Të jetosh me Omerin!

Dr. Mustafa BAJRAMI

 

TË JETOSH ME OMERIN!

Mustafa Bajrami

Mustafa Bajrami

Omer el-Faruk, është njëri ndër fytyrat më markante në histori. Impozant nga të gjitha anët; burrështetas i rrallë, lider karizmatik, politikan i rryer, i pasur në shpirt por skajshmërisht i varfër në jetë, vizionar i tarzit të lartë, besimtar i devotshëm, trim në luftë ndërsa në paqe i urtë, i afërt me fëmijë, ligjërues brilant, projektuesi i “Medresetu’l-Re’j” në Kufe dhe themeluesi i katër qyteteve kryesore të shtetit islam. Ishte rebel i llojit të vet dhe kundërshtar i ashpër i secilit që mbronte të kaluarën në dëm të së ardhmes. Është mëkat të flitet për Islamin pa njohur jetën dhe veprën e Omerit. Përgjatë punës studimore me vite rreth  jetës së tij, ky gjigant tek mua dhe tek vizioni im mbi islamin ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Omeri ishte dhe mbetet kryefjala e mendimit islam. Pas profetit a.s. është personi të cilit i detyrohet i gjithë islami si fe, si shoqëri dhe si shtet. Fatkeqësisht, dikush e radhiti në vendin e 55 ndër figurat më me ndikim në historinë e njerëzimit (Michael Hart). Nëse nuk llogaritim në profetët, Omeri duhej të ishte i pari.

*******

Veprimtaria e Omerit është e freskët deri në ditët tona, do të jetë përgjithmonë. Një çoban delesh dikur i humbur nëpër thepat e shkretëtirës arabe arriti të bëhet “Emiru’l-mu’minin”-i i parë dhe i pari lider që kapërceu logjikën spekulative të përzierjes së fesë në punët e shtetit. Qysh herët pati guximin të jep rekomandimet për themelimin e “Medresetu’l-Re’j”-it, shkolla e parë racionaliste në islam. Ndodhi kjo një mijë vjet para racionalizmit të Dekartit në Evropë. Në atë shkollë u frymëzua Ebu Hanife dhe aty fillon sendërtimi i medhhebit hanefi. Omeri pati guximin gjithashtu të rekomandoj analogjinë (kijas) në jurispondencën islame. Është i pari që u mor me fikhun e minoriteteve.

Në vitin 1939, Shibli Numan, një dijetar me nam nga Pakistani shkroi librin e tij të njohur “El-Faruk”. Konsiderohet njëra ndër përmbledhjet më komplete mbi jetën e Omerit,  që në gjuhën arabe u përkthye në vitin 1940, ndërsa në gjuhët angleze dhe turke në vitin 1947.  Duhet të lexohet ky libër, sidomos nga elitat politike dhe njerëzit e fesë. Në këtë vepër autori tërheq paralele midis Aristotelit dhe Alekstandrit të Madh nga njëra anë e nga ana tjetër Omerit, dhe thotë: Përderisa Aristoteli ishte gjeniu i të gjitha kohërave, por pa fuqi pushteti, Aleksandri ishte pushtetari më i madh por pa dijen Aristotelit. Omeri, vazhdon Shibli Numan, ishte pushtetar si Aleksandri dhe dijetar si Aristoteli, në të njëjtën kohë. Bazuar në këtë krahasim, shton autori, pushtimet e Omerit për gjatë kohës sa ishte gjallë kapin tërë territorin e tanishëm të botës islame, ndërsa vizioni i tij për dijen dhe shkencën maten me interpretimet e panumërta që i janë bërë veprave pro dhe kundër Aristotelit, deri në ditët tona.

Omeri ishte arkitekti i fikhut reformator ku pranonte fetva dhe vendime që nuk ishin më parë në kohën e Muhamendit a.s. Për te mjaftonte të vërtetohej se një diçka e re është në të mirën e shoqërisë kur jetoi dhe të atyre që do vijnë pas. U mor me fikhun e minoriteteve dhe vuri bazat e fikhut të krahasimit dhe fikhut të vakfit. Kishte vizion të paarritshëm për kohën e vet në gjeografi dhe gjeopolitikë.  Duke ditur se Irani dhe India kishin dalje në det ku brigjet e tyre puqeshin me ujin e detit që prekte brigjet e vendit të tij, nga kujdesi për ndonjë përplasje eventuale, Omeri ndërtoi Kalanë e Portit, që më vonë me urdhër të tij aty themelohet qyteti i Basrës. Mbikëqyrës në ndërtimin e këtij qyteti cakton Utbe bin Gazvanin. Edhe sot e kësaj dite Basra është njëri ndër qytetet më strategjike për SHBA-të dhe Britaninë e Madhe në Gjirin Persik.

