TA KUPTOSH FUNDIN ME TË PARË

nga Teuta TOSKA

Fjalia e parë e një romani mund të thotë shumë, por edhe mund të mos thotë asgjë më shumë sesa nisja e rrëfimit. Ajo qëndron nga ana gjuhësore në nivelin e gjithë fjalive të tjera, por mund të shihet edhe si një hiperfjali, si një fjali që përmban bërthamën kuptimore dhe strukturore të gjithë romanit dhe që zbulon me të parë mënyrën si autori do të shtjellojë fabulën dhe gjuhën që përdor. G.G.Markezi e thotë pak a shumë qartë: “Fraza e parë mund të jetë laboratori ku përpunohet stili, struktura madje dhe gjatësia e librit.[1]

Kohë më parë gjatë leximit të romanit “Shkaba”, të shkrimtarit Ismail Kadare, botuar për herë të parë në vitin 1996, por shkruar në “verë 1995”[2], më bëri shumë përshtypje fjalia e parë e romanit. Me këtë fjali lexuesi i mësuar me sintaksën e Kadaresë merr një “goditje”:

Ora duhej të ishte rreth dhjetë e mbrëmjes, (më pas, kur me qindra herë e kishte sjellë ndër mend atë çast kurrsesi nuk i kujtohej nëse mendimet se kjo ishte një orë e parrezikshme, ku as niste e as arrinte të kryhej ndonjë gjë, ngaqë gjithçka e rëndësishme, domethënë e keqe, ose kishte nisur qysh më parë, ose priste një orë më të vonë, më pas pra, në çastet e rishqyrtimit të pastajmë, gjithsesi nuk e gjente dot nëse ky mendim u shoqërua aty për aty nga një si thirrje e shurdhër: “kujdes!”, apo iu duk kështu më vonë, kur në kujtesën e tij shumë gjëra u zhvendosën).

Kundrimi i një elementi të shfaqjes lineare[3] si fjalia mund të jetë një e dhënë, e cila duke qenë se i qëndron si hallkë tërësisë (dhe kësisoj ajo mbart tiparet e qëndrueshme të tërësisë), mund të bëhet edhe element përfaqësues i tërësisë që duam ta vlerësojmë përmes leximit. A mund ta përkapim tërësinë e tekstit prej kundrimit të një elementi? A është aq i mjaftueshëm elementi sa të dëshmojë për veten dhe për tërësinë? Parimi që na drejton në këtë analizë të guximshme është: sa më në thellësi të elementit, aq më afër kuptimit të tërësisë. Ky qëndrim e përligj atë që: “Pikënisje e analizës mund të merret një mjet […], një dukuri që bie në sy […], një anë gjuhësore […].[4]”.

Prej të njëjtit autor shohim se prirja për të krijuar një fjali nisëse paraqitëse është shfaqur më se një herë në krijimet e tij (le të sjellim ndërmend fjalinë nisëse[5] në triptikun “Ura me tri harqe”).

Edhe Xh.Lloshi e ka dalluar pazakonshmërinë e fjalisë së parë të këtij romani. “Po ai te “Shkaba”, pasi e nis veprën me një fjali tradicionale: Ora duhej të ishte rreth dhjetë e mbrëmjes – befas del se ajo pasohet nga 11 rreshta të futur në kllapa, duke mos pasur asnjë rast paraardhës në letërsinë shqipe me këtë përftesë.[6]

Do ta vështrojmë më hollësisht këtë njësi të parë të tekstit, për ne një fjali-shenjë, përmes së cilës do të mëtojmë të zbërthejmë gjithë tërësinë. Në analizë, mund të themi se fjalia është një strukturë e përbërë nga dy pjesë: pjesa (fjalia) jashtë kllapave dhe pjesa (fjalia) brenda kllapës, që vënë përballë njëra-tjetrës realitetin e jashtëm dhe të brendshëm, d.m.th. rrëfimi i fabulës, ngjarjes që ndodh në roman përballë rrëfimit të ngjarjes në imagjinatën e personazhit. Për këtë Kadareja ka përdorur edhe një shenjues grafik (kllapën) për ta bërë dallimin a kundërvënien të qartë mes dy realiteteve që rrëfehen në roman: atë që ndodh realisht (nëse mund të flasim për realitet në letërsi, ose fabulën e romanit), dhe atë që personazhi percepton. Kjo i jep romanit një frymë surreale, që është e zakonshme në krijimtarinë e Kadaresë. E reja këtu është se përzierja e dy realiteteve është më e qartë këtu dhe lexuesi është gjithnjë nën dilemën për të dalluar kufirin e njërit rrëfim nga tjetri.

