VENDE DHE LODRA PËR MEMORIEN

Dy makineri të rënda erdhën papritur në vëmendjen e publikut këto ditë vere: një lokomotivë me avull, e fillimeve të hekurudhës shqiptare, që u soll dhe u vendos – si dekor urban, skulpturë dhe locus memoriae – te Bulevardi i Ri në Tiranë, por edhe si gur varri për stacionin e dikurshëm të trenave të udhëtarëve; dhe një nëndetëse nga të Pasha Limanit, e cila u “restaurua” dhe së shpejti do të jetë gati të presë vizitorë dhe turistë – dhe që e përfytyroj të ngjashme me tunelet ushtarake Bunk’Art të hapur vitet e fundit në Tiranë gjithnjë në kuadrin e “industrisë” së turizmit, ku eksperimentet post-muzeologjike kryqëzojnë shtigjet me instalacionet; po aq klaustrofobike, po aq post-apokaliptike.

Të dyja mjetet janë ndrequr njëfarësoj dhe sidomos hijeshuar; por jo për t’i kthyer sërish te funksionet e tyre origjinale: lokomotiva nuk do të tërheqë dot vagonë, nëndetësja nuk do të patrullojë dot më nëndetin (dhe as mbidetin). Përkundrazi, ato janë riformuluar tashmë si shenja të vetes së tyre të dikurshme, nëpërmjet operacionesh plastike të ngjashme me taksiderminë, ose balsamosjen a mumifikimin e shpesëve, shtazëve të gjahut dhe gjysmë-perëndive.

Lokomotiva TKT-48 e prodhimit polak, që ka qenë në shërbim për gati 35 vjet, tani do të shërbejë për t’u kujtuar njerëzve epokën e transportit hekurudhor; por vjetërsia e teknologjisë së saj me avull nuk ka me çfarë të krahasohet, sa kohë që trenat në Shqipëri praktikisht e kanë humbur dukshmërinë. E ruan një farë hijeshie mekanike elementare, si prej plake të stolisur, që u atribuohet zakonisht mjeteve të vjetra (vintage); por për brezin e pas-1990-ës që hekurudhat tek ne praktikisht nuk i ka njohur dhe as i ka përdorur, gjasat janë që t’u referohet drejtpërdrejt filmave historikë.

Me sa duket, një filmi historik të Realizmit Socialist – “Ballë për ballë” – do t’i referohet edhe një nga nëndetëset e bazës detare të Pasha Limanit, e njohur me emrin “nëndetësja 105” dhe e përjetësuar, më parë se te filmi, te një roman shumë i lexuar i Ismail Kadaresë në vitet 1970. Si simbol, ajo i ka shërbyer mitit të përplasjes shqiptaro-sovjetike në bazën e Vlorës në vitin 1961, të rrëfyer në art më shumë e më gjerë edhe se në historiografi.

Dokumente Kryesore të PPSH, volumi nr. 4, faqe 45

Ironikisht, një shkrim i botuar në gazetën “Sot” këtu e pesë vjet të shkuara, përcjell një letër të qytetarit Agron Gërbi, i cili shpjegon se “Nëndetësja 105” nuk ka ekzistuar, se nuk ka asnjë dokument për të dhe se nëndetësja reale ka pasur numrin 196 (sikurse del edhe në një dokument zyrtar të PPSH-së). Korrigjimi duket trivial (në bazë edhe të dëshmive të tjera të sjellë nga protagonistë të nderuar të atyre ngjarjeve), por vetë ngatërresa duket sikur konfirmon pështjellimin e historisë me rrëfimin artistik; në kuptimin që konflikti shqiptaro-sovjetik në bazën e Vlorës tingëllon më heroik në romanin e Kadaresë dhe artikulohet më dramatik në filmin përkatës, se ç’ka ndodhur në realitet.

