VIRTYT DHE MARRËZI

Sapo nisa t’i lexoj kujtimet e Mustafa Greblleshit botuar tani së fundi, ndesha në këtë pasazh:

Pushtimi fashist italian më gjeti nxënës në gjimnazin e Tiranës. Prindërit dhe profesorët patriotë të shkollës na e kishin rrënjosur thellë në gjak dhe në shpirt dashurinë e pakufishme për atdheun. Kaq e fortë ishte kjo dashuri, sa djaloshi Xhemal Rexha, i cili porsa kishte kryer Akademinë Ushtarake, vrau veten me të shkelur italianët tokën tonë. Gjithashtu e pakufishme ishte edhe urrejtja që kishim për pushtuesit e trojeve tona.

Një djalë i ri që vret veten për diçka të rëndë që i ndodh atdheut – kur ishte hera e fundit që dëgjuam për një kob të ngjashëm?

Xhemal Rexha kish kryer Akademinë Ushtarake, çfarë na bën të përjashtojmë patologji mendore të rënda; mund të ketë qenë me depresion të thellë, por që zgjodhi pikërisht atë ditë për t’i dhënë fund jetës, të vë në mendime.

Ne sot e kemi të vështirë për ta kuptuar një akt të tillë: jo vetëm ngaqë nuk do të na shkonte mendja për vetëvrasje po të na pushtohej hipotetikisht Shqipëria; por edhe se nuk e përfytyrojmë dot se çfarë mund të ketë menduar ai djalosh atëherë.

Kanë ndërruar kohët, kanë ndërruar edhe njerëzit. Çfarë nuk ka ndërruar, është zhargoni ose feja kombëtariste, ose fakti që fëmijëve në shkollë ende u kërkohet të zotohen që “të japin jetën/të derdhin gjakun për atdhe.”

Greblleshi shkruan se “prindërit dhe profesorët patriotë të shkollës na e kishin rrënjosur thellë në gjak dhe në shpirt dashurinë e pakufishme për atdheun” – këtij pohimi, edhe po t’i heqësh klishetë, edhe po t’i heqësh patetizmin, edhe po t’i heqësh llakun, diçka i mbetet; siç na e provon jo aq autori i kujtimeve, sa akti i Xhemal Rexhës.

Do të kenë qenë vite kur pavarësia e Shqipërisë ende përjetohej si vlerë supreme; gjë që për ne sot rroket me shumë vështirësi, meqë ne jemi mësuar ta ndajmë tashmë pavarësinë tonë si individë, si familje, si komunitete, nga pavarësia e shtetit, të së cilit jemi qytetarë. Deri edhe ata që shprehin admirim, haptazi ose fshehurazi, për filozofinë dhe praktikën politike autarkike të viteve të Enver Hoxhës, e bëjnë këtë edhe ngaqë nuk gjejnë më lidhje midis atyre viteve dhe aktualitetit.

Përndryshe, sot jo vetëm shqiptarët ikin me mijëra nga trojet e tyre dhe nuk e kthejnë kokën pas; jo vetëm nuk e kanë për gjë t’i vënë aftësitë e tyre, ndonjëherë unike, në shërbim të “atdheve” të tjera; jo vetëm qeveritë e njëpasnjëshme, të së gjitha ngjyrave, i trajtojnë pasuritë e patundshme të truallit si të ishin kartëmonedha; por edhe vetë nocioni i një Shqipërie “të mosvarme” është zhvendosur nga realiteti në sferën e imagjinatës dhe të mitit.

Edhe në prag të pushtimit italian, në 1939, ishin të tjerët, “të huajt” që e bënin ligjin në Shqipëri; dhe klasa sunduese jetonte me rrogat, honorarët dhe florinjtë që vinin nga jashtë – praktikisht njëlloj si kjo e sotmja. Shqipëria e rinisë së Greblleshit dhe të Xhemal Rexhës nuk ishte më shumë e pavarur se jona tani. Çfarë ndryshon mes këtyre dy periudhave, dhe nuk është pak, është që atëbotë njerëzit ende besonin në idealin patriotik dhe mbase ishin gati të flijoheshin për të.

Dhe kur e shihte flamurin kombëtar të rrëzuar përdhé, ndokush mund edhe të mendonte se jeta nën të huajin nuk kish më kuptim të jetohej.

Madje në periudhën e Mbretërisë, varësia ndaj të huajit ishte më fort pasojë e korrupsionit të elitave, se ç’është sot; dhe jo sepse sot elitat qëndrojnë moralisht më lart, por sepse bota e sotme është shumë më e ndërvarur se e atëhershmja, në çdo pikëpamje: politike, ekonomike, sociale.

E megjithatë, njerëzit besonin në atdhe dhe në flamur, dhe vjershat patriotike i recitonin me zemër; dhe programin e Rilindjes ende e përdornin si Bibël të kombëtarizmit shqip, jo si armë kundër armiqve të tyre privatë.

Ne tani, kur dëgjojmë për këtë Xhemal Rexhën që vrau veten “me të shkelur italianët në tokën tonë”, menjëherë themi me vete se nuk do të ketë qenë mirë nga trutë. Atë që Greblleshi, dhe shumë të tjerë me të, e quanin si manifestimin më të lartë të virtytit patriotik, ne nuk e kemi për gjë ta interpretojmë si shenjë të marrëzisë.

Dhe ndoshta kjo është e keqja e madhe e bashkëkohësisë: që shprehjen ekstreme të virtytit nuk e dallojmë dot më nga patologjia mendore; në kuptimin që sublimen tani ne jemi gati ta gjejmë e ta përjetojmë vetëm në letërsi, në mit dhe në fe, por jo më në realitet. Pa e kuptuar që edhe kjo që bëjmë është në vetvete patologjike, heqim një vijë ndarëse të prerë mes imagjinares dhe reales, duke e pranuar pa të keq, këtë të fundit, si vendin gjeometrik të prakticitetit, egoizmit dhe pafytyrësisë.

Cili prej nesh do të vriste sot veten vallë, po të përballej, një ditë të bukur, me tanket ruse në sheshin “Skënderbej”?

Ky shndërrim nuk prek vetëm qëndrimin ndaj kombit dhe atdheut; por kur prek qëndrimin ndaj kombit dhe atdheut, bëhet flagrant dhe na tërheq vëmendjen. Përndryshe, do parë si pasojë e një prirjeje të përgjithshme për eliminimin masiv të virtytit, në bazë të një filozofie primitive, pragmatike, e cila e sheh virtytin si të panevojshëm, në një botë filistinësh, të sunduar nga tregu dhe mendësia e tregut.

Çfarë edhe i bën patetike përpjekjet e sotme të kombëtaristëve, në politikë dhe në kulturë, për t’iu drejtuar publikut me të njëjtën gjuhë dhe të njëjtën retorikë që përdorej gjatë periudhës së Rilindjes: jo vetëm që shumë nga këta kombëtaristë nuk janë të sinqertë në predikimet dhe përbetimet e tyre, por edhe publiku do t’i shohë si demagogë dhe mashtrues, po të mos i shohë si të marrë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *