TË JESH A TË MOS JESH (THJESHT) FEMINIST/E

nga Klaudia Koxha

Të qenit feminist/e nënkupton minimalisht ndërgjegjësimin mbi pabarazinë që ekziston mes burrave dhe grave, sa i përket mundësive për t’u shkolluar, edukuar apo punuar në një sërë profesionesh dhe të trajtuarit e grave me të njëjtin integritet dhe dinjitet sikurse dhe burrat.

Ky ndërgjegjësim nuk mund te arrihet thjesht dhe vetëm duke identifikuar rastet e përditshme të favorizimit të gjinisë mashkullore. Edhe një grua e pashkolluar diku “majë katundit” e kupton kaq gjë, sado që disa feministe këtejpari e thumbojnë herë pas herë këtë prototip gruaje që e ka të pamundur të ngrejë krye, e cila kontribuon në forcimin e mendësisë patriarkale me veprimet apo mosveprimet e saj. Kjo grua e prapambetur, siç dëgjojmë, mund fare mirë të shkatërrojë jetën e fëmijëve të saj, sidomos të vajzave. E tanimë, vajza e cila është sidoqoftë më e shkolluar se e ëma dhe më e dalë në botë, arrin të kuptojë dhe të urrejë rendin në të cilin është rritur. Në pamundësi për t’i shpjeguar nënës së saj shtypjen e burrave ndaj grave ajo nis ta urrejë dhe ta përbuzë. Ky është rasti tipik i njeriut syhapur e mendjembyllur.

Rrallëherë në përpjekjet dhe dështimet tona për t’iu qasur dikujt që është ndryshe nga ne, përpiqemi ta gjejmë qoftë edhe një grimë të fajit te vetja. Nisur nga kjo premisë do të mund të kuptonim më mirë pse vallë nuk po arrijnë të ndërtojmë ura komunikimi e të avancojmë kauzën që tanimë pretendojmë se e mbrojmë? E kështu nga individi, pra vetja e pamundësuar për t’iu qasur shtresave të gjera shoqërore, nisim të kuptojmë ngërçet strukturore që na kanë prerë rrugën.

“Emancipo individin dhe ke emancipuar shoqërinë”, kam lexuar diku. Sot më shumë se kurrë, kur shoh këta individët “e emancipuar”, të vetëkënaqur me arritjet e tyre individuale dhe të tejmbushur me ndjenjën e superioritetit, kuptoj se emancipimi nuk mund të jetë një proces thjesht individual. Një individ, sado i arsimuar e profesionist të jetë nuk përbën potencial emancipues më shumë se sa një majmun, për sa kohë që nuk i dedikohet një pjesë të ditës, kohës, përpjekjeve të tij për t’u organizuar bashkërisht me të tjerë. E me këtë nuk nënkuptoj vetëm organizimin mbi kauzën e feminizmit. Organizimi mund të konsistojë për të drejta nga më të ndryshme, si e drejta për t’u arsimuar, të drejtat në punë, e drejta për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm etj.

Si pjesë e brezit të viteve ’90 di të them që feminizmi ka qenë për shumë kohë jo vetëm një fjalë e pahasur gjëkundi por edhe një kauzë e padukshme. Trajtesat e vetme publike i gjeja në ndonjë emision televiziv, ku pas ndonjë ngjarjeje të rëndë me viktimë një grua diku në ndonjë cep të Shqipërisë, disa gra të pispillosura flisnin të indinjuara për kafshërinë e burrave shqiptarë.

Më vonë, gjatë leximeve të shumta u njoha më mirë me feminizmin. Kuptova që padituria ime do të kishte qenë thuajse e pamundur nëse do të kisha jetuar në vitet ’60, vite të zjarrta aktivizmi social. A e pyesni ndonjëherë veten ju moshatarët e mi, pse feminizmi ka qenë kaq i huaj për ne për kaq shumë vite? Çka kam arritur të kuptoj është se mbas viteve ’90, me valën e furishme të reformave neoliberale, aktivizmi social u minua së tepërmi. Feminizmi, ndër të tjerash, u kthye në një shfryrje të vazhdueshme dufi të eksperiencave personale me gjininë mashkullore. Nëse vitet ’60 kanë qenë vite të arta të kauzës feministe, kjo ka ndodhur sepse feminizmi ishte integruar me një sërë kauzash të tjera sociale. Ndërsa sot, prej shumë vitesh po trajtohet si një kauzë e izoluar e në terma kryekëput individualistë. Bie fjala, një feministe sot thotë “Trupi im, zgjedhja ime!” por një aktivist social do të thoshte “Aborti është kujdes shëndetësor, kujdesi shëndetësor është një e drejtë”. Në këtë mënyrë e drejta e abortit shpaloset si pjesë e së drejtës universale për kujdes shëndetësor e kësisoj kauza për të cilën lufton është më gjithëpërfshirëse e për rrjedhojë më e fuqishme.

Një rast tjetër me rëndësi kritike për shoqërinë është arsimi. Një feminist e kupton se mungesa e edukimit favorizon si shtypjen e grave prej burrave, po ashtu edhe shtypjen e burrave dhe grave të pafuqishme prej burrave dhe grave të fuqishme, trajtuar kjo në terma ekonomikë dhe socialë.

Është shumë e lehtë ta marrësh si të mirëqenë arsimin si shpërblim ndaj të paktëve të përkushtuar, kur pozitat paraprake të avantazhojnë kundrejt pjesës tjetër të klasës (të jetuarit në një familje pa strese ekonomike, përgjithësisht më pak të prirur ndaj dhunës, kur ke mundësi të ndjekësh kurse private apo të frekuentosh shkolla private, etj). Megjithatë nuk është gjithaq e lehtë të kuptosh se prej pozitës avantazhuese ke një përgjegjësi morale kundrejt shoqërisë, aq më tepër kur arsimi kthehet në një investim, në një marrëdhënie që për të marrë do të duhet të japësh në terma monetarë.

Arsimi publik si koncept është një investim i krejt shoqërisë duke të nxitur kësisoj një sens përgjegjësie kundrejt njerëzve që kanë kontribuar në shkollimin tënd. Lipset mendimi yt kritik, pena dhe zëri yt në çështje me interes publik.

Të qenit feminist/e sidomos në Shqipëri është shpesh, si shumëçka tjetër një privilegj të cilin mund dhe duhet ta kthejmë në detyrë morale kundrejt të pazëshmëve të shoqërisë sonë, grave të paarsimuara e të ngujuara në punët e shtëpisë, shoqeve dhe pse jo shokëve të pamundur për të përballuar studimet, vajzave dhe grave të tejshfrytëzuara në fasoneri e të përpiqemi të mos i harrojmë sa herë na jepet mundësia të artikulojmë e të përfaqësohemi si feministe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *