UNË NUK I PASTROJ NEVOJTORET

Këto ditë që po flitet për mosbindje civile, nuk di pse më erdhi në mend një histori nga vitet e universitetit.

Kishim shkuar për një muaj punë të detyruar në Gjadër të Lezhës, ose në “aksion” sikurse e quanin atëherë.

Një shok imi, ngaqë ishte vërtet i sëmurë ose mbase thjesht për të mos dalë me shat në arë, kish siguruar nuk di ç’raport mjekësor, prandaj punonte si pastrues të kapanonit.

Dhe si pastrues, duhej të kujdesej edhe për nevojtoret e përbashkëta që ngriheshin të mjera, në një sukë aty pari – dëshmi mjerane të higjienës sonë kolektive, ushqimit që na shërbehej dhe raportit tonë simbolik me jashtëqitjen.

Kapanonet i administronte një profesor relativisht i ri në moshë, që i parë nga larg dukej si një kryqëzim i derrit me viçin; ndërsa i parë nga afër dukej si kryqëzim i viçit me derrin.

Vinte rrotull duke pëllitur dhe lëshonte poshtë e lart qortime dhe urdhra, për të imponuar autoritetin. Ndoshta ngaqë nuk ishte as anëtar i PPSH-së dhe nuk ia varte kush.

Ashtu shkon një ditë të inspektojë nevojtoret, nuk i gjen në lartësinë e duhur, ose kushedi edhe se s’i kish dalë mirë pija një natë më parë a kish humbur në bixhoz kundër ndonjë patriarku, vjen dhe i thotë këtij shokut tim, që po shullëhej në diell:

“Nevojtoret nuk janë pastruar mirë.”

Dhe kur ky tjetri e pa gjithë inat, shtoi:

“Ç’më shikon mua? Çohu dhe shko pastroji!”

Këtu, shoku im iu përgjigj me zë të ulët:

“Unë nuk i pastroj nevojtoret!”

“Si the, si the?”

“Unë nuk i pastroj nevojtoret!”

Më pas nuk ndodhi asgjë. Ose të paktën u duk sikur nuk ndodhi asgjë. Nevojtoret do t’i ketë pastruar ndonjë nga kapanoni përbri; ose i lanë ashtu. Ndaj shokut tim nuk u mor asnjë masë. Rebelimi nuk u përsërit më, por as viç-kaporali nuk u shfaq më, për të dhënë komandat e ditës.

Çfarë nuk dinte urdhër-thyeri, por që të gjithë ne të tjerët e dinim, ishte se batuta lapidare e shokut tim, “Unë nuk i pastroj nevojtoret!” ishte rimarrë, në fakt, verbatim nga romani Ushtari i mirë Shvejk i Jaroslav Hashekut; si përgjigjja që i jep një nga personazhet e veprës, kadeti Marek, urdhrit ndëshkimor që i vjen nga një kokëlopë e ngjashme me këtë tonin.

Aso kohe Shvejku ishte i vetmi tekst që na i bënte të pranueshëm muajt e kaluar në heqje lirie (zbor) ose në punë angari (aksion); njëlloj siç i ndihmonte Bibla të dënuarit me vdekje në Mesjetë.

Ngushëllimin e gjenim duke e lexuar si manual të rebelimit paqësor. Mjerë ai shtet dhe ajo shoqëri, ku brezi i ri e përdor Shvejkun si Bibël.

Ndoshta ai profesori, viç i kryqëzuar me derr, ose – tani që jemi të Shvejku – i karakterizueshëm edhe me shprehjen e çuditshme zoologjike viç derri, do ta ketë keq-interpretuar ndriçimin në fytyrën e shokut tim, duke e marrë për insubordinim.

Por në fakt shoku im vetëm sa u ngazëllye, ngaqë iu dha rasti të përdorte më në fund një batutë nga Shvejku, në një situatë reale.

Për këtë edhe u ndie hero, jo ngaqë ia kish kthyer urdhrin viç-derrit.

Referimi te Shvejku sikur i dha mundësi të merrte fymëzim dhe kurajë nga romani, madje jo vetëm nga romani por edhe nga lufta e përjetshme midis njeriut (homo sapiens) dhe hajvanllëkut burokratik; ose parimit se autoriteti mund të mishërohet edhe në urdhrat për pastrim nevojtoresh.

Shvejku e shpëtoi shokun tim nga poshtërimi.

Dhe cili është morali i kësaj historie?

Pikë së pari, që nevojtoret duhen mbajtur pastër, pavarësisht nga struktura e pushtetit civil, sepse një qytetërim gjykohet edhe nga gjirizet që ka.

Pikë së dyti, që refuzimi për të zbatuar urdhrin që vjen nga lart, ose vendosmëria për të mos u bindur, vjen më natyrshëm kur refuzuesi flet me disa zëra – për shembull, me zërin e vet dhe të kadetit Marek, si në historinë më lart.

Romani i Hashekut i tregoi shokut tim, siç edhe na kish treguar të gjithëve ne, se autoriteti obtuz mund të sfidohet më lehtë, po të distancohesh pak prej tij, aq sa të fillojë të duket absurd. Qoftë edhe atëherë kur ky distancim bëhet duke u kuturisur në letërsi.

Prandaj, në atë skenë, përgjigjen “Unë nuk i pastroj nevojtoret!” nuk e dha shoku im, por kadeti Marek. Dhe ishte po kadeti Marek, që e shndërroi gjithë skenën në teatër komik. Madje viç-derri do ta ketë kuptuar, sado me vonesë, që ky refuzim i urdhrit të tij komik do të tregohej dhe ritregohej mes nesh, në forma të ndryshme; aq sa autoritetin e tij të gjithë do ta shoqëronin tash e tutje mendërisht me nevojtoret e papastra.

Më në fund, mund edhe të spekulohet që autoriteti, në mjedise të tilla krejt të papesha si universiteti, nuk ishte veçse një karikaturë e atij tjetrit, të mirëfilltit, që ushtronte regjimi më shumë padukshëm se dukshëm; dhe se të gjithë ne, poshtërues e të poshtëruar, autoritete kapanonesh dhe të rebeluar nevojtoresh, nuk ishim veçse kukulla teatri, ose personazhe të një libri të keq, në duart e pasigurta të një autori të pirë.


© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të revistës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *