ZËRI, ZEMRA, MUZIKA

nga Eda Zari

A është “sold out” arsimi muzikor në Shqipëri?

(Mejtime nga një Punëtori. Prishtinë, 30 nëntor 2018)

Moti në iPhone tregon -9°C në Prishtinë dhe, si për çudi, në Alaska është vetëm -12°C! Mbrëmja dimërore ka zbritur në qytet dhe shpatet përreth duken rrëmujshëm zbardhëlluar. Ashtu kuturu, në botanikën e anekdotave prej humori herë të gjelbër e herë të zi, hipmë në makinë (katër vendëshe -kombi), pesë muzikantë, një inxhinier zëri dhe një paleograf. I ulëm sediljet e pasme, vendi u bë bydevi. Djemtë u rehatuan, si zboristët kur i hipnin ndonjë Zuk-u pa leje rrugës së një katundi për të shkuar në qytet. Në të dalë të Prishtinës makina bën kthesë buzë një fushe ku duken shtëpiza të reja, ndërtuar me sqimë e arkitekturë gati zvicerane. Varg makinash me bollëk patën parkuar miqësisht ashtu siç ndodh në sebepe familjare. Nuk po heroizoheshim, as po sakrifikonim kohën tonë për të qenë dëshmitarë të ndonjë zbulimi të jashtëzakonshëm.

Jo. Venim për një workshop tek një koleg (kurrsesi për qokë) i përveçëm nga lloji dhe niveli i tij profesional, por dhe spiritual. Qendra “Liceu” në Prishtinë (një iniciativë e pavarur kulturore, literarisht një odë muzikore), organizonte një “Punishte” të perkusionit (më bën sharmi prishtinas në emërtime) me perkusionistin e Sting, instrumentistin nga Maroku, Rhani Krija, ftuar nga multi- instrumentisti Visar Kuçi.

Bujaria e odës së “Liceut” përmbushte gjithë klishetë e mikpritjes kosovare. Përqark oxhakut të përflakur qenë ulur fëmijë, prindër, muzikantë profesionistë, bateristë, instrumentistë amatorë dhe dashamirës të kulturës. Mjedisi vezullonte nga instrumente të çuditshme, herë të njohur, por shumë prej tyre krejt të panjohur. Forma dhe origjina e tyre (latine, afrikane, nga Lindja e Mesme, Ballkani, etj.), krijonte kërshëri dhe padurim për t’i dëgjuar instrumentet në aksion. Rhani, në mënyrë vullnetare, kishte pranuar plot modesti ftesën për të mbajtur një “Punëtori” për brezin e bateristëve të rinj në Kosovë.

U gëzova tej mase kur Rhani më dha këtë lajm duke pasur parasysh axhendën e tij të ngjeshur. Krija qëndron në Panteonin e perkusionistëve dhe bateristëve botërorë si Vinnie Colaiuta, Karim Ziad, Manu Katché, Tito Puente, duke mbizotëruar instrumente të ndryshme si derbouka, riq, drum frame, congas, bongos, djembé, timbale të Karaibeve e plot të panumërta instrumente ritmike. Përmes projektesh të shumta me artistë si Joe Zawinul, Herbie Hanckock, Chick Corea, Branford Marsalis, Steve Wander, Lady Gaga, Salif Keita, Dominic Miller, por dhe koncerteve tona me motive e ritme të muzikës shqiptare, Krija nuk ka reshtur së pasuruari vokabularin e tij ritmik. Në Köln patëm folur shpesh me Rhanin rreth ideologjisë së sotme arsimore. Si mund të praktikohej formati interaktiv (jo vetëm përmes Workshop-eve) përgjatë orës së muzikës, si të eksperimentohet me instrumentet ritmike për të zbuluar ndryshueshmërinë e tingujve që lëshojnë ato përmes prekjes, rrahjeve, perceptimin e tingullit në varësi të materialit që përbën instrumentin. Me kolegë si Ilir Bajrin, Gert Kapo, Visar Kuçin bisedat rreth aktualitetit të arsimit muzikor dhe muzikës në tërësi në viset shqiptare kanë qenë të shpeshta dhe të pranishme në tryezat tona. Nga eksperienca personale, theksoj se mësimet muzikore funksionojnë më mirë kur ato lidhen me realitetin muzikor të nxënësve, dhe gjithkujt që adhuron botën e muzikës dhe artit.

