Të dhëna mbi disa vakëfe kryesore të qytetit të Korçës gjatë periudhës osmane

Dr. Eduart CAKA

 

TË DHËNA MBI DISA VAKËFE KRYESORE TË QYTETIT TË KORÇËS GJATË PERIUDHËS OSMANE (SHEK. XVI-XIX)

Eduart Caka

Eduart Caka

Hyrje

 

Institucioni i vakëfeve ishte njëri ndër institucionet më të rëndësishme të shtetit osman, veprimtaria e të cilave kishte lidhje kryesisht me aspektin shoqëror, ku përmes dhurimit mundësohej ndihmesa e shtresave në nevojë ose përmirësimi i kushteve të jetës shoqërore si ndërtimi i shkollave e faltoreve, rregullimi i rrugëve, çezmave apo objekteve të tjera të përdorimit të gjerë. Përveç aspektit të parë, gjatë periudhës osmane kemi edhe lloje të tjera të vakëfeve siç mund të përmenden ato të bamirësisë të parave apo vakëfe të tjera që kishin lidhje edhe me pronat tokësore.1 Sipas Pulahës përhapja e vakëfeve të pronës tokësore ishte e ngadaltë dhe në fund të shek. XVI mund të flitet për një numër të kufizuar që nuk i kalonte 50 fshatra dhe 4-5 çifligje.2 Ndërsa vakëfet me karakter bamirësie do të kenë një zhvillim më të madh kryesisht në qytete.

Për shkak të lidhjes së ngushtë midis elementit ekonomik dhe aktit të të dhuruarit, vakëfet përhapjen më të gjerë e patën në qendrat urbane dhe kryesisht në periudhat e zhvillimit të këtyre qyteteve duke nisur nga gjysma e dytë e shek. XVI deri në fund të shek. XVIII e fillim të shek. XIX. Kështu, në qytete të rëndësishme të kohës si Elbasani, Berati, Vlora, Shkodra etj. vakëfet ishin institucione kryesore të jetës shoqërore e ekonomike. Madje në historinë e periudhës osmane të Shqipërisë kemi edhe raste ku institucioni i vakëfit ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vetë themelimin dhe zhvillimin e qyteteve. Rasti më tipik i këtij shembulli është qyteti i Korçës, lindja dhe zhvillimi i të cilit lidhet ngushtë me figurën e Iljaz bej Mirahorit dhe vakëfit që ai themeloi.3

 

  1. Zhvillimi ekonomik, demografik e kulturor qytetit të Korçës gjatë shek. XVI-XVIII

 

Me anë të disa dekreteve të lëshuara nga Sulltan Bajezidi II, Iljaz bej Mirahorit4 i dhuroheshin fshatrat e Vithkuqit, Leshnicës5 (viti 1484 ose 889 Hixhri), Peskopjes6 (1495 ose 901 Hixhri).7 Sipas dokumenteve, vetë Mirahori do t’i kthejë në vakëf këto fshatra në të cilat ai do të ndërtojë edhe disa ndërtesa bamirësie të cilat konsiderohen si zanafilla e kthimit në një qendër urbane të zonës në fjalë.8 Sipas dokumentit të themelimit të vakëfit të cilin do e analizojmë në vijim, kuptojmë se ndërtimi i objekteve të bamirësisë në fshatin Peskopje me kalimin e kohës do të sjellë banimin e kësaj zone që në shekuj do të rritet duke u bashkuar me kalanë e Korçës për t’u quajtur më vonë si qyteti i Korçës. Duhet theksuar fakti se kalaja e Korçës ndodhej në një pozicion tjetër dhe ishte më e hershme se ndërtimi i veprave në fshatrat e sipërcituara nga Mirahori.9 Pavarësisht diskutimeve në lidhje me vendin se ku ndodhej kjo kala, duhet pranuar se fshatrat e Mirahorit dhe kalaja në fjalë ishin dy zona të ndryshme. Sipas burimeve, në vitin 1530 në kala jetonin 22 shtëpi të cilat ishin të gjitha jo myslimane.10

Në një analizë më të gjerë, duhet të kihet parasysh se formimi dhe zhvillimi i qendrave të reja urbane me atë të ndërtimit të objekteve të ndryshme vakëfi (këtu futen objektet e kultit, institucione bamirësie por edhe ura, çezma e ujësjellësa që ndihmonin në përmirësimin e kushteve të jetesës) ishte një ndër politikat kolonizuese osmane. Studiues të kësaj periudhe shprehen se një praktikë e tillë ishte trashëguar nga selçukët për t’u përdorur edhe nga osmanët veçanërisht në periudhën e Muratit II (1427-1443). Shembuj të ngjashëm vërehen në Edirne, Qipro por edhe në vende të tjera.11 Kështu, me anë të vakëfeve mundësohej ndërtimi i disa ndërtesave dhe komplekseve të cilat lehtësonin jetën sociale duke mundësuar dhënien e shumë shërbimeve. Si rezultat i ndërtimit të objekteve në fjalë mundësohej popullimi i zonës në të cilën ato qendeshin dhe kështu krijohej në qendër e re urbane. Në vijim të kësaj logjike, mund të thuhet se këtë shembull të urbanizimit e shohim edhe në popullimin e zonës përreth vakëfit të ndërtuar nga Mirahori.

Nisur nga të dhënat e mësipërme duhet thënë se zhvillimi i Korçës si një qendër urbane i përket një periudhe relativisht më të vonë. Vetë udhëtari i njohur osman i shek. XVII Evlia Çelebiu i cili ka vizituar të gjitha qytetet dhe qendrat urbane të perandorisë gjatë kësaj periudhe nuk i ka dhënë hapësirë në veprën e tij këtij qyteti, çka tregon se në periudhën kur ai ka udhëtuar në hapësirën shqiptare kjo zonë nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë për të qenë objekt i vëmendjes së këtij udhëtari. Si nga dokumentacioni osman ashtu edhe nga të dhënat e literaturës që kemi mbi qytetet shqiptare gjatë periudhës osmane vërejmë se sipas të ardhurave të shënuara nëpër regjistra, vlen të theksohet se gjatë shek. XVI dhe XVII Korça nuk figuron si një qendër e zhvilluar dhe se zgjerimi dhe lulëzimi i saj do të nisë në shekujt e mëvonshëm.12

