ZYLOJA I KAPUR NË LIGJËRIM

Herën e fundit që isha në Tiranë, bleva – mes të tjerësh – romanin Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo – të Dritëro Agollit; sepse më duhej ta kisha në bibliotekë, por edhe kurioz për pjesën e shtuar të udhëtimit të Zylos në Afrikë.

Mora, pra, një version të vitit 2016, me rreth 100 faqe të shtuara në krahasim me veprën që njihja unë dhe me disa pak redaktime të tjera; të plotësuar edhe me një shënim të Rexhep Qoses në hapje dhe me një dosje vlerësimesh kritike të së huajve për romanin, në mbyllje të vëllimit. Me interes edhe një rrëfim i autorit, i vitit 1999, për peripecitë editoriale – dhe jo vetëm – të kësaj vepre.

Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo i Agollit më ka pëlqyer shumë, që herën e parë kur jam njohur me të – në faqet e revistës Hosteni. Aso kohe isha i ri dhe nuk e kuptoja pse më pëlqente – dhe pse në mënyrë të ndryshme nga leximet e tjera. Më pas do t’i kthehesha shumë herë, aq sa replika dhe batuta të tij do t’i mësoja përmendësh, për t’i rimarrë dhe përdorur me ironi. Më pëlqente edhe që Zyloja, ky personazh nga të rrallët e letërsisë së kohës, ishte edhe karikaturë, edhe simpatik për lexuesin; ose të paktën ngjallte një farë keqardhjeje. Më tërhiqnin edhe aforizmat e këtij filozofi të improvizuar, që në romanin quheshin – kushedi pse – ese dhe eskize. Fundi i romanit, me një mozaik vinjetash groteske për Zylon, më dukej i jashtëzakonshëm. Siç edhe mbetet, i jashtëzakonshëm, për letërsinë shqipe sot e kësaj dite.

Romani – i botuar për herë të parë në fillim të viteve 1970 – përshkruan jetën e përditshme, iluzionet dhe andrallat, dramat dhe komeditë e një shtrese specifike burokratësh të përftuar në Shqipërinë post-sovjetike (por në fakt gjithnjë sovjetike) të viteve 1960; që po borgjezoheshin me shpejtësi, teksa nuk luhateshin në vetëdijen e të qenit elita e re kulturore e vendit. Sot, ose gati gjysmë shekulli më pas, nuk mund të mos vërej një ngjashmëri sociologjike mes tij dhe Dimrit të vetmisë së madhe të Kadaresë, ku përvijohet e njëjta shtresë, edhe pse në kontekste të tjera dhe me ton tjetër. Nuk më duket e rastit, që këto dy romane u botuan praktikisht në të njëjtën kohë, për të shënjuar apogjeun letrar të “pranverës së vogël të Tiranës”, ose shkëlqimin dhe rënien e asaj shtrese sa të brishtë aq edhe miope, para masakrës që po u afrohej.

Çfarë më tërheq vëmendjen këtu, është se kjo shoqëri burokratësh, teknokratësh, zyrtarësh të mesëm, administratorësh të kulturës, shkrimtarësh, gazetarësh dhe artistësh, që i jep brumin njerëzor Zylos, ende ndihej – në fillimvitet 1970 – e sigurt në pozicionin e saj; në kuptimin që nuk kishte frikë. Frika këtyre do t’u futej e do t’u shpifej më pas, kur të priteshin kokat e para në kulturë, letërsi dhe në art; dhe të vijohej pastaj me spastrimet në ushtri dhe në ekonomi dhe, më në fund, në Sigurimin e Shtetit. Kjo do të ishte kryesisht frika se mos humbnin privilegjet e fituara (përfshi edhe mundësinë për ndonjë udhëtim në Afrikë), mirëqenien, dhe sidomos shpresën për të ardhmen e fëmijëve. Prandaj ai lloj humori dhe ngazëllimi që përshkon Zylon është epifenomen i atyre pak viteve, kur njerëzit dhe veçanërisht intelektualët në Tiranë mund t’ia lejonin ende vetes të mbyllnin sytë para abominacionit totalitar dhe të kujtonin se mund të jetohej normalisht, edhe në një Shqipëri të izoluar dhe represive, si ajo që kish krijuar Hoxha.

