UH, EVROPË!

nga Gjilpëra

Lexoj në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung[1] për një plan të disa vendeve evropiane se si Evropa mund të zgjidhë krizën e refugjatëve me të cilën ajo po përballet prej disa vitesh. Kryeministri danez Rasmussen iu drejtua bashkëkombësve të tij disa ditë më parë me një fjalim parimor, në të cilin ai foli për atdheun e vet, për kushtetutën shekullore dhe për vlerat kulturore dhe morale të qytetarëve danezë, vlera këto që, sipas tij, janë të rrezikuara nga jashtë (nga Amerika, Rusia), por edhe nga brenda shoqërisë daneze, nga emigrantët me rrënjë jo-perëndimore, të cilët as i quajnë të tyret këto vlera dhe as i respektojnë ato. Pikërisht për këto arsye ai i quajti politikat e emigracionit si të domosdoshme për të mbrojtur komunitetin dhe identitetin danez.

Në deklaratën e tij zoti Rasmussen paska shpallur edhe se si qeveria e tij – bashkë me ato të disa vendeve të tjera evropiane – ka menduar t’i japin dum kësaj pune me një regjim të ri azili për Evropën: duke ngritur qendra të pritjes dhe të dëbimit të emigrantëve të cilëve u është refuzuar statusi i refugjatëve nga vendet e BE-së, qendra këto që nuk do të jenë në vendet e Bashkimit Evropian, por në vende të tjera evropiane, jo-atraktive për refugjatët dhe për trafikantët e tyre. Këto vende pastaj do të (dëm)shpërblehen nga BE-ja ose nga vendet anëtare të saj.

Nëse, për shembull, një emigranti të paligjshëm në Danimarkë i është refuzuar statusi i refugjatit nga shteti danez, atëherë ky emigrant nuk do të lejohet më që të qëndrojë në Danimarkë – siç ndodh në shumë raste sot pasi procedurat e kthimit shpesh zgjasin me muaj dhe me vite dhe në shumë raste nuk përfundojnë fare me sukses – por ai do të transferohet në një nga qendrat përmbledhëse në vendet evropiane jo-atraktive, ku ai do të pres kthimin në shtetin e vet. Po ashtu, nëse një emigrant ilegal dëshiron të kërkojë azil në një nga vendet e BE-së, atij nuk do t’i lejohet të qëndrojë në BE, por do t’i duhet të bëjë kërkesën për azil në një nga këto qendra dhe të presë aty deri në miratimin apo refuzimin e kërkesës së tij.

Plani për regjimin e ri të azilit, shkruan gazeta, është duke u diskutuar me disa shtete të tjera evropiane, me qeveritë e të cilave, sipas kryeministrit danez, ata janë “të një mendjeje”. Holanda dhe sidomos Austria u përmendën si aleate të Danimarkës në këtë çështje; Gjermania është informuar po ashtu, por nuk ka ende një qëndrim zyrtar për këtë nismë. Kancelari austriak Kurz po ashtu ka konfirmuar një iniciativë të disa vendeve të BE-së për politikat e azilit, madje ministri i tij i rendit u shpreh për një ndryshim të krejt modelit të deritanishëm të sistemit (Paradigmenwechsel).

Rasmussen-i nuk përmendi konkretisht se cilat do të jenë këto vende evropiane që do të kenë “fatin e madh” që të ngrenë qendra brenda territorit të tyre për të mbledhur emigrantët e padëshiruar dhe të refuzuar nga BE-ja, por ne mund ta marrim me mend që ai s’do të ketë pasur në mendje as Zvicrën, as Norvegjinë dhe as Vatikanin kur foli për vende evropiane jo-atraktive. Me shumë gjasa, me këto vende “të nëmura” bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainën.