Në fillim të shek. XVIII (viti 1713) Korça figuron si një qendër e vogël urbane me “pak shtëpi”.13 Si qendër më e madhe urbane në këtë kohë llogaritet Voskopoja e cila ishte afër Korçës dhe kishte një popullsi prej më shumë se 10 mijë shtëpish.14 Por, ngjarje të ndryshme që ndodhën gjatë shek. XVIII në Korçë dhe rrethinat e saj, bënë të mundur që qyteti të pësojë një rritje të shpejtë demografike por edhe kulturore e ekonomike. Vetë shkatërrimi i një qendre të zhvilluar siç ishte Voskopoja, por edhe pozicionimi në rrugët tregtare që shkonin drejt portit të Selanikut ndikuan që Korça të fitojë një rëndësi më të madhe si qytet.15 Kështu në fund të shek. XVIII ajo numëronte rreth 1300 shtëpi16, ndërsa në fund të shek. XIX popullsia e qytetit arrinte në shifrën e 18.000 banorëve.17

Krahasuar me qendrat e tjera urbane të periudhës në fjalë shifrat tregojnë se në Korçë procesi i islamizimit ishte më i ngadaltë dhe se komuniteti ortodoks përbënte pjesën më të madhe në numër të qytetit. Kështu në shek. XVI vetëm 21% e Korçës rezulton si popullsi myslimane18 e që banonte në lagjet Çarshi, Batak, Qoshk dhe Dere që njiheshin ndryshe edhe si Kasaba. Ndërsa popullsia e krishterë ishte e pozicionuar në pjesën e Varoshit i cili ishte ndarë në Varosh i Sipërm dhe Varosh i Poshtëm.19 Në këtë kontekst, përveç literaturës dhe dokumenteve arkivore osmane një vend të veçantë dhe në të njëjtën kohë të rëndësishëm në paraqitjen e të dhënave mbi qytetin, ekonominë, kulturën dhe bashkësinë shoqërore zënë edhe dokumentet dhe kodikët e mitropolisë.20 Një tregues i rritjes së rëndësisë së qytetit është edhe fakti se nga sufragane e mitropolisë së Selasforit, Korça u rrit në nivel mitropolie e cila deri në vitin 1767 varej nga Patrikana e Ohrit.21

Largimet nga Voskopoja sollën një përqendrim demografik në qytetin e Korçës, i cili solli me vete edhe lulëzimin ekonomik për arsye se në këtë periudhë të gjitha proceset e punës konsistonin mbi krahun punës. Shtimi i zejeve të qytetit sillte me vete edhe zhvillimin e tregut ku shiteshin e bliheshin mallrat që prodhoheshin nga artizanët korçarë. Ndër mallrat që tregtoheshin në tregun e qytetit të Korçës mund të përmendet dylli, lëkura, produkte të leshta etj.22 Duhet theksuar se marrëdhëniet e mira ekonomike midis zejtarëve e tregtarëve të Voskopojës me ata të Korçës kishte bërë që shumë tregtarë voskopojarë të kishin dyqanet e tyre në tregun korçar prej shumë kohësh. Po ashtu, burimet tregojnë se në fillim të shek. XVIII të rinj nga Voskopoja vinin në pazarin e Korçës për të mësuar zanatin.23 Ky fakt vërtetohet edhe me anë të një dokumenti të sherijeve të Beratit ku theksohet se zejtarët voskopojarë kanë mësuar në Korçë zanatet e robaqepësisë, këpuctarisë, të farkëtarisë dhe me leje të autoriteteve përkatëse kanë “dalë më vehte”, pra kanë nisur të punojnë për llogari të tyre.24

Siç është e njohur, gjatë periudhës në fjalë në aspektin ekonomik qytetet shqiptare karakterizoheshin nga sistemi i esnafeve. Edhe në Korçë hasim në këtë sistem i cili krahasuar me qendra të tjera si Elbasani, Berati, Vlora apo Shkodra është zhvilluar më vonë. Duke patur parasysh elementin demografik e atë të përbërjes fetare ku shumicën e përbënte komuniteti ortodoks, në regjistra sistemi i esnafeve kalon me fjalën rufete.25 Kështu, në një dokument të Kodikut të Korçës i cili daton në vitin 1858 dhe që flet për rufetet që kanë kontribuar për kishën “Burimi Jetëdhënës”, jep edhe emrat e këtyre grupeve ekonomike që janë rufetet e papuxhinjve, tabakëve, qyrkxhinjve, terzinjve, kasapëve, opingarëve, bakejve, hanxhinjve, samarxhinjve, kujunxhinjve, bakërxhinjve e kafexhinjve.26 Duke patur parasysh faktin se këtu janë paraqitur vetëm rufetet ortodokse dhe se qyteti kishte edhe një pjesë tjetër popullsie e cila i përkiste besimit islam e nisur nga kjo duhet thënë se numri i esnafeve në Korçë ishte më i madh se ato që u cituan më lart.27 Mendohet që në gjysmën e dytë të shek. XVIII numri i korporatave të këtij qyteti të jetë rreth shifrës 20.28

Një element tjetër që ndikoi në zhvillimin e qytetit ishte edhe pozicioni gjeografik i Korçës e cila ishte një zonë kalimi e karvaneve tregtare që udhëtonin drejt Selanikut apo Ohrit. Përveç Manastirit, tregu i Korçës do të shtojë tregtinë edhe me Janinën, pas fuqizimit të kësaj të fundit nën drejtimin e Mehmet Ali Pashës në fund të shek. XVIII dhe fillim të shek. XIX.29 Studiuesit shprehen se në Korçë gjatë shek. XVIII-XIX funksiononin 17 hane30, element i cili tregon gjallërinë dhe përmasat që arriti tregu i këtij qyteti gjatë periudhës në fjalë.

Rufetet ose organizatat esnafore kishin një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, shoqëror e urbanistik të qytetit. Sipas dokumen-tacionit ato kanë kontribuar edhe në rregullimin e shtrimin e rrugëve, ngritjen e ndërtesave të reja por edhe në pagesën e shumë shpenzimeve për mirëmbajtjen e objekteve të kultit e shkollave. Për shembull, në dokumentet e Kodikut të Mitropolisë së Korçës vërehet se shumë rufete kanë dhënë ndihmesën e tyre financiare në shtrimin me kalldrëm të disa rrugëve të qytetit, të çezmave por edhe të objekteve të tjera në dobi të shoqërisë. Në dokumentin nr. 15 të kodikut në fjalë theksohet se rufeti i papuxhinjve kishte shtruar kishën me plloça ndërsa rufeti i tabakëve ndërtoi me kalldrëm rrugën nga kisha e Shën Gjergjit deri në qytet.31

Një vend të rëndësishëm në infrastrukturën e qytetit gjatë periudhës në fjalë zënë edhe çezmat. Për nevojat e qytetit, në vitin 1798 Mehmet pashë Plasa kishte sjellë ujë nga një lumë afër Drenovës duke ndërtuar kështu ujësjellësin e parë të qytetit:

