SUBLIMIMI I DHIMBJES

Shpesh kur është fjala për artistë që për arsye jashtë artistike rishfaqen para publikut me një inters të shumëfishuar mediatik, me të drejtë është e këshillueshme të fillosh të dyshosh për vlerat e tyre. Por ndërsa për Karla Brunin jam përpjekur të ruaj gjithmonë simpatinë që kisha për të si artiste që para se të shfaqej në krah të presidentit të vendit, nuk e kisha kuptuar plotësisht se bizhuja e vërtetë e familjes Bruni Tedeschi nuk ishte ajo por motra e saj, Valeria.

Janë pasardhëse të një familjeje italiane që u shpërngul në Francë më 1973, nga frika e ndonjë atentati apo rrëmbimi nga ana e Brigadave të kuqe. Prindërit e tyre, veçanërisht gjyshi, bënte pjesë midis industrialistëve më të mëdhenj italianë të kohës. Atëhere, Valeria ishte vetëm nëntë vjeç.

Pas një formimi të gjatë artistik, filmat e saj si Eshtë më e lehtë për një gamiljeNjë kështjellë në Itali, Tre motrat entuziazmuan publikun, por ja që ndodhi që filmi i saj i fundit Pushuesit (Les estivants) 2019, edhe pse u prit mirë nga shikuesit, u trajtua me dyshim nga kritika.

Pata rast ta shoh këto ditë në kinemanë e lagjes sime. Subjekti i kësaj komedie dramatike është i thjeshtë: Në shoqëri të vajzës së saj dhjetë vjeçare, Ana (interpretuar nga vetë realizuesja dhe bashkëskenaristja Valeria Bruni Tedeschi) vjen për disa ditë pushime te vila madhështore e familjes së saj në Côte d’Azur (që sipas fjalëve është realisht pronë e vetë familjes Bruni Tedeschi). Ajo është në kërkim të një vendi të qetë për përpunimin e një skenari filmi, fill pas një ndarjeje të dhimbëshme me partenerin e saj, gjë që është një fakt real i vetë jetës së realizatores.

Bashkë të ëmën Louisën (edhe ajo interpretuar nga vetë nëna e realizueses Marisa Borini), të motrën Elenën (Valeria Golino), kunatin e saj (P. Arditi, që thuhet se përpiqet të mos ketë shumë ngjashmëri me kunatin e vërtetë të Valerias, ish presidentin N. Sarkozin) ajo shpejt shpalos një sërë marrëdhëniesh atipike që ekzistojnë në gjirin e familjes, por, në çdo rast ndihet e përpirë nga dhimbja e saj e ndarjes.

Pastaj interpretues të tjerë janë bashkëskenaristët e realizueses, Agnès de Sacy et Noémie Lvovsky , por edhe figura të mëdha të kinemasë franceze si J. Moreau, apo aktori zvicerian V. Perez, cili është ftuar të luajë rolin e të shoqit të Anës, që fillimisht ishte parashikuar ta luante ai origjinali, ai që ka çarë e ikur, etj.

Në një mjedis të tillë si i një kohe tjetër, i hareshëm deri në shpërfillje për çka ndodh vërtet para syve të të gjithëve, po ku nuk mungojnë kujtesat edhe për divergjencat klasore, përplasjet me personelin e shërbimit, të cilëve zotët e shtëpisë përpiqen t’u mohojnë apo « shtyrë për më tej » ushtrimin e disa të drejtave elementare etj.

Anës në të vërtetë të gjitha këto i kalojnë pas veshit. Ajo jeton vetëm me dhimbjen e saj, pak e veçuar me familjarët e tjerë, që edhe ata nga ana e tyre nuk arrijnë t’u shmangen përplasjes me hijet dhe fantazmat e shkuara të jetës së tyre.

Sapo i krijohet mundësia, ajo veçohet dhe improvizon biseda me ish-in e saj të avulluar (interpretuar nga aktori italian, R. Scamarcio), i lë atij mesazhe telefonikë, përfytyron skena nga më të ndryshmet, nganjëherë sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur jeta vazhdon si edhe më parë, shprehje kjo me sa duket, e vullnetit për të mos e besuar atë që ka ndodhur.

Në raste të tjera kemi sekuenca retrospektive të asaj që ka ndodhur. Para një skene pothuaj të dhunëshme, ndarjeje finale me të shoqin në stacionin e trenit, që është e një bukurie të tillë që më kujton një film të Ana Manjanit, por në kontrapunkt tragjikomik (mund ta shihni këtu), kemi një bisedë të sajën me ish të shoqin, Lukën, ulur në një stol. Ana do të dijë më shumë dhe pasi i bën të gjitha konçesionet e mundëshme, duke i thënë edhe se do ta presë deri sa ai të mos e dojë më atë “tjetrën”, e pyet se cila është gruaja me të cilën ai po ikën. Luka drejton kokën diku dhe i tregon afishen e madhe të një reklame në anë të rrugës, ku shihet fotoja e një top modele (manekine). Me atë i thotë ai. Ana nuk kupton asgjë dhe qesh. Dhe kjo deri kur bindet me të vertetë se ai nuk po tallej, se ajo ishte gruaja me të cilën ai tani bashkëjetonte (Imazhi ilustrues i shkrimit paraqet këtë çast).

