VAJ PËR TË BUKURËN MORE

Ky shkrim i përcjellë ditët e fundit në disa gazeta shqiptare, shkëputur sipas tyre nga një botim i studiueses Teuta Kamberi-Llalla botuar në Tetovë në 2008-ën, bën një mish-mash interpretues për këngën “O e bukura More”.

Por kur shkrimi i vjen lexuesit shqiptar pa dallim, prej organesh mediatike me status normal për Shqipërinë, dhe nën pretendimin shkencor si tekst i një studiueseje, çështja komplikohet. Për më tepër Peizazhe të Fjalës botoi në gusht një shkrim dy-pjesësh timin “Udhëtimi i këngës” (pjesa e parë dhe pjesa e dytë ) që diskuton po ashtu historinë e këngës “O e bukura More” mbi bazën e krahasimeve tekstuale kritike të disa studiuesve arbëreshë (më duhet të përdor të njëjtën fjalë “studiues”), si dhe zhvillimet e saj të mëpastajme ideologjike dhe artistike në modelin e sotmë shqiptar të kulturës pop. Këtë shkrim timin (me titull të ndryshuar jo prej meje) e botova disa javë më pas në shtojcën kulturore Milosao të Gazetës Shqiptare. Pas botimit të shkrimit në PTF ka pasur më shumë se një rimarrje në site të ndryshme mediash të kësaj teme, që për fat të keq kanë krijuar një diskurs paralel shpesh të paplotë dhe të painformuar.

Metodologjikisht dhe ideologjikisht prodhimi i një teksti me frymë patriotike por pa përmbajtje, mund t’i takonte mijëra grupeve militanteske kulturore që ngopin Internetin me ëndrra të një nate vere. Është e vështirë të vendosësh nga t’ia nisësh në lëmshin kryer në terr kulturor të këtij shkrimi që botohet si i shkëputur nga një hyrje e një antologjie me poezi arvanite me autore Teuta Kamberi-Llallën. Por do përqëndrohem kryesisht tek vetë kënga. Në korsive paraqes tekstin e autores:

1. “Shumë mendime ka rreth poemës O E BUKURA MORE, ku secili jep mendimet e veta”. Po të lëmë mënjanë pasaktësitë e shprehjes në këtë fjali, duhet thënë së paku se në një studim nuk mund të shprehen “mendimet e veta”, mes “shumë mendimesh” pa i analizuar ato. Kjo mënyrë të punuari është pikërisht e kundërta e një “studimi”.

2. “Kjo poemë e përcjell gojarisht dhe e shtuar shumë vite më vonë ka këtë histori.” Një tjetër fjali problematike në formë e përmbajtje, por që pretendon të sjellë historinë e vërtetë të këngës. Të shohim tani këtë histori.

3. Pasi jepen disa të dhëna të shkurtra (pa referenca, por të vërteta) për shfaqjet e para të poezisë së vjetër arbëreshe “O e bukura More”, përfundohet: “Vite më vonë poemës “O e bukura More” do t’i shtohen edhe disa reshta të tjera nga Arqimadriti Pietro Camodeca.” Ooops: këtu autorja i ngatërron punët keq. Këngën origjinale “O e bukura More” që vërtet është gojore, e vjetër dhe e dalë në dritë pas dorëshkrimeve të Kieutit që herët në 1700 e më pas shfaqur tek Kamarda, e ngatërron me këngën tjetër “Petkat e të mirat tona”, vetëm sepse edhe kjo e fundit përmban në formë refreni vargun “O e bukura More”. Nuk ka asnjë lidhje mes dy këngëve, as në origjinë, as në histori e as në përmbajtje. Po ashtu dukshëm nuk ka lidhje në formë e stil mes tyre[i]. Autorja Kamberi thotë se këngës “do t’i shtohen edhe disa reshta të tjera”. Por, krahasoni dy këngët dhe vëreni që mes tyre nuk ka asnjë lidhje: kënga “O e bukura More” ka vetëm një pesë-vargësh (shih versionet sjellë në shkrimin Udhëtimi i Këngës më lart) ndërsa “Petkat e të mirat tona”(shih versionin e Kamberit) ka rreth 50 vargje më shumë ose, siç thotë autorja, rreshta të tjerë të shtuar. Për më tepër, asnjë prej këtyre vargjeve s’ka lidhje me këngën origjinale as në formë e as në përmbajtje, veç refrenit “O e bukura More”. Pra arqimandriti Pietro Camodeca nuk na ka shtuar ca vargje në këngën “O e bukura More”, por ka shkruar një këngë tjetër për hesap të vet botuar më 1903.