Kthehem tek oda e “Liceut” të Prishtinës. Përmbajtja e workshop-it të perkusionit ishte përshtatur për nevojat e studentëve, nxënësve, fëmijëve si dhe bateristëve amatorë. Shembujt ritmikë e muzikorë qenë përgatitur duke pasur parasysh të tashmen e jetës muzikore të pjesëmarrësve në këtë “punishte”. Gjithashtu, veprat e muzikës klasike, popullore si dhe ritmet e kulturave të tjera, u bënë lehtë të arritshme për të pranishmit.

“Për hir të së vërtetës, dashurinë për ritmin dhe muzikën e fitova nga mjeshtërit e vjetër dhe ritmet e ustallarëve që kishin vdekur. Kur je maroken nuk mund të mos ndikohesh nga pulsi i ritmeve spirituale, pjesë e pandashme e kulturës ku jam rritur”, kështu e nisi Rhani ligjëratën e tij. Ai fliste për ata mentorë të cilët i patën ushqyer pasionin, rritjen e sigurisë për t’u kushtuar dhuntisë dhe zhvillimit të mëtejshëm si perkusionist, por jo vetëm. Për të evoluar shpirtërisht me muzikën dhe ritmin e tij, Krija thotë se medoemos i duhej, së pari, të krijonte një lidhje me shpirtin dhe instrumentin. Por, si bëhet kjo? Si fitohen të tilla përvoja jo vetëm teorikisht por praktikisht dhe psikologjikisht?

“Zëri i njeriut, dhe ritmi i zemrës janë ideale për të vendosur lidhjet emocionale midis vetes dhe gjithë ç’kemi përreth. Ndaj, ritmi, tingulli, muzika mbi të gjitha nuk janë vetëm për të argëtuar. Në të gjitha kulturat ekziston një traditë shërimi përmes ritmit, zërit, tingujve” shpjegon Rhani. “Vetë Krijimi, manifestohet me ritme, tinguj dhe jehona. ‘Big Bang’ është përshkrimi shkencor i zërit të aktit origjinal të krijimit. Kjo është diçka që unë në moshën time 20 vjeçare nisa ta kuptoj më qartë në nivelin fizik, por dhe mendor, pasi shijova “banjat” ritmike që më rrethonin në qytetin tim të lindjes, Essaouira. Jetoja dhe mbaja vesh këngëtorë, grupet e grave me zilka, defe, izrane apo rrahje shuplakash. Intensiteti ritmik dhe ai në zë nuk arrihet, shpesh, nga tingulli i lartë, as nga luajtja e fortë apo virtuoze ritmike, por nga angazhimi emocional dhe përhumbja në dashurinë e asaj që krijon. Duke vepruar kështu, krijohet një “timbër” ritmiko-vokal, efekt i njohur në traditat e transit të vëllazërisë Gnava, i cili prek dhe shtrëngon thellë qenien tonë”!