Thellesia e sikletit të saj kapet më mirë kur mëson se i shoqi i Valeria Bruni Tedeschi-t e ka braktisur vetë atë vetë për Leticia Kastën, një nga gratë më të bukura të botës.

Këtë skenë të jashtëzakonëshme e veçoj, jo vetëm për thjeshtësinë e dialogut dhe interpretimin e shkëlqyer, por më tepër për faktin se ndërkohë, realizuesja, aktorja dhe njëkohësisht viktima nuk bën asgjë për imazhin e saj, asnjë lloj grimi, asnjë lloj vetëpërmbajtjeje a përpjekje për të mos e lëshuar veten. Ajo vetëm se tregon se është një grua të dërmuar nga goditja, interpreton një personazh të brishtë dhe shpirtërisht të torturuar. Për mua ky është krijimi i një kontrasti me vlere të pallogaritshme artistike dhe estetike, po të kesh parasysh që rrethanat kërkonin që ajo të bënte gjithçka që të paraqitej, në mos më tepër, të paktën në lartësinë e « shemrës », për t’i thënë tërthorazi të shoqit se duhej ta shihte edhe një herë vendimin që kishte marrë, se edhe ajo nuk ishte krejt pa vlera, kishte subtilitetet e saj si grua. Por jo. Detajet me të cilat operon Valeria Bruni Tedeschi, duke shkuar kundër logjikes formale (edhe pse vë në skenë detaje të jetës së saj) janë shprehi të një niveli të lartë estetik, të një autoironie që e vlerësoj së tepërmi dhe që merr trajtën e një metafore.

Megjithse realizuesja është përpjekur të shmangë praninë e saj në qendër të filmit, për t’iu larguar një lloj nombrilizmi, edhe pse jemi para një gjinie që njihet si autofiksion, përsëri kritikë të ndryshëm thonë se ajo nuk ka mundur t’i ravijëzojë mirë personazhet e planit të dytë (për mua Godolini dhe Arditi, arrijnë të imponohen me personalitetin e tyre dhe marrëdhënien e çuditëshme që kanë), se ata hyjnë e dalin në kamera si të vazhdonin një ekzistencë të shkëputur nga tërësia e filmit etj.

Për të kuptuar këtë zgjedhje që ka bërë realizuesja duhet shpjeguar se strukturën e filmit ajo e ka mbështetur te një dramë e njohur me të njëjtin titull e Maksim Gorkit (që u vu në skenë vetëm pak kohë më parë nga Comedie Française), ku autori i madh ruso-sovjetik ka mbledhur në një daça buzë detit nja njëzet personazhe,  përfaqësues të një shoqëria që do të zhduket pak më vonë e që vijnë vërdallë e vrasin kohën disi pa shumë kuptim.

Kjo zgjedhje nuk ka si të mos ketë ndikuar në rrjedhshmërinë dhe strukturën e filmit (të cilin, madje V.B.T e ndan në skena, si të ishte teatër), por tërësia e elementëve të tij do të kuptohen më mirë duke shtuar se të gjithë këtë ndërtesë filmike ajo e vë në lëvizje nëpërmjet një lloj interpretimi që të kujton atë të Comedia del’ arte, një lloj i teatri shumë popullor italian i shk. Të XVI-të, që u jep aktorëve një lirshmëri e autonomi të madhe veprimi në skenë. Një përzierje e çuditshme kjo që shumë kritikë nuk e kanë tretur kollaj.

Po ashtu më bën përshtypje se kritika nuk ka mundur të vërë dukje në asnjë rast një element tjetër të rëndësishëm të filmit, se duke kaluar fillimisht nga një fazë autofiksioni, ai më tej merr strukturën e një mise en abime, ku dora dorës ngjarjet reflektohen në “subjektin” e njëra tjetrën, një teknikë kjo që është përdorur që në fillimet e kinemasë e pastaj më vonë nga Woody Allen (Trëndafili i purpurt i Kajros), Hitchcock (Vertigo) e deri te Hobbit.

Në skenat e fundit, kemi atë që po presim që nga fillimi, realizimin e “filmit brenda filmit”. Ndryshe nga sa kemi parë deri tani, që kamera ka sjellë diellin dhe peizazhet e mrrekullueshme të Jugut në mjedisin në trajtë amfiteatri të vilës, në to kemi një thyerje të plotë.

Gjithçka zhvillohet një një mjedis të mbyllur, që bëhet gati i ankthshëm nga prania e mjegullës së dendur. Dhe në të Ana si regjisore, drejton një skenë ku vetja e saj e dytë është kërkon dëshpërimisht atë që e ka braktisur, duke përcjellë kështu te shikuesi një si mesazh subliminal; se vërtet jeta e saj nuk do të jetë kurrë si më parë, por në fund të fundit këtë film ka dashur ta bejë si një lloj terapie, në mos për të harruar, të paktën për ta ndihmuar të hapë një kapitull tjetër në jetën e saj…

Kjo duket si shumë subjektive nga ana ime, por i lejova vetes ta them sepse gjatë një interviste të ketyre diteve ishte ajo vetë që u shpreh se: ” …kinemaja më lejon të vendos ca rregull në ngjarjet themeluese të jetës sime.”

(c) 2019, autori.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.