VARGJE TË PANJOHURA TË CHARLES BAUDELAIRE

Pas dy javësh, më 22 nëntor, shtëpia e ankandeve Art Valorem do të nxjerrë në shitje te Hotel Drouot, Paris, një kopje të botimit origjinal  të përmbledhjes poetike të Charles Baudelaire, Les fleurs du Mal. Lexuesi që do të ketë fatin ta shfletojë, në faqen 53, në vazhdim të poemës Les Bijoux, do të zbulojë një strofë të nëntë të panjohur, të lënë aty nga dora e vetë poetit të madh.

Charles Baudelaire e nënshkroi kontratën për këtë libër më 30 dhjetor 1856 me botuesin e tij Auguste Poulet-Malassis. Libri u botua më 1857 dhe menjëherë më pas shpërtheu skandali. Gjashtë prej poemave të tij u gjykuan si të pamoralshme dhe u censuruan, midis tyre edhe Les Bijoux, që flet për një grua, trupi i së cilës është mbuluar vetëm nga bizhutë.

Botimi për të cilin po flasim është ai i pari, i pacensuruari.

Yves Le Dantec, një njohës i shkëlqyer i poetit flet që më 1961 për ekzistencën e kësaj strofe, ndërkohë që përgatiste veprën e Baudelaire-it për kolanën luksoze e tepër të zgjedhur, Éditions de la Pléiade. Me këtë rast ai i shkroi pronares së librit ku gjendej edhe strofa e lënë me shkrimin e autorit, se kishte për qëllim të përfshinte në botim edhe atë, duke theksuar se: “… Nuk e shoh të nevojshme të këmbëngul pranë jush për interesin primordial të zbulimit të strofës së pabotuar të poetit”.

Diçka nuk funksionoi dhe strofa mbeti e panjohur edhe për pesëdhjetë vjet të tjera. Për historinë e kësaj kopjeje kaq të çmuar thuhet se fillimisht ajo ishte firmosur nga autori për Gaston de Saint-Valry, një kritik dhe gazetar i njohur i mesit të shek. XIX-të.

Strofa është këtu poshtë, e shoqëruar nga një përkthim teknik.

Et je fus plein alors de cette Vérité:  Dhe atëherë përplot me këtë të Vërtetë:
Que le meilleur trésor que Dieu garde au Génie Që më i miri thesar që Zoti ruan për Gjeninë
Est de connaître à fond la terrestre Beauté Eshtë të njohë me rrënjë Bukurinë tokësore
Pour en faire jaillir le Rythme et l’harmonie. Që të shpërthejë prej saj Ritmin dhe harmoninë.

Libri është vlerësuar midis 60 dhe 80 mijë eurove. Megjithëse jepet një vlerësim i përgjithshëm paraprak, ankandet gjithmonë rezervojnë të papritura. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një poet si Ch. Baudelaire, që e nxori poezinë në brigjet e një moderniteti të tillë ku edhe sot, pas gati 200 vjetësh, askush nuk ka mundur të shtojë gjësendi më shumë.

 

(c) 2019, autori.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top