4. Vazhdon Kamberi: “Kjo këngë-vaje që i kushtohet dhimbjes shpirtërore për braktisjen e pasurive të tyre u këndua për herë të parë në fshatin arbëresh Shën Dhimitri Korone në Itali. Pra, kjo poemë e kthyer në këngë nuk i përket krijimeve të poezisë gojore të arbëreshëve por, të arvanitasve. Dallimi midis arbëreshëve dhe arvanitasve është sepse arbëreshët emigruan në Itali nga Arbëria (Shqipëria), ndërsa arvanitasit shkuan në Itali nga Greqia.” Pasi studiuesja ka ngatërruar dy këngët me njëra tjetrën dhe e ka bërë të dytën shtesë “disa vargjesh” mbi të parën, e rëndon më tej kandarin në krahun që s’duhet. “O e bukura More”, në fakt, nis në Siqili (shih Udhëtimi i Këngës), ndërsa “Petkat e të mirat tona” nis në Kalabri, sido që sot të dy këngët (e ndryshme) këndohen nga gjithë arbëreshët, madje siç dëshmon fati i autores, mund të hasen edhe në Greqi. Gjithashtu, ndryshimin mes emërtimit “arbëresh” dhe “arvanit” sot e njohin saktë edhe nxënës shkollash. Vërtet arbëreshët kanë mbërritur në Itali prej zonash të ndryshme të Shqipërisë dhe të Greqisë së sotme, dhe po ashtu në valë të ndryshme që zgjatën rreth 300 vjet deri më 1740-ën, por ndarja e tyre në “arbëreshë” dhe “arvanitas” sot kur kanë stabilizuar kuptime gjeografikisht të markuara, dhe servirja si risi shkencore është qesharake. Pavarësisht nga studimet e fundit gjenetike (2015) përmendur në Udhëtimi i Këngës, që kërkojnë të zbulojnë zonat ekzakte greke apo shqiptare prej nga vijnë arbëreshët, t’i ndash shqipfolësit e vjetër italikë në arbëreshë dhe arvanitë, për më tepër bazuar në teorinë bërë lëmsh të dy këngëve trajtuar si një e vetme, duhet të kesh guxim të çartur joshkencor.

Unë jam krejt për traditën judaike që teksti i shkruar të mos zhduket kurrë, dhe e vlerësoj faktin që këngët arvanite (ose jo) të mbledhura e arkivuara nga Lidhja e Arvanitasve të Greqisë të shohin dritë. Por puna është se si përcillen dhe si përfundojnë. E kotë të shitet si “punë shkencore” botimi i vargjeve të mbledhura mirësisht prej një shoqate popullore dhe i një analize që pastaj bën çudira dhe ngatërron miletin. Gjithashtu, e kotë ta shesësh një antologji të këtij lloji si “punë të vështirë”, siç thotë autorja. Lukas Tsitsipis, Peter Trudgill, Eric Hamp, Eleni Botsi e plot studiues të tjerë kanë bërë analiza serioze dhe të lëvdueshme sociolinguistike të problematikave sociale e gjuhësore arvanite. Gjynah që autorja bie në përfundime infantile të tipit “ata me shumë sakrifica ruajtën gjuhën, kulturën e tyre shqiptare, si dhe në fillim të viteve 1980 themeluan Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë”, sepse kjo tregon që nuk njeh aspak as situatën e veçantë të arvanitëve dhe as atë të Lidhjes për të cilën flet krijuar në 1981. Sakrificat e bëra për të mbajtur gjuhën gjallë dhe vazhdimësinë e tyre që çon më pas në krijimin e shoqatave, studiuesja Kamberi i ka ngatërruar ndoshta me gjësend tjetër në Tetovë. Një raport i thjeshtë e i shkurtër botuar nga mbrojtës të të drejtave të njeriut (normalisht hartues raportesh organizmash të tillë nuk janë studiues shkencorë klasikë, por thjesht punonjës seriozë, relativisht të mirë-shkolluar e të pajisur me një metodologji sistematike) jep një pasqyrë shumë më të saktë si për gjendjen e arvanitëve, ashtu edhe natyrën e disa shoqatave arvanite në Greqi.