Pasi pjesëmarrësit kishin mbërritur në një dimension të caktuar shpirtëror, Rhani nisi të luajë së bashku me bateristin e talentuar nga Prishtina, Nesim Maxhuni (një tjetër aspekt i cili manifestoi përqafjen kolegjiale dhe respektin e dyanshëm midis kulturave dhe sfondeve ritmike në këtë mbrëmje), duke ftuar pjesëmarrës të moshave të ndryshme në interaktivitet. Përtej teknikave, modeleve të ndryshme ritmike, demonstrimeve të lojës perkusive nga kultura të ndryshme (Andaluzia, Libani, Siria, Armenia, Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Amerika, Afrika e Veriut, por dhe ato shqiptare e nga Ballkani), Rhani u përshkruante pjesëmarrësve dhe udhën se si arrihen rezultate të suksesshme për përvetësimin e instrumenteve ritmike. “Muzika, ritmi, arti, është një tjetër gjuhë që i shtojmë komunikimit tonë me botën. Mësoni nga tabani, nga muzika tradicionale dhe luani në mes tuaj ritmet, meloditë, eksperimentoni me tingujt dhe format moderne muzikore – pop, soul, funk, jazz, klasik hip-pop, gjithë ç‘ju intereson, inspiron dhe ju nxit kureshtjen”. Rhani nuk harronte të diferenconte kujt dhe cilit nivel i drejtohej atë mbrëmje. Fëmijët i motivonte, duke i nxitur të luanin bashkë me të ritme dhe figura të gëzueshme, të zhdërvjellëta. Vetësiguria dhe angazhimi shembullor i nxënësve ngazëllente secilin prej nesh! Studentëve dhe muzikantëve të rinj Rhani u jepte detyra shtëpie edhe të një natyre tjetër. “Mos harroni. Në muzikë, nëse mendoni se duhet të tingëlloni si dikushi, apo imitoni pafundësisht dikë, së pari, si muzikant, lind pyetja: ç’kuptim ka ekzistenca juaj si individ, pasioni juaj si krijues, instrumentistë? Mos harroni, kur vini natën kokën në shtrat të pyesni veten: kush jam unë? Si arrihet që me interpretimin tim, ritmin, muzikën time, të jem i veçantë dhe të mund të identifikohem me të? Të praktikuarit, teknikat dhe trajnimi është një anë e medaljes, por qëllimi juaj është lini gjurmët e gishtërinjve në universin e muzikës, pa marrë parasysh sa e vogël dhe tronditëse është jeta jashtë këtij universi. Arritja personale është të lësh shenjën tënde të pakrahasueshme nëpërmjet artit tënd. Arritja jote sot pasuron botën e pasuesve tanë nesër”!

Trajtimi i shumë dukurive spirituale, psikologjike, na bëri të ndërgjegjësohemi më fort për t’i hedhur sytë nga kultura jonë, nga vlerat e muzikës tradicionale, nga arti i mjeshtërve tanë, por jo vetëm. Kjo ishte puantja e asaj që na preku kolektivisht të gjithëve në këtë mbrëmje punëtorie, ku së bashku me Rhanin, kolektivisht, gjendeshim në një ekskursion perkusiv e kulturor rreth botës. Kjo ngjarje (e cila do të organizohet sërish në muajt e verës së këtij viti) mblodhi bateristë e perkusionistë kosovarë, fëmijë e prindër, dashamirës të muzikës cilët ndanë përvojat me njërin prej perkusionistëve më të njohur në botën e muzikës, tashmë një mentor dhe mik i tyre.

Pas kësaj mbrëmje punëtorie, për një çast ndjeva keqardhje për arsimin tonë muzikor, (qoftë ai i specializuar apo dhe arsimi bazik muzikor) për nxënësit dhe studentët e artit sot, të cilëve të tilla orë mësimore u ofrohen me pikatore! Më tingëllojnë ende në kambanë të kokës fjalët e Ilir Bajrit pas asaj mbrëmje, që në një mënyre apo një tjetër i formuloi sërish më vonë tek postimet e tij në rrjetet sociale:

“Shumë herë kam dëgju tregime prej studentëve, sidomos atyre që studiojnë arte e arkitekturë. Që ditën e parë të studimeve i pret së paku nji ‘profesor’ i cili detyrimisht ka me u dëshiru mirëseardhje me fjale të llojit: – Keni zgjedh nji profesion shumë të vështirë e të zorshëm e që poashtu nuk ka shumë perspektivë dhe nuk çmohet aq nga shoqnia…! Qysh dreqin osht edhe ‘i trohe normale qe njeriu i ‘pjekun’, intelektual, pedagog e mentor me iu drejtu në këso forme e me këso fjalë kolegëve të rinj, rinisë, … ardhmënisë së Kosovës! Qysh dreqin o’ normale kjo o sheepy!?! 2g tru!”.