Mehmet pasha nga Plasa, para 80 vjetësh, bëri depon e grumbullimit të ujërave dhe solli ujërat nga një vend afër Drenovës, i quajtur Drenicë, në largësi 20 minuta prej Korçës. Ky (Mehmet pasha), i shpërndau ujërat nëpër lagjet, të cilat (lagje) i ndërtuan çezmat me (të hollat) e tyre, kurse bijtë e tij, Ismail pasha me vëllezërit, shpenzonin për mbajtjen e depos së grumbullimit të ujërave.32

Një ngjarje me rëndësi për qytetin ishte edhe ndërtimi i kullës së sahatit ku kishin kontribuar si të krishterët ashtu edhe myslimanët. Në lidhje me këtë ngjarje, dokumenti nr. 178 i Kodikut të Korçës jep këto të dhëna:

Sahati publik i qytetit, që gjendet afër pazarit, u ndërtua pas nëntëdhjetë e pesë vjetësh, d.m.th. më 1784, si më poshtë: Esnafi i këtushëm i bakejve, i përbërë nga otomanë (lexo muhamedanë) gegë dhe ortodoksë voskopojarë, ranë në marrëveshje që të parët të ndërtojnë kullën, kurse të krishterët sahatin bashkë me këmbanën e tij, që peshonte rreth dyzet okë dhe që ekziston gjer sot.33

 

  1. Vakëfi i Mirahorit

 

Me anë të vakfijes që daton në vitin 1505 Mirahor Iljas Beu do të kthejë në vakëf34 disa fshatra si Peskopje, Vithkuq, Leshnjë, Boboshticë dhe duke nisur nga kjo kohë fshatrat kalojnë në dokumente si “fshatrat vakëf” apo “vakëfi” të cilat ishin të banuara si nga popullsi myslimane ashtu edhe nga ajo e krishterë.35 Rëndësia e këtij vakëfi të themeluar nga Mirahori qëndron në faktin se kjo vepër lidhet ngushtë edhe me zhvillimin urban të kësaj zone, përreth së cilës u zhvillua vetë qyteti i Korçës. Një element tjetër që e bën të veçantë vakëfin në fjalë është si madhësia në aspektin gjeografik e ekonomik, por edhe jetëgjatësia e tij e cila ka zgjatur deri në vitin 1912.36

Dokumenti më i rëndësishëm që ne kemi në dorë lidhur me vakëfin e Mirahorit është vetë akti i themelimit të këtij institucioni (vakëfnameja) e cila mban datën e sipërshënuar dhe që është prezantuar për lexuesin shqiptar në vitin 1956 nga studiuesi Petraq Pepo me përkthim të Haki Sharofit.37 Objektet dhe pronat që Mirahori ka dhuruar duke i përfshirë në këtë akt ligjor mund të ndahen në ato që ai ka lënë vakëf në Stamboll, disa objekte në Janinë dhe të tjerat që gjenden në Korçë (Peskopje). Për efekt të studimit, ne do të paraqesim vetëm pjesën e donacionit që ka lidhje me qytetin e fundit.

Duke patur parasysh ndërtimin dhe formimin e qendrave të banuara gjatë periudhës së Mesjetës dhe të Mesjetës së Vonë, është i njohur fakti që lagjet apo qendrat e banuara krijoheshin përreth kishës ose xhamisë, pra objekteve të kultit. Këtë aspekt e vërejmë edhe në vakëfin e Mirahorit ku njëra nga objektet që ai ndërtoi ishte edhe xhamia të cilën e kishte ngritur për banorët e Peskopjes në mënyrë që ata të kryenin ritet e tyre të adhurimit.38 Sipas mbishkrimit, xhamia në fjalë është ndërtuar në vitin 1496 (901 Hixhri) dhe me kalimin e kohës ka pësuar rregullime e plotësime të tjera.39 Sipas studiuesit A. Meksit i cili ka bërë disa studime serioze në lidhje me aspektin arkitekturor të objekteve të kultit të periudhës osmane në Shqipëri, xhamia në fjalë bart vlera të veçanta të ndërtimit ku ndërthuret stili osman me mjeshtërinë shqiptare ku kjo e dyta spikat veçanërisht në pjesën e mureve. Sipas Meksit, në aspektin ndërtimor spikaste edhe minareja e xhamisë e cila është rrënuar nga tërmeti i vitit 1960 i cili kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Korçës.40

Një pjesë tjetër e rëndësishme e vakëfit të Mirahorit ishte edhe imareti që përbëhej nga një kuzhinë, depo, furrë, han dhe ndërtesat e tjera të nevojshme si për banorët ashtu edhe për udhëtarët që do të ndalonin ose kalonin nga ai vend.41 Në vakfije tërheq vëmendje interesi i tij i veçantë për mirëfunksionimin e imaretit që ai kishte lënë. Rëndësia e imaretit qëndron në faktin se vakëflënësi kishte dashur që nga ky institucion bamirësie mund të përfitonte kushdo që gjendej aty. 42 Në fondin që ai ka dhuruar për shpenzimet e këtij objekti vërehet se çdo shpenzim është i menduar hollësisht siç shihet më poshtë:

… cakton një fond prej katërmijë derhemësh çdo vjet për të blerë grurë për të gatuar e për të pjekur në imaret. Për të blerë mish e për ta bërë gjellë në Imaret cakton nga dymbëdhjetë derhem për çdo ditë. Për të blerë mjaltë, gjalp të thjeshtë, uthull e të tjera, cakton nga pesëmbëdhjetë derhem për çdo ditë. Për çirakun e bukëpjekësit cakton nga një derhem për çdo ditë. Për guzhinierin cakton nga një derhem për çdo ditë.

 

Për shehun e imaretit cakton nga katër derhem për çdo ditë dhe emëron drejtor të imaretit skllavin e tij të liruar, të qojturin Ali Abdullahun për sa të jetë gjallë.

 

Vakëflënësi i lartpërmendur ven si kusht që të mbahen katër mushka për t’i sjellë dru imaretit për guzhinë e për furrë. Vakëflënësi cakton gjithashtu edhe nga katër derhem për çdo ditë për ushqimin e tyre si tagji etj., dhe për patkoj e tjera shpenzime të mushkave; gjithashtu cakton edhe një fond për të blerë një mushkë tjetër në qoftë se ngordh ndonjëra prej tyre.43

 

Si pjesë e kompleksit që ndërtoi dhe dhuroi Mirahori është edhe shkolla e cila do të shërbente me qëllim mësimin e Kuranit dhe të dijeve të tjera. Siç mësohet edhe nga vetë dokumenti qëllimi parësor i kësaj shkolle ishte mësimi i dijeve fetare por, fakti i ndërtimit të një shkolle që në fillim të shek. XVI mbart rëndësinë e saj historike në lidhje me arsimin dhe dijen në trojet shqiptare.

Përveç objekteve në fjalë, të cilat në të njëjtën kohë janë të cituara edhe në vakfije, Nuçi Naçi në librin e tij flet edhe për një teqe të ndërtuar po nga Mirahori. Sipas Naçit, teqja synbyli44 ishte ndërtuar në pjesën veriore të xhamisë dhe me një distancë nga ajo e po sipas tij aty gjendeshin të varrosur trupat e Mirahorit, gruas së tij dhe të birit, Mehmet Beut.45 Ndërsa Kiel flet për një tyrbe të shek. XIX i cili mendohet të jetë një rikonstruksion i tyrbes të ndërtuar pas vdekjes së Mirahorit, në të cilën mendohej se gjendej varri i tij.46

Studiuesi holandez Michael Kiel në punimin e tij i referohet një guide turistike të botuar në Shqipëri në vitin 196947 ku bëhet fjalë edhe për një hamam që i atribuohet Mirahorit. Por, siç shprehet edhe vetë Kiel, hamami në fjalë rezulton i zhdukur si monument në kohën kur ai e ka vizituar Shqipërinë.48 Gjithsesi në vakfije përmendet një hamam bashkë me ujësjellësin në qytetin e Janinës dhe një banjë në Stamboll, objekte të cilat Iljas bej Mirahori i kishte dhuruar në formën e vakëfit.49

Në lidhje me administrimin e këtij vakëfi të madh që shtrihet në tre qendra të ndryshme, Mirahori në dokumentin themelues thekson se ai vetë do të ishte myteveliu. Pas vdekjes së tij, administrimi do t’i kalonte të birit dhe kështu do të vijonte “brez pas brezi e bark pas barku”.50 Siç kuptojmë edhe nga literatura dhe dokumentacioni arkivor, pasardhësit e tij kanë vijuar ta administrojnë vakëfin për sa kohë ky institucion ka vijuar të eksiztojë. Ky aspekt vërehet edhe në një aktshitje që bën pjesë në dokumentet e Kodikut të Korçës ku mytevelitë e vakëfit e theksojnë faktin se janë pasardhës të Mirahorit duke thënë:

 

…,  me  beratin  e  sulltanit  jemi  zotërues  dhe  myteveli,  me trashëgimi direkte e me kusht nga stërgjyshi ynë i ndjerë Iliaz beu.”51 Sipas vakfijes, Mirahori kishte caktuar si drejtues të imaretit personin e quajtur Ali Abdullah, i cili kishte qenë skllav i tij e që e kishte liruar.52 Ajo që tërheq vëmendjen këtu është fakti se përveç lirisë që i kishte dhënë robit të tij, Mirahori i kishte besuar edhe veprën që kishte ndërtuar duke e emëruar drejtues të imaretit. Për më shumë, në vakfije u dedikohen të ardhura nga vakëfi edhe pasardhësve të skllevërve që ai kishte liruar:

 

Vakëflënësi i lartpërmendur ve si kusht se shumat që do të teprojnë nga këta shpenzime të caktuara më sipër, do t’i shpenzojë myteveliu për shpenzimet e veta si të drejtë kujdestarije…, e kur të shuhet fare ky bark, do të shpenzohen për të përmirësuar bijtë e skllevërve të liruar të vakëflënësit në fjalë.53

 

  1. Vakëfnameja e haxhi Osman Uruçit

 

Në shek. XVIII Korça kishte filluar të marrë pamjen e një qendre të zhvilluar ekonomike e cila sillte me vete edhe mirëqenien si të shtresës së lartë ashtu edhe të pjesës tregtare të qytetit. Për këtë arsye edhe fenomenet e dhurimit në dobi të shoqërisë e shtresave në nevojë në këtë kohë bëhen më të dukshme. Një rast që e demonstron më së miri këtë element është edhe vakëfnameja e një qytetari të Korçës të quajtur Haxhi Osman Uruçi, i cili ka regjistruar një akt dhurimi në gjykatën e qytetit.

Vakfija në fjalë rezulton të jetë përpiluar nga Kadiu i Korçës dhe i takon vitit 1773 (viti 1187 Hixhri).54 Nga dokumenti në fjalë mësohet se Osmani ka caktuar si vakëf një shtëpi në pjesën kryesore të qytetit bashkë me një ndërtesë tjetër ngjitur me të. Dhuruesi një pjesë të shtëpisë e ka caktuar si shkollë, ndërsa ngjitur me të ka ngritur edhe një ndërtesë tjetër të cilën e ka dhuruar për t’u përdorur si faltore. Për shpenzimet e ndërtesave që Osmani ka dhuruar, në vakfije thekson se ka caktuar edhe një shumë prej tetëqind e gjashtëdhjetë groshësh të cilat do të përdoreshin për pagesën e mësuesit, pagesën e administratorit të vakëfit dhe mirëmbajtjen, rregullimin, pastrimin dhe ndriçimin e ambienteve që citohen në dokument. Ai i përcakton vetë edhe pagesat që do të bëhen ku mësuesit i ka ndarë një shumë vjetore prej tetëdhjetë groshësh me një pagesë tjetër vjetore prej njëzet e pesë groshësh të tjera që i paguhen edhe për rolin e prijësit që ai ka në faltore. Dhuruesi gjithshtu ka ndarë edhe një shumë prej dy akçesh në ditë, të cilat në vit përllogariten me një vlerë prej gjashtë groshësh. Po e njëjta vlerë do të paguhet edhe për administratorin (myteveliun) e vakëfit.55

Një element i rëndësishëm që spikat në këtë vakfije është edhe përpikmëria që dhuruesi tregon në mënyrë që donacioni i tij të funksionojë në mënyrën më të mirë. Kështu, në vakfijen e sipërcituar vetë dhuruesi shprehet se ka ndërtuar edhe dhoma të tjera që do të shërbejnë si ambiente ku do të banojë mësuesi, i cili do të jetë i angazhuar në atë shkollë. Ai thekson se edhe këto dhoma të reja të ndërtuara, të cilat janë të mbuluara me tjegulla, gjithashtu i ka dhuruar në kuadër të vakëfit në fjalë.56 Detyra e administratorit do të kryhej nga ai vetë dhe pas vdekjes nga pasardhësit e tij. Në dokument tërheq vëmendje edhe fakti se ai cakton një pagesë prej tre groshësh në vit për kadiun i cili do të kujdesej vullnetarisht për mbarëvajtjen e vakëfit dhe do të përpilonte dëftesat që do të jepeshin në atë vakëf.57