Fabula e “Shkabës” na tregon për një personazh që bie nga një realitet në një tjetër: kundërvënia lart-poshtë, i përgjigjet edhe kundërvënies brenda – jashtë, ose brenda mendjes së personazhit dhe jashtë tij[7]. Miti i përrallës “Qerosi në botën e poshtme” rimerret nga Kadareja, i cili e përdor si një alegori për fatin e njerëzve të dënuar nga diktatura komuniste me internim, në të vërtetë me përmbysje, me zhvendosje, për faje reale ose imagjinare e të sajuara. Zgjedhja e mitit për të rrëfyer e zbërthyer fatin e individit shërben jo vetëm si një udhërrëfim për të kuptuar dramën dhe traumën, por edhe si një zgjedhje për të arritur karakterin e dëshiruar universal të letërsisë së krijuar. Studiuesi Ilir Yzeiri bën një vlerësim antropologjik për referimin dhe zgjedhjen e miteve si procede rrëfimi teksa pohon se “te Kadare legjenda aktualizohet dhe ajo trajtohet si një aferë që ka të bëjë me një krim njerëzor si ata që ndodhin shpesh në shoqëritë që jetojnë me paranojat e fatit të paravendosur ose të magjive.[8]

Pas viteve ‘90 “eksperimentet” gjuhësore të Kadaresë të këtij tipi bëhen edhe më të guximshme, edhe pse nuk kishin munguar para këtyre viteve. Kështu te “Ftesë në studio” kemi një “ushtrim” për fillim romani, që Kadare e quan motërzimin për fillimin e të njëjtit libër. Të vëmë re se bëhet fjalë sërish për një fjali hyrëse për një krijim. Që në leximin e parë ne mund të vëmë re se nga ana strukturore ka një përngjashmim me fjalinë që kam marrë në analizë.

Atë ditë korriku një nga ato ditët kur po të ndeshësh në rrugë ndonjë të njohurin tënd, ai mund të të duket i padhimbsur nëse nuk të pyet: ç’paske dalë në këtë zheg, pikërisht në një vapë të tillë të padurueshme dhe në orën e një pas mesdite, orë që për shkak të vapës zhuritëse më qe dukur përherë si e vetmja kohë kur shteti dobësohej disi, isha duke ecur përmes bulevardit të madh, i bezdisur, po aq nga vapa sa nga një mërzi që ishte tepër vështirë të emërtohej, ngaqë ishte shkaktuar prej mosdijes së një gjuhe, pikërisht të gjermanishtes (meqë specializimi që kishte ardhur në ministri që parashikuar vetëm për RF Gjermane), isha duke ecur, pra, nën zheg me atë lloj brenge që s’mund të quhej veçse mërzi mosgjermanishtditëse, kur përpara më doli Anton B… shefi ynë i porsaardhur[9].