Po ashtu studiues të universiteteve të Kalabrisë dhe Palermos dhe bashkëpunëtorë të tyre kanë shkruar bollshëm dhe shumë përpara botimit të antologjisë së Kamberit për gjuhën dhe kulturën arbëreshe. Edhe një herë, e pafalshme të injorohet dija ekzistuese për të rënë në përgjithësime cliché, sipërfaqësore dhe sidomos joshkencore! Nuk kam arsye të mos respektoj karrierën politike të Kamberi-Llallës dhe e vlerësoj luftën e saj në krah të UÇK-së, por antologjia e arvanitëve duhet bërë nga e para që të ketë vlerë. Jam kundër çdo lloj përdorimi që mund t’i bëhet këtij shkrimi për arsye që nuk lidhen me temën e trajtuar këtu, atë të analizës së këngëve në fjalë.

Në këtë pikë më duhet të jap edhe historinë e përmbledhur të këngës “Petkat dhe të mirat tona” (asaj që s’ka lidhje me “O e bukura More”), sipas studiuesit Matteo Mandalà në librin “Mundus vult decipi, I miti della storiografia arbëreshe”, A.C. Mirror, 2007, fq. 222-228.

Ky vëllim që hedh dritë në origjinën e disa prej miteve themelore arbëreshe që aq lehtë lëvizin mes historisë dhe legjendës, mes racionalitetit e provës dhe një kujtese kolektive thellësisht emocionale,  (ndaj dhe pre e lehtë manipulimesh), përfundon pikërisht me analizën e këngës “Petkat e të mirat tona”. Këto më poshtë janë disa nga përfundimet e një analize skrupuloze dokumentare e tekstuale të autorit.

Kjo këngë që rievokon ikjen e arbërve nga Koroni (Corone) i Greqisë duke lënë pas “petkat e të mirat” materiale dhe ideale, këngë që unë e kam hasur në fshatra të ndryshme arbëreshe me titull “Petkat e të mirat tona”, rimerr sipas Mandalà-së temën e historisë false të ardhjes së koronejve fisnikë dhe virtuozë në Itali prej Koronit në More (Peloponez). Mandalà i kushton një pjesë të mirë të këtij libri pikërisht demistifikimit të mitit të Koronejve që ka si krijues një ndër intelektualët e vjetër arbëreshë, Pietro Pompilo Rodotà-në (1770). Poezia “Petkat e të mirat tona” ishte në fakt një poezi e panjohur deri në 1973, kohë kur papas Emanuele Giordano e veshi me një melodi të stilit bizantin. Giordano, me një shënim të veçantë shpjegues të pëmbajtjes së këngës, edhe ia përforcoi përmbajtjen rodotaiane si kënga për historinë e 200 anijeve të admiralit Doria dhe ikjen masive nga Koroni më 1534 duke lënë pas gjithçka. Në atë shpjegim për këngën botuar në “Zëri i Arbëreshvet”, Giordano përfshin edhe emrin e autorit të rapsodisë, arqimandritin Pietro Camodeca De’ Coronei da Castroregio, si edhe origjinën e botimit të këtij të fundit më 1903[ii]. Që prej melodisë së Giordanos, kënga u përhap masivisht, duke u konsideruar më së shumti si këngë popullore patriotike anonime arbëreshe. Ka shumë të ngjarë që kënga mori rrugën drejt Moresë pikërisht pas këtij kompozimi që e bëri të njohur, për mendimin tim prej personash lehtë të identifikueshëm, dhe mbërriti tek shoqata Arvanite, një rrugë kjo e thjeshtë duke qenë se interesi drejt dheut të të parëve mes arbëreshëve ka qenë dhe mbetet i jashtëzakonshëm[iii]. Për fatin e vet të keq, këtë version e hasi botuesja e Antologjisë që pastaj lehtësisht ia veshi një kënge tjetër pa lidhje.

