TRADITA DHE BARBARËT E RADHËS

Më datë 11 mars 2019, TemA njoftoi për zbardhjen e dosjes së Eqrem Çabejt, nga historiania Ledia Dushku, në një konferencë të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Mes komenteve të pakta, spikaste njëri i një anonimi, i cili shprehej kështu:[1]

Meqë një mendje kaq e vrazhdë sa kjo e TZ-së vështirë se mund të ketë hapur ndonjëherë për të lexuar ndonjë libër a artikull të albanologut në fjalë, më shumë gjasë ka që ky komentues, a personazh qoftë, t’i ketë marrë këto në ndonjë forum “patriotik”, ku ndëshkohen ritualisht, prej anonimëve dhe qurrashëve, të gjithë ata dijetarë që janë marrë, në rrjedhë të kohës, me marrëdhëniet e shqipes dhe të shqiptarëve me gjuhë dhe kultura të tjera.

Për koincidencë – po mbase jo doemos – mu këto ditë erdhën dhe u gjallëruan komentet edhe te një shkrim imi i vjetër në Facebook, i shkruar në nderim të Kolec Topallit, me rastin e vdekjes së tij para pak kohësh.

Ja me ç’më gostitën këtë herë (po i heq emrat, sepse dua t’i lë anonimë):

K.Topalli… ky tradhetar mjeran i Gjuhes Shqipe besonte se , duke e paraqitur ne vepren e tij Gjuhen Shqipe si te huazuar nga sllavishtja dhe greqishtja ne fjalorin e tij voluminoz etimologjik , do te mundohej t’ju imponohej shqiptareve se : Gjuha Shqipe vertete ka huazime dhe se nuk ka qene e shkruar me pare se viti 1550 nderkohe qe,nuk ka asgje te vertete mbeshtetur ne shkencat ekzakte te Gjuhesise nga te gjitha disiplinat.

Koleci u pagua prej serbeve dhe asgje tjeter ,ashtu si politikanet e PD me ne krye S.Berishen i cili, njesoj si E.Hoxha kishin nje mision te perbashket ate te shkaterrimit te kombit shqiptar ,per ti mohuar gjuhen, kulturen, historine, heronjte etj. Pra nqs do qe nje komb ta besh mos te ekzistoje mjafton te zbatosh te lart permendurat dhe ia ke arritur qellimit. Ja ky ishte Koleci juaj , ta kujtoni me “nostalgji”.. Bableca….Vebinj, Kurkute, Omare dhe Topalleee…

Dhe një tjetër i përgjigjej këtij më lart kështu:

Aq sa ka qene dhe eshte patriot Sali Berisha ,eshte dhe etimolog apo historian K.Topalli por, qe te dy i bashkon nje ideal : Shkaterimin e kombit shqiptar nepermjet zbatimit te planeve pansllaviste, greke duke, mohuar historine, kulturen, gjuhen, trashegimnine, heronjte etj.

Jane munduar shume pergjate historise duke ushtruar genocid, spastrim etnik, mohimin e gjuhes, fallcifikuar historine, rrembimim e heronjve etj., Keta serbe, turq, grek qe kane zaptuar trojet e Ylirise duke trasheguar keto pasuri gjeografike kane arritur te paguajne politikane, historiane, gjuhetare etj ,per te asgjesuar etnosin shqiptar nga çdo element te tij por qe, nuk ja kane dale dhe, as kane per t’ja arritur qellimit megjithse paguhen mire si ,tradhetare te felliqur qe, me injorancen e tyre dhe karakterin e shemtuar nuk kane bere asgje tjeter perveçse, i kane nxjerre bojen vetes sepse: Rrenjet e kombit shqiptar nuk thahen kurre perderisa : Gjuha ,kultura, historia, trashegimnia jone qendron si nje Fosile e gjalle duke ju mbijetuar mijevjeçareve. Historia na ndjek nga pas dhe na udhezon nepermjet te gjitha disiplinave shkencore ku, asnje dhe askush nuk mundet dot ti mohoje, kundershtoje, manipuloje edhe pse, perpiqen ta fallcifikojne : keta mjerane kurre nuk do ja dalin.

Para ca kohësh, tek i njëjti shkrim, një i tretë pat ngritur pyetjen e mëposhtme:

A është e vërtetë që i ndjeri e ka nxjerrë gjuhën e mrekullueshme shqipe si të prejardhur nga serbishtja?

Dhe kështu me radhë.