Le t’i kthehemi fjalisë së “Shkabës”. Në pjesën jashtë kllapave kemi një fjali nga ana sintaksore e thjeshtë (Ora duhej të ishte rreth dhjetë e mbrëmjes), që do ta quajmë fjalia A (FA); këtu personazhi nuk shfaqet. Folja në FA është një folje gjysmëndihmëse (duhet), që shpreh “kuptimin modal të detyrimit ose të domosdosë”[10]. Edhe pse ndërtimi gramatikor folje modale + folje në lidhore ka këtë modalitet në përgjithësi, kuptimi i foljes në FA është më fort ai i pasigurisë, dyshimit, mëdyshjes. Ky lloj ndërtimi përdoret në ligjërim për të shënuar një informacion që nuk pohohet dot me siguri dhe për të cilin rrëfimtari tenton të japë një informacion në kufijtë e pasaktësisë. Dyshimi e mëdyshja buron nga personazhi, edhe pse është zëri i narratorit në këtë fjali, dhe kërkon të bëjë pjesëtar edhe lexuesin, i cili ftohet të marrë një qëndrim, një mendim a një vendim për informacionin. Kuptimisht FA ngarkohet edhe më shumë me mëdyshje, pasaktësi, dyshim ndërsa përdoret përpara koncepteve që shprehin kohë parafjala “rreth”, e cila semantikisht shënon “kohën pak çaste para a pas së cilës kryhet një veprim…”. Mund të themi, madje, se është përdorimi i kësaj parafjale që e përmbys modalitetin e foljes nga ai i domosdosë, në modalitetin e pasigurisë, mëdyshjes. E njëjta strukturë pa parafjalën “Ora duhej të ishte dhjetë e mbrëmjes*”[11] semantikisht përcjell domosdoshmëri dhe siguri.

Shkurt, fjalia e parë e romanit, ose më mirë pjesa e parë e saj (FA) na paraqet një marrëdhënie pasigurie e mëdyshjeje mes personazhit, kohës së ngjarjes dhe, për rrjedhojë, ngjarjes vetë. Një mëdyshje që kalon edhe në marrëdhënien narrator – lexues. Elementi i qenësishëm i rrëfimit të ngjarjes, koha, fillon të shpërbëhet në mendjen e personazhit dhe lexuesi fillon të dyshojë për të dyja boshtet qendrore strukturore të veprës: narratorin dhe personazhin.

Pjesa e dytë e fjalisë së parë është fjalia në kllapa (që do ta quajmë fjalia B, FB – më pas, kur me qindra herë e kishte sjellë ndër mend atë çast kurrsesi nuk i kujtohej nëse mendimet se kjo ishte një orë e parrezikshme, ku as niste e as arrinte të kryhej ndonjë gjë, ngaqë gjithçka e rëndësishme, domethënë e keqe, ose kishte nisur qysh më parë, ose priste një orë më të vonë, më pas pra, në çastet e rishqyrtimit të pastajmë, gjithsesi nuk e gjente dot nëse ky mendim u shoqërua aty për aty nga një si thirrje e shurdhër: “kujdes!”, apo iu duk kështu më vonë, kur në kujtesën e tij shumë gjëra u zhvendosën).

Sipas sintaksës tradicionale kemi këtu një fjali të ndërkallur. Sipas Gramatikës së Akademisë, “Fjalitë e ndërkallura përdoren për të dhënë diçka që ai që flet a shkruan, mendon se nuk është kryesore, nuk është në të njëjtin plan me idetë e tjera të ligjërimit të tij, … kanë një lidhje logjike të dobët me përmbajtjen e tekstit ku gjenden ato, …duket se janë diçka e një natyre tjetër, si diçka e shtuar.[12]” Këto fjali janë të ngjashme me fjalitë e ndërmjetme, “nuk janë të lidhura organikisht me fjalinë së cilës i referohen”, d.m.th. nga ana sintaksore fjalitë në kllapa ekzistojnë në thënie jashtë lidhjeve të zakonshme sintaksore. Po e bëjmë këtë paraqitje për të thënë se nga pikëpamja e analizës sintaksore përpara nesh kemi vetëm një fjali të thjeshtë. Për skemat strukturore të periudhave të shqipes fjalia në kllapa nuk ekziston, si të thuash ajo është një fantazmë sintaksore. Studiuesi i njohur i stilistikës gjuhësore të shqipes, prof. Xh.Lloshi zgjedh madje (si e cituam më lart) që njësinë gjuhësore në kllapa të mos e emërtojë fare me ndonjë term – e shënon si ”11 rreshta të futur në kllapa”. Këto përshkrime për natyrën e fjalisë së ndërkallur duhet të na japin një ide për llojin e kumtit që Kadareja ka vendosur të japë pas fjalisë kryesore.