Tjetër pol kujtimi më kthen në korrik të vitit 1985. M’u kujtua Profesor Avni Mula, i cili pasi mbarova konkurrimin tim për të vazhduar liceun artistik “Jordan Misja”, dega kanto, më tha: “Sa me fat je të kesh një za për me i dhuru vedit, një zanat që e don tan jetën”! Dy vite më vonë, Prof. Pëllumb Vorpsi, krahas lëndës së Folklorit (dhe kjo përbëhej nga dy orë mësimore), ora e dytë ishte “Dëgjim literature”. Ai na mësonte si të dëgjonim muzikë jo si konsumatorë. E quante të domosdoshme të na rikujtonte se duhet të vlerësonim çastin kur dëgjonim muzikë. Për shembull ai nënvizonte: “dëgjimi me vetëdije ju bën të kuptoni, por dhe vlerësoni emocionet, fuqinë dhe magjinë e muzikës!” Dhe këto orë u bënë të përveçme, kur adeti fillonte tek Prof. Vorpsi vinte vinyl-e të Smetana, Antonin Dvorák, Domenico Scarlatti, Rimski-Korsakow, Palestrina, Bach. Por nuk mungonin as këngët e Isuf Myzyrit kënduar nga Hafsa Zyberi, apo këngë nga Eposi i Kreshnikëve, si dhe ato polifonike. Ndërsa Prof. Suzana Turku, përtej përgatitjes së veprave korale që zhvillonte në lice me korin e vajzave, nuk ngurronte të na ushqente me lugën motivuese duke thënë se: “Nëse sot ndjeheni pa krahë të fluturoni shpejt tek ëndrra juaj, mos harroni se kur këndoni, fluturoni në çdo çast kudo!”

Ku janë sot mentorët e urtë, mjeshtrit pasionantë, “dhaskalët” e maestrot e duruar, nxitësit dhe mbështetësit, të cilët nuk i arsimojnë brezat me pyetësorë e formularë të standardizuar, por bëjnë “punëdore”, orë kreative inspiruese e sociale me nxënësit? Ata që pikasin talentin, që në emër të ritmit, tingullit, poezisë, instrumentit, këngës, pikturës, librit, mendimit, rrisin apo zgjojnë në mendjen dhe shpirtin e të riut besimin mbi gjëra që nuk shihen, por vetëm ndihen, sepse i tillë është arti. Nevojiten mësonjës, të cilët nuk u krijojnë të rinjve pendesa dhe dëshpërime me thënie se muzika, arti, kreativiteti nuk ka përfitime as garanci ekzistenciale, përveçse kokëçarje, varfëri, pabukësi!

Mësohet për shkollën apo për jetën?

Por çfarë ngjet me zhvillimin e personalitetit të këtij brezi? Mijëra nxënës, adoleshentë, studentë, por edhe prindër demotivohen gjithnjë e më shumë nga orët e pazëvendësuara mësimore, kurrikulat e prapambetura, humbja e kohës përmes riparimeve dhe arnimeve të reformave arsimore, tek eksperimentohet në kurriz të brezit të ri.

Fëmijët e regjistruar sot në shkolla dalin në pension rreth vitit 2075. Por përmes reformave kaotike arsimore, vërehet se ky brez nuk përfiton edukimin, arsimin dhe orientimin e duhur për jetën. Ja, po bëjmë durim dhe po i mirëkuptojmë “hallet” mitologjike buxhetore që ka sistemi arsimor në Shqipëri e Kosovë. Po u “japim” politikëbërësve kohën që u nevojitet të ndërtojnë konvikte, të vendosin sisteme ngrohjeje dhe kushte të përshtatshme higjienike nëpër shkolla, të ngrenë linja autobusësh për nxënësit në vendet rurale, fshatra e zona të thella. Pra në “emër” të arsyes dhe durimit qytetar, nuk po bëzajmë as nuk kërkojmë të gjejmë nëpër shkolla një dhomë dentisti apo urgjence, “lukse” këto të vetëkuptueshme në Tiranën e viteve 80-të!

Në sistemin e sotëm anti-arsimor, shumë nga ata pedagogë të cilët nuk kanë heshtur kundër gjendjes alarmante në shkollat tona, tashmë janë lodhur, ose detyrohen të heshtin, sepse shkollat janë mbushur me arsimtarë të ardhur nga radhët militante të partive në pushtet. Ndërsa për shumicën e nxënësve, motivimi dhe lëvdata nxitëse në klasë, janë fjalë të huaja. Në biseda me të njohur, miq dhe të afërm, qoftë në Kosovë, por dhe në Shqipëri, dëgjoj shpesh tek thonë se plot adoleshentë vuajnë nga sindroma e ashtuquajtur burn-out, bullizmi dhe depresioni. Disa, madje, kanë mendime vetëvrasëse. Ndërgjegjja ime kromatike më thotë se nuk çalon halli tek miti i buxhetit, as tek faktori kohë. Në programet mësimore orët sportive, muzika, teatri, qoftë edukata seksuale apo ekonomike- shtëpiake qoftë kultivimi i ndërgjegjes së gjelbër, si duhet të sillemi me natyrën dhe çfarë i ndodh asaj, këto janë lënë si orë me pikatore, ose vendosen për t’u vetëzbukuruar në raste emergjente, kur në shkolla zhvillohen inspektime nga instancat e larta të arsimit apo delegacione të huaja.

