ZGJEDHJE TË NAMUNA

nga Arjan Shahini

Me zgjedhjet e fundit u diskutuan dy probleme që m’u dukën interesante për t’u thelluar më tej: (1) pretendimi se në shumë raste kishte më shumë fletë votimi se zgjedhës; dhe (2) nëse pjesëmarrja e ulët apo e lartë redukton votat e një partie, në këtë rast të Partisë Socialiste (koalicionit të saj).

Së pari, çështja e numërimit mund të analizohet nga statistikat që ka publikuar vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Unë pashë ato të vitit 2015. Numri i pjesëmarrësve të deklaruar në datën e zgjedhjeve (në orën 19:00) dallon shumë nga numri i votave të deklaruara për partitë pas përfundimit të numërimit (pa marrë parasysh votat e pavlefshme). Diferencat janë të pashpjegueshme edhe me gabimet e transmetimit të shifrave, sikurse pretendon KQZ, kështu që mendoj se të dy  partitë i mbushin kutitë sipas qejfit. Është e pamundur që pjesëmarrja të rritet me qindra mijëra p.sh. në Bashkinë e Tiranës për një kohë të shkurtër dhe se shifrat janë njoftuar gabim deri në atë orë.

Pjesemarrja ne zgjedhjet vendore 2015

 

Ndërsa, sa i përket pretendimit të dytë nga partitë, se pjesëmarrja është tregues për të rritur numrin e votave të një partie (edhe pse është logjike),  në shumë studime nëpër botë, rritja e pjesëmarrjes faktikisht i vështirëson parashikimet. Në shkencat politike përdoret metoda e logit regresion për parashikime të tilla (edhe Bayesian). Nga përdorimi i kësaj metode, mua më rezulton se efekti i numrit të votuesve mbi fitoren e socialistëve për zgjedhjet e kryetarit të bashkisë është pozitiv, por jo sinjifikant. Probabiliteti (odd ratio) që të dyja partitë të përfitojnë nga numri i zgjedhësve është thuajse i njëjtë. Kur përfshiva edhe disa faktorë të tjerë në modelin statistikor si lejet e ndërtimit, shpenzimet etj., vetëm shpenzimet e bashkive kishin një efekt pozitiv mbi probabilitetin e fitores se socialistëve. Ndoshta një analizë e serive kohore (time series analysis) do të mund të jepte një panoramë më të qartë. Ndërsa parashikimet nga ky modeli e nxjerrin koalicionin e PS fituese të zgjedhjeve (probabiliteti rreth 80%).

 

parashikimi per zgjedhjet vendore

Por besoj, problem më i madh është rënia e aftësive të shkrimit dhe njohurive të gjuhës e letërsisë shqipe në provimin e maturës. Këtë radhë që janë publikuar edhe forma e pyetjeve, me alternativa apo me shtjellim, tregohet qartazi se një pjesë e madhe e nxënësve nuk kanë aftësi kritike e vlerësuese (nga drejtoresha e AKP kam dëgjuar se përdoret taksonomia e Bloom për hartimin e tezave). Kur kam qenë ca kohë pedagog dhe u jepja studentëve shkrime nga “The Onion”, artikuj të gazetave shqiptare apo artikuj të rremë që i shpikja vetë, shumë pak ishin në gjendje të vlerësonin faktet dhe gjykimet. Dyshoj nëse edhe ata që i korrigjojnë këto provime, janë në gjendje të vlerësojnë në mënyrë kritike, por nëse i marrim të mirëqena këto rezultate, atëhere e ardhmja është e zymtë; ose jo, rezultatet e matura në shkollë nuk ka lidhje fare me suksesin më tej në jetë.

A është zgjidhje ajo e qeverisë të kriminalizojë “lajmet e rrema” duke i dënuar shpërndarësit me gjoba, apo është më mirë të investohet në arsim që qytetarët të kuptojnë edhe kur lajmet e rreme vijnë nga zyra e kryeministrit apo nga selitë e partive politike?

 

Gjuha ne provimet e matures 2017-2019

Provimi i gjuhës sipas formes

Shpërndarja e pikëve sipas formës se provimit të gjuhës ne Maturën Shtetërore 2019

Ndërsa rezultatet e maturës për të gjitha lëndët janë si më poshtë, ku matematika gjithashtu ka shënuar rënie.

Rezultatet e matures shteterore 2019

(c) 2019, autori.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top