TAKIM ME VASHËN E HEKURT

Nuk e mbaj mend se kur kam dëgjuar për herë të parë për grupin Iron Maiden: zhanri i muzikës që bëjnë, heavy metal, nuk më ka tërhequr dhe as e kam ndjekur ndonjëherë. Dhe shënimet në vijim nuk janë për kontributin e tyre në muzikën pop, por për emrin, Iron Maiden dhe efekte të tjera paratekstuale të fenomenit.

Besoj – të paktën duke arsyetuar – se kontaktin e parë me disqet e këtij grupi do ta kem marrë në fund të viteve 1980, në Romë, kur shkoja shpesh te dyqani Ricordi, në Piazza Indipendenza; për t’ia shëtitur raftet të tejmbushura me pllaka gramafoni dhe muzikaseta: shih me sy e plas me zemër. Dhe emrin, Iron Maiden, do ta kem parë në kapakët e vinilit, krahas me ilustrimet surreale të Derek Riggs, ku një shqiptari vizualisht të virgjër si mua i mbeteshin sytë. Ishin këto ilustrime që më kapën rob, jo muzika.

Dija aq anglisht atëherë, sa ta përktheja Iron Maiden si “vasha e hekurt”. Imazhi i sugjeruar nga kjo vashëz e hekurt kish diçka njëkohësisht futuriste dhe mesjetare – pa e pasur idenë se çfarë është steam punk, hekuri më shpinte te një botë mekanike, të rëndë dhe kumbuese, me vargorë dhe pancirë; ndërsa maiden sërish i referohej një Anglie të vjetër – që unë e lidhja intuitivisht me gjermanishten Mädchen dhe paskësha pasur të drejtë.

Imazhi i vashës prej hekuri, martesë e brishtësisë dhe e ndrojtjes mesjetare me dhunën e pashmangshme të hekurit, më dukej poetik; mbi të do të sendërtoja një personazh romantik, që rreket të dalë nga vetvetja, ose nga kontradikta mes metalit dhe vajzërisë, njëlloj si ata robotët që zbulojnë dikur vetëdijen dhe bashkë me të, edhe ndërgjegjen morale. Nga ai moment, një iron maiden mund të shpëtojë botën, ose të shndërrohet në makth universal, duke kryer krime të përbindshme padashur.

Por nuk kish qenë kështu. Iron Maiden quhet, në anglishte, një vegël torture në trajtën e një dollapi prej hekuri a një sarkofagu, i mveshur së brendshmi me thumba a pyka të mprehta: viktimën e futin atje dhe pastaj fillojnë t’i mbyllin kanatet me ngadalë, teksa thumbat i depërtojnë në trup. Supozohet ta ketë origjinën në Gjermani, dhe pikërisht në Nuremberg; nga gjermanishtja vjen edhe emri i saj zanafillor, Eiserne Jungfrau. Vetëm se gjasat janë që të mos jetë përdorur ndonjëherë për tortura, por thjesht të jetë ekspozuar si joshë për publikun e interesuar për të tilla kuriozitete.

Ky Iron Maiden i përshtatet modelit të emrave zbutës, ndonjëherë lozonjarë dhe gjithnjë eufemistikë, të veglave të torturës dhe të “shërbimeve” të tjera ndëshkuese: Judas cradle, Pear of anguish, Heretic’s fork, Brazen bull, Wooden horse (Spanish donkey) – për t’u mjaftuar me anglishten[1]. Magjia e eufemizmit, zbutja e së keqes duke e shmangur emërtimin përshkrues (teknik), kombinohet këtu me zhargonin e të institucionalizuarve – ku metafora sa e mbron sekretin, aq edhe e dekonspiron, në përpjekje për t’ia neutralizuar rrezikun.

Por tek emri i grupit heavy metal, vegla e torturës erdhi përmes një shtegu tërthor: në 1975, basisti Steve Harris e zgjodhi këtë emër i frymëzuar nga filmi The Man in the Iron Mask, që mbështetej te romani me të njëjtin titull i Alexandre Dumas-it – duke qenë kjo maskë e hekurt asgjë tjetër veçse një diçka e ngjashme me atë që Angli e quanin Scold’s bridle, ose “frerët e gruas gojëkeqe” – një turizë metalike që i mbërthehej fajtores në kokë (zakonisht një shtrige), për ta poshtëruar. Maska e hekurt nuk ka gozhdë, por vetëm sa ia mbulon gojën dhe ndonjëherë fytyrën viktimës; më shumë se vegël torture, është vegël ndëshkimi. Megjithatë, edhe Harris-it do t’i ketë tingëlluar më mirë Iron Maiden, mbase për shkak të kontrastit mes hekurit dhe vajzës, si dy arketipa të kundërt.

Pëndryshe, pakçka e ndan këtë maskë e hekurt, që ia fshehu për gati 35 vjet identitetin të burgosurit të Dumas-it, nga fytyra metalike e një roboti, që për më tepër fsheh përbrenda një maiden: metal përjashta, brishtësi brenda. Çfarë më shtyn ta përfytyroj tani këtë vajzë prej hekuri si primordiale, në raport me veglën e torturës dhe robotin asimovian të interpretimit tim fillestar: mesjetë, metal, vasha (maidens), kalorës dhe ndoshta robotë. Rrëfimet, magjitë, herezitë, shtrigat dhe ferramenta-t e Inkuizicionit nuk janë veçse një hap më tutje. Ndoshta, gjatë vizitës sime te dyqani Ricordi[2], anglishtja që dija më çoi – edhe pse nëpërmjet një shtegu tjetër – tek anglishtja që nuk dija.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™.


[1] Të krahasohen këto edhe me straitjacket, në italisht camicia di forza (camicia di ferro), shqip këmisha e hekurt; si vegla “torture” të përdorur në çmendinat dikur. Në një kontekst tjetër, të kihet parasysh edhe chastity belt.

[2] Casa Ricordi është një shtëpi botuese muzikore, e themeluar në Milano, në 1808, nga violinisti Giovanni Ricordi. Por nuk po më shpëton fakti që, te ky shkrim, si edhe në të tjerë të miat me këtë temë, dyqani Ricordi në Romë më shërben bujarisht si locus për kujtime të paharrueshme (italisht: ricordi).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.