TIRANA UTOPIKE

Gani Strazimiri fillimisht studioi pikturë në liceun e Tiranës, e më pas arkitekturë në Torino.[i] Mirëpo studimet i ndërpreu për t’u bashkuar me forcat partizane në atdhe. I ati, luftëtar i njohur, u vra gjatë luftës. Pak kohë pas Çlirimit, Ganiu fitoi bursë për të vazhduar kursin e arkitekturës në Moskë—ose, siç thuhej në një profil të revistës Miqësija të vitit ‘50, “në vendin që ai e dashuroj me gjithë shpirt, në atdheun e madh të Socializmit”.[ii]

Deri këtu, historia përçohet në linja pak a shumë të njohura: aspiratë rinore e këputur në mes nga detyra patriotike për të luftuar fashizmin; sakrificë gjithë-familjare; si dhe—kurorëzimi i  rrëfenjës—fuqia e pushtetit popullor për të të çuar në atdheun e Leninit.

Në fakt, historia është më e koklavitur. Karakteristika profesionale e Strazimirit, ruajtur në një dosje të vitit 1963, përveç se ndalet tek “qëndrimi politik i tij”, tek shtëpia që “ka qenë strehë për partizanët”, tek “thirja e partisë” në vitin 1942, dhe tek anëtarësimi i Ganiut një vit më pas, përmend edhe vëllain e madh, damkosur si simpatizant të gjermanëve, dhe implikuar, siç thuhet atje, “në grupin e intelektualëve”.[iii] (Vëllai u burgos deri në vitin 1953.)

Strazimiri i përkiste, pra, një gjenerate që kërkonte të rifitonte kohën “e humbur” gjatë luftës. Por këto dritëhije në burimet zyrtare tregojnë se përveç shpalosjes si slogan i një rendi socialist, apo një parullë e rëndomtë ideologjike, të bëheshe pjesë e një “bote të re” ishte edhe një lloj misioni në rrafsh personal e familjar.

Për tezën e studimeve në Moskë, Strazimiri vendosi të projektojë një plan të ri urbanistik për Tiranën. Në korrespondencën e shkruar me dorë vihet re ambicia për ta parë planin të realizuar pas diplomimit në Moskë. Nga zv. ministri i ndërtimit, Strazimiri kërkonte skicat, planet, dhe studimet e lëna pas nga italianët, si dhe fotografi të gjendjes aktuale të kryeqytetit.

“Ti e din fare mirë se në ç’far kondita un do të punoj nesër në Tiranë”, shkruan ai në qershor të 49-ës, “ku do të jemë po thuaj se vetë në nji degë ku asht vështirë të punojsh po të mos kesh baza të shëndosha”. (Skicat e italianëve u dërguan me postë më vonë, në nëntor, duke përfshirë studime të pjesshme të rrugëve, harta, dhe projekte tip.)[iv]

Kjo vëmendje e posaçme qeveritare, si dhe një farë urgjence që nuhatet në korrespondencën Moskë-Tiranë, shpjegohet pjesërisht me faktin se Tirana e 49-ës nuk kishte ende një plan rregullues socialist. Kështu që Strazimiri konsultohej drejtpërdrejt me Spiro Kolekën, zëvendës-kryeministrin, i cili pati studiuar edhe ai inxhinieri civile në Itali—nga të paktët teknicienë “perëndimorë” që jo vetëm i shpëtoi krasitjeve të njëpasnjëshme, por mbijetoi për bukuri në regjimin e ri.

Projekti i Strazimirit parashihte një kryeqytet prej 200,000 banorësh. Godinat e banimit do kishin pesë ose gjashtë kate. Transporti do bëhej me autobusë, edhe pse në një të ardhme të pacaktuar mendohej që punëtorët të çoheshin tek fabrikat e periferive me tramvaj. [Vini re! Tramvaji Utopik i Tiranës ka një histori mbi 60-vjeçare.]