Shumë gjëra për t’u vënë re, në këto përçartje (të cilat, në mënyrën e tyre, provojnë një lloj dështimi të vetë përpjekjes iluministe albanologjike)[2]. Duke filluar nga ajo që, të gjithë këta, janë informuar diku për orientimin e një vepre kaq të specializuar, sa Fjalori Etimologjik i Topallit: dikush e ka hedhur helmin, duke shpifur – meqë unë nuk di të jenë publikuar statistika të mirëfillta për përqindjet e prejardhjeve të miratuara nga ai autor; pa çka se Topalli nuk është se ka revolucionarizuar gjë në etimologjitë shqipe, por kryesisht ka vazhduar punën e etimologëve të mëparshëm – Meyer-it, Jokl-it, Çabejt, B. Demirajt, Orelit dhe të tjerëve, duke mbajtur herë pas here qëndrim kritik dhe duke sjellë edhe kontribute të vetat, siç mund të pritej nga një studiues kompetent dhe serioz. Por profanët, si këta më lart që e tradhtojnë veten që me shkronjat e para që shkruajnë, nuk janë në gjendje t’ia ndjekin punën një dijetari, dhe as dëshirojnë ta bëjë; njerëz të tillë i ngatërrojnë rregullisht llafet me punën; dhe dikush duhet t’ua ketë servirur “rezultatet” e studimeve të Topallit si municion të gatshëm, ose më mirë, si fishekzjarre të gatshme për t’u shkrepur.

Premisa që në fakt ka qarkulluar edhe gjetiu, se Topalli e paska nxjerrë shqipen si “të huazuar nga sllavishtja dhe greqishtja”, nuk ka kuptim – e shumta mund të përdoret për të diagnostikuar gjymtimin intelektual të atij që e sjell; por për fat të keq tani është mbjellë në shumë forume dhe rrjete sociale, dhe mbi të po ngrihen gjithfarë teorish komploti dhe kështjellash të tjera prej rëre; aq sa gjymtimi në fjalë, nga shqetësim shëndetësor, është kthyer në problem social dhe kulturor. Përkundrazi, shqetësim shëndetësor mbetet interesi kaq i gjallë për tema të tilla të specializuara, në njerëz gdhe, që normalisht duhej të ndaleshin te interpretimi i gjesteve të Cristiano Ronaldo-s në stadium.

Mbi këtë premisë të lebetitur, ngrihet pastaj supozimi se Topallin e kanë paguar – kush tjetër veç serbëve dhe grekëve (pa çka se ky nuk po gjente dot fonde as për të botuar fjalorin dhe desh u nda nga kjo botë pa e parë veprën e jetës së vet të botuar). Misioni i këtij “tradhtari” paska qenë, pra, të “shkatërrojë kombin shqiptar” dhe t’i mohojë atij “gjuhën, kulturën, historinë, heronjtë, etj. (etj.!).”

Do të më thonë: po ç’merresh me këta! Vërtet – më mirë t’i lësh këta të merren me ty dhe me dijen; dhe t’i përvishen çdo përpjekjeje serioze, që në kushtet e sotme unë do ta quaja titanike, për ta nxjerrë si të paguar, tradhtare dhe antikombëtare. Ja ta zëmë se nuk do të merrem më me këta dhe do t’ju kërkoj të falur të gjithëve ju që u trazuat, kur patë që po merrem me këta. Por numri i këtyre sa vjen e shtohet, sikurse sa vjen e shtohet zelli i tyre, falë boshllëkut të përftuar nga tkurrja dramatike e autoritetit të dijes dhe zbythja e autoritetit shkollor, përballë kitsch-it kombëtarist. Nuk është thjesht rritja deri në mizëri, e numrit të shqiptarëve mendërisht të prapambetur dhe paranojakë që shqetëson; por edhe kushtet që po u shërbehen këtyre sot, për t’u ndier të legjitimuar, në bërjen publike të gjepurave që kanë në kokë. Ose ideja e çuditshme se këta – si përfaqësues të masës së gjerë “atdhedashëse” – mund të gëzojnë madje edhe të ushtrojnë “të drejtën e votës” për punë të tilla, thjesht ngaqë këto prekin mitin e tyre kombëtarist; dhe ideja tjetër, a bindja, se “atdhetashuria” mund të përligjë jo vetëm përralla hipotetike si ato të “pellazgologëve”, por edhe çdo lloj budallallëku dhe ligësie, çdo lloj rrugaçërie dhe deliri, mjaft që të vijë nga poshtë dhe të ketë motivimin “e duhur”.

