangjeli, Fan Noli, Mehmet Konica, Fuad Asllani, Rauf Fico, Ilias e Hysen Vrioni, si dhe aradha e drejtuesve të aftë të MPJ-së nga të dyja krahët e spektrit politik pas viteve 1990.

Së dyti, mbajmë parasysh se përplasja e fundit kushtetuese ndodh kur në vend Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. Kësisoj, aktorët përkatës duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet që përplasjen ta zgjidhin sa më butë, sa më shpejt, dhe jashtë retorikës së panevojshme, që vetëm i acaron më tej gjërat.

Së treti, kujtojmë një shkrimtar të shquar që pat thënë para ca kohe se “një vend i madh dhe i fuqishëm si Kina mund t’ia lejojë vetvetes të ketë për ministër të jashtëm një të çalë; mirëpo Shqipëria nuk e ka atë luks…”.

Në këtë hulli, na vjen në mëndje një ngjarje e përshkruar bukur nga Umberto Eco. Në Italinë e sapodalë nga lufta e përgjakshme antifashiste e antinaziste vjen momenti i çlirimit të Milanos. Fjalën e rastit në sheshin kryesor do ta mbante një Mimmo, nga heronjtë e rezistencës. Tha ai:

“Qytetarë, miq. Pas kaq e kaq sakrificash të dhimbshme…. ja tek jemi sot këtu! Lavdi për gjithë ata që dhanë jetën për lirinë”.

Dhe sakaq Mimmo u largua nga podiumi.

“Në atë moment – shkruan Eco – mësova se liria e fjalës do të thotë edhe çlirim nga retorika”! [Umberto Eco, Ur-Fascism, tek Five Moral Pieces, Harcourt, 1997, f. 66].

E pra, ndryshe nga Milano, distanca gjeografike midis Presidencës dhe Kryeministrisë sot në Tiranë nuk është më e madhe se 100 metra. Ja po themi se është 150. Presidenti dhe Kryeministri janë që të dy sot bashkëkapitenët e barkës që quhet Shqipëri. Sfidat që i përshfaqen kësaj barke në oqeanin plot tallaze të botës së sotme janë të jashtëzakonshme. Përmendim në kontekst kritik ankesën e pashembullt të qeverisë së Greqisë në instancat e BE-së ndaj një akti të brendshëm të qeverisë shqiptare. Si do të përgjigjej një Ministri e Jashtme Shqiptare e kyesuar nga personalitete të kalibrit të Pandeli Evangjelit, Fan Nolit, Mehmet Konicës, Rauf Ficos e Fuad Asllanit ndaj kësaj ndërhyrjeje të pashembullt në punët e brendshme të një shteti sovran?

Kurse në kontekstin pozitiv përmendim këmbënguljen mbresëlënëse, dhe në unison tërësor, të qeverisë greke për dëmshpërblimet e Luftës II Botërore ndaj Gjermanisë. Po në Tiranë, si do ta përcillte një Ministri e Jashtme profesionale një kërkesë analoge dhe krejtësisht të ligjshme të Shqipërisë ndaj Gjermanisë? [Thirrje në kllapa për politikanët shqiptarë: a mund të marrin shembull dhe të bashkohen edhe ata, të paktë njëherë të vetme, sikurse homologët e tyre në Greqi, të majtë – të djathtë, të qendrës – lidhur me kërkesën për dëmshpërblime lufte nga Gjermania?]

Për t’u kthyer tek përplasja kushtetuse për zëvendësimin e Ministrit të Jashtëm: A nuk do të ishte më mirë që Presidenti dhe Kryeministri – pavarësisht se cilët janë ata sot – kursin e drejtimit ta sheshonin më mirë midis njëri-tjetrit, vendimet t’i pleqëronin paraprakisht së bashku. gjithmonë në interes të vendit, dhe pra popullit t’ia kursenin, apo “ta çlironin” nga retorikat krejt të panevojshme?

Përfundimisht, kemi mendimin se në periudhën afatshkurtër është e këshillueshme zgjidhja sa më parë dhe sa më butë e ngërçit të përcjellë nga stërkëmbësi kushtetues i Nenit 98. Kurse në periudhën afatgjatë lypet një rishikim tërësor i Kushtetutës dhe i Kodit Zgjedhor e sistemit përkatës, me synim kthimin në modelin e gjithëpranuar të repubikës gjysmë-presidenciale, dhe çka është po aq e rëndësishme, fuqizimin e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe gjithëpërfshirëse në vend.

© 2018, Autori.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.