Po ku e gjeti Camodeca motivin e poezisë së vet, motiv për të cilin në fakt nuk thotë asgjë në botimin e poezisë. Mandalà dokumenton se Camodeca nuk u frymëzua direkt nga historia e koronejve të Rodotà-së, por prej një krijimi poetik amatoresk të Michele Scutari-t në librin e vet “Notizie istoriche sull’origine e stabilimento degli Albanesi nel Regno delle Due Sicilie, sulla loro indole, linguaggio e rito”, botuar në Potenza më 1825. Në faqen 24, Scutari hedh pa kujdes[iv] dhe krejt pa lidhje me kontekstin historik që shtjellon, tetë vargje të palidhura me përpjekjet e tij që tezën e origjinës aristokratike të koronejve ta shtrinte në shumë më tepër fshatra arbëreshë sesa ata që përfshiheshin në versionin fillestar të historisë së Rodota-së. Scutari vetë dëshmon se ato pak vargje i ka futur në material vetëm që t’i ofrojë lexuesit një provë të gjuhës shqipe. Por Scutari sugjeron që bëhej fjalë për një fragment kënge “popullore”. Pikërisht këtë shndërrim të një ushtrimi poetik të vetë Scutarit, në copë kënge popullore, Mandalà e konsideron si mistifikim historik. Për të, si prania e rimës, ashtu edhe përmbajtja e tetë vargjeve që i referohet hollësisht legjendës së përmendur pikërisht prej Rodotà-së[v] së udhës së Shën Mërisë prej qytetit të Shkodrës në Genazzano, thonë qartë se vargjet nuk ishin të popullit anonim, por të dikujt që njihte mirë veprën e Rodotà-së dhe dinte të përdorte rimën. Falsifikime të tilla poetike shtyrë nga ideologjitë romantike të kohës ishin normale edhe për disa nga poetët më të njohur e të veneruar Arbëreshë. Po jap këtu edhe tetë-vargëshin sjellë nga Mandalà në fq. 224-225. Lidhja me “Petkat e të mirat tona” është evidente.

Maumeta duaj na’ vrin’
E na’ erdhëm ndë Litinj
Petkat e të mirat tona
Lam gjith te Korona
Erdh me neve Scirmria
Kur jeim ka Turkia
Ajo vate Xhenacan
Na qintruam Napulltan

(c) Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autores.


[i] Për fat, një vit para botimit të librit me poezi Arvanite të autores, historia e këngës tjetër “Petkat e të mirat tona” ish bërë e njohur nga studiuesi M. Mandalà i cili sjell dokumentacionin e nevojshëm dhe i bindet një metode krahasimore dhe studimore bindëse.

[ii] një kopje origjinale e së cilës ruhet në Bibliotekën Mbretërore në Kopenhagen

[iii] Në një notë të palidhur direkt me Kamberi-Llallën: ka dy vjet që unë ndërtoj projektin e kërkimit të disa takimeve themelore kulturore dhe ideologjike mes shqipfolësve të vjetër në Itali, Greqi, e Shqipëri me njëri-tjetrin. Projektin e pabotuar nuk e kam sekret dhe e kam ndarë me shumë njerëz. Nuk e kam kryer, sepse kam qenë e zënë me punë të tjera dhe nuk kam aplikuar për financimin e tij. Por ide të tij i kam gjetur të përsëritura nga të tjerë “studiues” pa iu referuar, gjë që më ka lënë shije të keqe. Por së paku pres që puna që bëhet nga një “studiues”, me apo pa projektin e vet origjinal, të jetë serioze.

[iv] Më mirë do ishte të thoja “plas” që t’i përmbahem kuptimit të fjalës “scaraventare” përdorur prej Mandalà-së.

[v] Scutari në veprën e vet përfshin edhe një përmbledhje të historisë së ardhjes në Itali shkruar nga Rodotà.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top