Çabejn deri më tash sikur e kishin kursyer, ose nuk e kishin dëbuar akoma nga panteoni i idhujve të shqiptarisë pop, që adhurohen prej këtyre grigjave; mirëpo shënimi i lartcituar tek TemA, që tek e fundit mund të jetë edhe thjesht provokim (siç janë jo rrallë komentet tek TemA), lë shteg për dyshimin se tashmë hordhitë e hunëve “patriotikas” janë gati për të mbuluar me bajga një tjetër albanolog – pa u tutur më nga autoriteti i tij i dikurshëm dhe i sotëm. Në të vërtetë, shfryrja “ai duhesh varur” tingëllon si e shtirur tej mase, madje edhe në gojën e një plebeu çfarëdo; dhe unë vetë besoj se komenti është shtuar atje me qëllim, për të turbulluar ujërat ose për të parë pastaj reagimet, për të sonduar opinionin, ose reflekset e masës koment-dashëse. E megjithatë, edhe si provokim ky koment meriton vëmendje – për çfarë autori i tij ka zgjedhur për të provokuar: përqindjen e huazimeve në leksikun e shqipes! I njëjti argument me të cilin po godasin e përdhosin Fjalorin e Topallit dhe Topallin vetë. “Masa atdhedashëse” e frymëzuar, u ndiekësh gati për t’ua diktuar objektivat dhe metodat e studimit albanologëve, qoftë edhe duke i kërcënuar si tradhtarë ose të paguar prej serbëve[3] dhe grekëve! Të tilla teza, ckërmitje dhe kanosje kanë kohë që përpunohen në gjirizet e Internetit – por tani kushedi po u vjen dita që të dalin mbi ujë dhe të shfaqen në mainstream.

Mbase edhe “kritikat” kundër Topallit do të shërbejnë tash e tutje më tepër si platformë, për t’iu afruar vjedhurazi Çabejt dhe, me Çabejn, gjithë ngrehinës aq të çmuar dhe prestigjioze të albanologjisë të ngritur dhe të mirëmbajtur, me aq mundim, gjatë shekullit XX, nga dijetarë të huaj dhe shqiptarë. Dikujt që ka edhe njohuritë më elementare nga historia e shqipes, do t’i tingëllojnë fantastike dhe absurde akuzat për “përqindje” huazimesh, sidomos kur i bëhen Çabejt – ose pikërisht atij studiuesi të leksikut shqip që u përpoq më shumë se kushdo tjetër i kalibrit të tij, për t’ia kthyer shqipes etimologjitë e shumë fjalëve që autorë të tjerë para tij i kishin identifikuar si huazime; ndonjëherë duke i tendosur hipotezat dhe arsyetimet përkatëse në kufi të besueshmërisë. Çfarë të bën të mendosh se kjo zallamahi që ngrihet sot, kundër traditës albanologjike, shfrytëzon paranojën patriotike të disa të cektëve, për të arritur synime më afatgjata, dhe pikërisht, për të futur në krizë autoritetin e derisotëm të dijes albanologjike. Duke rrezikuar që të tingëlloj edhe unë si konspiracionist, po shtoj megjithatë që, si çdo përpjekje për rrëzim autoriteti, edhe kjo ka gjasë që ta ketë gati “zëvendësimin”.[4] Pra, frika ime është se komente të tilla dhe dhjetëra në mos qindra të tjera që i ndesh poshtë e lart online nuk janë thjesht akte vandalizmi, ose graffiti të zhgarravitura në muret e agorës virtuale; por parathënia e një veprimi edhe më radikal.

Pesë ose njëzet e pesë ose edhe pesëmijë e pesë komente anonimësh dhe qyqarësh të sëmurë, në zgëqe forumesh në Internet nuk ka gjasa ta ciflosin autoritetin e një Çabej ose të një Topalli; rreziku që më shtyn t’i shkruaj këto radhë është tjetër. Albanologjia në Shqipëri, që të mbahet gjallë, ka nevojë për vëmendjen, kujdesin dhe investimet publike, të cilat i administron shteti. Dhe, për fat të keq, shteti ka provuar rregullisht se nuk do t’ia dijë më për fusha të tilla intelektuale, ku mbarëvajtja dhe normaliteti nuk përkthehen menjëherë në vota dhe simpati popullore. Shteti mund ta lërë Akademinë dhe albanologjinë të vdesë urie, teksa paguan miliona për koncerte pop dhe zbukurime me tullumbace dhe fjongo dhe bojatisje fasadash – sepse shteti është vënë në shërbim të pushtetarëve, që kanë për synim të parë të ruajnë dhe të riprodhojnë pushtetin. Prandaj, në atë masë që refuzimi brutal i traditës albanologjike vjen e masivizohet, edhe vëmendja, kujdesi dhe financimet publike (shtetërore) për albanologjinë akademike dhe universitare do të vijnë duke u pakësuar.

