TA NISËSH LETËRSINË ONLINE

(Tekstin më poshtë ma dërgoi Adela Radovani, shkrimtare online – nëse më lejohet ta quaj kështu – në përgjigje të anketës që u pata dërguar miqve dhe kolegëve para pak kohësh, ku u kërkoja të më tregonin se çfarë i motivonte të publikonin në Internet. Mora një përgjigje më të plotë, të cilën mendova ta botoj më vete. Adela si autore është formuar – është duke u formuar – brenda mediumit dhe ka vendosur me letërsinë një raport të ndërmjetësuar nga rrjeti social, bashkëndarja e teksteve dhe tensioni mes miqësisë dhe anonimitetit. Jua rekomandoj prozën e saj, nëse e frekuentoni Facebook-un. AV)

Momente të ndryshme të historikut tim si shkrimtare amatore i harroj, por fillesa, shkëndija e parë, një ngjarje e vogël që ka ndodhur dikur në moshën 8 vjeç, nuk më shqitet nga mendja. Muajin e parë të shkollës, që nga klasa e tretë e deri në fund të gjimnazit na vinin të shkruanim një tregim me eksperiencat tona në tremujorin e nxehtë, tip “si i kalove pushimet verore”, ose “përshkruaj një ngjarje gazmore në plazh.” Mësuesja atë vit na premtoi se do na lejonte t’i lexonim para klasës. Unë nuk kisha qenë as në plazh e as me pushime, familje ime konservatore dhe çik si kurnace nuk e quante të denjë të shpenzoje për qejfe, e ndaj shkrova sesi humba rrugën me gjyshen duke shkuar te puna e re e hallës. Para këtij tregimi, nuk kisha shkruar asgjë që i ngjante sadopak letërsisë. Të them që dëshira më lindi aty për aty, në moshën tetë vjeç e jo më parë, do të ishte e gabuar, ishte tjetër gjë mendoj se e nxiti atë tregim prej gjashtë faqesh fletoreje. Motivimi ishte se dikush do më dëgjonte duke e lexuar, pra, të tjerë do mund të gjenin kënaqësi prej kësaj pune. Ekzibicionizmi dhe dëshira për të kënaqur të tjerët, që të mund të thonin që vajza është e talentuar, e këndshme, e pranueshme, ishte një emocion i paprovuar të cilin e ruaj edhe sot. Sigurisht, pastaj vura re që procesi i krijimit më kënaqte dhe mua vetë, çfarë s’ishte fort e papëlqyeshme. Por pa këtë shkëndijë, pra mundësinë për të qenë e lexuar nga të tjerët, unë nuk besoj se do isha ulur aq herët për të krijuar.

Herën e dytë që shkrova, ishte sepse pashë diçka në klasë që më tronditi. Pra, një burim i brendshëm, një nevojë për t’u shprehur dhe për të tejçuar ndjenjat, mendimet dhe reflektimet. Por e theksoj, ishte faktor i dytë, që forcohej nga ideja që do mund të lexohet, komentohet, vlerësohet, ose kritikohet nga moshatarë dhe mësues, prindër e fis që nuk ngurruan të thonin, kjo nuk merr vesh nga kjo punë. Jam e bindur që kanë pasur të drejtë.

Me letërsinë në internet jam njohur fillimisht nga mangat, ekuivalentët e comics në Amerikë, libra me dialogë dhe vizatime të cilat në atë kohë dhe besoj ende, piratoheshin ndër të rinj që kanë dëshirë t’i lexojnë. Më pas, një botë tjetër zbulova, atë të letërsisë së emërtuar “fanfic” ku autorë amatorë ose jo, marrin pa të drejtë fitimi karakteret dhe botët e realizuara në filma, libra dhe produksione të tjera dhe krijojnë histori të reja, alternative, të ngjashme ose krejt pa lidhje me origjinalin. Fanfic (fan fiction) është një zhanër i cili botohet thuajse tërësisht online, shkak i të drejtës së autorit. Shkrimtarët marrin njohje në internet dhe ndonjëherë donacione por vetëm kaq, e për më tepër, veprat e tyre, së bashku me fanart (piktura origjinale të bëra nga piktorë amatorë ose profesionistë të veprave të dikujt tjetër), krijojnë bazën e fandom, grupi i madh i fansave që diskutojnë dhe pëlqejnë së bashku filmin, librin, serialin e caktuar. Dy prej fandoms më të mëdha të momentit që njihen shumë edhe në Shqipëri janë ai i Harry Potter dhe Games of Thrones. Është e mundur që për Harry Potter të jenë shkruar deri më sot miliona tregime të shkurtra dhe disa mijëra novela. Disa arshiva në internet mund të japin ide të qarta të këtyre shifrave.

Sigurisht, edhe unë pata kohën e sprovës sime në këtë zhanër, në kohën e gjimnazit kur dhe koha për të shkruar që më e madhe. Facebook për mua është një rrjet social i ri. Mundet që të kem nisur ta përdor aty nga viti 2015 dhe përpara tij, kisha hequr dorë nga letërsia, artet dhe çdo gjë tjetër që nuk kishte të bënte me profesionin tim si farmaciste. Disa nga shoqëria e asaj kohe bënin share poezi të shkurtra, tre autorë sidomos, Klodian Kojashin, Elhaid Cufin dhe Flutur Mustafën. Në prozë i bëhej share Filozofisë Urbane të Albatros Rexhajt. Kontakti i parë me letërsinë shqip të botuar online e në facebook ishte negativ, sidomos duke marrë parasysh sa dobët por edhe sa shumë reagime merr Elhaidi. Unë nisa të shkruaj sepse një njeri për të cilin kisha një lidhje intelektuale dhe romantike, më nxiti që të kthehesha në fushën që prej vitesh nuk e prekja. Le të themi që më mbushi mendjen që palumturia ime e thellë vinte nga mosshfrytëzimi i atyre aftësive sado të vogla që kisha në të shkruar.