Mirëpo, edhe pse nga ana sintaksore kjo fjali e ndërkallur nuk është në të njëjtin plan, qoftë nga ana sasiore (për nga gjatësia e saj), qoftë edhe për nga përmbajtja që po i jepet lexuesit, ne kuptojmë që ajo mbart mesazhin kryesor, na paraqet atë që do të jetë thelbi i romanit – bota mendore e personazhit – dhe nuk është diçka e shtuar, një fantazmë, një joprani gjuhësore. Pesha e njësisë gjuhësore të parë të tekstit të romanit “Shkaba” rëndon nga ajo.

Struktura e saj sintaksore është pak të thuash tejet e ndërlikuar: 12 pjesë fjalie që lidhen me njëra-tjetrën me një rend që shkon përtej tipit të zakonshëm të sintaksës narrative në përgjithësi. FB në kllapa është një zhvendosje në kohë – lexuesi duket se kandiset të mendojë se kjo fjali është edhe e fundit e romanit, posaçërisht për shkak të përdorimit të: më pas, më pas pra, rishqyrtimit të pastajmë, më vonë. Këtu personazhi po vlerëson ngjarjen që e ka rrëfyer, që e ka ndryshuar atë, një kohë që nuk mund të rrëfehet në roman, sepse romani rrëfen ngjarjen, kurse FB shkon përtej saj në kohë, në kohën dhe çastet kur personazhi ka menduar për këtë ngjarje që po e lexojmë tani. Këtë ide na e forcon edhe përdorimi hiperbolik i “qindra herë” (çastet kur kishte menduar për atë ngjarje).

FB-ja në ndërlikimin e saj shkon deri në kufijtë e absurdit, papërcaktueshmërisë, dhe ideja e mëdyshjes dhe dyshimit vjen edhe thellohet më tepër. E gjithë fjalia duket se ndjek shpejtësinë e të menduarit dhe karakteristikën kryesore që ka “mjegulla” në mendjen e dikujt: karakterin amorf. Lexuesi përballet me pakuptimësi dhe mëdyshje dhe dyshimi nëse ngjarja ka ndodhur apo fantazohet nga personazhi do ta shoqërojë deri në fund lexuesin.

Por lexuesi do njëherësh, për vërtetësinë e asaj që lexon, edhe siguri prej pështjellimit mendor e gjuhësor që ka pësuar gjuha dhe mendja e personazhit si pasojë e një ngjarjeje që e ka goditur fort qenien e njeriut. Nëse hetojmë bërthamën semantike dhe sintaksore të FB-së shohim edhe më tej dyshimin që shkon deri në pakuptimësi.

Shpërbërja e proceseve të të menduarit çon në shpërbërjen a zhbërjen e njërit prej funksioneve themelore të gjuhës: përcjelljen e kuptimit. Që ky është një nga mesazhet qendrore të veprës e vërtetojmë edhe nga fjalia e fundit e romanit: “Sepse ashtu si shkabës që gjatë mijëra vjetëve i ishte dhënë veç klithma «krau», njerëzimit gjithashtu, sado i përkryer të dukej, nuk i ishin dhënë veç ca britma e fjalë më shumë, madje edhe ato, një pjesë pa kuptim”.

Për të vazhduar me fjalinë në kllapa dhe me një analizë thjesht strukturore të saj, duhet të themi se, pavarësisht strukturës së saj të ndërlikuar, dallojmë këtu atë që në sintaksë quhet pjesa kryesore e fjalisë, e cila shfaqet kështu: më pas, … kurrsesi nuk i kujtohej, … më pas pra, … gjithsesi nuk e gjente dot. Sigurisht që kjo pjesë kryesore është copëzuar dhe nëpër të futen 7 pjesë në copën e parë dhe 3 pjesë në copën e dytë. Ajo fjali, që ne e quajtëm kryesore, në fakt përbëhet nga dy pjesë asindetike, d.m.th. që ngjiten me njëra-tjetrën pa lidhëza, por prej kohezionit leksikor: përsëritjes (më pas, më pas pra, pjesëza “nuk”) dhe sinonimisë kontekstuale (nuk i kujtohej, nuk e gjente dot). Në këtë fjali të thjeshtë në dy pjesë kemi semantikisht një përsëritje dhe fjalia në thellësi të kësaj strukture do të ishte pak a shumë kështu: Më pas nuk i kujtohej [ai çast]*. Dhe duke e bashkuar me fjalinë jashtë kllapave, do të marrim këtë kumt të thellë të fjalisë së parë të romanit: “Ora duhej të ishte rreth dhjetë e mbrëmjes (më pas nuk i kujtohej [ai çast])*”. Duket se shkrimtari po na rrëfen një ngjarje që nuk është ngjarje, ndoshta ajo edhe mund të mos ketë ndodhur, madje mjetet gjuhësore të saj na sigurojnë për këtë. Duket sikur përpara nesh do të nisë të shtjellohet një antirrëfim.

Sipas nesh, i gjithë romani është një eksperiment dekonstruksioni, duke kuptuar këtu transformimin e njësive, përkatësisht të formës (mjeteve gjuhësore, komunikimit, statusit të gjuhës, llojit të regjistrit) dhe njësive të përmbajtjes (miti, intriga, fabula, struktura e personazheve etj.) dhe fjalia e parë e romanit është dëshmi e këtij dekonstruksioni të strukturës tradicionale sintaksore të shqipes, transformimit të saj përmes lirisë dhe rikrijimit të strukturës, duke na paralajmëruar për lirinë që do të na shfaqet në interpretimin e mitit, kohës, gjuhës etj.

Parimet e strukturës në dekonstruksionizëm bëhen parime të çrregullimit, të çorganizimit, por mbi të gjitha të çlirimit të dëshirës nga shtypja që shkakton një sistem i caktuar, së pari ai gjuhësor.

Në rastin e “Shkabës” na shfaqet, gjithashtu, një lexim tjetër i mitit, zbërthim tjetër i strukturës dhe i elementeve të tij, skemë tjetër e kohës së rrëfimit, një raport tjetër mes personazhit, realitetit, ngjarjes, lexuesit etj.

Qëllimi metodologjik i dekonstruksionalizmit është të risjellë fenomenin përpara vëzhgimit dhe analizës dhe ta bëjë të duket për atë që ai është në të vërtetë (dhe jo për atë që na kanë bërë të mendojmë e besojmë), duke e bërë këtë analizë me anë të një gjuhe të re, rrënjësisht të ndryshuar. Përmes dekonstruksionit të mitit dhe përdorimit të tij alegorik për “internimin” dhe goditjen politike e shoqërore që merrte individi prej diktaturës, Kadare zbulon pasojat traumatike të kësaj në qenien e personazhit: në mendjen dhe më tej në ligjërimin e tij, dhe këtë ai nis ta bëjë përmes transformimit të strukturës së fjalisë së parë të romanit, që për nga kujdesi gjuhësor bëhet për lexuesin hiperfjalia apo bërthama semantike e sintaksore e vetë romanit. Njëherësh shoh këtu edhe përpjekjen për të krijuar një “gjuhë të re”, të çliruar nga zgjedha e sintaksës tradicionale, e aftë të ndjekë mendimin, më në fund të lirë e të ripërtërirë.

Mirëpo kjo përpjekje për një gjuhë të re mbetet këtu, vetëm tek fjalia e parë. Gjuha më tej ndjek rrjedhën e saj të ligjërimit të zakonshëm të sintaksës së Kadaresë, e cila përdoret shpesh për ilustrim në tekstet tona të gramatikës tradicionale.