Të mos flasim pastaj mbi pretendimin e zhvillimit të aftësive praktike si, p.sh.: cilat janë të drejtat dhe detyrimet e një 17-vjeçari si qytetar, si mund të shkruajnë një CV për të marrë pjesë në një konkurs, si prezantohen dhe përgatiten dokumente për marrjen e një burse, si mundet të lidhë studenti një kontratë banese ose pune në qytetin ku studion. Në shikim të parë këto tingëllojnë banale (apo jo praktike, kur përmendim kontratën e qirasë apo të punës, në vendin pa sindikata) por, a nuk janë të domosdoshme?

Kushdo që mendon pyetje të tilla, kupton se i gjithë sistemi arsimor është, në të vërtetë, i vjetruar dhe tërësisht ka humbur qëllimin e tij origjinal – atë të edukimit, zhvillimit personal dhe transmetimit të vlerave.

Dhe këtu huazoj fjalët e fizikanit gjerman Harald Lesch tek thotë: “Nuk mund të ndodhë që nga njëra anë shkenca dhe mirëqenia u falin shoqërive sot jetëgjatësi, ndërsa fazat e para të jetës së fëmijëve tanë dhe adoleshentëve i përshpejtojmë për t’i “pjekur” ata para kohe, duke u rrëmbyer fëmijërinë, duke kompresuar orët e mësimdhënies, për t’i ngarkuar me volum njohurish të panevojshme. Në fund, pretendohet që pas dhjetë apo dymbëdhjetë vjetësh ata të kuptojnë se ç’ndodh dhe si funksionon jeta atje jashtë!”. Sidoqoftë, kur përmend sistemin arsimor në Gjermani (që mund të jetë gjithçka, por jo fushë me lule), vërej se problematikat dhe kauzat që manifestojnë studentët dhe gjimnazistët gjermanë në protestat e tyre (marr shkas nga protestat aktuale “Freitag für die Zukunft”, ose “Klima Politik”), nuk mund të krahasohen me nivelin e dhimbjes, kushteve, pakënaqësinë, zhgënjimin e studentëve shqiptarë, të cilët ende insistojnë në plotësimin e kërkesave që, ashtu si protestat e tyre, kanë shkruar tashmë histori! Kur Lesch thotë se programet arsimore janë gjysmë të pjekura në Gjermani, ç’duhet të themi ne? Politika jonë arsimore nuk ofron as programe gjysmë të pjekura, as reforma “al dente”, as denjon të marrë sugjerimet e arsimtarëve me përvojë ose pse jo, t’u marrë një mendje psikologëve të zhvillimit arsimor se si duhet të duket shkolla sot, kur bëhet fjalë për mësimdhënie të suksesshme. Reformat duhet të kryen pikërisht nga këta profesionist e specialistë, dhe jo nga politikanë të cilët kopjojnë me letër kalk programe dhe reforma nga Britania, USA dhe harrojmë se në vendin tonë ende studentët nëpër konvikte u duhet të blenë vetë një ngrohës elektrik, pasi prej vitesh kaldajat nuk punojnë. Në një dhomë 15 m2 banojnë tre vajza, ku gjendet vetëm një lavaman, aty lajnë enët, sytë e dhëmbët në mëngjes.