Në Egjipt, përgjatë lumit Nil themeloi qytetin e Fustatit ku më vonë do të quhet Kajro. Për mbikëqyrës në ndërtimin e Kajros angazhoi Amr Ibn Asin. Pas Kajros, përgjatë rrugës së mëndafshit kah kalonin karvanet tregtare që lidhinin Lindjen dhe Perëndimin, mbi kalatë e shkatërruara që moti, ndërtoi qytetin e Musolit. Më pas, në mes të këtij trekëndëshi gjeografik, ndërtoi qytetin e Kufes të cilin qytet do ta shndërron në qendër kulturore të shtetit. Tani e tutje, Medineja do të mbetet qendra politike dhe administrative ndërsa Kufeja qendra tregtare dhe kulturore e shtetit islam. Omeri, është i pari lider islam që ndau tregtinë dhe punët e fesë nga shteti. Shteti, thoshte ai, duhet të merret me përgatitjen e terrenit për tregti të pastër dhe fe të shpjegueshme mirë.

Sipas burimeve bibliografike të konsultuara përgjatë leximit të jetës dhe veprës së Omerit del se numri i reformave, risive, ndryshimeve dhe plotësimeve që i bënë ky vizionar, janë mbi 45 sosh. Më poshtë do ti gjeni të radhitura një nga një, ndërsa brenda kllapave do të gjeni emërtimet origjinale të bëra në kohën e tij:

1.  Themelimi i Departamentit të Financave (Bejtul’-mal);

2.  Themelimi i gjykatave dhe emërimi i gjyqtarëve (Te’sis Mahkemetu’l-Adli dhe Ta’jinu’l-Hukam);

3.  Krijimi i kalendarit islam hixhri, përdoret edhe sot e kësaj dite (Takvimu’l-Hixhri);

4.  Marrja e titullit Udhëheqës i Besimtarëve “Emiru’-ul Mu’minin”;

5.  Krijimi i Departamentit të Luftës – Ministria e Mbrojtjes (Dairetu’l-Harb);

6.  Krijimi i kadastrës (Dairetu’l-Varidat el-Aradi);

7.  Përcaktimi i pagave për ushtarë dhe oficerë (Meashu’l-Asakir ve’l-Dhubbat);

8.  Krijimi i Departamentit Shtetëror të Gjeodezisë (Dairetu’l-Takdir ve’l-Keshfu’l-Aradi);

9.  Regjistrimi i popullsisë;

10.  Hapja e kanaleve për furnizim me ujë të gjitha qytetet e shtetit islam;

11.  Krijimi i qyteteve si Kufe, Barsa, Xhizre, Kajro dhe Mosul;

12.  Ndarja e tokave të pushtuara në vilajete;

13.  Vënia e taksave doganore;

14.  Vënia e taksave nga përfitimi prej pasurisë detare dhe krijimi i Departamentit të Detarisë (Dairetu’l-Bahri ve’l-Mahsulat el-Bahrije);

15.  Lejimi i tregtisë me të huajt;

16.  Ndërtimi i institucioneve të burgjeve (Dairetu’l-Habsi);

17.  Përdorimi i kamxhikut;

18.  Patrullat dhe rojet e natës;

19.  Krijimi i karaulleve në pika të ndjeshme të shtetit;

20.  Ndarja e kuajve në kuaj për luftë dhe kuaj për punë;

21.  Krijimi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Spiunazhit (Dairetu’l-Istihbarat ve’l-Texhes-sus);

22.  Ndërtimi i haneve për fjetje përgjatë rrugës mes të Mekës dhe Medinës (Bejtu’l-Dujuf);

23.  Marrja në përgjegjësinë e shtetit mbikëqyrjen dhe edukimin e fëmijëve pa prindër – Qendra për Punë Sociale (Bejtu’l-Jetama);