Plani shoqërohej me një dokumentacion të shkurtër të Degës së Urbanistikës, çuar për shqyrtim në Kryeministri, tek Enver Hoxha. Ky sqaronte se autori i kishte refuzuar zgjidhjet urbanistike të italianëve, që afërmendsh nuk mund të shiheshin si të përshtatshme për një rend socialist.[v] (“Italianët që në fillim të studimit”, sqarohej aty, “u nisën nga parimi se Tirana nuk mund t’ish veq se nji qytet i kolonive Italiane”.) Mirëpo aksin e madh veri-jug, apo edhe unazat e Tiranës, plani i Strazimirit, në fakt, i pranonte.

Më e vështirë ishte të zgjidhje qendrën e kryeqytetit—çështje që duket sikur nuk e ka kënaqur kurrë plotësisht as pushtetin, as tiranasit—as atëherë, as sot.

Strazimiri propozonte një qendër monumentale, ideuar me godina alla moskovite. Një pallat qeveritar, ngritur mbi një “pjedistall graniti”, sinjalizonte rëndësinë politike të sheshit. Në ballë, një tribunë e përhershme për udhëheqësit në raste manifestimesh festive, si dhe “Skulptura e Stalinit”. Në anën tjetër, një ndërtesë po ashtu monumentale, por në përmasa më të vogla: teatri popullor.

Fig. 1 Pallati Qeveritar me shtatoren e Stalinit, Xhamia, dhe Kulla e Sahatit. Pamje ballore. Burimi: AQSH.

Zgjedhjet e Strazimirit mund të shihen si pasqyrim gati-mekanik i formimit sovjetik, por duhet theksuar se vendimet që merreshin në Moskë pasqyronin edhe aspiratat e pushtetit shqiptar. Imponimi i metropolit sovjetik ndaj provincës ballkanike nuk duhet marrë si një lloj diktati të një-anshëm, por si ndërveprim interesash.

Në këtë linjë: “Ajo që asht preokupuese për qytetin e Tiranës”, sqaronte relacioni, “asht se edhe sikur të realizohesh, sheshi simbas planit rregullues t’Italianëve nuk do të kish mundësi të zhvillohen demonstratat, paradat dhe mitingjet që na paraqiten dhe do të na paraqiten gjithmonë”.[vi]

Më e guximshme ishte ideja për të shembur disa godina të italianëve, si për shembull Bankën dhe Bashkinë, ngaqë, siç thuhej, nuk lejonin zgjidhjen e sheshit. Propozime të tilla, sado të justifikuara, kishin për gjasë të refuzoheshin për arsye buxheti.

Duke e parashikuar këtë, Dega e Urbanistikës e sinjalizonte Kryeministrinë se ndërhyrjet ishin me rëndësi. Fasadat “mizerabile” të godinave italiane nuk mund të mbaheshin. Për ta vendosur argumentin në shina bindëse, relacioni nënvizonte se plani për Tiranën “asht mundue t’i zgjidhi në bazat e reja socialiste mbi ndërtimet e qyteteve ashtu si sot ndërtohet në B. Sovjetik”.[vii]

Fig. 2 Projektim aksonometrik i qendrës ku vihet re zëvendësimi i godinave të Bankës dhe të Bashkisë. Burimi: AQSH.

Por jo çdo gjurmë para-socialiste fshihej. Xhamia e Et’hem Beut, për shembull, si dhe Kulla a Sahatit, përfshiheshin në kompozimin e ri socialist të Tiranës si “vepra me rëndësi artistike që ka dhënë populli”. Përndryshe, stema e liktorit fashist (“e cila që nga aeroplani shifet kjart”) duhej të thyhej. Kështu që plani e projektonte unazën e qytetit para stadiumit—lëvizje që paraqitej si një zgjidhje kryesisht funksionale por edhe që zhdukte “deri diku konfiguracionin e stemës fashiste”.

Propozohej, më tej, prishja e godinës së komandos së përgjithshme (më vonë: godina universitare) edhe pse nuk përcaktohej datë për këtë punë. Kjo bëhej jo vetëm për të prishur karakterin e sëpatës fashiste por edhe sepse diku më lart do të realizohej një “panoramë” monumentale për Luftën Nacional-Çlirimtare.

Fig. 3 Planimetria e aksit si dhe prishja e “stemës fashiste”. Burimi: AQSH.

 

Fig. 4 Planimetria e aksit si dhe prishja e “stemës fashiste”. Burimi: AQSH.

Siç dihet, shumë prej këtyre prishjeve nuk u bënë. Udhëheqësit nuk e aprovuan planin e përpunuar të Strazimirit. Kur e mori në shqyrtim në vitin 1952, Byroja Politike nuk e pa të arsyeshme të zbatohej një tezë universitare. Më mirë do ishte të thirreshin arkitektë sovjetikë për ta parë këtë punë.[viii] Ka edhe mundësi që kostot e shembjeve (por edhe ndërtimet e mëdha administrative që parashikoheshin atje) të jenë dukur të tepërta.[ix]

Pushteti kishte prioritete të tjera. Shpërndarja e parave dhe e krahut të punës privilegjonte veprat industriale të Planit të Parë. Shtatorja e Stalinit megjithatë u realizua—vozhdi sovjetik i derdhur në bronz, sipas modelit të Nikolai Tomskit, skulptorit sovjetik që ishte bërë tashmë specialist i zhanrit.[x]

Në Shqipërinë e pasluftës, ku diplomat sovjetike ishin edhe gurë themeli për karrierë, Strazimiri u vendos në zyrën e urbanistikës. Janë të njohura godinat e banimit që projektoi më vonë, mbivendosur sipas sistemit sovjetik kvartaly, me fasada që të kujtojnë godina të largëta të Rostovit-mbi-Don apo në distriktin Kirov të Novosibirskut: harqe të larta; kolona ornamentale; dritare harkore.

Në Tiranën e viteve ’50, ndërtesa të tilla bënin përshtypje jo vetëm nga ana estetike, por edhe sepse kryeqyteti karakterizohej nga godina të ulta. Pa një plan rregullues që të shoqëronte “pallatet e punëtorisë” të Strazimirit, ato mbetën si shprehi pa kontekst.

Mbase edhe Strazimiri vetë, si skicat e dorës së tij, është gjetur jashtë kontekstit pas kthimit nga metropoli sovjetik. Vite më vonë, ai do të binte pre e një lufte të ashpër ndaj “formalizmit” në ndërtim, duke u kritikuar publikisht nga kolegët e vet për pallatet me harqe dhe lozha. Si përfundim, Strazimiri u mënjanua nga projektimi.

Mirëpo historia e planifikimit të Tiranës është histori e ironive.

Pikërisht ai, Ganiu, që kishte fantazuar Tiranën moskovite me bazë shuarjen e gjurmëve italiane, ca vite më vonë luftoi fort për ruajtjen e trashëgimisë arkitekturore në Shqipërinë e viteve ’60. Sot, emrin e tij e mban një Institut që rreket të ruajë monumentet e kulturës—në Epokën e Kullave Publiko-Private, që vazhdojnë ethshëm punën e lënë përgjysmë nga Planet e Mëdha Sovjetike.

 

Përkthyer & ripërshtatur nga libri From Stalin to Mao: Albania and the Socialist World  botuar nga Cornell University Press, 2017. © Elidor Mëhilli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

[i] Tek botimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Fjalor enciklopedik shqiptar, vëll. III, Tiranë, 2008, datëlindja e Strazimirit shënohet në vitin 1915. Përndryshe, formulari i personelit që gjendet në Arkivin Shtetëror shënon si datëlindje 9 Maj 1917. “Karakteristikë e shokut Gani Strazimiri”, 24 mars 1963; si dhe “Formular”, të dyja në Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), Fondi (F.) 511, Viti (V.) 1965, Dosja (Dos.) 48, Fleta (Fl.) 40-41.

[ii] “Arqitekti i ri,” Miqësija, dhjetor 1953, p. fq. Miqësija ishte botim i Shoqërisë së Miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik. Titulli redaktohet në Miqësia në 1961-shin—vit emblematik në ngrirjen e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike.

[iii] “Karakteristikë e shokut Gani Strazimiri”, Fl. 40.