Indiferenca ndaj kësaj histerie hakërruese nuk mund të përligjet; aq më tepër që, fakti që ti je anonim, i paditur dhe i pagdhendur nuk të bën gjë më shumë atdhedashës se ai tjetri, që i përkushton jetën ruajtjes, mirëmbajtjes riprodhimit dhe pasurimit të traditës në një dije me aq shumë valencë shpirtërore sa ajo albanologjike. Sikurse nuk të bën gjë atdhedashës fakti që po e pëllet këtë pretendim atdhedashurie, nga mëngjesi në mbrëmje, në çdo forum dhe hapësirë publike që të dëgjojnë. E kam thënë edhe gjetiu dhe do ta përsërit: kushdo që i përkushtohet shërbimit publik është një mijë herë më shumë patriot se një masë bagëtish që blegërijnë kundër “serbit” dhe “grekut”; është e turpshme për të gjithë ne, që masën e njeriut ta ngatërrojmë me zhurmën që ndonjëri mund të bëjë kur flet (ose edhe milionat, për atë punë). Dhe fakti që shteti dhe pushteti po dështojnë në angazhimin e tyre elementar për të mbrojtur vlerat kulturore, nuk mund të na e përligjë heshtjen ne të tjerëve; edhe Kolec Topalli, kur nuk po ia jepnin fondet e botimit të fjalorit, ishte gati ta botonte atë – një libër mijëra faqesh, një punë mijëra ditësh – me shpenzimet e veta. Pushtetarët vijnë dhe ikin, karnavali vazhdon me ngjyra edhe më të ndezura, me maska edhe më groteske; por traditat nuk do të mund t’i ripërtërijmë më, nëse i lëmë të ndërpriten.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen e një administratori të revistës.


[1] Për këtë na lajmëroi te Peizazhet edhe Kristaq Jorgji, në një koment te një temë e mëparshme.

[2] Nuk po zgjatem shumë në fantazinë e elaboruar të “mohimit” – të gjuhës, të historisë, të trashëgimisë, të heronjve; të mënyrës si “ta bësh një komb të mos ekzistojë”; dhe as në paraqitjen e kombit shqiptar si “fosile e gjallë” (vjetërsia si garanci dhe si apologji); rimarrja dora-dorës e fjalës mjeran, së cilës në këto kontekste mund edhe t’i gjurmohet burimi po aq lehtë sa edhe fantazisë vetë. Dhe nuk po zgjatem thjesht ngaqë për këto kam shkruar gjetiu dhe tani dua të fokusohem diku tjetër. Lexuesi është i ftuar të nxjerrë përfundimet e veta, por t’i lërë komentet dhe ta mbajë mend indinjatën, për një moment të përshtatshëm në të ardhmen.

[3] Më bën përshtypje sa të shpeshta po bëhen referencat ndaj serbishtes në këto reagime; dhe pikërisht, ngaqë serbishtja si e tillë nuk ka luajtur rol të spikatur në historinë e shqipes në shekuj dhe ngaqë, kur analizohet leksiku i shqipes, flitet zakonisht për sllavizma: dallimi i serbizmave nga bullgarizmat është shpesh i pamundshëm. Atje ku sllavizmat nuk kanë depërtuar me rrugë kontakti, në të folme të caktuara, në zona kufitare me gjuhët sllave, spikat më shumë ndikimi i bullgarishtes (p.sh. në Myzeqe). Prandaj kjo shfaqje disi e papritur e serbishtes, përgjithësisht gjuhë e dorës së dytë në kontekstet etimologjike të shqipes, mbase mund të shpjegohet me aktivizimin në rritje të komentuesve anonimë nga Kosova, të cilët edhe natyrën edhe autoritetin e dijes albanologjike e përjetojnë disi ndryshe nga komentuesit nga Shqipëria (pa folur për ca të tjerë, që nuk e bëjnë dot dallimin konceptual midis huazimeve sllave dhe huazimeve serbe).

[4] Kam bindjen se të tillë elementë po lëvrijnë edhe në hapësirat e komenteve te Peizazhet, edhe pse shpesh të fshehur pas një gatishmërie të shtirur për mirëkuptim. Edhe pse ne nuk censurojmë kritikën e mirëfilltë, ndaj cilitdo autoritet, edhe atij që e ndjekim ne vetë si të tillë, sërish do të vazhdojmë të bëjmë dallim parimor midis dijes (shkencës) dhe sharlatanëve: asnjë detyrim nuk kemi ndaj këtyre të fundit, përveç detyrimit për t’u treguar vendin.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.