Gjer në atë pikë e kisha të ndarë mendje që do isha një farmaciste sa më e zonja, që shpesh nuk do të thotë as gjë të madhe e as gjë të mirë, dhe nuk do merresha me gjithologji. Dhe mirë nxitja e tij, por dhe qindra like, komente, reagime, miqësi të reja, biseda interesante që të tjerët të cilët e merrnin guximin të shkruanin mirë a keq qoftë, më bënë të ndryshoj mendje, ngadalë. Si fillim me histori nga puna në farmaci të cilat janë çdo ditë më interesante sesa unë dhe kolegët e mi do dëshironin, por dhe të thjeshta për t’u treguar. Mos të harrojmë, kisha humbur shumë nga aftësitë e mia të vjetra, kisha humbur fjalor, gjuhë të huaja, aq sa mund të them, Adela 18 vjeç ishte shumë më e ditur se Adela dhjetë vjet më vonë.

Mendoj që ne, e këtu po fus në një thes plot shkrimtarë amatorë dhe të botuar që shkruajnë të paktën nga një tregim ose poezi në javë, e konsiderojmë si punë me rëndësi të madhe atë që bëjmë se ndryshe, nuk do e bënim. Disa syresh janë të zhanrit të humorit, disa tragjikë, disa të nëndegës së feminizmit, të tjerë të aktivizmit vullnetar: disa e kanë ngritur në nivel mediatik, si Lolita, një grup i cili herë pas herë shkruan copëza të gjata e të shkurtra ironizuese, të cilët janë tashmë të përfshirë dhe ndikues të mëdhenj të opinionit publik. Fama e Lolitës u ngrit nga tregimet e saj të shkurtra dhe ironizuese nga bota e fshatit korçar e fierak, po aq sa nga dy rreshtëzat goditëse mbi politikën. Me aq sa kam vënë re, ndodh më tepër që një shkrimtar i njohur me libra të prekshëm të fillojë të botojë online sesa një shkrimtar i internetit të kalojë në llojin tjetër. Janë dy botë të cilat rreken të kapin si pre lexues krejt të ndryshëm, ose lexues me pritshmëri të ndryshme. Ndoshta vite më parë ishte e rastit që, nëse një autor bëhej i famshëm sa duhej në internet, prej tij pritej që të botonte diçka fizike, kjo për të finalizuar vitet e punës me audiencën e internetit. Gjithnjë e më tepër zbehet kjo tendencë, gjithnjë e më tepër thellohet hendeku midis letërsisë së botuar e asaj online. Ndërsa interneti të limiton edhe stilin, edhe gjatësinë, është krijuar një formë e caktuar e të bërit art në internet: duhet të jetë i asimilueshëm, estetikisht modern, me tone depresive dhe reale, shpesh i shoqëruar me skema, foto, skica. Nëse personalizohet, akoma më mirë, interneti e pëlqen dramën dhe të ashtuquajturat ditarët e jetës së përditshme.

Për mua botimi në internet ma ndryshon qasjen tërësisht nga le të themi, kur jam duke shkruar tregim që do dua të botohet fizikisht (një ditë). Është tërësisht më personal nëse është shkrim i destinuar për Facebook, më pak i thelluar, më provokativ. Shpesh u referohet ngjarjeve të rastit që cilat edhe muaj më vonë nuk do kuptoheshin dot shpejt e qartë për shkak të mungesës së shpjegimeve në tekst. Nga ana tjetër, shkrimi që planifikohet të postohet në faqen time personale, nxitet nga mundësia për lexues, një mundësi e cila buron nga lehtësia e shpërndarjes, fakti që mbetet falas dhe e lirëgjindshme për të gjithë që kanë një telefon të thjeshtë, internet dhe “miqësinë” time e cila nuk është e limituar. Është fast-food por nuk mendoj që është e keqe. E kush i thotë jo sot sufllaqes?

Lehtësia në rastin e letërsisë online është për të dyja palët, lexuesi nuk ka nevojë të fusë dorën në xhep e as të ndahet nga rrjeti social ndaj të cilit është tashmë i varur, dhe autori nuk ka pse t’u hyjë debateve me redaktorë, botues inatçorë e klanorë për të mos arritur në dorën e syrin e shumë njerëzve. Sidomos letërsia bashkëkohore shqiptare e vuan mungesën e lexuesit, shumë i ndjekin në faqet online por pak i lexojnë veprat e tyre që mund të jenë të mira, por kush e di? E prapë, autori i kurrëbotuar e vuan mungesën e seriozitetit me të cilën e trajtojnë dhe do donin të merreshin më seriozisht, në këto raste ata ndjekin rrugë të mesme, hapin blogje, lidhen me shkrimtarë të tjerë dhe bashkëpunojnë në grupet e ndërtuara dhe këto në Facebook. E prapë me aq sa vë re, një autor online e ka librin e botuar sa për ta vënë në cover të profilit të tij, sepse audiencën e ka tashmë të fituar dhe nuk pret t’i shtohen të tjerë nga katër kopje që shet në vit. Mendoj që përkthimi, esetë, poezitë, tregimet dhe gjithçka tjetër e cila botohet fillimisht në internet e mbeten ose jo aty, është tentativë e përbashkët për të bërë letërsi në kushte të reja, në një mjedis ku libri po bëhet objekt luksi dhe zbukurimi.

© 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.