Këtë vlerë Zyloja jo vetëm e ka ruajtur, por edhe e ka pasuruar me kalimin e viteve, ose duke u distancuar nga përditshmëria. Shoqëria elitare e Tiranës, që vepron në faqet e romanit, sot përbën më shumë një enigmë që duhet zbërthyer nga lexuesi: çfarë i motivonte këta njerëz, ku e shihnin virtytin dhe vesin, çfarë prisnin nga vetja dhe nga sistemi, si hynin në marrëdhënie mes tyre – të gjitha këto i gjen në roman, por duhet t’i kërkosh. Dhe lexuesin e ndihmon shumë fakti që autori – le të themi Agolli, pa humbur kohë me distinguo narratologjike – nuk i merr personazhet e veta shumë seriozisht, madje zbavitet me ta dhe i qesëndis, gjithë duke treguar kujdes dhe dhemshuri hap pas hapi. Aq sa të duket, gjithnjë pas gjysmë shekulli, sikur autori e ka shkruar romanin për të kthjelluar disa gjëra me veten, ose për të kuptuar se ku qëndron ai vetë, si shkrimtar dhe drejtues i kulturës, në raport me shtresën së cilës i përket.

Shkrova më lart që Zyloja më pat pëlqyer që herët, edhe pse nuk e ftilloja dot mirë pse. Sot mbase mund ta shpjegoj – Agolli i pat dhënë letërsisë shqiptare atëherë ndoshta romanin më “linguistik”, ose një vepër letrare ku konflikti mes regjistrave dhe stileve në ligjërimin e personazheve çon përpara dramën, e brendshme dhe të jashtme; sepse mishëron një dikotomi madhore në vetvete, atë midis oralitetit dhe skripturalitetit, në një Shqipëri që po kërkonte të emancipohej me të shpejtë, por që nuk shkëputej dot nga e shkuara. Asgjë më mirë se ligjërimi – i folur dhe i shkruar – nuk i ruan aq mirë gjurmët e këtyre transformimeve dhe gjymtimeve epokale. Zyloja si personazh – për mua më i realizuari i letërsisë shqipe të së gjitha kohërave – i vjen lexuesit edhe si kontradiktë e madhe diskursive, ose një martesë e tendosur mes frazistit recidivist dhe krijesës orale që e ka pjellë; e cila nuk është veçse rishfaqja e luftës aq themelore mes ligjërimit të folur, që e merr autoritetin nga e shkuara (proverbat) dhe ligjërimit burokratik (logokratik), që e merr autoritetin nga konformimi ideologjik (parafabrikatet). Për këtë dua të shkruaj – shpresoj të shkruaj – më pas.

Përndryshe, arsyeja praktike që më shtyu ta blej dhe ta rilexoj romanin, nuk e përligji dot veten: udhëtimi i Zylos në Afrikë i shton vërtet romanit disa situata komike, por nuk i shton gjë personazhit dhe as ia pasuron eksperiencën lexuesit. Nga kjo pikëpamje, m’u duk sikur versioni “i zgjeruar” i Zylos i ngjante një director’s cut të filmave të suksesshëm; prej nga film-dashësi mund të marrë vesh çfarë kish në mendje regjisori, por që artistikisht jo gjithnjë janë aq të arritura sa versioni që ka qarkulluar në kinematë. Edhe me Zylon, siç e shpjegon Agolli vetë në post scriptum të botimit të tanishëm, pjesa “afrikane” e veprës u la jashtë me sugjerimin edhe të kryeredaktores së shtëpisë botuese, Dhurata Xoxa; autori thotë “nuk dëshiroja të më hapeshin telashe për përmbajtjen kritike të romanit”, por vendimi i atëhershëm paska pasur – do të ketë pasur – edhe arsye mirëfilli letrare. Megjithatë, do të ish më mirë të dëgjohej, për këtë, mendimi i dikujt që nuk e ka njohur Zylon në versionin origjinal.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.