24.  Ndërtimi i hoteleve nëpër qytete (Bujutu’l-Dajf);

25.  Ndalimi i skllavërimit të njerëzve, qofshin myslimanë apo të feve të tjera;

26.  Fillimi i dhënies së ndihmave sociale (maash) për të krishterët dhe jehudët e varfër;

27.  Hapja e shkollave të para;

28.  Të jetë nën përgjegjësinë e shtetit, dhënia e pagave për mësuesit dhe bursat për studentët;

29.  Prej këtej e tutje grumbullimi (tubimi) i Kur’anit të jetë vetëm në të shkruar;

30.  Futja e institucionit të analogjisë (Vad’u’l-Kijasi fi’l-Ixhtihad);

31.  Përcaktimi me ligje dhe nene të institucionit të së drejtës së trashëgimisë (Tahdidu’l-Mirath mea’l-Hukm el-Kat’i);

32.  Futja e fjalisë “Esselatu hajrun minen’n-neum”në ezanin e namazit të sabahut:

33.  Falja e namazit të teravisë me xhemat (Salatu’l-Teravihi mea’l-Xhema’a);

34.  Pranimi i shkurorëzimit me tri të thëna në një seancë;

35.  Ndëshkimi me 80 shkopinj për dehje në hapësirën publike;

36.  Marrja e zekatit për kuajt që shfrytëzohen për tregti;

37.  Vënia e zekatit në vend të xhizjes (taksës) për të krishterët e fisit Beni Tagleb;

38.  Themelimi i institucionit të vakëfeve;

39.  Falja e namazit të xhenazeve me katër (4) tekbire;

40.  Rregullimi institucional i ligjëratave (vaaz) në xhami. Temim Dari është ligjëruesi i parë institucional në historinë e islamit që emërohet me dekret të Omerit r.a.

41.  Pagesa mujore për imamët dhe myezinët e xhamive;

42.  Ndriçimi i të gjitha xhamive në shtetin islam përgjatë natës. Kandilët e parë në minaret e xhamive janë bërë në kohën e Omerit r.a.;

43.  Ndëshkimi i poezisë erotike;

44.  Ndalimi i përmendjes së emrave të përveçëm të femrave në poezi;

45.  Interpretimi i fjalës “yll” që e ka përdorur pejgamberi a.s. për shokët e tij, nuk duhet të merret për privilegj, por për përgjegjësi.

 

Përfundim

Omeri e dinte, ngase kishte kuptuar mirë Kuranin, se njeriu është krijesa më e përsosur që krijoi Zoti me dorën e vet. E dinte se njeriut i ishte ngarkuar misioni më i rëndë; të jetë udhëheqës dhe rregullator i tokës, Zëvendësi i Zotit në te. E dinte se njeriu është obliguar ta zbulojë tokën, ta punojë dhe ta rregullojë sipas nevojave të veta. Sikur një udhëheqës që duhet të dijë nevojat dhe kërkesat e vendit të tij, edhe njeriu, si mëkëmbës në tokë dhe në hapësirë duhet ti njeh nevojat dhe kërkesat e tyre. Përndryshe, thoshte Omeri, njeriu është mëkatar po nuk e kreu misionin e tij, po nuk e kreu detyrën me të cilën e ngarkoi Zoti dhe të cilin e kërkon prej tij shoqëria ku jeton.

Omeri mendonte se njerëzit i kanë takuar dhe i takojnë besimeve të ndryshme,  se kanë mendime të ndryshme, se njerëzit kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe as që mund të jenë të njëjtë. Për Omerin kjo as nuk është e dëshiruar e as e dobishme. Progresi, thoshte ai, nuk është gjë tjetër pos përpjekja për komunikim dhe marrëveshje mes të kundërtve.

Nga ana tjetër, ai ishte i bindur se të gjithë njerëzit i takojnë një bashkësie të vetme, bashkësisë njerëzore. Ai punoi që të gjithë njerëzit t’i gëzojnë të drejtat elementare për jetë. Sipas tij, nuk ka dhe as mund të ketë privilegje mes njerëzve, përveç privilegjit mbi bazën e vlerave të larta njerëzore.

Omeri ishte kritik, kishte një mendje kritike, shume herë ishte vetëkritik dhe inicionte debate kritike. Ishte i hapur dhe ndihmëtarë i të gjithëve, pa dallim feje dhe race. Për çudinë e shumë kujt, ai, që në kohën e tij lejoi tregtinë me pjesëtarë të feve tjera (më parë ishte e ndaluar), për të krishterët e fisit Beni Tagleb lejoi tu merret zekati në vend të xhizjes, ku i bërë të barabart para shtetit të krishterët dhe myslimanët. Ai, njëherë, kishte shtyrë (vonuar) faljen e namazit të xhumasë dhe kur u pyet mbi arsyen e vonesës tha: Po prisja të thahej këmisha ime. Ai nuk i kishte dy sosh, ishte i varfër, por shtetin e vet e bëri shumë të pasur. Përgjatë kohës së udhëhoqi me shtetin islam, kufijtë e shtetit u zgjeruan mbi një territor gjeografik saktësisht sa ka sot bota islame. Këtë e arriti me punë dhe mund, për hiq më shumë se dhjetë vite.