Përveç faktit historik që vakëfnamet na japin mbi aktin e një dhurimi apo themelimin e një vakëfi, në të njëjtën kohë ato mbartin edhe të dhëna të rëndësishme mbi emrat e familjeve të qytetit, tregjeve, rrugëve dhe ndërtesave të tij të cilat shërbejnë për të kuptuar më mirë jetën socio-ekonomike të qyteteve shqiptare gjatë kësaj përiudhe. Kështu, nga vakfija e sipërcituar e cila ishte përpiluar në Korçë në vitin 1773 mësojmë edhe për ekzistencën e një hani, pronari i së cilit sipas dokumentit duket personi i quajtur Sulejman Hyseni.58 Por, ky objekt nuk figuron në listën që jep studiuesi turk Ekrem Ayverdi në lidhje me ndërtesat e periudhës osmane në qytetin e Korçës.59

 

  1. Vakëfi i komunitetit ortodoks

 

Institucionet e vakëfeve të periudhës osmane nuk vërehen vetëm në popullatën myslimane por edhe në bashkësitë e tjera të njohura nga shteti brenda sistemit të mileteve. Vlen të theksohet fakti se ashtu si në praktikat e tjera, edhe në çështjen e vakëfeve, miletet kishin mënyra të ndryshme të organizimit të cilat ishin të mbrojtura që prej kohës së sulltan Mehmet Fatihut.60 Edhe në periudhat e mëvonshme vetë sulltanët janë marrë me mbrojtjen e vakëfeve dhe pronave të objekteve të kultit që u përkisnin mileteve, e në veçanti atij ortodoks. Kështu, mësojmë se në vitin 1491, Bajezidi II ka nxjerrë një ferman në lidhje me manastirin e Hilandarit. Por, ka edhe shumë fermane të tjera që u përkasin periudhave të mëvonshme.61 Në një vrojtim të përgjithshëm duhet thënë se në regjistrimin e vakëfeve të kishave apo manastireve hasen vështirësi sa i përket aspektit terminologjik për vetë faktin se shumë rrallë përdoret fjala “vakëf” e cila vërehet tek myslimanët. Këtu kryesisht vërejmë të jenë përdorur termat mylk, trashëgimi ose dhuratë të cilat nënkuptojnë se pasuria, prona ose malli i dhuruar është lënë vakëf në favor të kishës apo manastirit në fjalë.62 Ndërsa termin “vakëf” në kontekstin e fondacioneve të krishtera e vërejmë rrallë e kryesisht kur kanë lidhje me vakëfet myslimane, si në rastin e paraqitur në vijim.

Në një dokument të gjetur në kodikun e Mitropolisë së Korçës bëhet fjalë për një dyqan, pronë e vakëfit të Miharorit që blihet nga Vakfi i Kishës e që kthehet në pronë të kishës. Përveç anës së tij përmbajtësore, rëndësia e këtij dokumenti qëndron në faktin se ai na paraqet një anë tjetër të periudhës në fjalë, atë të marrëdhënieve institucionale midis institucioneve fetare të qytetit të Korçës. Elementi që e bën të veçantë dokumentin në fjalë është edhe data e përpilimit të këtij akti shitjeje që përkon me vitin 1831 (viti 1247 Hixhri), kohë kur vetë shteti osman ishte në fazën e kryerjes së reformave të shumta si në aspektin administrativ, ashtu edhe në atë ekonomik e shoqëror.

Sipas kësaj akt-shitjeje, bëhet fjalë për një dyqan i cili ishte pronë e vakëfit të Peskopisë që administrohej nga pasardhësit e Iljaz Bej Mirahorit.63 Objekti shfrytëzohej nga personi me emër Cico e që ishte banor i varoshit të Korçës. Pas kërkesës për blerje nga vakfi i kishës dhe me aprovimin e shfrytëzuesit të dyqanit, objekti i sipërcituar i është shitur për vlerën e njëqind groshëve përfaqësuesve të Vakfit të Kishës, Mitit dhe Nikollës.64

Pavarësisht se vakëfet e krishtera të periudhës osmane në trojet shqiptare ende nuk janë studiuar, shembujt që paraqesin studiuesit grekë dhe serbë na lënë të kuptojmë se manastiret dhe kishat e krishtera zotëronin në formën e vakëfeve pasuri të ndryshme që i përdornin në favor të këtyre institucioneve.65 Këto pasuri mund të ishin të blera si në rastin e mësipërm, të trashëguara në kohë ose të dhuruara nga ana e besimtarëve. Për shembull, në Kodikun e Korçës kemi shumë raste kur besimtarë të thjeshtë por edhe rufetet kontribuonin me para ose sende dhe dhuronin prona në formë trashëgimie për kishat ose manastiret. Madje, duhet theksuar se një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve që bëjnë pjesë në këtë korpus janë “dhurata shpirtërore” në favor të mitropolisë në fjalë e cila vërejmë që një pjesë të mirë të tyre e ka përdorur në dobi të komunitetit e ku spikat edhe ndërtimi i shkollave.66

 

Përfundim

 

Si përfundim, mund të thuhet se themelimi dhe zhvillimi i qytetit të Korçës mund të konsiderohet si një shembull i pastër se si institucioni i vakëfit ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në aspektin demografik, ekonomik e shoqëror gjatë periudhës osmane. Duke e lënë të hapur diskutimin nëse vakëfi i Mirahorit si guri themeltar i ndërtimit të Korçës ishte një akt i mirëfilltë bamirësie apo një metodë kolonizimi siç u parashtrua edhe në artikull, fakti është që ky vakëf ka dominuar jetën ekonomike, shoqërore, politiko-administrative e kulturore nga themelimi deri në dekadën e parë të shek. XX.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm që del në pah gjatë trajtimit të vakëfeve të Korçës ka lidhje edhe me vakëfet e krishtera. Nisur nga fakti se popullsia ortodokse përbënte pjesën më të madhe të popullatës dhe të krahut ekonomik të qytetit, dokumentacioni i Mitropolisë dhe vakëfi i kishës na rezulton si një institucion i rëndësishëm me kontribut të veçantë si në aspektin infrastrukturor të qytetit në tërësi, ashtu edhe në mirëfunksionimin dhe përmirësimin e gjendjes së komunitetit ortodoks në veçanti.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

S u m m a r y

 

DATA ON SOME MAIN WAQFS OF THE TOWN OF KORÇA DURING OTTOMAN PERIOD

(16TH -19TH CENT.)

 

The establishment and development of the town of Korça emerges as a clear example of how the institution of waqf influenced directly on the demographic, economic and social aspect during the Ottoman period. Leaving the discussion open whether the waqf of Mirahor as the foundation stone of Korça’s construction was a real charity act or a colonization method, as it is put forth even in the article, the fact is that this waqf has prevailed the economic, social, administrative-political and cultural life from its establishment till the first decade of the 20th century.

Another important aspect that stands out while working on Korça waqfs has to do with the Christian ones. Considering the fact that the Orthodox population accounted for the greatest part of the population as well as for the economic wing of the town the Metropolis’ documents and the waqf of the church result to be an important institution of special contribution to the infrastructural aspect of the town in general as well as to the well-functioning and improvement of the situation of the Orthodox community and to the philanthropic aspect of this fellowship.

