SUEDEZJA

Te “Panorama” lexoj një histori me bisht. Një turist suedez që viziton Shqipërinë në vitin 1988, boton pastaj, me t’u kthyer në Suedi, përshtypjet e udhëtimit në një revistë të atjeshme, ku rrëfen mes të tjerash si ka bërë hot sex me një punonjëse të hotel “Butrintit” në Sarandë. Madje boton edhe fotografi nudo të kësaj vajze esmere, të cilën e quan “Ana” dhe e paraqet si të uritur, me një mollë në dorë.

U aktivizuan kanalet diplomatike dhe agjenturore, u shkëmbyen mesazhe nga Stokholmi në Tiranë e kthim, u vunë në dijeni ministrat e Brendshëm dhe të Jashtëm, u dha urdhri që të identifikohej “Ana” me çdo kusht, edhe pse fotoja nuk përkonte me asnjë nga punonjëset e hotelit. U konkludua atëherë se vajza i përkiste komunitetit egjiptian, ose, siç shprehet në mënyrë eufemistike autori i shkrimit te “Panorama”, ishte një femër nga pjesët inferiore të popullsisë së vendit:

Këtu dyshoj se artikulli citon lirshëm nga ndonjë raport i Degës së Punëve të Brendshme, Sarandë; por autori, për të evituar ndonjë term të papërshtatshëm që ka gjetur atje (p.sh. jevgë ose cigane), ka shpikur – krejt pa dashur – një “pjesë inferiore të popullsisë të vendit”. Duke pasur parasysh se vetëm para pak ditësh u kremtua, madje edhe në Shqipëri, Dita Ndërkombëtare e Romëve, kjo akrobaci stilistike e artikullit më bën të mendoj se ne veç i kopjojmë nuk i adoptojmë institucionet dhe modelet e marrëdhënieve sociale; dhe respektin mosdiskriminues për pakicat e përkthejmë si gatishmëri për t’ua ndërruar emrat.

Përndryshe, të gjithë do të kenë marrë frymë lirisht, kur është zbuluar se suedezi i ngratë ka bërë seks jo me pellazgen, por me një simotër inferiore; nordiku ka rënë, pra, në grackën që i pat ngritur zeshkania aziatike. Only in Albania.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.