Vendet e BE-së, siç duket, të paafta për një kompromis mbi shpërndarjen e emigrantëve, të lodhura nga diskutimet pa fund dhe, më kryesorja, pa dëshirën e mirë dhe vullnetin e duhur për të zgjidhur mes tyre problemet me emigracionin e paligjshëm (shiko dështimin e të ashtuquajturit “sistemi Dublin” dhe i “sistemit të kuotave”) janë drejtuar tashmë drejt një zgjidhjeje të pamoralshme, të stilit neokolonial, për ta eksportuar problemin e tyre drejt vendeve më të varfra të Evropës, atyre vendeve që po presin anëtarësimin jashtë derës së BE-së dhe që e kanë të vështirë për të kundërshtuar, në vende ku elitat përkatëse janë gati – sa nga servilizmi aq dhe nga paaftësia dhe korrupsioni – që interesat kombëtare t’i bëjnë kurban për një premtim apo një shpërblim nga BE-ja.

Për ta theksuar dhe një herë: këtu bëhet fjalë për emigrantë synimi i të cilëve janë vendet e Bashkimit Evropian dhe jo Shqipëria, Serbia, Kosova apo vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, këtu flitet edhe për emigrantë që kanë mbërritur prej kohësh në vendet e BE-së si Danimarka, Gjermania apo Austria dhe të cilëve u është refuzuar statusi i refugjatit aty, por që për arsye të ndryshme nuk mund apo nuk duan të largohen prej andej me dëshirë[2].

Natyrisht që Shqipëria, si vend origjine i shumë emigrantëve në këto tre dekadat e fundit, ka përgjegjësinë e vet morale që aty ku mundet dhe me aq sa mundet për kapacitetet e saj administrative dhe financiare, të jetë mikpritëse ndaj refugjatëve që kërkojnë strehim dhe ndihmë në Shqipëri. Por qeveria shqiptare nuk ka asnjë detyrim – as ligjor dhe as moral – para vendeve shumë më të pasura dhe më të organizuara të Evropës që ta kthejë Shqipërinë në një bazë grumbullimi për emigrantët të padëshiruar nga vendet e BE-së, nëse kjo gjë i kërkohet qeverisë prej këtyre vendeve. Për më tepër, me një veprim të tillë qeveria shqiptare nuk u bën nder këtyre emigrantëve duke i sjellë ata në Shqipëri, por përkundrazi, i dëmton ata: qëllimi i këtyre emigrantëve nuk janë kampet e Ballkanit por vendet e Bashkimit Evropian.

Në katër vitet e shkuara mbi 1.8 milionë persona kërkuan azil në Evropë[3], refugjatë dhe emigrantë ekonomik nga Lindja e Mesme, nga Afrika por dhe vende më të largëta si Afganistani (mes tyre dhe disa dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë, për turpin e qeverisë shqiptare!). Shumë prej tyre ndërkohë u është refuzuar kërkesa për azil në BE dhe u duhet të kthehen në vendet e origjinës. Po ashtu janë me qindra mijëra emigrantë të tjerë – vlerësimet shkojnë në disa milionë[4] – që aktualisht presin në Afrikën e Veriut për të kaluar Mesdheun për në Evropë, për të mos folur pastaj për rrezikun e rritur nga gjendja e tensionuar ne Lindjen e Mesme që nuk përjashton vatra të reja krizash me valë të reja refugjatësh, si ajo e para pak viteve nga Siria.

Kemi të bëjmë pra me përmasa të konsiderueshme të problemit të emigracionit në Evropë, dimensione këto që me shumë gjasa do të rriten edhe më tej në vitet dhe dekadat që vijnë.

Javën që shkoi kryeministri Rama u takua me kancelarin Kurz në Vjenë ku, sipas lajmeve, tema tjetër kryesore e bisedimeve, përveç hapjes apo refuzimit të negociatave të Shqipërisë për pranimin në BE, ishte tema e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë nga Ballkani Perëndimor për në BE. Ne nuk e dimë nëse aty u diskutua apo jo edhe për qendrat e pritjes dhe dëbimit së emigrantëve, që u përmendën më pas nga kryeministri danez, dhe nëse ka pasur apo jo një propozim drejt qeverisë shqiptare (dhe reagimin e Ramës ndaj tij, nëse ka pasur).

