THIRMËNI ARVANIT

nga Tannhäuser

Lexoja këto ditë librin e Bardhyl Demirajt Shqiptar dhe Shqa, dhe mora një kënaqësi kur pashë se na ka lexuar edhe ai këtu në blog;[1]. Libri, që trajton në mënyrë të hollësishme kontaktet gjuhësore midis shqiptarëve dhe serbëve jep edhe disa detaje për hapësirën gjuhësore arvanite të Greqisë. Ky qe shkaku në fakt që më bëri të hap defterët e mi dhe të kërkoj zhvillimin semantik të emrit etnik arvanit në gjuhën greke. Dhe nuk u zhgënjeva, pasi trajtat arvanit (emër) dhe arvanit (mbiemër) në greqishte kanë qenë shumë produktive dhe tejkalojnë çdo emër tjetër etnik. Madje edhe një krahasim me gjuhët e tjera ballkanike (këtu kam parasysh serbishten, maqedonishten edhe bullgarishten)[2] tregon se zhvillimi semantik i emrit etnik arvanit në këto përmasa ka ndodhur vetëm në greqishte.

Si bazë për këtë paraqitje të shkurtër kam përdorur Fjalorin Historik të Greqishtes së Re, të së Folurës dhe të Dialekteve,[3] botim i Akademisë së Athinës. Dy fjalë për veprën. I konceptuar në fillimvitet e shekullit të kaluar, fjalori përmbledh gjithë greqishten e re, në të gjithë hapësirën gjeografike ku ajo është folur. Në faqet e fjalorit ka parakaluar gjithashtu ajka e gjuhësisë greke, që nga G.N. Chatzidakis (ai që solli gjuhësinë moderne në Greqi), A. Keramopoulos, E. Kriaras, D.J. Georgacas (autor shumë i dashur për mua. Diku në faqen e Brikena Çabejt në FB kisha parë nga shënimet e E. Çabejt të pëmendet në një fletë edhe Georgacas. Këta të dy kanë patur edhe letërkëmbim, madje në veprën e Georgacas mbi toponiminë e Peloponezit, Çabej ka dhënën ndihmesë për zbardhjen e toponimeve arvanite. E mbyll këtu parantezën sepse u zgjata), N.P. Andriotis dhe të tjerë. Gjer më sot kanë parë dritën e botimit gjashtë vëllime të fjalorit (1933-2016). Mund të duken shumë, por nuk janë. Pas 83 vitesh nuk është përfunduar as germa e katërt e alfabetit grek (delta)! Me këto ritme kritikët e ashpër të Akademisë parashikojnë (jo dhe aq padrejtësisht) se fjalori do përfundojë diku pas 3-4 shekujve!

Por le të kthehemi tek kuptimet e emrit arvanit. Përkthej dhe përshtat nga fjalori këtej e tutje. Arvanit (emër), 1. shqiptari (Αλβανός),banori i Shqipërisë (Αλβανία). Fjala zakonisht në mënyrë figurative për kapadaiunnevrikunkokëfortintë trashin (shih edhe f.kutarvanitis [kutos – i trashë, budalla, shën. T]), të dhunshmintiranintë padrejtinhileqarin, ose për një send që është djegur nga zjarri (shkrumb). Shprehje: Bën si arvanit (për njeriun që bën zhurmë, kapadaiun). Dogji furrën dhe e bëri arvanitharroi hekurin në zjarr dhe u bë arvanit (shprehje sinonime, u bë turk). Fjalë të urta: Zoti nuk është arvanit (pra, nuk është i padrejtë), arvaniti kur nuk ka ç’të vjedhë, vjedh këpucët e tij (thuhet për njeriun që nuk mund të presë veset e këqija), arvaniti miqësinë në gjunjë e ka (d.m.th. kur ngrihet ajo bie poshtë, thuhet për pabesinë e shqiptarëve), por bëre mik një arvanit, mbaj edhe një shkop (thuhet për miqësinë me njerëz hileqarë), arvaniti bën dasmë, me thjerrëza dhe me qull edhe me lakra të ziera (thuhet për dasmat e të varfërve). Fjala ndeshet edhe si mbiemër (patronimi) edhe në toponimi. Kodra e arvanitit2. Banori i Epirit si krahinë fqinje me Shqipërinë, epiroti. 3. Era që fryn nga veriperëndimi në Epir (në krahinën e Zagórit)[4]. Fjalë e barinjve sarakaçanë të Zagórit dhe që Shqipëria shtrihet në anën veriperëndimore të tyre. 4. Lojë me fëmijë që hidhen mbi këmbët e njëri-tjetrit (Peloponez). 5. Si term në detari, një lloj qepje e velave të anijes (sinonime, arvanitorrama). 6. Një lloj kërmilli që hahet, me guaskë bardhë-e-gri që gjendet në zonat malore të ishullit Skyros. 7. Akrepi (Stamboll) 8. Një lloj rrushi (ishulli Leros), rrush arvanit9. Një lloj molle dimri (Thesali). 10. Bima asphodelus (Peloponez).11. Në formën femërore, arvanite (Αρβανίτσα) quhet arra në gjuhën e fshehtë të ustallarëve në Epir (Konicë, Dhrovjan).