Kadareja, me prirjen e vet për të trajtuar tema universale, përmes përdorimit të miteve e legjendave, na ofron këtu, në këtë roman të vogël, të shkruar në lirinë krijuese të pas viteve ’90, një qëndrim të tijin për dramën më të madhe të njeriut shqiptar nën diktaturë, e veçanërisht intelektualit: përndjekja nga pushteti dhe shkatërrimi i tij, përmes njërës prej formave më të përhapura, internimit. Sa ka arritur të japë përmasat njerëzore të kësaj drame, sa ka arritur të zbulojë transformimin e individit, sa ka arritur të tregojë ruajtjen apo jo të njerëzores, e plot kërshëri e pritje të tjera që i kemi si lexues për “Shkabën”, këto janë kërkime që lidhen me analizën e përmbajtjes. Por mendoj se qysh me fjalinë e parë ne arrijmë të kapim atë që e lexojmë në gjithë romanin: një turbullirë dhe mjegull të paqartë mbi fatin, transformimin dhe të ardhmen e individit, arsyet e vendimit të tij tragjik, fatalitetin me të cilën përballet. E kështu mund të themi, se romani ka interes më fort si një ushtrim stilistikor në eksplorimin e mundësive sintaksore të shqipes, sesa një vepër që zbulon fatin e intelektualit nën diktaturë. Në këtë anë të tematikës së letërsisë shqipe, Kadareja është përpjekur të thotë diçka, por në fund e lë lexuesin në mjegull. Përngjashmimi i fatit të intelektualit në diktaturë me Qerosin në Botën e Poshtme është një procede që shkrimtarin e ka çuar në paqartësi. As na ka ndihmuar të kuptojmë më shumë për njeriun, as na ka bërë të shohim te shpirti i tij, as na e ka shpjeguar arsyen e fatalitetit dhe pse nuk shmanget dot. E ndoshta Kadare e ka ditur këtë paqartësi që na lë, përderisa ka zgjedhur për titull emrin e shpendit, që me gjasë duhet të ishte alteregoja e personazhit, por që në fakt është vrasësja e tij.

 

(c) 2019, Teuta Toska. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

[1] G.G. Markes, Drita 23.11.1986.

[2] I.Kadare, “Shkaba”, Botime MÇM, shkurt 1996.

[3] Term që e përdor U.Eco te “Të thuash gati të njëjtën gjë”, dhe që i referohet organizimit të njësive gjuhësore nga pikëpamja thjesht sintagmatike, duke filluar që nga grupi i fjalëve e gjer të paragrafi e teksti si tërësi lineare fjalish.

[4] Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika, Xh.Lloshi, 2005:19.

[5]Unë, murgu Gjon, biri i Gjorg Ukcamës, tue u kujtuom se në gluhën tonë ende s’ka gja të shkruom për urën u Ujanës së Keqe e aq më keq kur për të vazhdojnë të thuren legjenda e histori të paqena e gjithfarë thashethemesh, tani që ajo mbaroi së ndërtuari, madje që u spërkat edhe dy herë me gjak, në themel e në kulm, vendosa të shkruaj kronikën e saj”.  I.Kadare, “Ura me tri harqe” (triptik), shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1978, f.7.

[6] Xh.Lloshi, “Stilistika”, f.101.

[7] Por edhe kundërvënies tjetër: qendër – periferi, ose vendi i jetës normale – vendi i internimit/dëbimit, kjo një kundërvënie hapësinore horizontale, që përkthehet/përmbyset në një kundërvënie vertikale lart – poshtë si e ajo e përrallës dhe e romanit.

[8] Ilir Yzeiri, “Fenomenologjia e urës te Kadare dhe të Ivo Andriç”, Peizazhe të Fjalës, 12 Janar 2019.

[9] I.Kadare, “Ftesë në studio”, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1990, f.158

[10] Gramatika e Gjuhës Shqipe 2, Sintaksa, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 2002, f.261, 263.

[11] Përdorimi i asteriskut është për të treguar se nuk është i zakonshëm në shqip ky përdorim pa mjete, si:“rreth”, “aty nga”, “afër” etj.

[12] Gramatika e Gjuhës Shqipe 2, Sintaksa, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 2002, f.651.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.