——————————————————————–

  1. Janë bërë shumë kategorizime mbi vakëfet, por nga ana përmbajtësore mund të thuhet se ato ndahen në tre pjesë: Hayri, Zurri dhe Avariz. Shih: R. Peters, “Wakf”, The Encyclopaedia of Islam: New Edition, V. XI, Ed. P. J. Berman, Th. Bianquis, C. E. Bosworth, E. Van Donzel, W. P. Heinrichs, Brill: Leiden, 2002, f. 89; Ziya Kazıcı, Osmanlı Vakıf Medeniyeti, stanbul: Bilge Yayıncılık, 2003, f. 133-137.
  2. Në lidhje me vakëfet e pronave tokësore shih: Selami Pulaha, Pronësia feudale në tokat shqiptare (shek. XV-XVI), Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: 1988, f. 181.
  3. Në lidhje me kontributin e Mirahorit për Korçën, Naum Dhimitër Naçi në vitin 1901 shkruante: “Të madhuarit e Korçës u nis që me ditë të Koxha Mirahorit i cili erdhi dhe e bëri atë qendër qeverije… Në të madhuarit e në të zbukuruarit e Korçës ndihmuan shumë të gjithë korçarët me tregëtit e begatit e tyre; po midis gjith këtyre emri i koxha Mirahorit gjithnjë në shekujt e paskëtajmë është për tu përmendur, se ai quhet që vu të parët gurë të themelit të madhërisë së saj; andaj që të parat në histori të Korçës duhet t’i ketë emri i Koxha Mir’ahorit.” Naum Dhimitër Naçi, Korça dhe fshatrat përqark, Sofje: Mbrothësia, 1901, f. 31. Gjithashtu shih: Aldo Gallotta, “Ilyas Beg, I Mütevelli e le Origini di Corizza (Korçë/Görice)”, The Via Egnatia under Ottoman Rule 1380-1914, Crete University Press, Rethymnon: 1996, f. 113.
  4. Në veprën e tij Kamus’ul Alam, Sami Frashëri veç të tjerash thekson se është stërnip nga nëna i Mirahor Iljas Beut dhe jep të dhëna mbi jetën e stërgjyshit të vet. Për më shumë shih: Sami Frashëri, Vepra nr. 2 (Personalitetet shqiptare në Kamus Al-Alam), përkthyer nga Mehdi Polisi, Shkup: LogosA, 2004, f. 149-150.
  5. Arkivi i Institutit të Historisë (më tej: AIH), A-III-290, “Materiale nga Arkivat Turke për Zonën e Korçës”, përkthyer nga Mykerem Janina, fl. 76.
  6. Sipas fermanit të lëshuar nga Sulltan Bajezidi, me pretekstin e vjeljes së vështirë të taksave Iljaz bej Mirahori i kërkon sulltanit që në vend të fshatrave Panarit e Trebickë, që ky ia kishte dhuruar më herët, t’i jepte fshatin Peskopje afër Korçës. Fermani në fjalë urdhëron dhënien me timar të dy fshatrave dhe në këmbim të tyre dhurimin e Peskopjes, Mirahorit. Shih: po aty, fl. 73; Akti i dhurimit pasohet nga një dekret tjetër i lëshuar po në lidhje me këtë çështje ku urdhërohet përcaktimi i kufijve të fshatit Peskopje që i është dhuruar Iljaz Bej Mirahorit. Dekreti në fjalë urdhëron kadijtë e Korçës dhe Bilishtit të përcaktojnë dhe regjistrojnë kufijtë e fshatit në fjalë. Për më shumë shih: po aty, fl. 81-84; Mbi tekstin origjinal të dekreteve në fjalë dhe përkthimin e tyre në gjuhën shqipe gjithashtu shih: Petraq Pepo, “Katër dekrete (Fermane) të sulltan Bajazitit II për Mirahor Iljaz Beun”, në Studime historike, nr. 3, Tiranë: 1967, f. 217-242.
  7. Historia e Popullit Shqiptar, vëll. I (Ilirët, Mesjeta, Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI – vitet 20 të shek. XIX) Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: Toena, 2002, f. 522; Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë: Berati i sulltan Bajazitit II dhe vakëfnameja e Mirahor Iljaz Beut”, në Buletin për Shkencat Shoqërore, nr. 3, botim i Institutit të Shkencave, Tiranë: 1956, f. 273; Materiale dokumentare për Shqipërinë Juglindore të shekullit XVIII-fillimi i shekullit XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit), vëll. I, përgatitur nga Petraq Pepo, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: 1981, f. 5; N. D. Naçi, Korça dhe fshatrat përqark …, f. 29.
  8. Michael Kiel, Arkitektura osmane në Shqipëri, 1385-1912, përkthyer nga Klodiana Smajlaj, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Tiranë: 2012, f. 208.
  9. Në lidhje me diskutimet mbi kështjellën në fjalë, popullsinë e saj dhe të dhëna të tjera sa i përket aspektit ekonomik e administrativ shih: M. Kiel, Arkitektura osmane në Shqipëri …, f. 208; Gjithashtu shih: Aleksandër Meksi, Xhamitë e Shqipërisë: Historia, arkitektura, shek. XV-XIX, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Tiranë: 2015, f. 41.
  10. Ligji Osman ndër shqiptarët e Mesjetës së Vonë, përgatitur dhe përkthyer nga Dritan Egro, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Tiranë: Kristalina-KH, 2012, f. 194-195; Në lidhje me timarin e kalasë së Korçës gjatë shek. XV shih: AIH, A-III-323, “Defteri i Përmetit dhe i Korçës”, përkthyer nga Vexhi Buharaja, fl. 65-66.
  11. Yusuf Halaçoğlu, “Kolonizasyon ve ẞenlendirme”, Osmanlı, vëll. 4, ed. Güler Eren, Yeni Türkiye Yayınları, Ankara: 1999, f. 583.
  12. Zija Shkodra, Esnafet shqiptare (shek. XV-XX), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: 1973, f. 294; Gjithashtu shih: M. Kiel, Arkitektura osmane në Shqipëri …, f. 209.
  13. Shkodra, Esnafet shqiptare…, f. 294.
  14. Për më shumë të dhëna mbi popullsinë e Voskopojës dhe shifrat që autorë të ndryshëm japin mbi demografinë e këtij qyteti gjatë shek. XVIII shih: Pëllumb Xhufi, Shekulli i Voskopojës (1669-1769), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë: Toena, 2010, f. 53-56.