Sidoqoftë, për qeverinë, për opozitën dhe shtetin shqiptar është e këshillueshme në këto rrethana vigjilencë maksimale ndaj çdo propozimi që mund t’u bëhet në drejtim të ngritjes së qendrave për grumbullimin në Shqipëri të emigrantëve të padëshiruar të BE-së sot, apo të atyre që mund të synojnë Evropën nesër. Shqipëria, si një nga vendet më të varfra të Evropës, me kapacitete shumë të kufizuara administrative dhe financiare, me një ekonomi rudimentare që vuan nga papunësia kronike dhe zhvillimi anemik, me probleme masive me sistemin e drejtësisë dhe sidomos me sigurinë publike (mendo lulëzimin e trafikut ilegal të njerëzve drejt Evropës nëse në Shqipëri grumbullohen me mijëra emigrantë që synojnë Evropën) nuk plotëson asnjë premisë – po asnjë fare ama! – për të marrë përsipër një rol të tillë në zgjidhjen e një problemi i cili, për më tepër, nuk është fare problemi i saj.

E fundit, por më e rëndësishmja: për një vend të vogël si Shqipëria dhe në situatën ku gjendet sot shoqëria shqiptare, pas tre dekadash tranzicioni rraskapitës për vendin dhe shkërmoqës për kohezionin social, kur vendi ka humbur më shumë se një të tretën e popullsisë në emigracion dhe ku shumë prej shqiptarëve që jetojnë sot në Shqipëri veç presin momentin për t’u larguar edhe ata, kur problemi demografik i rënies së popullsisë po merr përmasa serioze, në këto rrethana pranimi i qendrave të emigrantëve në Shqipëri do të ishte me pasoja të paparashikueshme, që mund të zgjasin me dekada, për bashkëjetesën sociale, për ekuilibrat delikate fetare në vend dhe në përgjithësi për kohezionin e shoqërisë shqiptare.

Ashtu si Rasmussen-i i jep prioritet mbrojtjes së komunitetit dhe identitetit danez në politikat e emigracionit, ashtu dhe qeveria shqiptare duhet të udhëhiqet nga parimi i mbrojtjes së komunitetit dhe identitetit shqiptar në politikat e saj.

Prandaj, nëse në ditët dhe javët që vijnë Shqipërisë i kërkohet të pranojë ngritjen e qendrave të refugjatëve në vend, përgjigjja e qeverisë shqiptare duhet të jetë vetëm një JO e shëndoshë!

(c) 2018, Autori.


[1] FAZ, 07.06.2018: Wie Dänemark unattraktiv für Asylbewerber werden will

http://www.faz.net/aktuell/politik/ausland/migrationspolitik-wie-daenemark-unattraktiv-fuer-asylbewerber-werden-will-15627389.html

[2] Vetëm në Gjermani ka 229 mijë emigrantë të cilëve u është refuzuar statusi i azilantit dhe që duhet të largohen nga vendi; FAZ, 10.03.2018: Aufenthalt gefährlicher Ausländer konsequent beenden

http://www.faz.net/aktuell/politik/behoerden-mit-abschiebungen-von-asylbewerbern-ueberfordert-15486225.html

[3] UNHCR, 08.06.2018, Mediterranean Situation

https://data2.unhcr.org/en/situations/mediterranean

[4] DIE WELT, 23.05.2017: Bis zu 6,6 Millionen Flüchtlinge warten auf Fahrt nach Europa

https://www.welt.de/politik/deutschland/article164827505/Bis-zu-6-6-Millionen-Fluechtlinge-warten-auf-Fahrt-nach-Europa.html

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.