Lexoj një fjalim të ish Ministres së Arsimit për mësimdhënien. Ndër të tjera, arriti të më lërë gojë hapur tek nënvizonte se nxënësit duhet të mësojnë si të jenë kompetentë ndaj një teksti, kompetentë si të shprehen dhe komunikojnë! Nxënësit duhet të zotërojnë kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin, kompetencat qytetare…! Nëse një shkencëtar do informonte znj. Nikolla – plani është të mbërrijmë në diell gjatë natës – si do reagonte ajo vallë? Flasim për kompetenca, pa zotëruar aftësitë e nevojshme për të lexuar apo shkruar, pa shembuj të mirëfilltë që praktikojnë vlera pedagogjike dhe manifestojnë qytetari në orët e mësimit. Nga një anë ka degradim shpresash, degradim kulturor, social dhe ekonomik dhe nga ana tjetër dilet në vitrinë me reforma që nuk mund të përputhen me këtë realitet. Natyrisht politika, si kudo në botë, edhe në Shqipëri, ndërton oborre artificiale lumturie!

Nuk është e vështirë të diferencohet dëshira e një të sëmuri nga njëqind dëshirat e të shëndoshit. Por sot, shohim se njëqind dëshirat janë reduktuar në një të vetme; të shpëtohemi nga sëmundja që na shkakton papërgjegjshmëria e vendimmarrësve. Ndaj, mjaft me debatet publike, duke diskutuar kush ishte miku apo armiku që e katandisi arsimin shqiptar në këtë gjendje. Mjaft arnimit të jorganin vetëm nga cepat duke lënë mesin zgafelle.

Dhe, kthehem sërish tek kreu, tek keqardhja e fortë që ndjej kur shoh se si neglizhohet kultura, arsimi muzikor, në një vend me kulturë të pasur muzikore si Shqipëria. I kthehem asaj pjese që ka peshë dhe i takon kësaj tërësie. Sa i rëndësishëm është arsimi muzikor për shoqërinë shqiptare? Si përgjigje (jo vetëm nga arsimtarët, por nga prindërit dhe vetë të rinjtë) merr pyetjen: a sjell përfitime ky profesion? Mos vallë lëndët e tjera, si shkencat ekzakte, gjeografia, historia, biologjia, kimia i garantojnë mirëqenie brezit të ri në jetë?

Një botëkuptim i tillë është rrezik i madh i kohës sonë. Nuk besoj se në sistemin komunist arsimi muzikor dhe pasioni për muzikën ekzistonte vetëm si mjet shpëtimi nga grija e diktaturës. Mund të ketë më shumë muzikë dhe më shumë njerëz që bëjnë muzikë sot, se 150 vjet më parë. Sidoqoftë, tek flasim për përfitimin, pra ajo çka garanton ekzistencën dhe mirëqenien jetësore, a nuk është po aq e drejtë të pranohet roli i rëndësishëm që luan muzika në mirëqenien shpirtërore dhe sociale? Kjo është pyetja kyçe: nëse ne duam, nëse themi se muzika është një vlerë në vetvete si një shprehje shumë themelore e njeriut, si një formë e vetë-realizimit të tij, duhet të pranojmë se pikërisht kjo çon në funksionimin e shëndoshë të shoqërisë përkrah ekonomisë.

Muzika nuk është medium konkret, por medium solemn. Është provuar prej kohësh se një edukim i mirë muzikor rrit nivelin e nxënësve dhe studentëve në të gjitha lëndët e tjera. Muzika është një disiplinë shumë e rëndësishme, sidomos në moshën e sotme digjitale. Arti, muzika, letërsia lidh të kaluarën me të ardhmen, dhe përmes gjuhës dhe veprave shpalos marrëdhëniet mes njeriut dhe teknologjisë, duke i vënë nën thjerrën e kritikës. Ndaj, bukuria e artistëve, arti dhe kultura mund të falin kontribut të rëndësishëm për çështjet socio-politike të kohës sonë.

Kur lënda e muzikës fiket dhe kthehet thjesht në një orë formale e pasive, nxitet ndarja social- kulturore. T’u heqësh fëmijëve dhe brezit të ri të drejtën për t’u arsimuar muzikalisht, është si t’i heqësh tokës ujin! Kjo s’ka të bëjë me buxhetin arsimor. Këtu kandari rëndon më shumë nga këndvështrimi mospërfillës ndaj orës së muzikës!