  15. Pas shkatërrimit të qytetit, banorët e Voskopojës do të shpërngulen në shumë qytete të ndryshme midis të cilëve spikat ai i Korçës. Për më shumë shih: Zija Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: 1984, f. 29; Z. Shkodra, Esnafet shqiptare…, f. 337.
  16. Në dokumentin nr. 166 të Kodikut të Korçës jepen të dhëna mbi aspektin demografik të Korçës ku flitet për njëmijë e pesëqind shtëpi nga të cilat 1200 janë të krishtera, më shumë se 800 myslimane dhe disa shtëpi evgjitësh. Në dokumentin e përpiluar në vitin 1879 popullsia e qytetit jepet me 1 300 shtëpi nga të cilët 10 000 të krishtera e 3 000 myslimane. Shih: Materiale dokumentare për Shqipërinë Juglindore të shekullit XVIII-fillimi i shekullit XX (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit), vëll. II, përgatitur nga Petraq Pepo, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1981, f. 57; Z. Shkodra, Esnafet shqiptare…, f. 295.
  17. Meksi, Xhamitë e Shqipërisë…, f. 41.
  18. Historia e Popullit shqiptar…, vëll. I, f. 590; Kiel shprehet se në fund të shek. XIX vetëm 1/3 e popullsisë së qytetit i përkiste besimit islam. Shih: M. Kiel, Arkitektura osmane në Shqipëri…, f. 210.
  19. Varoshi i Sipërm kishte lagjet Mano, Barç, Jeni-Mahallë, Qiro, Penço, Manço, Manto dhe Kala. Ndërsa Varoshi i Poshtëm kishte vetëm lagjen e Katavaroshit, ose njohur ndryshe edhe si “Lagja e Shën Mësisë”, emër i marrë nga kisha e pozicionuar aty. Shih: Kodiku i Korçës…, vëll. II, f. 154.
  20. Andi Rëmbeci, “Kodiku i Mitropolisë së Korçës dhe Selasforit (shek. XVII-XIX): të dhëna për kulturën në zonën e Korçës”, në Monumentet, botim i Institutit të Monumenteve të Kulturës, nr. 52, Tiranë: 2014, f. 97; Petraq Pepo, “Kontribut mbi historinë e tregut të Korçës e të Voskopojës, gjatë sundimit otoman”, në Korça e Re, nr. 5, Korçë: 1964, f. 165
  21. Kodiku i Korçës…, vëll. I, f. 6; N. D. Naçi, Korça dhe fshatrat përqark …, f. 32.
  22. Kodiku i Korçës…, vëll. I, f. 7.
  23. Po aty, f. 20-21.
  24. Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëll. III, përgatur nga Injac Zamputi, Stavri Naçi, Zija Shkodra, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë: 1962, f. 246.
  25. Fjala “rufet” e cila nënkupton zanatin ose mjeshtërinë më së shumti është përdorur nga zejtarët e krishterë. Këtë emërtim më së shumti e hasim në Korçë, Vlorë, Gjirokastër e me raste edhe në Elbasan. Shih: Z. Shkodra, Esnafet shqiptare …, f. 86-87.
  26. Kodiku i Korçës…, vëll. I, f. 187-188; Z. Shkodra, Esnafet shqiptare…, f. 84.
  27. Për shembull, zanati i saraçëve është ushtruar nga myslimanët. Gjithashtu kemi edhe disa tregtarë që tregtonin sheqer dhe nënprodukte të tij e që kalojnë si “sheqerxhinj” të cilët sipas P. Pepos ishin pjesë e esnafit të bakejve. Shih: P. Pepo, “Kontribut mbi historinë e tregut të Korçës e të Voskopojës …”, f. 174.
  28. Shkodra, Esnafet shqiptare …, f. 84.
  29. Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare …, f. 193.
  30. Valter Shtylla, Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri, Tiranë: Toena, 1997, f. 95.
  31. Shih: Kodiku i Korçës…, vëll. I, f. 95-96; P. Pepo, “Kontribut mbi historinë e tregut të Korçës e të Voskopojës …”, f. 177.
  32. Kodiku i Korçës…, vëll. II, f. 91; Për të dhëna më të detajuara në lidhje me emrat e çezmave të qytetit dhe vendndodhjen e tyre gjithashtu shih: N. D. Naçi, Korça dhe fshatrat përqark …, f. 23-24.
  33. Kodiku i Korçës…, vëll. II, f. 83; Shih edhe: N. D. Naçi, Korça dhe fshatrat përqark…, f. 22.
  34. Vakëfnameja e plotë e Mirahor Iljas Beut për herë të parë është paraqitur nga studiuesi Petraq Pepo në Buletinin e Shkencave Shoqërore, artikull të cilin e kemi përdorur edhe këtu. Për shkak të rëndësisë që mbart në kontekstin e vakëfeve, dokumenti gjithashtu është shtuar edhe në korpuset e dokumenteve të rëndësishme të periudhës osmane. Shih: Burime të zgjedhura…, f. 80-90; N. D. Naçi, Korça dhe fshatrat përqark …, f. 29.
  35. Në një Ferman të Mahmutit II shkruar në vitin 1839 (1256 Hixhri), në lidhje me fshatin Boboshticë shkruhet: “… rajet e çiflikut të fshatit Boboshticë të mvarur nga kazaja e Korçës, kanë deklaruar se me gjithë që fshati në fjalë është nga fshatrat vakëf të ish-kryemirahorit Iljas beut, vakëfe këto nën mbikqyrjen e trashëgimtarëve të tij.” Shih: AIH, A-III-290, “Materiale nga Arkivat Turke për Zonën e Korçës …”, fl. 78; S. Frashëri, Vepra II…, f. 149; M. Kiel, Arkitektura Osmane…, f. 208; po ashtu shih: Historia e Popullit shqiptar…, vëll. I, f. 523; P. Xhufi, Shekulli i Voskopojës…, f. 60; S. Pulaha, Pronësia feudale…, f. 180; Ndërsa studiuesi P. Pepo, i cili i referohet bizantinologut H. Gelzer, që kishte mësuar vetë nga goja e Nikola Zografit, me detyrë sekretar në mitropolinë e Korçës, të shprehej se populli i Korçës deri vonë i quante si Vakëfe fshatrat Stratobërdhë, Katund, Treskë, Trebickë, Panarit dhe Grabockë. Shih: Kodiku i Korçës…, vëll. II, f. 139.
  36. Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë do të ketë vendime të marra nga organet qeverisëse në lidhje me vakëfin në fjalë. Shih: P. Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 277-278.
  37. Po aty, f. 289; A. Gallotta, “Ilyas Beg, I Mütevelli e le Origini di Corizza …”, f. 115-116.