Nëse i tillë ishte Omeri, si janë sot myslimanët?

Edhe pse jeta nuk njeh qetësi dhe se ndryshimi është ligj i natyrës si një progres evolutiv i padiskutueshëm, ku nevoja për ndryshime dhe reforma është mase e domosdoshme në të gjitha sferat e jetës sonë, myslimanët sot më shumë se kushdo tjetër i kundërshtojnë ndryshimet, të rejat, aq më shumë reformat. Ne jemi të vetëdijshëm për faktin se me gjithë pengesat e mëdha në rrugën e ndryshimeve, me gjithë linçimet fetare, shpalljen e njerëzve për heretikë për shkak se kërkojnë ndryshime dhe ri-interpretime, me gjithë vështirësitë që dalin në rrugën e prosperitetit, njerëzit që kanë vizione për një të ardhme më të mirë nuk duhet të ndalen. Vetëm kundërshtarët e ndryshimeve sikur edhe ata që kërkojnë kthim në të kaluarën  kanë qenë, janë dhe do të jenë shkaktarët e dekadencës, vendnumërimit dhe prapambeturisë.

Asnjë fjalë tjetër e dalë nga goja e njeriut nuk pati fat më të keq por edhe ndikim më të madh në historinë e njerëzimit sa fjala reformë, rrjedhimisht, reformatorët ishin njerëzit mbi supet e të cilëve u lëshuan torturat më çnjerëzore por, në të njëjtën kohë mbesin lapidarët e gjallë të gjinisë njerëzore. Ata nuk vdesin edhe atëherë kur ndahen nga jeta, sepse vepra e tyre, reforma nuk vdes kurrë. Omeri r.a. vdiq i vrarë nga dora gjakatare, por vepra dhe emri i tij do të mbesin gjallë sa të ekzistojnë bota.

Së këndejmi, rezistenca e panatyrshme kundër ndryshimeve si shpirt-ngurtësi dhe logjikë perverse e individëve të caktuar që edhe më tutje insistojnë në shpjegimin e fesë nën prizmin e optikave të ngushta dhe statike, dukjen e fesë e kanë mjegulluar edhe më shumë. Nëse bazohemi në thënien e Omerit se ajo që vendnumëron, mbetet prapa, atëherë feja e cila nuk pranon modifikimin e vet krahas nevojave të kohës, vendnumëron, ndërsa vendnumërimi është prapambeturi. Përgjegjësinë e prapambeturisë së fesë nuk e merr feja, por njerëzit që thirren në emër të saj. Ata janë shkaktarët e damkosjes së fesë së Zotit.

Të gjithë librat e shpallur nga Zoti kanë pasur vizion ri-interpretues të fjalës së Zotit, paralelisht me nevojat e kohës kur janë shpallur. Meqë, sipas Islamit, Kurani është libri i fundit i shpallur nga Zoti, del se islami, si përfundim i shpalljes duhet të jetë i përshtatshëm për të gjitha kohët. Dikur,  përderisa islami shpjegohej drejt, me përmbajtje të qëndrueshme sociale-politike, për një kohë të shkurtër arriti të krijojë një “mbretëri” të madhe e përbërë nga popuj të ndryshëm të cilëve nuk u pengonte fare koloriteti i madh i kulturave të inkorporuara në shoqërinë e re islame. Popuj të tërë me kultura, tradita e zakone të ndryshme krijuan njërin ndër mega-civilizimet më të famshëm në histori. Homogjen në tërësinë e saj por e larmishme në popuj, raca dhe fise, shoqëria e dikurshme myslimane i dhuroi njerëzimit një kulturë tolerance të cilën sot më së paku e respektojnë vet myslimanët. Muslimanët sot kanë ngulfatur fenë e tyre, e kanë bërë “kafshatë që s’kapërdihet”, tepër të ashpër dhe aspak tolerante.  Mesazhin e fesë islame sot janë duke e lexuar gabueshëm, ndërsa islami mesazhin e vet e ka shumë të qartë; “Secili ka të drejtë të mbajë fenë e vet, dhe myslimanët të tyren”.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top