Arvanit/as (mbiemër), 1. me prejardhje nga Shqipëria, që ka të bëjë me arvanitët, që lidhet me arvanitët. Prona arvanitezakone arvanitefasule arvanitevalle arvanite, edhe si emër arvanit (lloj valleje me të hedhura, sinonime valle çame). Shprehje: kokë arvanite(kokëfortë), inat arvanit (për kokëfortësi të madhe), burini arvanitas (tërbim i madh), e zakonshme në të folur e zuri arvaniti (thuhet për dikë që e kapi këmbëngulja e patundur), ndarje arvanite (ndarje e padrejtë), zjarr arvanitas (zjarr i fortë), kungull i plasur, valle arvanite (thuhet për fjalë pa kuptim). 2. valle e shqiptarëve (Epir, Maqedoni, Peloponez), 3. Lojë fëmijësh (Filippoupoli [Plovdiv i sotëm, Bullgari, shën. T]), 4. Dhi ngjyrë bardhë nga ana e pasme dhe e bardhë me vija të kuqe nga ana e përparme. 5. Në shumës, gjuha shqipe (αρβανίτικα), kuptoj, flas, di arvanitika.

Siç shihet, në shumicën e rasteve kuptimet e emërtimit etnik arvanit janë të një karakteri përçmues, përbuzës (pejorative). Nuk do hyj këtu në një analizë krahasuese të këtij fenomeni që greqishtja e ndan edhe me gjuhë të tjera (gjë që ndodh jo thjesht në emrat etnikë të popujve por edhe me huazimet midis gjuhëve ku në gjuhën marrëse fjalët e huazuara kanë shpeshherë një semantikë përçmuese), por do ndalem në një krahasim të brendshëm të greqishtes me emrat e tjerë etnikë. Kështu për shembull emrat etnikë allamanos (< Allemagne), llongovard (< Longobardi), kutofrang (< kutos, i trashë + frangos, frëngu, perëndimori), katallan, turk, lab, serbe, elbasane, etj. kanë përkatësisht kuptime përçmuese në greqisht: i pabesë, i pangopur, budalla, keqbërës, mizor, hajdut, grua shtatlartë por jo e shkathët, njësoj.[5]

Pra, kontaktet e dendura të popullsive greke me ato arvanite dhe shqiptare prodhuan këtë sasi semantike të emrit arvanit (në fakt shumica sot mund të quhet e vjetërsuar). Këto kontakte jo gjithmonë me mirëbesim, u reflektuan edhe në gjuhë e cila pastaj prodhoi stereotipat e veta.

(c) 2018, Tannhäuser dhe Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.


[1]Demiraj B., Shqiptar dhe shqa. Histori popujsh përmes dy emrave etnikë, bot. Naimi, Tiranë 2014, f. 28.

[2] Kam parasysh këtu fjalorin etimologjik të serbokroatishtes të P. Skok (Skok P., Etimologijski Rjecnik Hrvatskoga ili Srpskoga Jezika, Jugoslavenska Akademija Znanosti i Umjetnosti, v. I, Zagreb 1971, f. 54-56, të bullgarishtes dhe të maqedonishtes (Bъlgarski Etimologichen Rečnik, Bъlgarska Akademija na Naukite, Institut za Bъlgarski Ezik, v. I, Sofje 1971, f. 14.

[3] Ιστορικόν Λεξικόν της Νέας Ελληνικής της τε κοινώς ομιλουμένης και των ιδιωμάτων, Ακαδημία Αθηνών, v. III, pjesa 2, Athinë 1941, f. 27-28.

[4] Nuk duhet ngatërruar me krahinën shqiptare të Zagorisë. Ky fenomen i emërtimit të erërave sipas prejardhjes gjeografike është mjaft i njohur në greqishte. Krahaso me emërtimet Mecovit (nga Mecova), Evros (nga lumi Evros), Vardaris (nga lumi Vardar) etj. Shih për këtë Ανδριώτης Ν.Π., «Νεοελληνικά τοπικά ονόματα των ανέμων», Ημερολόγιο της Μεγάλης Ελλάδος (1934), f. 537-540.

[5]Shih Ανδριώτης Ν.Π., «Οι ξένες λέξεις στην ελληνική», Σήμερα, 1/1 (1960), f. 9. Për fjalën katallan të cilën shqipja e ka me të njëjtin kuptim shih Çabej E., Studime etimologjike në fushë të shqipes, bleu V (K-M), bot. Çabej, Tiranë 2014, f. 60-61.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.