  38. Në lidhje me ndërtimin e xhamisë së Iljas Bej Mirahorit, planimetrinë e objektit, karakteristikat dhe vlerat e saj arkitekturore ka shkruar në mënyrë të detajuar studiuesi Aleksandër Meksi. Për më shumë shih: A. Meksi, Xhamitë e Shqipërisë…, f. 41-49; Gjithashtu shih: M. Kiel, Arkitektura osmane…, f. 211.
  39. Sipas mbishkrimit në fjalë në vitin 1572 Mehmet Beu e kishte veshur me plumb (kupolën), Dervish Islam Beu kishte bërë meremetimin e parë në vitin 1833 dhe Sali Beu të dytin në 1868. Shih: M. Kiel, Arkitektura Osmane…, f. 211-212; A. Meksi, Xhamitë e Shqipërisë…, f. 41-42.
  40. Meksi, Xhamitë e Shqipërisë…, f. 46-48.
  41. Ndërsa Sami Frashëri në lidhje me objektet e ndërtuara nga Iljas Bej Mirahori shprehet në këtë mënyrë: “Kur u kthye në atdhe, e bleu dhe menjëherë e prishi një manastir të bukur, i cili gjendej brenda çifligut të tij dhe në vend të tij ndërtoi një xhami, një imaret-han, një medrese dhe disa ndërtesa të tjera. Kështu, hodhi themelet e qytetit të Korçës.” Shih: S. Frashëri, Vepra II…, f. 149; A. Gallotta, “Ilyas Beg, I Mütevelli e le Origini di Corizza…”, f. 121; P. Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë…”, f. 289; N. D. Naçi, Korça dhe fshatrat përqark …, f. 31.
  42. Imareti ishe i ndërtuar veçanërisht për disa shtresa ku kryesisht bënin pjesë të varfërit, për udhëtarët por edhe nxënësit që frekuentonin shkollën. Si një institucion bamirësie, këtu ushqimet jepeshin pa ndonjë pagesë. Vetë në vakfije shkruhet se: “Vakëflënësi i lartpërmendur ve si kusht që në këtë imaret të gatuhet e të furnizohet çdo ditë dy herë ushqim, në drekë e në darkë. Do të gatuhet çorbë gruri dhe orizi etj. dhe do të hajë kushdo që të jetë i pranishëm në kohë të bukës, i vobegët, pasanik, i varfër, i huaj, udhëtar e banues, fëmijtë e studentëve, e të tjerë, kushdo qoftë, çkado që të hanë e kanë hallall e u bëftë mirë”. P. Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë…”, f. 285.
  43. Po aty, f. 285-286.
  44. Grupi ose dega synbyli (sümbüli) është pjesë e tarikatit Halveti.
  45. D. Naçi, Korça dhe fshatrat përqark …, f. 17.
  46. Kiel, Arkitektura osmane…, f. 213-214.
  47. Tourist Guide Book of Albania, Tirana: The “Naim Frashëri” Publishing House, 1969, 95; M. Kiel, Arkitektura osmane…, f. 213; P. Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë…”, f. 279.
  48. Kiel, Arkitektura Osmane…, f. 213; Edhe në dokumentet e Kodikut të Korçës flitet për një hamam por nuk cilësohet se është i ndërtuar nga Mirahori. Objekti në fjalë kalon në dokumentin nr. 93 të Kodikut i cili është një akt i formuluar në lidhje me shpenzimet që bëhen ndër fejesa dhe dasma. Përgatitësi për botim i Kodikut, P. Pepo, në shpjegimin që i bën dokumentit thekson se ky hamam ishte ndërtuar nga Mirahori. Shih: Kodiku i Korçës…, vëll. II, f. 142.
  49. Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë…”, f. 282-283; Edhe studiuesit turq Barkan dhe Ayverdi në botimin e tyre mbi regjistrin e vakëfeve të Stambollit të vitit 1546 japin të njëjtin informacion, pra që hamami i ndërtuar nga Mirahori është në Janinë. Për më shumë shih: stanbul Vakıfları Tahrir Defteri, 953 (1546) Tarihli, Neẟr. Ömer Lütfi Barkan, Ekrem Hakkı Ayverdi, Baha Matbaası, Istanbul: 1970, f. 375.
  50. Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë…”, f. 286-287; A. Gallotta, “Ilyas Beg, I Mütevelli e le Origini di Corizza…”, f. 121.
  51. Kodiku i Korçës…, v. I, f. 112.
  52. Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë…”, f. 285.
  53. Po aty, f. 286.
  54. AIH, A-III-290, “Materiale nga Arkivat Turke për Zonën e Korçës …”, fl. 69.
  55. Po aty, fl. 70.
  56. Po aty.
  57. Kadiut të kohës i kam caktuar nga një akçe në ditë, domethënë shumën prej tre groshë në vjet, me kusht që ky të kujdesohet vullnetarisht në emër të Zotit…., të shqyrtojë punën dhe llogaritë e myteveliut dhe t’i plotësojë atij përpilimin dhe përtëritjen e dëftesave si dhe të çdo veprimi. Si mytevelli i parë do të jem vetë sa të jem gjallë. Mbas vdekjes sime do të jenë bijt e mi meshkuj; dhe në qoftë se shuhet barku im, të bëhet myteveli një njeri besimtar dhe i drejtë nga banorët e lagjes në fjalë.” Po aty, fl. 69-70.
  58. Po aty, fl. 69.
  59. Për listën e objekteve të periudhës osmane të evidentuar në qytetin e korçës dhe fshatrave përreth shih: Ekrem Hakkı Ayverdi, Avrupa’da Osmanlı Mimari Eserleri: Bulgaristan, Yunanistan, Arnavutluk, vëll. IV, stanbul Fetih Cemiyeti Yayını, stanbul: 2000, f. 436.
  60. Nuri Adıyeke, “Islahat Fermanı öncesinde Osmanlı mparatorluğu’nda Millet Sistemi ve gayrimüslimlerin yaẟantılarına dair”, Osmanlı, C. 4, ed. Gülen Eren, Ankara: 1999, f. 259; Olga Zirojeviç, “Osmanlı dönemi Hıristiyan vakıfları”, Osmanlı Devleti’nde Din ve Vicdan Hürriyeti, Ensar Neẟriyat, stanbul: 2000, f. 207.
  61. Zirojeviç, “Osmanlı dönemi Hıristiyan …”, f. 209-211.
  62. Po aty, f. 211-212.
  63. AIH, A-III-290, “Materiale nga Arkivat Turke për Zonën e Korçës …”, fl. 67; Kodiku i Korçës…, v. I, f. 112.
  64. Kodiku i Korçës…, v. I, f. 112-113.
  65. Për më shumë detaje mbi këtë çështje shih: O. Zirojeviç, “Osmanlı dönemi Hıristiyan…”, f. 209-210; N. Adıyeke, “Islahat Fermanı öncesinde …”, f. 260.
  66. Rëmbeci, “Kodiku i Mitropolisë së Korçës dhe Selasforit…”, f. 100.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.