T’I JAPËSH KUPTIM

Shfletoja tani një listë të pjesshme me të vrarët e mbrëmshëm në Paris: këtu një studente, atje një violinist, këtu një kameriere, atje një gazetar i muzikës rock, këtu kushërira e një futbollisti të kombëtares franceze, atje një fotograf…

duke u përpjekur t’i bëj ballë tundimit – sa të arsyeshëm aq edhe absurd – për të gjetur një pse: jo të atentateve terroriste në vetvete, sesa të faktit që vdekja zgjodhi pikërisht këta njerëz, krejt të panjohur për mua dhe megjithatë tani kaq të njohur; në kuptimin që m’i solli pranë tamam atëherë kur m’i hoqi nga bota.

Mendoja pastaj që, para një tmerri të tillë, para një dhjetimi të tillë brutal që iu bë njerëzimit, gjithsekush do të detyrohet – qoftë edhe vetëm për të gjetur pak ngushëllim – që të luajë rolin e vet formal; ose të harrojë, sado pak, vrimën që ia ka përshkuar edhe trupit të tij plumbi ose shrapneli i bombës tej për tej. Ta lërë veten mënjanë dhe të gjejë strehë të përkohshme tek roli, siç e gjen ndonjëherë emri te mbiemri: kryeministri do të premtojë përgjigje të rreptë dhe të menjëhershme, prokurori do të premtojë arrestim të viktimave, gjenerali do të rafinojë planet për të goditur disi dhe diku patjetër, prifti do të thotë një lutje për viktimat dhe një tjetër për agresorët, varrëmihësi do të rrëmojë dheun atje ku duhet.

Mendova pastaj edhe se shumë shpejt do të dalin edhe ata të tjerët, shushunjat që ushqehen e mufaten me tmerrin anonim, sekserët e mortit, për të përfituar: e djathta do të kërkojë mbyllje të dyerve dhe shpërndarje të çizmeve, e majta do të shkojë të rrëfehet, gazetarët do të zhbirojnë birat, konspiracistët do të na thonë “I told you so”, terroristët do të rivendikojnë, gjeopolitikanët do të zihen për hartat, të mëdhenjtë e kësaj bote do të takohen dhe do të marrin vendimin se kur do të takohen sërish.

Që nga e përtejmja, edhe Baudrillard-i do të shkruajë se atentatet e Parisit n’ont pas eu lieu.

Dhe nëse ka një gjë, që historia e terrorit më ka mësuar gjatë këtyre disa dekadave, së paku që nga deliri palestinez në vitet 1970 dhe pastaj zgjimi i Brigate Rosse dhe i grupeve të zeza në Itali dhe i Rote Armee Fraktion në Gjermani; për të mbërritur te terrorizmi me frymëzim dhe flamur islamik në vitet 1990 dhe te paroksizmi i 11 shtatorit 2001 në ShBA, pastaj metrotë në Madrid dhe në Londër, të hotelet në Mumbai, maratona në Boston dhe të tjera çarje në logjikën e së përditshmes, aq të ngjashme mes tyre; nëse ka një gjë, pra, që them se më ka vlejtur nga pasiviteti im prej barngrënësi, përballë mundësisë së vdekjes iminente, shtypjes nën një pallat njëqind-katësh ose groposjes nën një merimangë hekurash ose shpërbërjes termike-mekanike të indit epitelial dhe karbonizimin e neuroneve, është se terroristët ose nuk janë gjetur kurrë, ose janë identifikuar dhe ndonjëherë dënuar, por ngjarjet vetë kanë mbetur të veshura me mjegull: paqartësi, kontradikta, depistime, futje hundësh nga shërbimet e fshehta, asgjësime provash dhe dëshmitarësh dhe vonesa inerciale institucionale, derisa edhe vetë viktimat të kenë përfunduar në statistika.

Nevoja urgjente për të identifikuar, pastaj kapur mundësisht asgjësuar me çdo kusht fajtorët buron kushedi nga shpresa se vrasjet e të pafajshme do të shërbejnë për diçka, madje edhe në absurditetin e tyre.

Asnjë aparat policor dhe hetimor, asnjë sistem dhe institucion gjyqësor, nuk mund të pajtojnë e të bëjnë të bashkëmatshëm banalitetin e aktit vetë: personit që tërheq këmbëzën ose shtyp telekomandën detonuese dhe hekatombën e vdekjes masive të dhunshme.

Mu këto ditë kisha qenë duke lexuar një libër të Pascal Quignard, Les Ombres Errantes, dhe ende më kish mbetur në baltërat e mendjes gjurma e një thënieje e hidhur – vdekja është gjahtari, ne s’jemi veçse preja (“Il faut penser ceci: le chasseur est la mort. L’homme n’est qu’une proie.”). Prandaj, me të dëgjuar për masakrën në Paris, m’u përhi në mendje imazhi i këtij Orioni mitologjik, gjigant të padukshëm, mendërisht të pakapshëm, që sillej rrugëve të Parisit, duke shkumuar nga goja, duke kërkuar prenë.

A e kupton dot vallë kopeja e gnuve që rendin diagonalisht tutje, arsyen pse disa syresh befas shemben përdhé, të përshkuara tejendanë prej shigjetave? Çfarë teorish përsiaten mes tyre pastaj gjatë ripërtypjes, çfarë premtojnë përçorët kryesorë dhe të urtët, çfarë kërkesash solemne u dorëzohen perëndive të Savanës?

Me bindjen se kushdo prej të vrarëve të Parisit mund të kisha qenë edhe unë; siç mund të kisha qenë mes të vrarëve të Bostonit, ose të Madridit, ose të Londrës, ose të Beirutit e më në fund të 11 shtatorit këtu në NYC; i vetmi mendim që më ngushëllon, në rolin tim të tanishëm si shkrues i këtyre radhëve, është se këto pré të një gjahu të pashkoqitshëm zotash, që na shfaqet herë si terror, herë si provokim, herë si politikë, herë si domosdoshmëri; këto pré kanë shërbyer, po shërbejnë – në një mënyrë për ne sërish të pakapshme – si viktima sakrifikale në altarin e historisë.

Sepse vetëm kështu mund t’i jap njëfarë shpjegimi edhe faktit tjetër, njëlloj të pashpjegueshëm, se të dashurit e mi, por edhe unë, jemi akoma gjallë: kësaj pseje edhe më enigmatike.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.