“Restaurimi” i këtij objekti tani, për ta bërë të vizitueshëm nga kureshtarët, e plotëson procesin e filluar prej kohësh, të normalizimit të historisë; duke bërë që edhe një mjet lundrimi real i asaj kohe të përfaqësohet nga karkasa e vet e balsamosur, e cila nuk është veçse një lodër, e barasvlershme me topat mesjetarë që i lënë ndonjëherë në muret e kalave, për bøthët e lodhura të turistëve. Dhe ndryshe nga lokomotiva, e cila në mënyrën e vet u ka shërbyer njerëzve dhe tani i shërben memories së tyre, “nëndetësja 105” është produkt artificial, një vegël vrastare që, për fat të mirë, nuk është përdorur kurrë. Asnjë vizitori nuk do t’i kujtohet gjë, kur ta vizitojë; me përjashtim të çfarë mban mend nga romani e ndoshta më shumë nga filmi. Prandaj “rikthimi” i saj është një operacion i denjë për një Disneyland made in Albania (në vazhdim logjik të Muzeut të Skënderbeut në Krujë).

Nga një vështrim, edhe lokomotiva edhe nëndetësja – të lyera me makijazh dhe të gatshme për të nusëruar për turistët – trashëgojnë periudhën industriale në Shqipëri; kur vendi kish përnjëmend rrjet hekurudhor dhe baza detare funksionale. Rehabilitimi i tyre simbolik, balsamimi i tyre dhe ekspozimi i tyre në trajtë mumjesh tërheqëse, shënjon edhe kalimin në periudhën post-industriale për Shqipërinë, ku përshpejtimi i djeshëm teknologjik mund të përjetohet nëpërmjet “lodërzimit”, ose ndarjes së veglës nga funksioni i saj parësor. Kjo mundëson edhe arkeologjizimin krejt të parakohshëm të së djeshmes. Gati-gati, të duket sikur Shqipëria nuk është më në gjendje ta riprodhojë nivelin teknologjik të së shkuarës dhe tani arrin ta rikuperojë vetëm në rrafshin simbolik; duke u përpjekur, in extremis, t’i shndërrojë të paktën varrezat në muzeume.

Një operacion i ngjashëm me këtë të nëndetëses 105 thuhet se është ndërmarrë edhe në Kuçovë, ku vizitorët dhe kureshtarët mund të shohin nga afër karkasat e bojatisura të MIG-ëve të dikurshëm. Normalisht, këto lloj instalacionesh ndërmerren për të vendosur kontakt me të shkuarën në kontekstin e një së tashmeje ekzistuese dhe në kontrast me të; përndryshe, nuk di ç’kuptim do të kishte, për vizitorin e sotëm shqiptar, një MIG i viteve 1960-1970, në rrethanat kur Shqipëria nuk ka më forcë luftarake ajrore.

E megjithatë – që këta avionë janë ekzo-skeletet e atyre të djeshëm, sikurse kjo nëndetëse është zhgualli i asaj të djeshmes, sa e bën kjo më reale praninë e tyre si eksponate muzeu, përtej efektit të kërkuar ludik? Sa rëndësi duhet t’i japim këtij fetishizmi lojcak, që na bën t’u atribuojmë objekteve lidhje magjike me ngjarjet që kanë ndodhur në afërsi të tyre, brenda tyre? Për një ajror të vogël “amerikan” të tipit Lockheed T-33 ekspozuar dikur në Muzeun e Armëve në Gjirokastër u pat thënë më pas se nuk paskësh qenë autentik (i kapur prej tanëve), por i dhuruar prej sovjetikëve; por për ne që e patëm vizituar Muzeun në vitet 1980, ajo lodër e brishtë prej llamarine ishte nga kuriozitetet kryesore, që na tërhiqte vëmendjen përtej domethënies si relike e Luftës së Ftohtë. Midis pasionit të koleksionistit dhe kuriozitetit prej fëmije ka gjithnjë një tension që nuk ka të bëjë me autenticitetin historik, por me historinë të shndërruar në spektakël.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat.

Imazhi në kopertinë, © Gent Domi, www.albanian-transport.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.