Sot vërejmë se mësimdhënia muzikore në Shqipëri duket si të jetë e shitur, “sold out” ose, ndryshe, e rezervuar vetëm për zengjinët e rinj dhe muret private të tyre! Nuk po hasim ndonjë qeveritar të arsimit, qoftë në Kosovë, apo dhe Shqipëri, të tematizojë gjerësisht problematikat e arsimit muzikor për artin apo të orientojnë me sugjerime efikase, përveç se i kemi dëgjuar të ftojnë në Gala-të e tyre artistë me emër (të cilët shumëçka e kanë arritur me kërcinjtë e tyre), apo të ftojnë personazhe me histori suksesi, për të ngritur prestigjin e tyre politik.

Artistët mund të ofrojnë kontributin e tyre ndryshe, por jo duke u rreshtuar në armatën e syrit të “Big Brother”, apo përmes projekteve të quajtura elitare – #Edukimi përmes artit. Kush mund të flasë për muzikën, kulturën vërtetësisht, kur televizionet orientohen nga kuotat e shikueshmërisë (prapë, them: si kudo në botë), dhe një pjesë e mirë e shoqërisë vuan nga vuajërizmi? Veçanërisht në shkollat fillore dhe parauniversitare, mësimet e muzikës anulohen, nënvlerësohen. Shumë të paktë janë arsimtarët e trajnuar të muzikës apo shkollat të cilat veçohen nga e kushtet materiale dhe metodologjike për zhvillimin e arsimit muzikor. Më e mira që mund të ndodhë, kur ora e mësimit nuk anulohet, ofrohet një mësues i cili muzikalisht s’ia thotë, por mund të shtypë butonin e CD player-it (dhe kjo vetëm nëse ka një kabinet muzikor ku përdoren mjete të dëgjimit: CD player, Vinyl player, kasetofon, kompjuter, etj). Tek ndihet ky deficit nivelor arsimtarësh, më duket ironike kur shoh se ish-ministrja e arsimit vendos hashtag-un “#mësimdhënia prioritet në arsimin tonë”!

Kur shteti dështon, nis iniciativa prindërore. Dashur pa dashur, kjo situatë krijon ndarjen sociale. Të paktë janë fëmijët të cilëve prindërit u mundësojnë të ndjekin pas shkollës së ciklit përkatës edhe shkollat e muzikës përmes mësimit privat. Kur prindërit nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, shpesh fëmijëve u mbetet televizori. Sigurisht, edhe aty ka “muzikë”. Një Pietà reale!

Arsimi muzikor nuk mund të trajtohet si luks, as për shkollat e ndodhura në qytet, as për ato në periferi apo në fshatra. Baza për këtë duhet të jetë një koncept i përgjithshëm i edukimit muzikor, i cili përfshin kombinimin e punës shkollore dhe jashtëshkollore. Gjithashtu, nevojitet përkushtim intensiv në përmirësimin e kushteve të punës së mësuesve të muzikës të gjitha llojeve dhe niveleve të shkollave. Edukimi muzikor duhet të jetë temë e punës që duhet të kryejë një Këshill Muzikor (nëse ka një të tillë). Sidoqoftë, sidomos në kohët e vështira ekonomike, është e rëndësishme të mos harrohet qëllimi afatmesëm dhe afatgjatë për të siguruar që çdo fëmijë, nxënës, student, pavarësisht nga përkatësia sociale ose etnike, ka mundësi për arsimim të plotë dhe të kualifikuar muzikor. Ndërsa brezit të ri i del detyrë të fitojë entuziazmin nga ëndrrat vetjake, të ndjekin me insistim yllin që kanë parë brenda vetes, të indinjohen, por dhe të angazhohen. Ju nuk jeni “material mishi” për top! Jeni njerëz!

Duke mbetur me dëshirën – ku është një dëshirë, është një udhë – po dua të përfundoj me huan e fundit për këtë herë, fjalët e heroit tim intelektual, humanistit dhe filozofit George Steiner, që thotë: “Muzika për mua ka më shumë domethënie sesa letërsia. Ajo është forca e madhe, është shpresa e vetme për transformime. Ndaj, qasja e fëmijëve sa më herët me muzikën përbën një rëndësi të veçantë për të ardhmen e tyre. Lutem të çrregulloni zhurmën e organizuar rreth tyre, duke e zëvendësuar me ritme, tinguj dhe aktivitet muzikor. Nëse muzikën do ta mbajmë larg prej fëmijëve dhe vetes, do të gjendemi vërtetë në telashe të mëdha!”

© 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top