[iv] Strazimiri, letër e shkruar me dorë, dërguar Shinasi Dragotit, 22 qershor 1949, AQSH, F. 499, V. 1949, Dos. 201, Fl. 1–2; “Dërgohen disa plane për Moskë”, 5 shtator 1949, AQSH, F. 499, V. 1949, Dos. 201, Fl. 3–4. Duket se Strazimiri e mori dërgesën në fillim të ’50-ës. “Mbi një material”, [data të ndryshme në dok., 1950], AQSH, F. 499, V. 1949, Dos. 201, Fl. 6.

[v] Ministria e Ndërtimit (Dega e Urbanistikës), dërguar Kryeministrisë, p. d., AQSH, F. 490, V. 1950, Dos. 1687, Fl. 3.

[vi] “Relacion. Mbi projekt iden e Planit Rregullues të Tiranës”, dërguar Enver Hoxhës, Kryeministër, dhjetor 1950, AQSH, F 490, V. 1950, Dos. 1640, Fl. 8.

[vii] Ibid., Fl. 14.

[viii] “Protokoll Nr. 18 datë 4/7/1952 i mbledhjes së Byrosë Politike të K.Q.”, 4 korrik 1952, AQSH, F. 14/AP, OU, V. 1952, Dos. 43, Fl. 37–38. Dy arkitektë sovjetikë e morën në shqyrtim planin para diskutimit të mëvonshëm në Byro në vitin 1954. Edhe atje, Strazimiri kërkoi më tepër ndihmë nga sovjetikët në çështje të urbanistikës. Mirëpo Enver Hoxha do të shtonte: “Ne duhet të ecim edhe me këmbët tona. Tani kemi edhe arqitektët tanë. Më vonë do të dalin edhe të tjerë”. “Proçes-verbal i mbledhjes së Këshillit të Ministrave mbajtur më 27 shkurt 1954 mbi shqyrtimin e relacionit për skicë-idenë e planit rregullues të qytetit të Tiranës”, AQSH, F. 490, V. 1954, Dos. 712, Fl. 1–4 (cit. Fl. 4). Edhe në rregullimin e muzeut të Leninit dhe të Stalinit, autoritetet shqiptare kërkuan ndihmë nga sovjetikët: “Sekretariu TsK KPSS tov. Suslovu M.A.”, 11 mars 1954, Rossiiskii gosudarstvennyi arkhiv noveishei istorii (RGANI) [Arkivat shtetërore ruse të historisë së vonë], F. 5, Op. 16, D. 652, Ll. 52-53.

[ix] Shqetësimi për të pakësuar shpenzimet vihet re në faktin se kur plani rregullues i kryeqytetit u aprovua—më në fund—në vitin 1958, atje udhëzohej që “të kufizohet në maksimum rëzimi i godinave që janë sot”. “Vendim Nr. 130, mbi aprovimin e projekt-idesë të planit rregullues të qytetit të Tiranës,” 7 prill 1958, AQSH, F. 490, V. 1958, Dos. 893, Fl. 16.

[x] Edhe kjo çështje nuk kaloi pa peripeci. Kur kishin kërkuar tek sovjetikët një Stalin në bronx, aparatçikët shqiptarë patën shpresuar, siç duket, se shtatorja do jepej falas. Mirëpo nga Bashkimi Sovjetik erdhi fatura (140,000 rubla). Po kështu, transporti i shtatores qëlloi i vështirë; u desh deri në nëntor të 51-shit që Stalini të përurohej. “Zapis’ besedy c general’nym sekretarem obshchestva kul’turnoi sviazi Albanii i CCCR N. Natanaili o sodeistvii v poluchenii sovetskoi p’esy dlia postanovki v Narodnom teatre, proektirovanii i sozdanii monumenta I. V. Stalinu v Tirane i dr.” (Sekret), 13 mars 1950, në T. V. Volokitina, G. P. Murashko, O. V. Naumov, A. F. Noskova, dhe T. V. Tsarevskaia, (red.) Sovetskii faktor v Vostochnoi Evrope, 1944–1953. vëll. II, Moskë, 2002, fq. 283–84 (shënimi 3); “Monumenti i Stalinit,” Shqipëri B.R.S.S., nr. 10-11, 1951, fq. 16.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.